Tuesday, September 28, 2010

Biondja me dramaturgun


Lidhja “bombë” që nuk arriti të “shpërthente”

Ajo ishte “bomba shpërthyese” e Hollivudit dhe nuk mund të merrej kurrë seriozisht. Ai ishte më i famshmi dramaturg amerikan, që po kërkonte një rrugëdalje nga martesa e tij “bajate”. Por, pikërisht atëherë nisi edhe çmenduria. Në këtë ekstrat të biografisë më të rëndësishme të Arthur Miller, jepen detaje të martesës së tij me Marilyn Monroe

Ishte viti 1951 kur Arthur Miller dhe Elia Kazan hynë në bordin e një treni pasagjerësh, që do të rrugëtonte nga Nju Jorku në Los Anxhelos. Edhe pse shkrimtari dhe regjisori kishin shpresa të mëdha për skenarin e tyre “Çengeli”, ai udhëtim ishte diçka më shumë se një udhëtim pune. Ishte një shans për të ikur nga Nju Jorku, nga rutina e përditshme e të shkruarit dhe, në rastin e Miller-it, nga jeta e tij e tensionuar martesore me Maryn, gruan që e kishte në krah që prej 10 vjetësh. “Për një 35-vjeçar”, ankohej ai, “kam shumë pak nga jeta: vetëm punë. Ndonjëherë më duket se nëse nuk do të punoj, do të pushoj edhe së ekzistuari, sepse nuk kam asnjë motiv tjetër”.

Miller e takoi Monroe për herë të parë në sallat e “Fox”. Ai dhe Kazan e panë në punë, ndërsa xhironte filmin “As young as you feel”. Ishte skena e një klubi nate dhe Marilyn duhej të ecte në një mënyrë provokuese, që në fakt nuk ishte shumë larg ecjes së saj të vërtetë. Kur skena përfundoi së xhiruari, aktorja kaloi nga Kazan. Ai e kishte takuar atë më parë me agjentin e saj Johnny Hyde. Miller ndodhej pak më larg dhe për këtë moment të parë ai shkruan më vonë: “Fillimisht pashë profilin e saj që rrihej nga drita, me flokët e mbledhur lart. Ishte me lot në sy. Pasi u takua me Elian erdhën të dy pranë meje. I dhamë duart njëri-tjetrit dhe befas ndjeva të më përshkonte një drithërimë”. Por miqësia mes Miller dhe Monroe u thellua në një mbrëmje të organizuar posaçërisht nga dramaturgu. Ai kishte ftuar aty disa miq dhe disa gra të reja. Një pjesë të mirë të kohës ia kushtuan njëri-tjetrit duke kërcyer. Miller-it i kujtohej një koment që kishte dëgjuar kohë më parë për Marilyn: “Meshkujt e hanë të gjallë”. Kjo e bënte Miller-in që të ndihej protektiv ndaj saj. Që Marilyn do të zgjonte interesin e Miller-it, kjo nuk ishte e paparashikueshme, por e çuditshmja ishte se vetë Marilyn u tërhoq shumë prej burrit të gjatë dhe elokuent. Aktorja nuk kishte nevojë për mbështetjen e tij, pra ishte thjesht e tërhequr prej tij, pa kurrfarë interesi. Në njëfarë mënyre Arthur e kishte tërhequr, sepse nuk ishte një person që u përkiste qarqeve të brendshme të Hollivudit. Ai ishte diçka tjetër, vinte nga një tjetër botë. Ndërsa Miller bisedonte me Marilyn, u tërhoq menjëherë nga ndjeshmëria dhe sensi realist i biondes. Ai, për momentin, mund t’i lejonte vetes vetëm një xhentilesë dhe Marilyn i përgjigjej asaj me shumë natyrshmëri. Dramaturgu nuk mund veçse t’i fliste për temën e tij të preferuar, teatrin, dhe i sugjeroi asaj që të vazhdonte kurset e trajnimit profesional e të moskënaqej me atë që kishte arritur, pasi, sipas tij, ajo mund të kishte një karrierë teatrore të shkëlqyer, nëse do të kishte kualifikimin e duhur. Më parë askush nuk e kishte marrë bionden shumë seriozisht, nga ana profesionale, edhe pse ajo ishte e famshme dhe e lakmueshme. Tani, përballë saj, ndodhej një shkrimtar i famshëm, i cili po i sugjeronte se ajo kishte talent dhe do të kishte sukses të padiskutueshëm në Brodway. Më vonë Marilyn kujton se ai takim i parë i la shumë mbresë. “Nuk e pashë më për 4 vjet. Shpesh mendoja se ai mund të kishte parë ndonjërin nga filmat e mi dhe ndërsa e mendoja përpiqesha që të jepja më të mirën, sepse ai kishte pasur besim tek unë dhe kjo më inkurajonte”, shkruan më vonë Marilyn. Në fillim të viteve ’90, ish-bashkëshortja e Miller, Mary, rrëfen se e kishte ndier që diçka i kishte ndodhur të shoqit gjatë udhëtimit të tij në Perëndim. “Ai ishte i shqetësuar”, kujton ajo. Megjithatë, për një farë kohe, pas kthimit, Miller u afrua sërish me të shoqen, të cilës i kushtoi edhe një dramë. “Megjithatë kishte mbrëmje kur më bëhej të lija gjithçka e të vërtitesha pa ndonjë qëllim nëpër Brooklyn”, kujton Miller më vonë, ndërsa sjell ndër mend ndjenjat e dëshirës së madhe për t’i ikur jetës së tij. Ndërkohë, Monroe pas takimit të parë me Miller, vendosi që të regjistrohej në Universitetin e Kalifornisë, në kursin e letërsisë dhe artit në shkurt të vitit 1951. Miller i dërgoi një listë librash që ajo duhej t’i lexonte dhe Marilyn po përpiqej me të gjitha mundësitë që të vetedukohej e përmirësohej. Nuk kaloi shumë kohë kur e kuptoi se arsyeja e gjithë asaj përpjekjeje ishte vetëm një: dashuria për Miller-in.

“The Seven Year Itch” përfundoi së xhiruari më 5 nëntor të vitit 1954. Pikërisht në atë moment ajo iku në Nju Jork, duke u thënë të gjithëve se po e linte Hollivudin për të qenë më shumë vetja e saj në Nju Jork. Me të mbërritur në “Mollën e Madhe”, ajo mori me qira një apartament në “Waldorf Astoria Towers”. Menjëherë u regjistrua në “Actors Studio”, në të cilën studionin edhe figura të tjera të shquara të kinemasë. Në fillim të verës u takua me Miller-in dhe që nga ai moment takimet e tyre ishin të rregullta, por thuajse askush nuk dinte gjë për to. Në një intervistë që aktorja e dha në muajin gusht, deklaroi se kishte vendosur që të blinte një shtëpi në Brooklyn. Më 10 qershor, një gazetë thashethemesh shpallte divorcin e Miller-it dhe aludonte lidhjen e dramaturgut me aktoren. Më pas, në një tjetër intervistë të shpejtë ai deklaroi se udhëtimin e ardhshëm që do ta bënte në Europë me rastin e vënies në Londër të dramës “Pamje nga ura”, do ta kryente së bashku me personin që do të ishte gruaja e tij e ardhshme. Kjo deklaratë ishte një surprizë edhe për vetë Monroe. Mbrëmjen e 29 korrikut, Miller dhe Monroe u martuan në një ceremoni civile. Dy ditë më pas u martuan sërish, por këtë herë në një ceremoni hebraike. Më pas u organizua një darkë, ku u ftuan 30 miq të çiftit. Miller-it iu desh që për ceremoninë e martesës t’i merrte borxh unazën të ëmës, por një javë më vonë bëri një tjetër me porosi, brenda së cilës shkruhej: “A për M, qershor 1956. Tani dhe përgjithmonë”.

Dy javë pas martese, më 13 korrik 1956, çifti u nis për në Londër. Ishte njëfarë muaji mjalti i ndërthurur me punë, si dhe përvoja e parë e të dyve për një jetë të re së bashku. Udhëtimi i tyre u shoqërua nga 27 valixhe dhe shumë çanta dore. Për Lorenc Olivierin, Monroe ishte një skizofrenike, shumë sharmante dhe agresive njëherazi, që bënte gjithçka që të tjerët ta pëlqenin, edhe pse ishte shumë e ashpër me ata me të cilët punonte. Ai kishte pasur një marrëdhënie të shkurtër me të kur u takuan për herë të parë për xhirimet e një filmi, por në përfundim të tij ata thuajse nuk komunikonin fare me njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës për çiftin nisën të shfaqeshin problemet e para martesore. Për Monroe profesioni ishte shumë i rëndësishëm dhe mbi të gjitha sfida që i kishte vënë vetes për të qenë shumë e aftë, në mënyrë që t’u tregonte të tjerëve që nuk ishte vetëm një kukull e bukur, por edhe aktore e përgatitur dhe e zonja. Pas disa javësh xhirimesh në Londër, Miller e la Monroe vetëm dhe u nis për Nju Jork për të takuar fëmijët. Asaj nuk i erdhi mirë dhe i ndaloi xhirimet e filmit, duke thënë se nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore. Në të vërtetë i erdhi keq që Arturi e la vetëm në një situatë të vështirë për të. Përveç kësaj kishte edhe një tjetër arsye. Mjeku i kishte thënë se ishte shtatzënë. Gjatë kohës që Miller ishte larg, ajo e humbi fëmijën dhe ndërkohë regjisori i filmit, Colin Clark, mori rolin e personit që duhej ta ngushëllonte dhe t’i qëndronte pranë. Me përfundimin e filmit në nëntor, çifti kthehet në Nju Jork dhe pas kësaj shkuan në muajin e vërtetë të mjaltit, pa punë nëpër këmbë, në Xhamajka. Aty e kaluan kohën duke shëtitur buzë detit, duke parë peshkatarët të ndernin rrjetat e peshkimit në perëndim të diellit. Pas kësaj çlodhjeje të merituar u rikthyen në Nju Jork. Sipas Miller, Monroe ishte një shpirt shumë i ndjeshëm dhe kishte një dhembshuri të veçantë për të moshuarit, fëmijët dhe kafshët. Nga ana tjetër, ajo vazhdonte që të ishte e ashpër dhe e pamëshirshme me personat që i qëndronin pranë. Nëse një shërbyese nuk e kryente siç duhej detyrën e saj ofendohej dhe pushohej nga puna. Vera e vitit 1957 ishte ndër më të bukurat e çiftit. Atë e kaluan në fermën e tyre në Long Island në Amagansett. Monroe shëtiste me pantallona të shkurtra nëpër bimësi dhe më pas lahej së bashku me të shoqin në hauzet e fermës. Në fotot e marra gjatë atyre muajve Miller shfaqet me një kapele bejsbolli, ndërsa Monroe me një kostum të bardhë. Për ca kohë ajo iu dha tërësisht shtëpisë dhe punëve të saj. Mësoi të gatuante, të bënte vetë brumin e makaronave dhe mandej edhe pazarin. Çdo dhimbje e së shkuarës, në ato kohë, i dukej si një ëndërr e keqe. Marrëdhënia bashkëshortore u forcua nga një tjetër shtatzëni. Marilyn filloi të shtonte shumë në peshë dhe të qëndronte për orë të tëra nën diell. Pavarësisht kësaj humbjeje çifti dukej më me imunitet se kurrë. Por vera idilike që i kishte bërë Marilyn të harronte të shkuarën përfundoi më 1 gusht. Ndërsa Marilyn po shëtiste në kopsht ndjeu një dhimbje në bark dhe u shtrua në spital. Fëmija nuk mundi sërish të vinte në jetë. Siç shpjegon më vonë Miller, Monroe kishte probleme gjinekologjike. Kjo situatë bëri që Monroe të binte në depresion, të fillonte marrjen e ilaçeve. Marrëdhënia bashkëshortore nisi të pësonte çarjet e para dhe tensioni mes të dyve sa vinte e shtohej. Një natë Miller e gjeti të shoqen në gjumë të thellë, pas konsumimit të një pakete me gjumëvënës, një ngjarje që u përsërit disa herë, pavarësisht të gjitha grindjeve që shoqëronin veprime të tilla. Pas një periudhe konvaleshente, Monroe rifilloi xhirimet dhe gjatë kësaj kohe u largua shumë nga i shoqi, i cili nisi të ndiente sërish peshën e një martese të dështuar. Për sa i përket Marilyn, ajo vazhdonte të zhytej thellë e më thellë në depresion e ilaçe dhe sjellja e saj sa vinte e bëhej më e padurueshme. Miller e kalonte sërish kohën i zhytur në punë, në shkrime, duke u pikëlluar gjithnjë e më tepër për gjendjen e së shoqes, e cila ishte transformuar plotësisht nga ilaçet dhe alkooli। Ky ishte edhe fundi i marrëdhënies së tyre. Një javë pas ndarjes nga Monroe, Miller u lidh me fotografen e famshme Inge Marath… Për sa i përket Monroe, ajo ndërroi jetë në mëngjesin e 5 gushtit të vitit 1962. U gjet e vdekur në shtrat me një shishe tabletash kundër stresit në duar. Disa ditë para vdekjes kishte shprehur dëshirën për t’u rimartuar me Joe di Maggion dhe për të la një letër, ku shkruante se shpresonte që do ta bënte të lumtur. Për Miller-in duhet të kalonin 20 vjet që ai të qante kur të mendonte për vdekjen e ish-gruas. Pavarësisht marrëdhënieve jo të mira e mërive mes tyre, Monroe i kishte ruajtur të gjitha letrat që ai i kishte dërguar. Ato iu gjetën në një sirtar të shtëpisë. Kur Miller-in shumë vite më vonë e pyetën se çfarë kujtimesh ruante nga marrëdhënia me Monroe, ai nxori vetëm 5 letrat e saj. Më pas erdhi një heshtje e gjatë./BotaSot /

No comments: