Frrok Çupi
Ajo që ndodhi dje në Kuvend, sipas të folmes së vjetër mund të quhet “prishje e pazarit”. Socialistët (ish-komunistë), në momentin kur duhej votuar ligji për Gjykatën Administrative, u ngritën dhe ikën. Votimi ishte sugjeruar sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kusht për investimet ndaj Shqipërisë. Kishte zëra deputetësh që iu thanë Socialistëve se “ju kërkoni 20 përqindëshin”, prandaj edhe bojkotonin. Alegoria sillte para sysh një akuzë të fundit ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës që është edhe kryetar i PS, i cili është kapur në korrupsion me 20 përqindëshin në lejet e ndërtimit... Por megjithatë fjala e vjetër “pazarin e prisha” ka një kuptim më të gjerë. Çfarë ndodhi dikur me këtë psikozë?... Fshatari që kishte zbritur në Shkodër për pazar, mbërriti në fshat pas jehonës që kishte shkaktuar ky vetë në “mexhlis”. Kishte prishur pazarin e Shkodrës. Se nga ishte ky njeri, saktësisht askush nuk e di. Dibranët e tregojnë si dibran, kuksianët si kuksian, mirditorët si mirditor; secili me detaje krahinore. Me sa duket është një fenomen negativ i kudondodhur që prish pazarin në shehër.
Si e prishi pazarin fshatari i ardhur nga ku ta dish se ku?
Kalonte para pulave, mes specave të kuq, para sardeleve të thara, rrëzë një muri të ftohtë, mes burrave të rëndë me qostekë sahati sermi; dhe, askush s’e vuri re. Atëherë nxori koburen dhe ia dha me tre të shtëna. Derrkucët u tërbuan, pulat nuk dinin nga të dilnin, burrat lanë kutitë e duhanit... vetëm caragat nuk u ndjenë. Ky futi koburen në brez dhe doli nga ana e malit e pazarit. Nja një javë qëndroi nëpër kulla miqsh, ku dëgjonte se një “i marrë” kishte prishur pazarin e Shkodrës, por nuk i dukej më se kishte qenë ky vetë. Kur mbërriti në fshatin e tij, atje kuptoi se ishte marrë vesh me emër se kush e kishte prishur pazarin. Në fshat e pritën me kërshëri se “kushedi çfarë fitove! Ku e ke sahatin e argjendtë?”.
“Jo, tha burri, gjë nuk fitova, por pazarin e prisha!”
Sa shpejt kthehet rrota e ngjarjeve; herë ashtu siç ndodhin, herë në alegorinë e tyre! Ngjarja me Shkodrën mund të ketë jo më shumë se shtatëdhjetë vjet, por ja ku jemi. Socialistët (ish-komunistë) dje e prishën pazarin, edhe pse nuk fituan gjë. Duke mos formuar Gjykatën Administrative humbën interesat e biznesit (që kërkon mbrojtje ligjore ndaj arbitraritetit), humbën interesat e vendit ndaj investitorëve të huaj; por humbën edhe vetë Socialistët (ish-komunistë). Humbën sidomos përballë publikut që do t’i kërkojnë votën nesër, por edhe përballë partnerëve perëndimorë, sidomos amerikanë. Shtetet e Bashkuara e kanë njohur të frikshëm komunizmin shqiptar, nga vijnë edhe socialistët; prova e djeshme ishte përsëri një pikëpyetje ndaj tyre. Socialistët (ish- komunistë) dje prishën pazarin, pa gjë nuk fituan...
Sa shumë njerëz zbresin në “shehër” vetëm për të prishur pazarin; dhe, kthehen. Dje, delegatët e opozitës sapo u kthyen nga Orikumi ku kishin ndezur një zjarr të vogël revolucioni feudal, por meqë nuk iu eci, thanë se me kaq ishte mjaft. Gjatë periudhës së komunizmit, kur opozita e sotme kishte të gjitha pushtetet në dorë, këtu kishte ndodhur një shkëndijë e përplasjes mes llojit me komunistët sovjetikë, që fatmirësisht mbaroi paqtë... Disa muaj më parë u ngrit një furi e tërë me fabulën: “tradhti kombëtare në ujërat territoriale” të Detit Jon, por edhe ky nuk solli fitim. Partia Socialiste, në opozitë, është instaluar në bojkotin parlamentar prej më shumë se një vit; edhe kur paraqitet në sallë, nuk është prezente, ose ngrihet pupthi e ikën shpejt. Parlamenti në kohën më të shumtë ka mbetur pa punë, ose le të themi pa punët kryesore që i përkasin shtetit, si ligjet e rëndësishme, reformat për afrimin me Europën dhe për liberalizimin e vizave pas një shekulli izolim. Shkak për gjithë “prishjen e pazarit” është gjetur rihapja e kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit; gjë që nuk mund të behët dhe as ka arsye të bëhet.
Të gjithë po presin që “fshatari” që qëlloi me pistolë në mes të pazarit të Shkodrës, të largohet në shtegun që të çon drejt maleve të veriut dhe ta lirojë fushën. Ai do të mund të mblidhet me veten dhe të shprehet i kënaqur se “pazarin e prisha, edhe pse gjë nuk fitova”. Republika e Shqipërisë ndodhet në një treg të madh botëror ku vihen në pyetje vlerat e mëdha të qytetërimit, të kahjes së vendit, të zhvillimit të ekonomisë dhe të të drejtave, të lirisë së individit. Momenti është aq i rëndësishëm sa mund të thuash se peshorja e pazarit mund të anohet negativisht, aq lehtësisht sa bëhet edhe nga budallai i fshatit. Perëndimi kërkon besim, kërkon vullnet pozitiv, kërkon risi dhe dobi. Në qoftë se do të ndodhë që me këtë rast, opozita (e djeshme komuniste) të realizojë qëllimin e keq të prishjes së pazarit, indikacioni shkon te secili individ; por shpagimi jo. Kush do të mund ta gjejë nesër fajtorin që prishi pazarin? Ai nuk është më, sepse do të futet mes nesh dhe do të ankohet përsëri si patriot: “Kush e prishi punën?!”.
Ky fat i keq politik është vërtitur shpesh herë në atmosferën e vendit tonë.
Kongresi i Lushnjës i vitit 1921, që konsiderohet institucioni i parë i shtetit të pavarur pas epidemisë së rëndë të qeverisë së vitit 1912, gati dështoi për shkak të “pazarit”. Disa patriotë tribalë iu vunë pushkën dhe iu zunë rrugën delegatëve nga Veriu dhe Shqipëria e Mesme, pse “kishin gjak për të larë”. Kongresi u mblodh tre javë pas datës së caktuar, por në atë kohë lajmet “e Evropit” nuk kishin aq shumë interes. Që nga morsi i Ismail Qemalit, evropianët nuk kishin marrë më lajme nga ky vend. “Black hole” ose “gropë e zezë” e konsideruan shumë studiues e politikanë. Edhe Lufta e parë Botërore në rajonin ballkanik ka marrë shkas nga një individ shqiptar që u gjet i vrarë në kufi, por që u përdor si një sebep për të “prishur pazarin” në Ballkan.
No comments:
Post a Comment