Monday, September 27, 2010

Wellington, njeriu që mundi Napoleonin


I dalluar në luftat koloniale në Indi në fundin e shekullit XVIII, në vitin 1809 u emërua komandant i përgjithshëm i forcave angleze në Spanjë e në Portugali. Qe ai njeriu që i dha fund pushtimit francez në tokën iberike. Pas mundjes përfundimtare të Napoleonit në Waterloo, iu kushtua politikës në radhët e konservatorëve, duke marrë postin e Kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm.

Në det anglezët kishin Nelson. Në tokë kishin Wellington. I lindur në Irlandë në të njëjtin vit të Napoleon Bonapartit, në vitin 1769, Arthur Wellesley (më pas Duka i parë Wellington) është djali i tretë i Garet Wellesley, Kontit Mornington. Nëna e tij, e mbetur e ve, e dërgon në vitin 1781 në Eton College për të plotësuar formimin. Dy vjet më pas, duke kërkuar që të bëjë ekonomi, Kontesha Mornington instalohet në Bruksel. Djaloshi e ndjek dhe e mëson frëngjishten pranë një avokati bleg, gjuhë të cilës i fiton një zotërim të përkryer. Futet kështu në Akademinë Mbretërore të Kalorësisë e Angers, ku më shumë se gjysma e studentëve janë me origjinë anglosaksone. Në vitin 1787 djaloshi Wellesley kthehet në Irlandë, ku vëllai i madh i blen një patentë kalorësi (mëson), grada e parë e oficerit në ushtrinë britanike, në Regjimentin e 73-të të Fanterisë.

I bërë nëntoger në vitin 1788, pastaj kapiten në vitin 1791, e merr seriozisht karrierën ushtarake. Caktohet në Regjimentin e 33-të të Fanterisë në Cork të Irlandës. Në vitin 1794, regjimenti dërgohet në kontinent. Por përballë sulmit të Gjeneralit francez Pichegru në Hollandë, trupat angleze shpartallohen dhe shtrëngohen që të tërhiqen. Wellesley sillet me kurajë dhe largpamësi, duke e kthyer regjimentin e tij në Angli. Kolonel në vitin 1796, Wellesley niset për Indi ku vëllai i tij, Robert, do të emërohet Guvernator i Përgjithshëm i saj një vit më vonë. Në vitin 1799 shpërthen lufta kundër Sulltanit të Mysore, Tippo Sahib. Fanatik mysliman, ky ëndërron që ta zmadhojë territorin e tij në kurriz të fqinjëve. Aleat me Marahatti edal Nizam të Hyderabad, Koloneli Wellesley merr pjesë në fushatën që do t'u japë fund ambicieve të Tippo, duke i pushtuar kryeqytetin e mbretërisë së tij Seringapatam. Emërohet kështu Guvernator i Mysore dhe i Seringapatam. I promovuar Gjeneral Major në vitin 1802, Wellesley rezulton një negociator i shkëlqyer në favor të Kompanisë së Indive Lindore, duke arritur që t'u imponojë një traktat protektorati dy shteteve të mëdha të Deccan: Nizam dhe Mysore. Provon të bëjë të njëjtën gjë me territorin Maharatti, kreu i të cilit, Peshwa, banon në sarajet luksoze të Poona. Përpara refuzimit të tij, Wellesley pushton Poona në vitin 1803. Por Maharatti-të rebelohen: Wellesley rrethon në këtë pikë Ahmednuggur, bastionin kryesor të tyre, e sulmon në mëngjes, në pak më shumë se një orë dhe pushkaton kështu garnizonin. I emëruar Gjeneral (është gjenerali më i ri i ushtrisë angleze), vazhdon fushatat e tij kundër Maharatti-ve, duke arritur që t'i mundë në Argaum dhe më pas në Gawilgur. Tashmë, Kompania e Indive Lindore dominon të gjitha Deccan, me përjashtim të jugut të thellë. I bërë Komandat Suprem i Deccan-it dhe i emëruar Kalorës i Urdhërit të Banjës në vitin 1804, Wellesley kthehet në Angli në vitin 1805, ku martohet me Catherine Pakenham, nga martesa me të cilën do të ketë dy fëmijë.

Vdekja e Kryeministrit William Pitt në janar të vitit 1806, i cili ishte kthyer në pushtet pas rifillimit të luftës midis Francës dhe Anglisë, i lë pa mbrojtje dy vëllezërit Wellesley. Arthur arrin që të zgjidhet deputet në Dhomën e Komuneve në Sussex në po atë vit, kështu që bëhet Chief Secretary i qeverisë irlandeze në vitin 1807. Por roli i tij politik ndërpritet nga nënshkrimi i traktatit të paqes në Tilsit midis Car Aleksandrit I dhe Napoleonit. Paqja parashikon që bllokimi kontinental do t'i aplikohet Danimarkës, Suedisë dhe Portugalisë. Një casus belli për Anglinë. Pas kërkesës së Lordit Castelreagh, ja ku shfaqet Gjenerali i ri Wellesley, vetëm 39 vjeç, që angazhohet për të luftuar kundër Napoleonit. Kabineti britanik vendos që të fusë në dorë portin e Kopenhagenit dhe flotën daneze: më 7 shtator 1807, Wellesley siguron kapitullimin e të dyjave. Në korrik të vitit 1808 Lordi Castelreagh e dërgon gjeneralin e shkëlqyer në Portugali, në krye të 9000 njerëzve, me urdhrin që të mbrojë Lisbonën.

Në fakt, Franca e ka pushtuar Portugalinë në fundin e vitit 1807 dhe gjenerali francez Junot fut në zotërim kryeqytetin luzitan. Më 20 korrik të vitit 1808 Jozef Bonaparti emërohet Mbret i Spanjës, pas fitores të gjeneralit Bessieres në Medina de Rio Seco. Por më 22 korrik francezët e gjeneralit Dupont, të rrethuar, janë të detyruar që të kapitullojnë në Bailen, në afërsi të Kordovës. Është humbja e parë e një ushtrie napoleoniane nga fillimi i shekullit. I frikësuar, Mbreti Jozef braktis Madridin dhe strehohet në veri të Spanjës. I zbarkuar në fillimet e gushtit në Portugali, Wellesley fiton në Rolica, përpara se të arrijë një fitore të pastër në Vimeiro kundër francezit Junot më 30 gusht. Nëpërmjet Kellermann, Junot propozon një konventë armëpushimi që mundëson evakuimin e forcave franceze nëpërmjet detit. Ai nuk dëshiron që ta përshkojë të gjithë Spanjën, një terren jashtëzakonisht armiqësor, për t'u kthyer në atdhe. Wellesley e jep miratimin e tij, i lumtur se mund ta ripushtojë Portugalinë pa humbje shtesë. Nënshkruhet kështu në Cintra një konventë franko-angleze. Firma do të kthehet në bumerang për Wellesley dhe do të rrezikojë t'i kompromentojë karrierën. Ndërkohë Napoleoni, duke mos e pranuar një poshtërim të tillë, vendos që të ndërhyjë personalisht. Me 160000 njerëz arrin një fitore në Samosierra, pastaj hyn në Madrid më 4 dhjetor të vitit 1808 dhe rivendos në fron të vëllain. Ndërkohë, trupat angleze të ardhura nga Portugalia, të komanduara nga Moore, i afrohen Burgos. Napoleoni drejtohet kundër tyre dhe i detyron që të tërhiqen në Astorga më 1 janar të vitit 1809. Por, i informuar për sulmin e afërt austriak, ai vendos që të kthehet në Francë, duke ia lënë komandën Mareshallit Soult, i cili në terren demonstron dhunti të kufizuara manovrimi. Arrin gjithsesi që ta mundi Moore në Lugo dhe e shtrëngon që të rikthehet në La Coruña më 16 janar të të njëjtit vit.

Duke filluar nga fundi i prillit 1809, Wellesley rikthehet sërish në Portogali me një forcë të përbërë nga 25000 njerëz. Më 12 maj arrin që ta mundë Soult në Oporto, duke i përzënë kështu francezët nga Portogalia, duke i shtrënguar që të tërhiqen në Salamonde. Pasi ka penetruar në Spanjë, ndeshet me gjeneralët francezë Victor dhe Jourdan në Talavera de la Reina, duke i atribuuar vetes një fitore, e hedhur poshtë nga humbjet e rënda të pësuara (5000 njerëz në 20000 të tillë). Gjithsesi, është e vërtetë që në mbrëmje francezët do të tërhiqen nga fusha e betejës, megjithatë Wellesley, i bërë i matur nga betejat e mëparshme, tërhiqet në Portogali, duke u mbyllur në Lisbonë. Në atë periudhë ngre mbrojtje të mrekullueshme përreth kryeqytetit portugez, në linjën e kreshtës së Torre de Vedra, që shtrihen nga Atlantiku në Tago. Si pasojë e këtij shpërthimi megjithëse relativ, Wellesley ngrihet në rangun e parëve të Anglisë, duke u bërë Baron Duoro de Wellesley dhe Viskonti Wellington. Në të njëjtën kohë, francezët i shtypin kudo spanjollët, duke e shtrirë kufirin e tyre deri në Kadiks, qyteti i vetëm që reziston akoma. Massena merr në këtë pikë detyrën që të ripushtojë Portogalinë. Në qershor të 1810 arrin që të fitojë në mënyrë të shkëlqyer në Ciudad Rodrigo dhe më pas në gusht në Almeida. Por ndalet nga Wellington në kreshtën e Bussaco. Massena nuk arrin ta kalojë vijën mbrojtëse dhe në mars të 1811, duke qenë se kishte humbur 20000 njerëz (në pjesën më të madhe për shkak të epidemive), urdhëron tërheqjen. Wellington e ndjek, ndeshet me të dhe e mund në Fuentes de Oro më 3 maj 1811.

Të mundur keqaz nga Soult në Albufera, anglezët shikojnë me habi të madhe mareshalin francez tek tërhiqet. Duke vazhduar avancimin e tij, Wellington përfiton për të sulmuar fortesat e Badajoz dhe të Ciudad Rodrigo, por që rezistojnë. Në një kontekst të tillë, anglezët në vjeshtë marrin vendimin për të shkuar e dimëruar sërish në Portogali. Duke përfituar prej tërheqjes nga Spanja të kontingjenteve efikase franceze, sidomos të kalorësisë, të thirrur nga Napoleoni për të marrë pjesë në ekspeditën e Rusisë, Wellington lëshohet fuqishëm në sulm në fillimet e 1812 dhe pushton Ciudad Rodrigo më 18 janar dhe më pas Badajoz më 6 prill. Më 22 korrik Wellington avantazhohet nga një kompleks i favorshëm rrethanash. Marmont kërkon që ta shmangë dhe i pret rrugën e tërheqjes, por plaga e rëndë e marrë gjatë betejës së Arapiles ia zbeh urtësinë e nevojshme për këtë rast. Trupat franceze janë shtrënguar që të tërhiqen me rregull. Është kthesa e luftës së Spanjës. Megjithatë, francezët janë akoma të fortë në superioritetin numerik të tyre, braktisin rrethimin e Kadiksit, grupohen, duke i shkurtuar kështu linjat e tyre të komunikimit. Për pasojë, në muajin tetor të 1812 Wellington pëson një shah të rëndë përpara Burgos dhe detyrohet që të tërhiqet për dimrin në Ciudad Rodrigo, ku do të fortifikohet. 1813 është viti vendimtar. Wellington është i vetëdijshëm për superioritetin numerik të francezëve në Spanjë: ata kanë akoma rreth 200000 njerëz. Gjenerali britanik i majmë forcat e tij me kontingjente spanjolle. Përballë tij, Mbreti Jozef Bonaparti, totalisht i paditur nga arti ushtarak, e lë sërish Madridin, duke mos arritur të organizojë një linjë mbrojtjeje në kuptimin e vërtetë të fjalës. Veç kësaj, mareshallët francezë e urrejnë Jozefin, nuk i binden më dhe në të njëjtën kohë janë të paaftë që të bien dakord midis tyre. Ndeshja vendimtare zhvillohet më 21 qershor të 1813 në Vitoria dhe përfundon me një humbje të rëndë franceze. Vetëm Soult, duke bashkuar mbeturinat e ushtrisë, arrin ta vazhdojë luftën, duke u sforcuar që të ngadalësojë avancimin e Wellington drejt kufirit francez. Pushtimi i San Sebastian dhe i Pamplona u kushtojnë shumë shtrenjtë anglezëve. Më 10 dhjetor Wellington arrin të penetrojë në Francë. Në pranverën e 1814, më 10 prill, pas një serie luftimesh të ashpra mund Soult dhe pushton Tuluzën. Ndërkohë, Napoleoni ka abdikuar dhe syrgjynoset në ishullin e Elbës. Tashmë hero kombëtar, Wellington bëhet ambasador në Francë, ku e arrin e shoqja, duke zëvendësuar kështu Lordin Castelreagh në Kongresin e Vjenës, ku Talleyrand i mbron në maksimum interesat franceze. Wellington e mbështet diplomatin francez, i dëshiruar që t'ia ruajë Francës rolin prej fuqie të madhe kontinentale. Kur më 11 mars të 1815 Napoleoni zbarkon në gjirin Juan les Pins, anglezët nguten që të thërrasin në atdhe Wellington, i cili e lë Vjenën më 29 mars të 1815 për të marrë komandën e përgjithshme të forcave britanike.

Me një ushtri të katandisur në 123000 njerëz, Napoleoni kryen një manovër krejtësisht të jashtëzakonshme. Ai arrin t'i bashkojë trupat në afërsitë e Charleroi, pa rënë në sy, kështu që hyn në fshatrat e Belgjikës, duke tentuar që të futet si pykë midis ushtrisë britanike të Wellington dhe forcave prusiane të Mareshallit Blücher dhe t'i luftojë veçmas. Për shkak të braktisjes së Soult, shef i Shtatmadhorisë dhe paaftësisë së Ney, ashtu si prej nulitetit operativ të Grouchy, Napoleoni dështon në planin e tij. Nga ana tjetër, duke pasur në mendje humbjet e kaluara, kundërshtarët bëjnë gjithçka për të shmangur një ndeshje frontale përpara se të arrijnë grumbullimin e forcave të tyre. Beteja e frenimit dhe e vonesës e kryer nga Wellington në Quatre Bras më 6 qershor 1815 është sigurisht një model në llojin e vet, por rezultati i saj shpjegohet me dobësinë e Mareshallit Ney, i tunduar nga tradhtia e tij dhe i paaftë që të zbatojë urdhrat, për më tepër shumë të qarta, e Perandorit. Më 17, kur më së fundi Wellington është i detyruar që të cedojë pas presionit francez, ai kryen manovrën për t'u dislokuar në pozicion të shkëlqyer mbi pllajën e Saint Jean. Më 16 qershor Napoleoni i jep një mësim të rëndë Blücher: ushtria prusiane humbet 16000 njerëz. Napoloni e ndjek në tërheqje drejt Liezhit nga 30000 njerëzit e Grouchy. Perandori mendon se mund t'i përballojë forcat e vetme të Wellington më 18 qershor në fushën e Waterloo. Por e dimë se Grouchy do të gënjehet në mënyrë të pabesueshme nga një perde e hollë trupash prusiane. Më 18, në krye të 75000 trupave, Napoleoni ndeshet me 65000 anglezët dhe forcat e Hannover të Wellington. Të gjithë e dinë shumë mirë se anglezi do t'i detyrojë shpëtimin e tij vetëm mbërritjes në fushën e betejës të trupave prusiane. Por shumë më tepër se Cari Aleksandri I, forcat e të cilit nuk e kanë mundur kurrë definitivisht Grande Armée në vitin 1812, Wellington është i vetmi që e ka mundur Napoleonin I. Duke abdikuar sërish më 22 qershor të 1815, Napoleoni u dorëzohet anglezëve më 15 korrik. Ashtu si Lordi Castelreagh, Wellington do të donte që ta syrgjynoste në Skoci, por mendimi i tyre nuk është dëgjuar, aq më shumë që deputetët janë në pjesën më të madhe armiqësorë ndaj një zgjidhjeje zemërbutësie. Ja kështu që gjenerali korsikan, që e ka bërë Europën të dridhej, është detyruar që të marrë rrugën e Shën Helenës në Atlantikun jugor.

Ashtu si në vitin 1814, Wellington sforcohet që të shmangë një ndëshkim shumë të rreptë për Francën: për ekuilibret e fuqisë në kontinent, ai e gjykon të domosdoshme një Francë të fortë sa duhet. Për këtë arsye u kundërvihet prusianëve që duan ta gjymtojnë. Ai siguron kthimin e pastër e të thjeshtë në kufijtë e vitit 1790, por u jep prusianëve një pushtim ushtarak për 5 vjet nga ana e 150000 njerëzve, me shpenzime të Francës. Të gjithë fitimtarët janë dakord për të kërkuar një dëmshpërblim të fortë në reparacione lufte (të barabartë me 700 milionë franga të kohës). Komandant ushtarak, Wellington drejton pushtimin e trupave aleate në Francë. Nga prilli i 1817 ai lejon një pakësim të kontingjentit me 30000 njerëz. Pranon kështu si një reduktim të dëmshpërblimit, ashtu dhe një përfundim të parakohshëm të pushtimit. Më 30 nëntor të 1818, 2 vjet përpara skadimit të afatit të parashikuar, 120000 forcat aleate e lënë territorin francez. Në vitin 1819, Wellington emërohet Master General of the Ordnance, një pozicion i shquar që e bën në Britaninë e Madhe të të gjitha artilerisë, të fortifikimeve dhe të intendencës. I kthyer në Angli lëshohet në fushën e politikës, pavarësisht konsideratës së pakët që ai shpreh ndaj ministrave dhe deputetëve. I emëruar anëtar qeverie, duhet të marrë jopopullaritetin e lidhur me rikonvertimin e një ekonomie lufte në një ekonomi paqeje. Anëtar i Partisë Konservatore (Tory) që qeveris Anglinë, për opinionin publik Wellington shoqërohet me reputacionin e urryer të Mbretit Xhorxhi IV. Megjithatë, Gjenerali anglez nuk përton të shprehë përbuzjen e tij (për më tepër reciproke) për këtë sovran kaq pak të vëmendshëm ndaj fateve të perandorisë së tij. Vetëvrasja në vitin 1822 e mikut të vet, Lordit Castelreagh, e prek thellësisht. Në vitin 1827, me vdekjen e Kryeministrit, Lordit Liverpool, të gjithë mendojnë se Wellington mund të thirret për ta zëvendësuar. Por gjërat ecin ndryshe: Mbreti nuk e pëlqen gjeneralin e tij. Zgjidhet Canning dhe ky nuk i ofron asnjë post me rëndësi Wellington, i cili detyrohet të japë dorëheqjen, si nga funksioni i tij ministror, ashtu dhe nga Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë britanike.

Në janar të vitit 1828 Canning sëmuret dhe Wellington e rigjen menjëherë komandën ushtarake të tij. Më pas pranon që të formojë një qeveri të re. Pak idealist, shumë konservator, shumë pragmatist, i mësuar që të shikojë detajet më të vogla si një gjeneral në fushatë, ai mbytet menjëherë nga problemet dhe sfilitet në detyrën e vështirë. Por ai posedon cilësi themelore: një ndershmëri skrupuloze, një ndjenjë interesi të përgjithshëm të jashtëzakonshme dhe, së fundi, një përçmim total të opinionit publik. Bën kështu të votohet ligji i emancipimit të katolikëve, të cilët rifitojnë kështu të drejtat e tyre civile, në kundërshtim total me mazhorancën anglikane. Kabineti i Wellington rrëzohet në vitin 1830 dhe zëvendësohet nga ai i Charles Grey, i cili do të kryejë një reformë të madhe liberale. Në vitin 1834, me kthimin e konservatorëve në pushtet, Wellington merr sërish funksionet e ministrit të Jashtëm dhe më pas të ministrit Pa Portofol (për shkak të gjendjes së tij shëndetësore: ishte bërë shurdh) deri në vitin 1846. Kryeson edhe grupin parlamentar konservator në Dhomën e Lordëve. Pak e nga pak, Wellington fiton një influencë të konsiderueshme pranë Mbretëreshës së re Victoria, duke iu bërë edhe mbrojtësi. Imazh ky shumë prekës për opinionin anglez, që sheh një ushtar të vjetër të punojë në krah të Mbretëreshës së re. Në vitin 1846, në moshën 77-vjeçare, bie së bashku me qeverinë Peel lidhur me tekstin e abrogimit të të famshmëve Corn Laws, që mbrojnë pronarët e tokave duke u imponuar të drejta doganore mbi importimet e grurit. Duka Wellington, që duke filluar nga Waterloo kishte marrë nofkën Iron Duke (Duka i Hekurt) dhe ishte bërë objekt "adhurimi" nga ana e popullit anglez, vdes më 14 shtator të vitit 1852. Ka arritur të jetojë aq sa të shikojë Napoleonin III të bëhej perandori i dytë i francezëve.

I gjithë kombi i bëri homazh njeriut të madh të tij. 1 milion e gjysmë londinezë u grumbulluan gjatë rrugës së karrocës funebër, nga Buckingham Palace deri në katedralen e Saint Paul. I paraprirë nga trupat, arkivoli i Dukës ndiqet nga kali i tij. Çizmet e Wellington i janë ngjitur në shalë në pozicion së prapthi, me thumbat drejt qiellit. Më shumë se 15000 fisnikë mblidhen në afërsitë e katedrales për të asistuar në ritin funebër të Markezit Wellington, Markezit të Duoro, Viskontit të Talavera, Princit të Waterloo, Dukë i Ciudad Rodrigo, Kont i Vimeiro, Grande i Spanjës, Kalorës i Toson d'Oro dhe i Zharretierës, i Urdhërit të Banjës...

Dhe kur në tingullin e rënies së fundit të daulleve arkivoli fillon të zbresë në varr, Markezi d'Anglesey, njeriu që ka drejtuar kalorësinë angleze në Waterloo, afrohet që të prekë për herë të fundit arkivolin. Të gjithë oficerët veteranë të luftimeve të mëdha të bëra nga Wellington vihen menjëherë në qëndrim gatitu për këtë lamtumirë të fundit simbolike. Në radhën e parë në katedrale, një njeri vëzhgon skenën, Konti Walewski, djali i Napoleonit I dhe i Konteshës Maria Walewska: është Përfaqësuesi i Napoleonit III për Francën.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

No comments: