Nga Armand Shkullaku më 23.09.2010 në ora 14:00
Keni ardhur për herë të parë në Prishtinë. Keni dëgjuar apo keni lexuar për jetën e veçantë të natës në kryeqytetin kosovar, për muzikën e mirë, shërbimin e ngrohtë, vajzat e bukura dhe atmosferën entuziaste. Doni ta shijoni dhe ta përjetoni edhe ju këtë pjesë të Prishtinës, që në fakt është vetë shpirti i saj. Nuk është e vështirë, njerëzit janë shumë miqësorë, ambienti mikpritës dhe shumë shpejt efekti i muzikës dhe i pijeve të krijon përshtypjen se gjithnjë ke qenë pjesë e këtij qyteti. E ndërsa mendon se në këtë vend, që ditën ngjall veç trishtim, ka orë kur mund të ndihesh vërtet mirë, diçka e pazakontë ndodh. Skuadra policore futen me zhurmë në mes të njerëzve, ndalojnë gjithçka dhe nisin të boshatisin në mënyrë aspak miqësore lokalet e mbushura plot. Ato ndiqen nga një kamera, gjithashtu e policisë, që dritën e fortë ta përplas në fytyrë dhe të regjistron pa kurrfarë leje paraprake. Në pak minuta, gjithçka bëhet e shurdhët dhe njerëzit lëvizin të çorientuar rrugëve pa ditur më se ku të shkojnë. Kjo është Prishtina e Re. Nëse vini për herë të parë, mirë se keni ardhur.Prej një muaji tashmë, pamjet e përshkruara më lart përsëriten çdo natë. Të gjitha lokalet në Prishtinë janë të mbyllura pas orës 12 të natës. Një urdhër i Komunës së Kryeqytetit, krejt befasisht ka vënë në lëvizje forcat e policisë për t’i ndaluar të gjitha lokalet që punojnë natën. Aksioni ka qenë i papritur dhe qyteti duket sikur është zënë në një kurth nga i cili nuk po di si të shpëtojë. Dikur, gjatë sundimit serb, kanë qenë aplikuar disa mënyra të sofistikuara për t’iu fshehur policisë, por gjatë dhjetë viteve të fundit ato janë harruar. Njerëzit shprehin vetëm habi për këtë që po ndodh, disa edhe protestojnë e shumë të tjerë përpiqen të kuptojnë se përse po ndodh një gjë e tillë, përse Komuna e Prishtinës vendosi të paralizojë një pjesë të trupit e të shpirtit të qytetit. E kësaj pyetje vështirë t’i gjesh një përgjigje të saktë. Vështirë, pasi edhe vetë Komuna ka nisur diçka, pa qenë e qartë se si do të vazhdojë më tej, pa patur një rregullore apo një ligj të plotë që rregullon jetën e natës në Kryeqytet dhe pa menduar aspak për pasojat sociale dhe ekonomike. Sepse kultura e kafeneve në Prishtinë nuk është vetëm argëtim, por është njëkohësisht e vetmja industri që funksionon dhe ushqen mijëra familje.
Komuna e Prishtinës sigurisht që mund të sjellë argumente për ta motivuar vendimin e saj. Prej kohësh ka patur ankesa të shumta të banorëve që jetojnë në afërsi të klubeve të natës. Ato nuk janë mirë të izoluara, investimet janë modeste, nuk kanë aspirim, prodhojnë shumë zhurmë dhe shqetësim njëkohësisht. Po ashtu, një pjesë e mirë e bizneseve nuk janë të regjistruara si lokale të natës, por si kafe-bare të thjeshta. Disa të tjerë kanë fshehur taksat e tatimet, apo nuk i kanë paguar asnjë detyrim Komunës për vite me radhë. Ky informalitet duhet të marrë fund dhe çdo biznes duhet të paguajë detyrimet në raport me aktivitetin që kryen. Njëkohësisht, funksionimi i lokaleve të natës nuk duhet në asnjë rast të bëhet shqetësim për banorët rreth tyre. Këto arsyetime të Komunës qëndrojnë, dhe ndaj tyre nuk mund të dalë askush që i ka mendtë në kokë. Por, problemi me drejtuesit e Prishtinës qëndron diku tjetër dhe prandaj vendimi i tyre ka ngjallur aq shumë pakënaqësi dhe revoltë.
Ndotja akustike përbën një problem. Ani pse për Prishtinën tingëllon si luks kur kihet parasysh ndotja nga Obiliqi, nga pluhuri i rrugëve dhe nga plehrat që pa diskutim përbëjnë rekord europian për nga dendësia me të cilën kanë pushtuar qytetin. Por, le të supozojmë se Komuna e ka caktuar si prioritet të saj ndotjen akustike dhe ka mobilizuar forcat e veta dhe ato policore për ta rregulluar atë. Pyetja që lind është pse pikërisht tani, kaq papritur dhe me kaq agresivitet, kur ky fenomen ka vite që ekziston? Pronarët e lokaleve thonë që më shumë se sa nga shqetësimi i banorëve, Komuna ka vepruar pas ankesave të ambasadave në Dragodan që gjatë verës kanë pasur probleme me zhurmën e lokaleve të hapura rreth Pallatit të Sporteve. Dhe ky interpretim është fort i besueshëm po të kihet parasysh se Komuna nuk vihet ndonjëherë në lëvizje me kaq energji kur qytetarët shqetësohen për trafikun, rrugët e hapura pa kriter, mbeturinat që po u zënë frymën, mungesën e ujit, etj. Po ja që lokalet e natës qenkan një emergjencë dhe Komuna, pa asnjë lajmërim paraprak, pa pasur as mjete e as specialistë për ndotjen akustike, vendosi ta zgjidhë kështu këtë punë, me forcë dhe pa asnjë diferencim.
Sa i takon evazionit fiskal, edhe ky është një problem disavjeçar. Madje, një problem i toleruar nga vetë Komuna, e cila nuk ka ushtruar kontroll për t’i verifikuar lejet që ka dhënë, apo ato biznese që nuk janë të regjistruara fare. Po e bën tani, ndoshta edhe se arka po i boshatiset nga investimet e pamenduara mirë. Por, a është mbyllja arbitrare e lokaleve zgjidhja më e mirë? Çfarë ndodh sot nëse dikush prej pronarëve paraqitet në Komunë, i gatshëm të paguajë taksën për natën dhe me kushte optimale kundër zhurmave? A e merr dot lejen dhe a mund ta mbajë hapur lokalin e tij?
Në Komunë nuk dinë të japin përgjigje, pasi sipas pronarëve, nuk ka asnjë rregullore të shkruar dhe as ligj që ta disiplinojë këtë aktivitet. Prandaj drejtuesit e Prishtinës i kanë rënë shkurt duke i suspenduar të gjithë dhe pa menduar më tej se ç’do bëhet me ta. Pa menduar se në Prishtinë janë rreth 560 lokale që mbajnë në punë të paktën nga 10 vetë dhe afro 12 mijë biznese të tjera që lidhen me këto lokale e që punësojnë edhe shumë të tjerë. Nuk është e lehtë të marrësh një vendim të tillë nëse ke në konsideratë pasojat sociale dhe ekonomike që sjell për qytetin. Për të mos harruar se vetë Komuna nuk ka krijuar lehtësi, por ua ka vështirësuar jetën edhe atyre bizneseve që u ka vjelë taksa duke hapur rrugë pa kriter e duke i lënë të papërfunduara. Mjafton të kujtojmë këtu rrugën tek Kafet e Vogla. Shumë biznese ankohen se rrugët dhe trafiku i tmerrshëm ka bërë që aktiviteti i tyre të bjerë ndjeshëm. Është e padrejtë që vetëm të kërkosh pa ofruar diçka.
Dhe Komuna e Prishtinës po ofron shumë pak. Jo vetëm për bizneset që përmendëm më lart, por edhe për rritjen e cilësisë së jetës në kryeqytet. Kultura e kafeneve mbetet e vetmja mode de vie e Prishtinës, një Kryeqytet me vetëm një kinema, pa qendra rinore e sportive, pa kënde normale argëtimi, e ku edhe ato pak iniciativa private apo donacione bllokohen e dështohen. Prandaj ndoshta jeta e natës në Prishtinë është aq e veçantë, për ta harruar atë zymtësi e trishtim që qyteti të injekton gjatë ditës. Prandaj ajo u duhet rikthyer prishtinasve, si një pjesë e shpirtit që e mban gjallë në këto kohë të vështira.
No comments:
Post a Comment