Monday, September 20, 2010

Pse po vonohet ngritja e shtatores së presidentit Rugova?!


Blerta Maliqaj
Ministri Haziri: Jemi të “varur” nga komuna

Fotografia e madhe e presidentit Ibrahim Rugova, ngjitur në murin e një pallati në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka nisur të zverdhet, e në fakt nuk mund të presim më shumë nga një “letër”. Tashmë u bë një kohë e gjatë pritjesh për një shtatore, që pa dyshim i mungon kryeqytetit dhe Kosovës. Premtime pas premtimesh, projekti për një shtatore kushtuar presidentit Rugova veçse po “pluhuroset” sirtarëve të institucioneve të ndryshme.

Mungesa e ofertave për t’iu përgjigjur konkursit, të cilin kohë më parë e ka shpallur Komuna e Prishtinës, për shtatoren e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, ka bërë që Drejtoria e Urbanizmit e kryeqytetit të fillojë hartimin e një projekti ideor që ka të bëjë me këtë çështje. Mirëpo, përveç kësaj ende nuk ka asgjë konkrete që do të çonte në ngritjen e shtatores së njërës prej figurave më emblematike të shtetndërtimit në Kosovë. Pavarësisht nga premtimet, si nga ana e ministrave të mëparshëm të Kulturës, ashtu edhe nga Komuna e Prishtinës, se shumë shpejt kryeqyteti i Kosovës – Prishtina në mesin e shtatoreve e monumenteve të shumta të personaliteteve të dalluara do ta ketë edhe shtatoren e presidentit Rugova, asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim përveç premtimeve. Ministri i Kulturës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se institucioni të cilin ai e drejton në këtë çështje ka rol dytësor nga Komuna e Prishtinës. “Natyrisht që do të ndodhë, në këtë rast ne e kemi një rol sekondar, sepse qyteti i Prishtinës, Presidenca dhe institucionet e tjera, janë ato që po punojnë për këtë qëllim. Ne e përfaqësojmë Qeverinë në këtë iniciativë dhe, natyrisht, jo vetëm shtatorja në sheshin kryesor të kryeqytetit, por do të bëhet edhe ligji për presidentin, do të merren edhe disa iniciativa të tjera që çojnë në drejtim të vendosjes së emrit dhe figurës së autoritetit të tij si themelues i shtetit, aty ku e ka vendin”, ka thënë për “Botën sot”, ministri Haziri. Ai gjithashtu ka deklaruar se në këtë rast Ministria është e varur komplet nga Komuna e Prishtinës, për shkak të planifikimit urban dhe planeve që duhen të miratohen në Asamblenë Komunale. Ndërkaq implementimin e këtij projekti, në atë pjesë që i takon Ministrisë, Haziri premton se do ta bëjnë atëherë kur të jenë kryer punët nga Komuna. Mirëpo ai e vlerëson lart punën e të parit të Prishtinës në këtë drejtim, se ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, duke i dhënë dinamikë dhe frymë krejtësisht tjetër shtatores së dr. Ibrahim Rugovës. Ç’është e vërteta ne në kryeqytet ende nuk po vërejmë ndonjë hap në realizimin e këtij projekti, i cili ka rëndësi të madhe jo vetëm për Prishtinën, por edhe për gjithë Kosovën. Ndërkaq, këshilltari i Isa Mustafës, Asdren Osaj, ka thënë: “Komuna e Prishtinës disa herë e ka shpallur konkursin për projektin e sheshit Ibrahim Rugova, mirëpo në mungesë të ofertave ajo është detyruar që ta anulojë disa herë këtë proces”. Osaj ka thënë për “Botën sot” se Komuna e ka angazhuar Drejtorinë e Urbanizmit që të fillojë hartimin e një projekti ideor, rreth rregullimit të sheshit Ibrahim Rugova. Mirëpo, siç deklaron edhe vetë Osaj, ende nuk ka asgjë konkrete për këtë.

No comments: