Rrezikojmë (në të vërtetë ne po e bëjmë këtë) ta bartim në gjeneratat pasardhëse këtë mësim dhe praktikë të pakëndshme, të autoriteteve intelektuale të rreshtuara në interesa ngushtësisht politike.
Nga Arben Idrizi më 12.09.2010 në ora 12:00
Disa fragmente të çastit dhe të pamenduara mirë, për autoritetin intelektual.* * *
Tipi i, ta quajmë kështu, autoritetit intelektual për të cilin, do të thoshim me drojë, ka nevojë ky vend është intelektuali që qëndron mbi gjërat.
Në politikën si të tillë dhe përtej politikës së përfaqësuar nga subjektet politike.
Si ‘mbi’ si ‘brenda’, janë pozicione që bartin rreziqet e veta. E megjithatë, qëndrimi ‘mbi’, sado që duket më i lehtë, është më i rëndë dhe më i rrallë.
Derisa në vitet ’90, e mbase për shkak të rrethanave të tjera, mund të thuhet se në njëfarë mënyre ekzistonte një lloj autoriteti intelektual, vitet e pasluftës shënojnë një përmbysje të çuditshme.
Në Historinë e re, nëse na lejohet ky definim, pas luftës, intelektualët e involvuar në politikë e gjejnë veten të rreshtuar në subjekte të caktuara politike që përfaqësojnë interesa të caktuara politike – jo aq ideore sa materiale, jo aq shoqërore sa personale.
Është e vetëkuptueshme që autoriteti i tyre të jetë i kufizuar dhe i dyshimtë.
* * *
E keqja tjetër, ndodh me mediat. Edhe ato të rreshtuara, pothuajse ngushtësisht, në njërin apo krahun tjetër politik, me pasojën që t’i mbrojnë dhe proklamojnë vetëm dhe thjesht interesat relevante.
Premisa se media është një opozitë duket tashmë një gjë qesharake. Jo që është në vete e tillë, por ngase është shndërruar në të tillë.
* * *
Nëse i hedhim një sy shoqërisë civile, përgjithësisht s’do që gjejmë veçse autoritete që nuk kanë ide të qartë mbi vetë konceptin e shoqërisë civile dhe, marrim guximin ta themi, në momentin e tyre të volitshëm janë të gatshëm të përfundojnë të rreshtuar politikisht. Siç edhe ka ndodhur edhe më herët. Të varur nga kjo perspektivë, zor të përfaqësojnë një autoritet intelektual për t’iu referuar.
* * *
Çfarë themi, që tingëllon edhe si kërkesë, nuk është nevojë për një autoritet të vetëm, me tipare ideologjike, profetike. Të tillë kishte edhe në vitet në ’90. Është nevojë për autoritete intelektuale që reflektojnë dhe luftojnë përtej interesave personale e grupore. Edhe kjo gjithashtu tingëllon si një moralizim bajat.
Por ajo që duam të themi me këtë është se ne rrezikojmë (në të vërtetë ne po e bëjmë këtë) ta bartim në gjeneratat pasardhëse këtë mësim dhe praktikë të pakëndshme, të autoriteteve intelektuale të rreshtuara në interesa ngushtësisht politike.
Me çka, rolit të intelektualit si të tillë, parimor, i mohohet besueshmëria dhe validiteti.
* * *
Në këtë shoqëri të dominuar nga politika dhe politikanët me natyrë egoiste, biografi të dyshimtë kundërligjore dhe qëndrim johuman, me qëllime tërësisht materiale – prania dhe zëri i atij autoriteti intelektual të nevojshëm do të ishte, nëse jo më shumë, një shpresë.
No comments:
Post a Comment