Sunday, September 26, 2010

Helena Paparizou: Muzika i "thyen" të gjithë kufijtë


Helena Paparizou vjen për të dytën herë në Shqipëri. Herën e parë ishte para 10 vjetësh, Helena nuk ishte kjo që është sot dhe as Shqipëria nuk ishte kjo që është sot për sytë e saj. Këngëtarja greke me famë ndërkombëtare dhe një nga më të mirat që ka shteti Helen vendosi të ndajë ekskluzivisht me lexuesit e "Sh2" përshtypjet për Shqipërinë dhe çfarë po ndodh me jetën e saj në këto momente. Fjala e parë që tha sapo u ul në karrige ishte: "muzika del përtej politikës, lë ta lëmë politikën të bëjë punën e vet, ndërsa ne do të bëjmë tonën."


Ajo vjen e thjeshtë, e veshur me një palë xhins e bluze blu, një pirsing në hundë që bie në sy dhe një lirshmëri në të folur. Një tjetër gjë që binte në sy ishte e qeshura e saj, pas çdo fjalie buzëqesh. Ajo është një ndër zërat më të kërkuar në turet koncertore. Po aq e dashur është edhe në Shqipëri, e bërë e famshme me këngën "My number one", ajo këtë nuk e dinte, pret ta vërtetojë. Ndërsa ende pa filluar mirë intervista, ajo i bën parapritë pyetjeve politike. "Unë kam ardhur këtu për të kënduar, thotë Helena, e ku ka më mirë se muzika, ajo i thyen të gjitha 'qejf mbetjet' dhe del jashtë mureve të politikës".

Helena është hera e dytë që vini në Shqipëri, apo jo, si ka ndryshuar ky vend nga ajo kohë?
Po, hera e dytë. Në atë kohë pata ardhur për një koncert, kam qëndruar vetëm dy ditë dhe kam ikur, afërsisht edhe tani do të jetë e njëjta gjë. Këtë herë erdhëm natën dhe do të iki të dielën pasdite, por shpresoj të kem më shumë kohë këtë herë për të parë më shumë Shqipërinë. Po, sigurisht, me kaq rrugë sa bëra tani, nuk krahasohet më atë të dhjetë viteve më parë, ka ndryshuar shumë dhe për mirë madje. Periudha kur kam qenë herën e kaluar me sa më kujtohet ishte para se të shkonim për herë të parë në "Eurovizion" me grupin "Antik" . Bëhet fjalë përpara pranverës së vitit 2001, ishte dimër.



Ju, atëherë, nuk e kishit këtë famë dhe popullaritet që keni sot, e dini që jeni shumë e dashur dhe e pëlqyer edhe për publikun shqiptar?

Sigurisht që këtë nuk e di. Duke kaluar vitet, ajo që ka qenë hobi im është bërë tashmë profesion dhe në këtë pikë kam menduar që nuk është synimi im se sa e njohur të bëhem, po se sa të rritem brenda kësaj pune. Dhe besoj se kam pasur dhe kam mbajtur një stomak të fortë, duke parë që e kam nisur këtë rrugë shumë e vogël që 17-vjeç. Jam akoma dhe ndihem me këmbë në tokë edhe në Greqi, ku njerëzit më duan shumë dhe e kuptoj pëlqimin e tyre, por, unë mundohem që të jem ngjitur me ata, të jem afër me popullin. Kur jam në skenë dua të ndiej që të gjithë më duan, por nga ana tjetër kur jam jashtë skene dua të ndihem si vajza e tyre, vajza e të gjithëve.



Ju keni marrë pjesë dy herë në "Eurovizion", e mendoni veten një herë të tretë në atë skenë?

Joo. (qesh), e dini përse? Gjithmonë thosha jo, por, vitin e kaluar më erdhi një këngë shumë e mirë, dhe e mendova këtë gjë, të merrja, apo të mos merrja pjesë dhe nuk mora. Jetoj me një moto, kur ndiej dhe refuzimin më të vogël në një konkurs, nuk e bëj, dua të kem një plus të madh edhe brenda vetes. Dhe në 2005-ën, kur kam konkurruar, shumica nuk donin që unë të shkoja në "Eurovizion". Isha në një tavolinë te disa miq të mi, të cilëve u kam pagëzuar fëmijën dhe më thoshin, mos shko të konkurrosh, do të prishësh karrierën. Dhe unë thashë: "Do të shkoj, kush të dojë lë të më mbështesë." Ndaj, them që kur të bësh diçka, duhet ta duash dhe ta ndjesh që ti je pjesë e asaj pune apo projekti. Atëherë e ndieja, tani jo.


Si e shpjegon faktin që çdo vit në "Eurovizion" Shqipëria i jep pikët maksimale Greqisë, ndërsa Greqia nuk na i kthen në këtë mënyrë, nuk na jep të njëjtat pikë, por gjithmonë më pak?
Këtu ngre duart lart! Në fillim do të thosha diçka, nëse "Eurovizioni" do të shihej me syrin politik, as Greqia nuk do të dilte ndonjëherë e para për këto arsye. Shumë thonë që ka votim politik, po hajde e merre vesh. Shqipëria ka njerëz të talentuar dhe gjatë pjesëmarrjeve të mia në atë eveniment e kam vërejtur këtë gjë. Mendoj që arsimi në Shqipëri është më disiplinor, ka më shumë rregull. Kështu edhe me shkollat në Rusi, qoftë në muzikë apo kërcimtarët. E vërteta është që sporti dhe muzika duhet të ketë disiplinë, duhet të kesh bazë, jo që u bëre këngëtare dhe përfundoi çdo gjë, si në çdo fushë duhet të vazhdosh të studiosh dhe të gjithë zërat që Shqipëria ka dërguar në "Eurovizion" kanë qenë shumë të mira. Do zoti del e para këtë vit. Kur të shkoj në Greqi do të them që i jepni një 12 pikësh Shqipërisë këtë vit (qesh).


Ju keni lindur në Suedi?

Po, dhe kam jetuar deri sa u bëra 20-vjeç.


Çfarë përfaqëson për ju emri Helena?

Asnjë vajzë, kur nis karrierën, nuk mendon se do të ketë një sukses të tillë. Ndoshta nuk e kam kuptuar në gardën që jam e deri ku kam arritur. Gjithçka e kam bërë me mbështetjen e babait tim, që e kam humbur para 1 viti e gjysmë. Kur isha e vogël doja të dukesha gjithandej, atëherë thosha që do të bëj mbiemrin tim Paparizou që të dëgjohet në të gjithë botën dhe në Evropë e kam arritur (qesh). Jam shumë krenare për gjithçka dhe sidomos për prindërit e mi. Për mua është më e rëndësishme që të bëj atë gjë që dua dhe të punoj me Elenën që është brenda që kur të shfaqem për njerëzit ata të kenë çfarë të dëgjojnë dhe shikojnë. Të gjitha grave u pëlqen të lyhen, të vishen, vënë kile në trupin e tyre, i humbin përsëri ato, po përtej tyre rendësi ka që të zgjohesh në mëngjes, të jesh mirë me veten tënde, duke mos pasur mendime të këqija për asgjë. Çfarë është më thelbësore, kutia apo ajo çka ka brenda? Sigurisht ajo që ka brenda. Unë dhe Helena jemi shumë mirë me njëra tjetrën (qesh).
Sa e angazhuar keni qenë në këtë periudhë?
Sapo mbarova një tur shumë të madh në Greqi, tani erdha në Shqipëri dhe më pas do të shkojë në Qipro. Edhe me gjithë këto angazhime e kam gjetur kohën dhe për të bërë ca pushime dhe plazh, kam shkuar në Kretë.
Helena është e dashuruar?
Jam me të njëjtin burrë që nga viti 1999. Tani nuk mund të vinte se është i angazhuar me një albumin që do ta nxjerrë së shpejti. Nuk jemi të martuar, bashkëjetojmë.
Një mesazh për ata që do të dëgjojnë këngët tuaja?
Unë uroj që të gjithë njerëzit të jenë mirë, të shëndetshëm dhe kush do të vijë nesër t'ia kalojë shumë mirë.


Kush është Helena Paparizou
Helena Paparizou ka lindur dhe është rritur në Gutenberg të Suedisë nga prindër grekë, të cilët ishin emigrantë. Talenti i saj artistik nuk do të ishte mbajtur i fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, pasi që kur ajo ishte vetëm një vajzë e re i pëlqente të këndonte, të vallëzonte dhe të aktronte. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, së bashku me shokun e saj të fëmijërisë, Nikos Panagiotidis, formuan grupin "Antik". Ata nënshkruan kontratë me shtëpinë diskografike të sapothemeluar "Bonnier" dhe regjistruan këngën e tyre të parë "Opa Opa", e cila u bë një hit (qëndroi për shumë javë në krye të klasifikimeve). Ky ishte vetëm fillimi për një karrierë të shkëlqyeshme që vazhdoi me daljen e albumit të tyre të pare në vitin 2001, ata morën pjesë në Festivalin Evropian të Këngës dhe me një performancë shumë mbresëlënëse ata fituan vendin e tretë me këngën "I would die for you". Ky sukses vazhdoi dhe me marrjen e albumit të platinit, me turne në Evropë dhe bashkëpunimin e tyre me artistët më të rëndësishëm grekë dhe të huaj.
Më 21 maj 2005, Helena Paparizou përfaqëson Greqinë për herë të dytë në Festivalin Evropian të këngës, ku zuri vendin e parë me këngën "My Number One". Në tetor të 2007-ës, është lëshuar fonograma për filmin "The Kiss of Life", ku Helena Paparizou këndon këngën për muajin e mjaltit. Kënga menjëherë bëhet më e preferuara në të gjitha radiot greke.

Shtyhet koncerti... për vitin tjetër!

Koncerti i shumëpritur dhe i shumë reklamuar i Helena Paparizou i cili do të mbahej mbrëmjen e djeshme në stadiumin "Qemal Stafa" është shtyrë। Sipas organizatorëve shkaku ka qenë moti i keq. Për montimin e skenës duheshin tetë orë dhe në këto tetë orë, kushtet atmosferikë e kanë bërë të pamundur ngritjen e saj. Po nga organizatorët garantohet se të gjitha biletat e shitura do të rikompensohen nga kompania, ndërsa pohojnë se koncerti do të realizohet në harkun kohor të një viti por, pa dhënë datë fikse. Në fakt, nuk është hera e parë që koncerte të tilla ku ftohen artistë me emër nga bota anulohen apo shtyhen në momentet e fundit. Do të ishte mirë që ata që marrin përsipër t'i realizojnë evenimente të tilla, t'i drejtohen ndonjëherë shërbimeve meteorologjike për të marrë vesh se si do të jetë koha...

No comments: