Wednesday, September 29, 2010

Seksi dhe Gjiri Persik


Nëpër rrugët e Arabisë Saudite meshkujt nuk lejohet që t’u flasin femrave në publik, por telefoni në dyqanin e seksit që është çelur në Riad, nuk pushon së rëni dhe kërkesat për sendet e ndryshme që ofron ky dyqan janë të mëdha

Rruga me kalldrëme, “Mbreti Fahd”, lidh Arabinë Saudite me ishullin e Mbretërisë së Barhreinit, ku njerëzit janë disi më të relaksuar, përfshi edhe drejtuesit e ishullit. Nëse lini pas Manamanë, kryeqytetin e mbretërisë dhe merrni për nga bulevardi “Bagdad” e më pas ktheheni djathtas për në jug, do të shihni përballë një supermarket. Vazhdoni ecni pas tij dhe do të ndodheni përballë një dyqani që tregton një mall tepër larg moralit strikt për të cilin njihen thuajse të gjitha vendet arabe. Brenda këtij dyqani, gjëja e parë që të bën përshtypje është telefoni që nuk rresht së rëni. “Numri i fundit ishte ai i një zonje nga Arabia Saudite”, shpjegon pronari i dyqanit. Me pak fjalë, bëhet fjalë për klientelën tipike të “Shtëpisë së Modës” në Manama të Barhreinit. Po atë pasdite, zonja që ka telefonuar shfaqet në dyqan me fytyrën e mbuluar nga ku nuk duket asgjë tjetër veç syve dhe sapo hyn brenda ble një këmishë të hollë me ngjyra të ndezura që reklamohet në vitrinën e dyqanit. Sipas pronares, një pjesë e klienteve të saj vijnë të mbuluara, por ka edhe nga ato që vijnë me kokë jashtë. Zakonisht bashkëshortët e tyre qëndrojnë jashtë dyqanit, në ndonjë nga lokalet përreth tij, apo edhe nëpër cepat e rrugëve, në pritje që gratë të përfundojnë blerjet. Në njërën nga vitrinat e dyqanit, që nuk ka një dalje të madhe në rrugë, qëndron varur një veshje e denjë për mazokistët me kamxhik, pranga dhe veshje të brendshme tepër ekstravagante si për femra, ashtu edhe për meshkuj. Ndërkohë që në kthinat e dyqanit mund të gjesh të gjitha asortimentet që gjenden nëpër dyqane të tilla të ngjashme në Perëndim. Nga produktet më të thjeshta që përdoren në jetën seksuale të përditshme, e deri tek ato më të sofistikuarat dhe ekstravagantet, që sigurisht i kanë edhe çmimet e kripura.

Vetë pronarja e dyqanit është 33 vjeçe dhe mamaja e tre fëmijëve. Ajo vesh një fustan të gjatë deri në fund të këmbëve dhe dëshiron që të ishte pak më elegante. Së fundmi është divorcuar dhe e drejton e vetme të gjithë biznesin e saj, që e ka me shitje në dyqan, por edhe përmes internetit. Madje ka nisur që të shesë së fundmi edhe në Kinë, ku ka pasur shumë kërkesa për mallra arabë.

Ajo thotë se produktet më popullore janë ato që përdoren për të zmadhuar organet seksuale, apo ato që përdoren për t’u dhënë trupave aroma të ndryshme me shije frutash dhe lulesh. Por dyqani i saj në fakt nuk mban sende seksi, apo filma porno, të cilët në islam janë të paligjshëm. Islami ndalon pamjet që nxjerrin pjesë të trupit në mënyrë të padenjë. 33-vjeçarja është duke e drejtuar vetë këtë biznes që prej 2 vitesh dhe bëhet fjalë për dyqanin e parë të seksit në të gjithë rajonin e Gjirit Persik dhe për shumë kohë ndoshta do të jetë i vetmi i këtij lloji. Fillimisht ajo nisi që të shiste fustane të ndryshme dhe më pas, pak nga pak nisi që të fuste edhe veshje intime femrash, derisa në një moment të caktuar pati guximin për të futur edhe objekte erotike. “Në momentin që e pashë se këto objekte dhe veshjet seksi shiteshin më shumë dhe më mirë, vendosa që t’i përkushtohem tërësisht shitjes së veshjeve intime dhe produkteve të tjera të seksit, sigurisht brenda disa limiteve”, thotë pronarja.

Në shekullin XVI trupat e zhveshur njerëzorë kanë frymëzuar shumë poetë që u kanë thurur vargje hireve të bukurisë njerëzore. Kështu, “Kopshtet erëmira” e Mohamed al-Nafzawi përbën një manual klasik seksi, i ngjashëm me “Kama Sutran” orientale, edhe pse është pa ilustrime.

Por që nga ajo periudhë është shtuar shumë kufizimi ndaj hapjeve të tilla dhe kjo mbyllje ka marrë përmasa të mëdha në vendet arabe. Një nga treguesit e këtij ekstremiteti është edhe fakti që meshkujt në Arabinë Saudite nuk mund të flasin me femrat në publik. Pronarja e këtij dyqani nuk kërkon që të ndryshojë botën, por vetëm të pakësojë hipokrizinë njerëzore që është shumë më e madhe në vendet ku gjërat ndalohen dhe bëhen fshehurazi. “Të gjithë e pëlqejnë dyqanin tim dhe mallrat e tij. Njerëzit vijnë dhe blejnë lojëra erotike, edhe pse jashtë dyqanit askush nuk ka guxim që të flasë për to”, thotë pronarja.

Në Barhrein nuk është e paligjshme që të kesh një dyqan të tillë dhe kjo doli kur në këtë mars ajo arriti të fitonte një gjyq ndaj disa personave që e akuzonin se kishte ngritur një veprimtari të paligjshme. Megjithatë, disa nga mallrat e saj i janë konfiskuar si mallra që nuk janë në përputhje me ligjin për t’u shitur. Por pavarësisht kësaj, ajo është krenare që e cilësojnë dallëndyshe të dashurisë së lirë dhe zbavitëse, sepse siç thotë: “Dashuria dhe seksi janë kripa e jetës”.

No comments: