Opozita në kërkim të alibisë gjatë seancës në Kuvend, protesta në tetor
Partitë opozitare kanë nisur përgatitjet për mbajtje të protestave, të cilat do të rinisin gjatë muajit tetor. Kryetari i Partisë Socialiste, z.Edi Rama, për marrjen e këtij vendimi ka organizuar një takim ku kanë marrë pjesë Skënder Gjinushi i partisë Socialdemokrate, Vangjel Dule i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Paskal Milo i partisë Demokraciasociale, Nard Ndoka i partisë Demokristiane, Spartak Ngjela i partisë Ligj dhe Drejtësi, si edhe Erion Veliaj si përfaqësues i G99.“Morëm përsipër të drejtojmë njerëzit drejt protestave që do të fillojnë gjatë muajit tetor në të gjithë Shqipërinë”,- tha Ngjela në përfundim të tryezës së partive opozitare.
Gjatë takimit është diskutuar mbi përgatitjen e organizimit të protestave, si edhe unifikimin e qëndrimit të partive në opozitë, ku është rënë dakord që fillimisht protestat të nisin në rrethe dhe të përmbyllen në Tiranë.
Organizimi i protestave vjen në një moment kur në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian pritet vendimi për liberalizimin e vizave. Në nëntor gjithashtu pritet një tjetër vendim i rëndësishëm për Shqipërinë, siç është paraqitja e opinionit nga ana e Komisionit Europian mbi aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për të qenë anëtare e BE-së.
PS përdor Kuvendin në funksion të protestave
Votimi i dekretit të Presidentit të Republikës, z.Bamir Topi, për ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, në seancën e datës 19 shtator ka shoqëruar minutat e diskutimit të lirë në Kuvend.
Deputetët e Partisë Socialiste janë shprehur se votimi ka qenë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutës.
Mungesa e opozitës gjatë votimit të dekretit, si edhe përgatitjet e saj për organizimin e protestave së shpejti, me sa duket, po përdoret si alibi nga vetë opozita për të tërhequr vëmendjen e sa më shumë qytetarëve.
Qëndrimi i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli lidhur me këtë pretendim të PS ka qenë se kjo gjë mund të zgjidhet me verifikim të materialeve filmike dhe procesverbaleve të seancës.
“Votimi dy herë i dekretit të Presidentit tregon se maxhoranca ka guximin që të manipulojë jo vetëm votën e votuesve shqiptarë në qendrat e votimit dhe të numërimit anembanë Shqipërisë, por edhe votën e deputetëve që populli ka zgjedhur për t’i përfaqësuar ata. Kur u arrit të injorohet haptazi vota e deputetëve në Kuvend, në prani të gjithë mediave, mendoni se çfarë është bërë me votën e shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit 2009”,- është shprehur Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar për PS.
Kryetarja e Kuvendit, Topalli reagoi pas akuzave, duke kërkuar që pretendimi i opozitës për shkelje të rregullores të sqarohet, po duke u bazuar tek hapat që parashikon rregullorja.
“Unë nuk do ta shkelja për asnjë arsye këtë rregullore. Nëse jeni për zbatimin e rregullores lexojeni atë dhe merrni hapat që parashikohen. Hajde të marrim të gjitha tambulat, regjistrimet dhe procesverbalet, por ju nuk doni, keni frikë nga transparenca. Jeni shumuar shumë ju lepujt kohët e fundit, unë kujtova se kishte vetëm te bashkia”,- tha Topalli, duke thënë se opozita po ngre akuza vetëm për një gabim elektronik gjatë votimit.
Astrit Patozi, kryetari i grupit parlamentar për PD, ka kërkuar që opozita të mos fokusohet tek një çështje kaq e vogël, pasi sipas tij ajo ishte vetëm një gabim elektronik. “Nuk mund të bjerë opozita në këtë nivel në një kohë kur duhet flasim për çështje të mëdha. Votimin elektronik, mos e ktheni në çështje politike. Futini në brez shpatat e kërcënimeve, pasi ju nuk mund të krijoni kaos kur nuk ka asnjë arsye. Sjellja e opozitës për të krijuar kauzë të re, kur ajo nuk ekziston, është e pavend dhe në kundërshti me zhvillimet normale në vend”,- tha Patozi, duke sjellë si argument shtesë edhe trajtimin në media të kësaj çështje, që sipas tij nuk ka zënë vend aspak. Ruçi në fund i ka bërë apel Presidentit të Republikës, Bamir Topit të reagojë mbi këtë çështje.
Miratohet kreu i Kushtetueses
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dekretin e Presidentit, Bamir Topi për emërimin e z. Bashkim Dedja si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e maxhorancës kanë votuar pro këtij dekreti 74 vota, ndërsa deputetët e opozitës kanë braktisur punimet pas përfundimit të diskutimit të lirë.
Pas betimit në presidencë, Dedja pritet të zëvendësojë Vladimir Kriston.
Deputetët e maxhorancës gjatë seancës kanë miratuar disa projektligje, ku ndër to bën pjesë edhe projektligji që i hap rrugë prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike në Greqi dhe Itali. Kjo do të mundësojë që emigrantët të aplikojnë nga vendi ku jetojnë për dokumentet./AGON/
No comments:
Post a Comment