Monday, September 27, 2010

Lajthitje, apo të vërteta që i thotë vetëm Prifti


Sigurisht që filozofi Spinoza ka përcaktuar drejt se tri janë gjërat që të bëjnë të lumtur; paraja, nderet, dhe kënaqësitë fizike. Por kur...

...këto janë me tepricë bëhen të dëmshme për njeriun. Po, po, sepse paraja e tepërt i shton edhe më tepër makutërinë qenies njerëzore, pasi e tillë është e ndërtuar me egoizëm dhe orekse pa kufi, në kërkim të një lirie pa kufi dhe që mendohet se në shoqërinë e sotme kaq pragmatiste, paraja këtë liri ta garanton. Por makutëria për më tepër para edhe të rrëzon, kur kjo shoqërohet edhe me makutërira për pushtet politik.
Por në fakt këto pushtete nuk janë pa lidhje me njëri-tjetrin. Pushteti politik prodhon pushtetin ekonomik, kur është fjala për komoditete të tilla tenderash, koncesionesh që po dëgjojmë dhe anasjelltas, pushteti ekonomik dikton atë politik meqë shpesh edhe më shpesh po ndodhin bashkime dhe divorce politike pa ideale, pa parime morale, por vetëm me bazë marrëveshjesh apo mosmarrëveshjesh, përputhje interesash apo mospërputhje interesash për copëzime të pasurive natyrore kombëtare.
Në fenomenin binom të deritanishëm Prifti-Meta, paraja e tepërt duket se u ka bërë dëm të dyve, por më tepër kryetarit të LSI, pasi po i ikin nga vatha anëtarët, por që në fakt ata po bëjnë njësoj si lideri i tyre; pikërisht atë që në konceptin e liderit ky të jetë udhërrëfyes. Dhe është lideri i LSI që u hapi rrugë dhe u bë udhërrëfyesi i anëtarëve të tij drejt koalicionit me PD, një koalicion me një parti të djathtë, duke ndërruar identitet politik. Por që përsa i përket cilësisë tjetër të liderit (sigurimi i pasuesve), sa po vjen edhe po i rrëshqet situata liderit të LSI-së. Me sigurimin e pasuesve nuk dihet më se ç'po ndodh me drejtuesit e LSI. A ka siguruar pasues, a po përgatit pasues, a po lejon t'i shkojë ndërmend ndonjërit të jetë pasuesi i Metës?
Në fakt çudia më e madhe ishte kur Prifti deklaroi i pari koalicionin me PD dhe në këtë rast qytetarë idealistë e konsideruan çmenduri, por jo ata të LSI apo ndonjë sekretar i LSI, që sot në media e konsideron Priftin si person me probleme psiko-shëndetësore, por që vetë atë kur rrahu gazetarët nuk e komentuan si me probleme psikike, as media, as sekretarë apo politikanë. Madje nuk e konsideruan me çrregullime psikike as kur ndërroi lëkurën, ku nga ministër i PS (gjeneral), shkoi në koalicion me PD, sekretar i LSI; (ushtar).
Sa për nderet që sipas filozofit të lartpërmendur e bëjnë njeriun të lumtur si një element lumturie jetësore, edhe këto kur bëhen me tepricë janë në dëm të njeriut, pasi tjetri duke u mësuar me bërje nderesh krijon varësi ndaj ofruesit të ndereve dhe tjetri (ofruesi i ndereve) humb lirinë e tij, pasi kufizohet gjithmonë e më tepër nga këmbëngulja e tjetrit për t'i bërë sa më tepër, e sa më tepër ndere, pafundësisht.
Kështu edhe çudirat në LSI nuk janë aq çudira, as akuzat e ndërsjella, pasi ky kryetar i LSI e mbajti afër dhe bashkëjetoi për kaq kohë me Priftin me këtë "të korruptuarin", apo këtë "të përfshirin në krime të organizuara", sipas deklaratave të tanishme dhe që ne si qytetarë na lindin me të drejtë disa pyetje:
Si dhe pse e mbajti kryetari i LSI për kaq kohë këtë të "korruptuar" në radhët e LSI-së, madje edhe e vlerësoi me post ministror? Nëse është e vërtetë që ishte në dijeni si më parë, si bashkëjetoi ai vetë në një parti me krimin që sipas kryetarit të LSI është i përfshirë edhe Prifti?
Të pranosh të bashkëjetosh me krimin në një parti që drejton vetë është sipërmarrje e madhe, pasi dihet ajo çka duhet të bëjë një lider me integritet të lartë moral kur konstaton apo ka pasur dijeni për afera korruptive të anëtarëve të partisë së tij; zbaton statutin për largimin nga radhët e partisë "të të korruptuarve" dhe i drejtohet organeve kompetente për këtë, pa pasur nevojë për kaq show mediatik. Por që të hedhësh këtë hap, sigurisht lideri vetë duhet të jetë i pastër nga morali, pasuritë, llogaritë bankare brenda dhe jashtë vendit dhe që të mund të përballojë denjësisht ndonjë kundërpadi të të "korruptuarit" në radhët e partisë.
Dhe që të mos ndodhë kështu, shpeshherë kemi dëgjuar që akuzat e kundërakuzat fashiten pas disa ditësh, duke mos pasur as kallëzime në Prokurori të palëve, as fillim hetimi kryesisht nga organet kompetente që e kanë për detyrë të fillojnë hetimet nga denoncimet publike në media; asgjë nuk ndodh, vetëm ca tryeza dhe emisione më tepër në media.
Po të vazhdojmë me pyetjet në formë habitore; Pse çuditet kryetari i LSI edhe nëse është e vërtetë që Prifti i ka propozuar oferta nga Rama dhe kjo përbëka amoralitet për Metën?
Sikur është hera e parë që ndodh kështu me oferta që vijnë në varësi të zhvillimeve të çastit politik.
Pse nuk u indinjua kaq shumë Meta kur doli Prifti i pari dhe i dha ofertën e Berishës për koalicion pas zgjedhjeve dhe që nuk përbëri as amoralitet dhe as çudi për Metën kjo gjë? Ja që këtë herë Prifti, meqë u mësua me Metën që pranon lloj soj ofertash pa ruajtur identitetin politik, tani me Berishën dhe herë tjetër ndoshta me Ballin, a Mjedisin a ku të dalë interesi. Pra, edhe nuk përbën ndonjë absurditet nismë negociatash të tilla për Priftin edhe t'i servirte një propozim nga Rama (gjithmonë nëse kjo do të ishte e vërtetë). Pse preket kaq shumë Meta dhe indinjohet? Nuk është se nuk e ka bërë më parë vërdallisjen majtas, djathtas, jo majtas por djathtas, dhe herë tjetër jo djathtas por majtas, dhe prapë nga e para. Kështu, në fillim pro Nanos por kundër Berishës, më pas edhe kundër Nanos edhe kundër Berishës, më pas edhe kundër Nanos edhe kundër Berishës, por pro Ramës, më pas vetëm kundër Ramës, pa edhe pro Nanos dhe Berishës.
S'ka faj Prifti edhe nëse i ka shkuar ndërmend negociata me Metën këtë radhë pro Ramës, por kundër Berishës. Po pse edhe kundër Priftit? Apo se i iku nga vatha? Por këto luhatje çfarë janë sipas sekretarit të LSI (ish ministrit të PS), probleme psiko- shëndetësore apo shëndet i mirë mendor? Meqë po merr edhe rolin e psikiatrit-doktor krahas atij si sekretar, ndoshta i jep përgjigje edhe psikanalizës.
Sa për kënaqësitë fizike si element lumturues në jetën e njeriut, edhe këto me tepricë janë të dëmshme, pasi mbarojnë shpejt dhe zgjatin pak. Njeriu pas përfundimit të tyre mund të kalojë në gjendje dëshpërimi, sidomos kur të mbaron edhe pushteti ekonomik bashkë me atë politik, pasi dhe njeriu nuk mund të posedojë superenergji pafundësisht dhe të jetë mbinjeri, prandaj dhe gjithçka ka një lindje dhe një vdekje. Por lum ai që ndërkohë që i ka këto pushtete bën të mira dhe që nuk e gjen lumturinë e tij tek hidhërimi i tjetrit.
"Nuk mund të jetë kurrë i lumtur ai që lumturohet nga hidhërimi i tjetrit" thotë filozofi Shopenhauer, por që në kontekstin e shkrimit as Meta nuk mund ta gjejë lumturinë tek hidhërimi i Priftit, i cili të paktën në ndërgjegjen e tij, sipas llojit të vet, i bëri një të mirë publikut, duke mos i fshehur pasurinë, duke i lënë të hapur rrugën për investigime dhe komente rreth pasurisë së tij. Por të tjerët që i fshehin pasuritë e tyre marramendëse përbëjnë rrezik edhe më të madh shoqëror, duke mos i hapur rrugë investigimit se në ç'rrugë i kanë siguruar ato, dhe që nëse do të ishin në rrugë kriminale, këtë rrjet po këta do të vazhdojnë ta furnizojnë në dëm të individit dhe shoqërisë. Nuk duket shumë e qartë nëse e kanë inatin me Priftin për pasurinë e tij, apo se ju hapi avaze me modelin e tij të vetëdeklarimit, gjë që i tremb se një ditë do ju kërkohet edhe të tjerëve me radhë ndoshta atë ditë kur të jetë forcuar shteti ligjor, shteti i së drejtës.
*Pedagoge e Shkencave Sociale,
Universiteti i Tiranës

No comments: