Tuesday, September 28, 2010

Evropa ka nevojë për Kosovën


“Rrugëtimi i Kosovës drejt pavarësisë ka qenë ndërkombëtar dhe jo unilateral”, shkruajnë Madeleine Albright e James O’Brien në WSJ.

“Wall Street Journal”

Në javët e ardhshme, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka mundësinë për të ndërmarrë një hap thelbësor përpara, në përmbushjen e synimit shumë të dëshiruar nga politikëbërësit amerikanë dhe ata evropianë: një Evropë të bashkuar dhe të lirë.

Dy dekadat e fundit në Ballkan kanë dëshmuar për tragjeditë dhe triumfet. Zhbërja e Jugosllavisë ka qenë e shoqëruar me horrorin e gjenocidit.

Që prej vitit 1999, kur NATO-ja dhe Serbia hyjnë në luftë për Kosovën, Serbia është bërë një vend demokratik, kurse Kosova ka lindur si një shtet i ri, që synon të pranohet nga të gjitha shtetet si vend i pavarur dhe anëtar i plotë i komunitetit ndërkombëtar.

Dhe, derisa kjo të mos ndodhë, një pjesë e rëndësishme e Evropës së bashkuar dhe të lirë, do të mungojë.

Vitin e kaluar, Asambleja e Përgjithshme kërkoi një mendim ligjor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke e ngrirë kësijoj çështjen e njohjes së Kosovës në shumë vende. Këtë verë, Gjykata vendosi që deklarata e pavarësisë së Kosovës ka qenë në harmoni me ligjin ndërkombëtar.

Ky vendim do të duhej t’i lejonte Kosovës të ecë përpara në procesin drejt integrimeve evropiane. Dhe pavarësisht prononcimeve trimëruese nga Serbia dhe Bashkimi Evropian këtë muaj, se mëtojnë të zhvendosen përtej debatit ligjor, komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë tre hapa për të arritur përparim.

Tre hapat drejt përparimit

Së pari, Asambleja e Përgjithshme duhet t’i trimërojë të gjitha shtetet ta njohin Kosvën. Si një vend i bllokuar me dy milionë banorë, Kosova ose mund të lejohet t’i bashkohet organizatave që promovojnë sigurinë dhe zhvillimin, ose do të detyrohet në izolim, duke vënë në rrezik përparimin dhe sigurinë rajonale.

Pa një bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar, do të jetë e vështirë për Kosovën t’u bashkohet organizatave rajonale dhe ndërkombëtare. Qeveritë që thuhet se kanë pritur vendimin e Gjykatës për të vendosur, tani nuk kanë arsye pse të mos veprojnë.

Së dyti, tani që edhe Serbia, edhe Kosova, janë pajtuar të kenë bisedime bilaterale, duhet të fillojnë së shpejti ta bëjnë këtë, për të mos e humbur ritmin.

Megjithatë, agjenda do të jetë një çështje e vështirë për t’u pajtuar. Serbia do të joshet të insistojë në adresimin e territorit apo statusit, dy tema këto, të cilat autoritetet në Kosovë do t’i refuzojnë.

Bashkimi Evropian, i cili do t’i mbikëqyrë bisedimet, duhet të krijojë një agjendë, në të cilën do të përfshiheshin çështjet si tregëtia, shërbimet publike, sforcimi i rendit dhe qarkullimi kufitar; këto janë çështjet praktike, të cilat fqinjët duhet t’i zgjidhin mes vete.

Në agjendë, gjithashtu, duhet të përfshihen edhe çështjet më të ndjeshme si të drejtat dhe vetëqeverisja për popullatën serbe në Kosovë, posaçërisht për një të tretën e kësaj popullate, e cila jeton në veri dhe mbrojtja e lokacioneve të bukura dhe historike ortodokse në mbarë Kosovën.

Ftojmë autoritetet në Kosovë të marrin në shqyrtim garanci të shumëfishta për rëndësinë e këtyre lokacioneve, të cilat përfaqësojnë një nga interesat më të mëdha të Serbisë dhe një ofertë e hershme në këtë drejtim do të mund t’i çonte bisedimet përpara.

Dhe, së fundi, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet t'i dyfishojnë përpjekjet e tyre, për ta përgatitur rajonin për anëtarësim në BE.

Madje, edhe para se shtetet të bëhen kandidate formale për anëtarësim, ky hap kërkon nga anëtarët aktualë të Bashkimit Evropian t'i tejkalojnë hamendjet që kanë mbi prospektin e pranimit të anëtarëve të rinj. Ekziston një arsye e fortë për t’u përqendruar në përgatitjet që shtetet duhet të ndërmarrin për të qenë në gjendje të anëtarësohen. Thjesht, procesi i anëtarësimit në BE është mjeti më i mirë i mundshëm në dispozicion, për të përmirësuar qeverisjen në Ballkanin Perëndimor.

Qeveritë e dobëta dhe popullatat e ndara vazhdojnë të jenë barrë për disa shtete në rajon dhe pa përmirësime të dukshme, ato mund të shndërrohen në qoshe varfërie dhe krimi; me reforma ato mund të sjellin popullatë të re dhe energji në Bashkimin Evropian.

Shqetësimet e pabaza

Natyrisht, disa janë të shqetësuar se shembulli i Kosovës sforcon lëvizjet për pavarësi kudo në botë. Kjo frikë nuk ka asnjë bazë. Lëvizjet secesioniste janë të motivuara nga kushtet lokale.

Rrugëtimi i Kosovës drejt pavarësisë ka qenë ndërkombëtar dhe jo unilateral. Para se Kosova të shpallte pavarësinë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pati deklaruar se situata në këtë vend paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal. Organizatat relevante të sigurisë, OSBE-ja dhe NATO-ja, patën ndërhyrë.

Pas atij konflikti, Këshilli i Sigurimit autorizoi një plan për qeverisje nga Kombet e Bashkuara, duke çuar përpara procesin e vetëqeverisjes dhe atë të një vendimi paqësor për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Madje, pasi Kombet e Bashkuara filluan ta qeverisin Kosovën, ajo çfarë kishte mbetur nga Jugosllavia, u nda edhe më tej, duke u krijuar kështu edhe shteti i Malit të Zi, i cili e ka njohur Kosovën. Kosovarët nuk kishin të bënin me këtë ndarje dhe nuk kishin ndikim në marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. E gjithë situata ka qenë e pazakontë, madje shumë unike.

Vendimi i Gjykatës dhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e bashkë-sponzorizuar nga anëtarët e Bashkimit Evropian dhe Serbia, e bëjnë të mundshme të zgjidhet një nga kontestet më të gjata territoriale në Ballkan.

Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të investojë gjithë vëmendjen në hapat e ardhshëm praktikë që do të mund të sforconin shtetet e këtij rajoni dhe ta bëjnë realitet vizionin e një Evrope të lirë dhe të bashkuar, duke përfshirë gjithë Ballkanin.(a.v.)

No comments: