Dokumentet e formosura nga Enver Hoxha; "Të arratisurit dërgojani divizionit serb"
Radiograma e diktatorit Hoxha për Masakrën e Tivarit
Gjenocidi i ekzekutimit të mbi 5000 mijë kosovarëve në periudhën shtator 1944 e deri qershor 1945 nga Ushtria Nacional Çlirimtare jugosllave e ndihmuar nga divizionet shqiptare vazhdoi edhe pas masakrës famëkeqe të 31 marsit në Tivar. Pasi të mobilizuarit kosovarë kishin pikasur qëllimin e vërtetë të mbledhjes së tyre, i cili nuk ishte aspak ndjekja e fashistëve për të çliruar Kosovën, por eliminimi fizik i tyre, ata filluan që të dezertonin nga radhët e ushtrisë së Kosmetit. Një mbështetje për të mobilizuarit e traumatizuar në këtë periudhë nga dhuna sistematike e kryer nga UDB-ja, ishin divizionet V dhe VI shqiptare, të cilat kryenin misionin e caktuar nga diktatori Hoxha. Por si duket, skema e rekrutimit të kosovarëve nga divizionet shqiptare dhe dorëzimi më pas i tyre në radhët e ushtrisë jugosllave filloi të zbulohej nga kosovarët, të cilët po dezertonin edhe nga divizionet shqiptare. Ky shqetësim vë në lëvizje krerët drejtues të divizionit V, pjesë e të cilit ishte edhe Ramiz Alia, ku i kërkojnë një mendim urgjent komandës së përgjithshme për të vepruar sa më shpejt. Kjo vërtetohet nga letërkëmbimi që Komisari Politik i divizionit V, Gafur Cuci, bërë në datën 28 maj 1945. "Ata që gjer dje kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit dhe sot janë dorëzuar në reshtat tona, fillojnë të dezertojnë se është hapur parrulla që ne do të shkojmë në kufirin grek. Dezertimet po ngjasin nga këta të fundit dhe prej atyre që për të mos u hedhur në ushtrinë jugosllave nga frika ardhën me ne, ndërsa pjesa tjetër qëndron mirë. Në rast lëvizjeje për në një tjetër sektor të gjithë ata që kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit mund të na dezertojnë. Mejtoni dhe na lajmëroni", shkruan Cuci për komandën e përgjithshme të UNÇSH. Në Arkivin Qendror të është gjetur edhe një dokument tjetër, i cili implikon divizionet shqiptare në dorëzimin e kosovarëve në ushtrinë jugosllave. Në këtë dokument dërguar nga Divizioni V për komandën e përgjithshme, ku udhëheqës ishte Enver Hoxha, i kërkohej këtij të fundit si të vepronin me kosovarët e kapur, pasi Shtabi Operativ i Kosmetit i urdhëronte që t'i dorëzonin të mobilizuarit në Divizionin 52 serb. "Shtabi Operativ i Kosmetit prapë na i kërkon të gjithë të dorëzuarit ose të kapurit, që sot janë në divizionin tonë, t'ia dorëzojmë Divizionit 52. Me këta të Shtabit Operativ të Kosmetit mezi merremi vesh se bëjnë gjithsecili pas kokës, çdo përgjegjës zyre. Për shembull, oficeri i artilerisë na dërgoi një urdhër", thuhet në letrën e datës 30 maj 1945. Po në këtë datë, diktatori Enver Hoxha, udhëheqësi i komandës së përgjithshme, i kthen një përgjigje, me anë të së cilës i kërkon krerëve të Divizionit V ta informojnë rreth numrit të kosovarëve që ky divizion ka mobilizuar në terren. "Na lajmëroni sa bëhet numri i të arratisurve që janë dorëzuar në divizionin tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren", shkruan Enver Hoxha. Divizioni V informon Enver Hoxhën nëpërmjet një letërkëmbimi një ditë më vonë, në 1 qershor 1945, ku i jep numrin e të arratisurve dhe të të mobilizuarve kosovarë. "Numri i të arratisurve që janë dorëzuar në repartet tona arrin deri në 155 veta, me përjashtim të disa kriminelëve që ja kemi dorëzuar M.P sipas kërkesës së tyre. Numri i kosovarëve që janë mobilizuar është 1398", shkruan sekretari politik i divizionit të V, Gafur Cuci. Ajo e cila do ta faktojë më së miri bashkëpunimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare shqiptare dhe asaj jugosllave në dorëzimin e kosovarëve nën komandën e jugosllavëve dhe më pas eliminimin fizik të tyre, është radiograma e dërguar nga Enver Hoxha. Në përgjigje të urdhrit jugosllav për t'iu dorëzuar atyre kosovarët e divizionit të V, diktatori Hoxha jep miratimin e kësaj lëvizjeje. "Të arratisurit e dorëzuar në divizionin tuaj dërgojani Divizionit 52", urdhëron Hoxha. Regjimi komunist dhe drejtuesit e tij në Shqipëri heshtën dhe nuk pranuan asnjëherë që kishin bashkëpunim apo dijeni në këtë masakër. Por letërkëmbimet e zbardhura në gazetën tonë hedhin poshtë mosdijeninë, ndërsa faktojnë diçka më shumë që jo vetëm kanë qenë në dijeni, por edhe që kanë patur gisht në gatimin e masakrës më famëkeqe të kombit shqiptar.
Dëshmitë e Shefqet Peçit dhe Arif Haskos për masakrën
Xoxe: E mo, Shefqet, ç'bëhesh merak për ca të vrarë të Kosovës... Mirë t'iu bëhet!
Lidhjen mes komunistëve serbë dhe atyre shqiptarë për Masakrën e Tivarit e vërtetojnë edhe dëshmitë e dy prej njerëzve që kanë qenë pjesë e divizioneve shqiptare V dhe VI me mision në Kosovë. Në librin "Dëshmi dhe udhëkryqe të historisë", ku është edhe Masakra e Tivarit, shkrimtari dhe publicisti Apostol Duka jep dëshmitë e Shefqet Peçit dhe Arif Haskos, të cilët shprehen për këtë ngjarje. I pari që ka hedhur dritë mbi këtë masakër ka qenë Shefqet Peçi, i cili pasi informon Koçi Xoxen për situatën dhe veprimet midis divizioneve shqiptare dhe serbe, vetë Xoxe i kthehet duke i thënë të mos merakoset për ca të vrarë të Kosovës. "I bëra njëmbëdhjetë faqe informacion Komitetit Qendror, që në Tiranë t'a mësonin si qe puna dhe të ankoheshin te Titua. Kur u ktheva në Tiranë, u poqa me Koçi Xoxen dhe e pyeta se ç'ishte bërë me atë informacionin tim dhe ai më tha qetësisht: 'E mo, Shefqet, ç'bëhesh merak për ca të vrarë të Kosovës...' Por ata nuk ishin ca, po mijëra të rinj, o shoku Koçi, iu ktheva me zemërim. Mijëra, mijëra, por të gjithë ishin bashkëpunëtorë të Rexhep Mitrovicës dhe Xhemë Gostivarit, që i kishin lyer duart me gjak partizanësh jugosllavë dhe e patën me hak gjysmën e lekut, e mbylli bisedën Koçi", shprehet Peçi. Ndërsa Arif Hasko, në atë kohë komisar i Divizionit të Dytë Sulmues të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, pohon me shumë përgjegjësi se, "Në ditët e fundit të marsit të vitit 1945, ndodhesha rastësisht në Shkodër, ku më ndodhi edhe një incident me partizanët e Brigadës së 22-të Sulmuese, të cilët nuk më njihnin dhe më arrestuan, nga që më panë të veshur bukur dhe menduan se mund të isha ndonjë ballist ose kolaboracionist i maskuar. Në ato çaste mërzie, më lajmëruan nga Tirana me fonogram se aty do të vinin ca kosovarë (vullnetarë), të cilëve ishte mirë t'iu flisja për luftën kundër fashizmit, për vëllazërimin midis shqiptarëve dhe popujve të Jugosllavisë etj", shprehet Hasko në librin e Apostol Dukës. Gjithashtu, komisari i Divizionit të Dytë Sulmues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare tregon edhe për keqtrajtimet dhe torturat që kryheshin për kosovarët nga ushtritë jugosllave. "Interesohem dhe mësoj se një kolonë të madhe kosovarësh e kishin rrasur në Tebojë, në ca kazerma të braktisura. Ishte paraditja e 31 marsit. Shkoj dhe i gjej të rrahur, të masakruar, disa edhe të lidhur nga duart. Sa hyra mes tyre, ata ulën kokat, asnjëri nuk deshi të më shihte në sy. Rrethoheshin nga shoqërues malazez, të armatosur mirë, anash ishin ngritur mitralozët. I pyes shoqëruesit se ku po i çonin dhe më thonë se janë rekrutë që do të plotësojnë formacionet e Armatës së Katërt Jugosllave. Pyes se përse nuk kanë armë, përderisa janë rekrutë dhe më thonë se do t'i marrin kur të shkojnë në vend, kërkoj shpjegime se përse shumë prej tyre janë të keqtrajtuar dhe më thonë se ata kanë dashur të arratisen. Në këto kushte, nuk kam ç'të flas, thashë dhe u largova i revoltuar", shprehet Hasko. Për të forcuar dëshminë e dhënë nga Shefqet Peçi, ne po iu publikojmë edhe rrëfimin që ka dhënë Hasko përsa i përket dijenisë së udhëheqjes së UNÇSH për këtë masakër. Sipas tij, jo vetëm që ata ishin në dijeni, por edhe se për krerët e UNÇSH kjo masakër nuk përbënte asgjë. "Pasdite, ata i nisën me ngut për në Malin e Zi, ndërsa të nesërmen a të pasnesërmen, u përhap me shpejtësi lajmi se i kishin vrarë e masakruar të gjithë në qytetin e Tivarit. Kur u ktheva në Tiranë, ia tregova ndodhinë Koçi Xoxes dhe ai nuk shfaqi asnjë shenjë shqetësimi. "Mirë t'iu bëhet! - më tha. - Janë të gjithë pasues të Xhemë Gostivarit e Rexhep Mitrovicës… E di mirë këtë problem, më ka shkruar edhe Shefqet Peçi…", thekson Hasko për shkrimtarin Duka. Ish-Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia, ka hedhur poshtë akuzat e Kryeministrit Sali Berisha për implikimin e tij dhe komunistëve në Masakrën e Tivarit, të ndodhur në mars të vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi mbi 5000 kosovarë të pafajshëm. Por nga dëshmitë e dhëna dhe nga letërkëmbimet e publikuara nga gazeta jonë, vërtetohet se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia kanë qenë pjesë e gatimit të masakrës famëkeqe në historinë e kombit shqiptar.
Divizioni V, datë 28.5.1945
Komandës së përgjithshme.
Në lidhje me telin tonë N,exrtra rez datë 22.5.1945. Ata që gjer dje kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit dhe sot janë dorëzuar në reshtat tona, fillojnë të dezertojnë se është hapur parrulla që ne do shkojmë në kufirin grek. Dezertimet po ngjasin nga këta të fundit dhe prej atyre që për të mos u hedhur në ushtrinë jugosllave nga frika ardhën me ne, ndërsa pjesa tjetër qëndron mirë. Në rast lëvizjeje për në një tjetër sektor të gjithë ata që kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit mund të na dezertojnë. Mejtoni dhe na lajmëroni.
Për shtabin e Divizionit V.
Komisari Polititk Gafur Cuci.
Divizioni V, 30.5.1945
Komandës së Përgjithshme
Shtabi Operativ i Kosmetit prapë na i kërkon të gjithë të dorëzuarit ose të kapurit që sot janë në divizionin tonë t'ia dorëzojmë Divizionit 52. Me këta të Shtabit Operativ të Kosmetit mezi merremi vesh se bëjnë gjithsecili pas kokës çdo përgjegjës zyre. Për shembull, oficeri i artilerisë na dërgoi një urdhër.
RADIOGRAMË
Divizionit V
Na lajmëroni sa bëhet numri i të arratisurve që janë dorëzuar në divizionin tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren.
ENVER
Divizioni V, 1.6.1945
Komandës së Përgjithshme
Numri i të arratisurve që janë dorëzuar në repartet tona arrin deri në 155 veta, me përjashtim të disa kriminelëve që ia kemi dorëzuar M.P sipas kërkesës së tyre. Numri i kosovarëve që janë mobilizuar është 1398.
Gafur Cuci
Radiogramë 5 qershor 1945
Divizionit V
Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj dërgojani divizionit 52.
Enver
Përgatiti: Kreshnik MERSINLLARI
No comments:
Post a Comment