Friday, September 24, 2010

Tanja Visirova: Unë e dashura e mbretit Zog


Rrëfimi i kërcimtares së kabaresë së Parisit. Ardhja në Shqipëri në vitin 1929 si "robinjë" e mbretit të Shqipërisë. Takimi me Zogun, netët e dashurisë, përjetimet e "trupit femëror më të këndshëm të Parisit", për pushimet në vilën mbretërore në Durrës dhe për Ahmet Zogun


"Asgjë në fëmijërinë e Tanja Visirovës nuk ngjau, që të mund të thuhet se përgatiti karcimtaren e ardhshme nudo, të përkëdhelurën e Parisit, zonjushën e një mbreti. Vogëlushja e rrjedhur nga një familje tipike kozmopolitane: I ati polak, gjyshja kineze, nëna rumune, jetoi një fëmijëri idilike midis botës ruse dhe asaj rumune"-Kështu shkruhet në mbulesën e botimit në frëngjisht të librit të gazetares Maria Krepo sjellë në shqip nga Vladimir Bako.
Në vitin 1927, të gjitha udhët, edhe ato të mërgimit, kalonin nga Parisi. Tepër e varfër Tanja pozon për piktorët, pastaj hyn në "Foli-Berzher", thjesht si një "manekin". Dhe shumë shpejt e njohur si "trupi femëror më i këndshëm i Parisit", ajo u tëhoq nga një mbret, mbreti Ahmet Zog i Shqipërisë, i cili e mbajti në oborrin e vet. Kjo periudhë e paharrueshme për Tanjën dhe mbretin e shqiptarëve përshkruhet në librin "Nga Kaukazi në Foli-Berzher" të gazetares Maria Krepo. Tanja aty rrëfen përjetimet e saj për atë kohë kur ishte vetëm 20 vjeçe dhe zbuloi Shqipërinë, Oborrin mbretëror dhe mbretin Zog. E dehur nga kaltërsia e detit, nga plazhi me rërë të imet si dhe nga mbrëmjet e qeta, kercimtarja pariziane u lëshua e tëra pas mbretit. Tanja u mbulua me aq bizhuteri, gjerdanë,unaza dhe fustane e pallto sa nuk i kish ëndërruar gjithë jetën. Zogu atëherë 33 -vjeçar, i shpallur mbret vetëm para një viti ishte i marrosur pas 20 -vjeçares. Një dashuri që do të zgjaste vetëm tre vjet por që do të bëhej legjenda metropolitane e Parisit dhe më tej.

Në fillim të vitit 1929 nisa të dubloj artistë të ndryshëm nëpër skena erotike filmash, ku duhej të luaja çaste nudo. Filmi i parë i kësaj serie ishte "Gruaja dhe Pantini", në të cilin i huaja trupin Konçita Montenegras. Unë jam edhe cigania që kërcen tek "Monte-Kristoja". Në tërë këta filma luaja skena kalimtare, por më në fund u bëra violina e parë me një rol të vërtetë: më kërkuan për të luajtur tek "Kartakala, mbretëresha e ciganëve". Më sugjestionoi shumë ky rol dhe kërkova të takohem me autorin e skenarit, por ky gjendej në Shën-Mari-dë-la-Mer, ku po zgjidhte vendet e xhirimit. Sakaq, e shoqëruar nga im më, u nisa per Bruksel, isha ftuar që të kërceja në një mbrëmje zyrtare.
Edhe shqiptarët ishin të ftuar në atë mbrëmje. Po bëhej rreth një muaj që nga dita kur Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë dhe deputeti më kishin bërë kërkesën që të shkoja për të kërcyer në Shqipëri, në teatrin mbretëror të këtij vendi; duhej të kërceja për mbretin Zog (të cilit ia dëgjoja për të parën herë emrin), që së afërmi, në tetor, festonte përvjetorin e parë të hipjes në fron.
Në Bruksel, të dy burrat këmbëngulën edhe një herë në kërkesën e tyre. Duhej që të përgjigjesha menjëherë, puna ishte urgjente, në Shqipëri më prisnin.



Do te merresha me rolin e Kartakalës, apo do të zgjidhja vallëzimin në Shqipëri?! As vetë nuk mund ta di se përse parapëlqeva të bëja një turne në këtë vend të largët. (Kështu fati kaloi tek Vivianë Romansa, që përmes rolit të Kartakalës, pati sukses në karrierën e saj kinematografike. Do të gënjeja, po të mos pranoja se pata sidoqoftë njëfarë keqardhje për veten, që më ngacmoi më pas, kur u riktheva në Francë).
U sqarova shqiptarëve se ishte e vështirë të nisesha në muajin gusht, tani kisha nisur një grup numrash personalë në shfaqjet e Foli-Berzherit, ndaj edhe më lipsej një kohë e caktuar për të gjetur një zëvendëse.
Shumë më vonë pyeta veten ishte në dijeni im më për arsyen e vërtetë të ftesës për këtë udhëtim. ? Këtë nuk mund ta mësoj kurrë, asnjëherë nuk ia bëra këtë pyetje sa qe gjallë dhe ndoshta asnjëherë nuk do t'ia bëj më edhe vetes. Di vetëm se ajo u nis me një gëzim të madh për të më shoqëruar në ato troje kaq të largëta dhe që më pas ëndërronte vetëm një gjë: të braktiste Shqipërinë.

Në fakt në gusht, mundëm që të niseshim për Romë, ashtu të katërt së bashku: im më, unë, ministri dhe deputeti. Roma ishte lënë si vendi ku do të firmosej kontrata. Unë nuk e kuptoja përse: Mamaja do të kishte shkuar edhe më këmbë në Romë. Përpara se sa të niseshim, miqtë tanë në Francë u përpoqën të na ndalonin: "E ç'do të bëni në këtë vend të egër, ku as hekurudhë nuk ka?". Po im më ua priste: "E, ne kemi udhëtuar edhe në vende, ku mund të ecësh vetëm mbi shpinën e gamileve. Kjo nuk na tremb".
Kontrata u nënshkrua në Konsullatën e Shqipërisë dhe me kërkesën time edhe atë të Rumanisë. Firmosa për një angazhim tremujor. Të ardhurat nga kontrata i depozituam në një bankë të Parisit dhe nisëm nga vizitat në qytet; im më në një jetë gjysmë ireale mërmëriste: "E di, e di...". Ndërsa unë nuk i kushtoja vëmendje të veçantë gjendjes së saj të çuditshme shpirtërore. Por gjëja që më la vërtet përshtypje të çuditshme lidhej me faktin se shqiptarët nisën të blenin veshje. Pasi kishin konstatuat me çudi që përdorja një valixhe të vogël e jo të re të tipit Samaritan, në të cilën kisha vendosur kukullën, këmishën e natës që më kishte blerë mamaja dhe një fustan mbrëmjeje për kabaretë, një fustan nga ata që artistët ua rishesin shoshoqit, shqiptarë thanë: "Ju duhet një garderobë".

-E përse?
-Është e nevojshme.
Qëndruam tri ditë në Romë vetëm për veshjen time. Im më dhe unë po binim të sëmura duke parë çmimet fantastike të veshjeve që na sillnin, këto i kalonin shumat e kontratës, ndaj unë u detyrova t'iu them burrave të Zogut:
Unë nuk mund t'i blej të gjitha këto!
-Nuk ka asnjë rëndësi, është e nevojshme, do t'ju duhet të shëtisni shumë, mos u shqetësoni...
Valixhja nga Samaritania u zëvendësua me një valixhe me lëkurë derri, që hapej sa herë në të duhej të ngjesheshin veshje të reja. Mu krijua një luks i bollshëm- e çfarë nuk kisha tani? Gjithnjë e më shumë po kthehesha në Hirushen e kohës së Zanave. Unë vajza që nuk kisha patur veçse një kostum të vogël dhe një pallto të zakonshme, tashmë mbulohesha me fustane të shumta të paradites, të pasdites, të mbrëmjes. Mamaja gjithashtu u vesh me rroba serioze kokë e këmbë. Dhe kur pyeste: "Ç'janë gjithë këto?", I përgjigjeshin thjesht: "Zonjë ju po shoqëroni bijën tuaj!". Sim mëje që e urrente ngjyrën e zezë, i bënë një fustan të zi, ngaqë e zeza ishte "tamam ngjyra që duhej".

Na doli koha të bënim edhe një pelegrinazh në relikat e Shën Nikollës, gjithnjë të shoqëruara nga dy myslymanët tanë, pastaj hipëm në vaporin e Barit që do na shpinte drejt Shqipërisë. Nuk pata mundësi të shihja fotografinë e mbretit, të dy burrat thonin se nuk kishin me vete asnjë.
Më 10 gusht mbërritëm në Durrës. Na priste një Roll, ushtarakët na përshëndetën dhe më pas, të shoqëruara nga deputeti, arritëm në një sallon në brigjet e Adriatikut.
-Ky salon-na thanë- është ndërtuar për ju, për stinën e verës.
-Mirë, po ku është teatri?
-Teatri është në Tiranë. Oborri e kalon verën këtu. Jeni në krah të Sallonit Mbreteror".
Salloni ynë përbëhej nga një ambient pushimi, nga një dhomë ngrënieje, dy dhoma të tjera
dhe një banjë. Energji elektrike nuk kishte. Ndriçoheshim prej llampash vajguri. E megjithatë unë isha e magjepsur: një rrugëz me shkallare që niste nga godina jonë zbriste pa u ndërprerë deri në bregun e Adriatikut.

Pastaj erdhi personeli të merrte kontakt me ne: një kuzhinier francez, me grua dhome shqiptare që mezi çaparashiste diçka në italisht, por që nuk thoshte dot asgjë në frëngjisht dhe shërbyesi; ky i fundit shqiptar dhe që fliste në mënyrë të admirueshme frëngjisht. Emri i tij ishte Dedë Suli, kishte qenë ordinancë e Franshe d'Espereit, gjate kohës kur ai komandonte trupat aleate në Maqedoni. Dedë Suli nuk na u nda asnjë hap.
Në mbrëmje, deputeti që na kishte shoqëruar, erdhi me një Roll e na kërkoi të na paraqiste te mbreti. Familja mbretërore kishte ambiente të shumta banimi, na drejtuan në njërin nga ata dhe na lanë lë prisnim në holl.
Pas pak pashë të hynte një burrë i gjatë, i hollë, bjond dhe me sy blu, që e mora për një officer austriak. Por befas deputeti u nxitua të më prezantonte para mbretit.
-Ju qenkeni?-thashë e çuditur.
-U zhgënjyet. Më imagjinonit ndryshe?
-Kam jetuar një pjesë të madhe të jetës midis njerëzish orientalë, ndaj më shumë ju përfytyroja si njëfarë pashai. Por ngjani me një oficer austriak ose jugosllav, nuk keni asgjë orientale". (Ai i shkëbente më shumë disa rumunëve që kisha mundur të njoh gjatë jetës dhe që ishin më austriakë se sa austriakët).
-Është e vërtetë, kam lindur myslyman, por ndjehem europian. Veç kësaj kam shkuar një pjesë të jetës në një shkollë austriake".
Teksa pinim vazhdimisht shampanjë, pyeta mbretin se kur ishte menduar që të paraqitesha në teatër.
"Për këtë do të flasim më vonë. Këto kohë unë jam me pushime, përfitoni edhe ju të pushoni".
Kishte një buzëqeshje zbavitëse, që më çuditi pak dhe më nervozoi shumë.
-Keni orkestër? Pianist?
-Po, po. Kam një pianist të shkëlqyer, një francez.
Më pyeti nëse pëlqeja të lexoja. Bibliotekën nuk e kishte me vete, po mund të porosisja ç'të doja. "Çdo gjë që do t'ju japë kënaqësi juve dhe nënës suaj!".
Të nesërmen erdhën dhe më kërkuan: duhej të isha e vetme.
Deputeti i tha sim mëje: -Këtë herë, zonjë, ju nuk mund ta shoqëroni bijën tuaj.
Mamaja e kuptoi se nuk kishte më vend për të bërë diskutime dhe se duhej ta gëlltiste shqetësimin në heshtje.

Ishte mbarimi i pasdites, Zogu më priti si i magjepsur. Më pyeti nëse më pëlqente të notoja.
I thashë se noti më zbaviste pa masë, se kishte shumë kohë qe nuk më ishte dhënë rasti për të shijuar një kënaqësi si kjo dhe se distanca më e madhe që kisha përshkuar gjithë-gjithë me not ishte Dniestri. I rrëfeva këtë histori mbretit, madje edhe disa të tjera: ai më dëgjonte dhe pak kohë më pas nxorri një dosje. Dosja lidhej me mua.
"Ju duhet ta dini, Tanja,-tha ai,-ju njoh mirë, fare mirë".
-Si më njihni? Që kur?
-Në fillim ju kam parë, ju kam parë kur kërcenit në "Foli-Berzher".
-Po atëherë, përse nuk erdhët të më takonit?
-Nuk kishte shumë rëndësi. Erdha që tju shihja në mënyrë të fshehtë, veç kësaj qëndrimi im në Paris ishtë shumë i shkurtër.
Më tregoi fotografitë e mia dhe një anketë të tërë policore.
"Dedektivët ju kanë ndiekur. Na duhej të njihnim opinionet tuaja politike, të mësonim mënyrën tuaj të jetesës".
-E përse i keni bërë të gjitha këto?
-Fare e thjeshtë. Unë kam rënë në dashuri me ju. Tani ja ku jemi, ju jeni e burgosura ime. Nëse doni do të njihemi".
Isha hutuar krejt nga ajo që sapo kisha degjuar. Që kur kishim mbërritur në Romë jetoja si në një përrallë- dhe isha e re.
Ai me tha:
Në takimin tjetër më tregoni kontratën.
Unë ia solla. Ai nguli sytë në të:
"Këta janë hajdutë. Kam thënë të bëjnë një kontratë për 25 mijë franga, ata e kanë bërë për 15 000. Dhe ju lutem më thoni, përse duhej bërë një garderobë e tërë për ju në Romë?".
-Por ngaqë unë nuk kisha asgjë!

Zogu qe mashtruar, këtë e kuptova, kohë më pas. Duke më parë të zhveshur në skenë, më kishte përfytyruar si "gruan fatale". Mbreti nuk e kishte ditur që "gruaja e tij fatale" ishte një vazjë e varfër, e cila që nga mosha njëmbëdhjetë vjeçare nuk kishte më asgjë.
Zogu ishte shumë i egërsuar ndaj ministrave vet, të cilët, siç thoshte ai, "e vidhnin", çmimet e të gjitha sendeve që më kishin blerë ishin katërfishuar ose pesëfishuar.
-E si mundet që ju të mos keni asgjë, për ju flitet aq shumë?
-Por flitet për mua të zhveshur, zotëri, askush nuk flet për fustanet e mia.- Fustanet! Nuk kisha nevojë për to. Rrija e zhveshur në Foli-Berzher, e zhveshur përpara piktorëve dhe skulptorëve, e zhveshur në kabare. Fare pak tyl, pakëz grimca rrezulluese që imitonin arin, një dajre; ja gjithçka.
«Po Parisi....
-Ka Paris e Paris. Sigurisht që ka në Paris shtëpi me oxhaqe të lartë dyer të mëdha, por këto nuk u përkasin artistëve të thjeshtë".
Këtë Zogu nuk e kuptoi dot kurrë.
Pastaj i thashë:
"Ju duhet të mësoni se fama e "Çupkës së Foli-Berzherit" është diçka që nuk i duhet zënë besë".
-Dhe ju-tha Zogu-nuk paskeni patur në jetë burra të tjerë?!
-Jo. Ka patur që janë dashuruar pas meje, por s'më ka dalë koha që të mërrem me të dashurit e mi, duhet të punoja. Në planet e jetës sime nuk hynin të dashurit"
Mbreti Zog ka qenë shumë njerëzor me mua, shumë i sjellshëm, i butë. Në fund ai arriti atë çka dëshironte, por vetëm pas një muaji të tërë. Nuk më nxiti, priti sa të isha e gatshme. Dhe besoj e kam çuditur, madje jo në pak gjëra.
Sa për teatrin mund të them se ai nuk ekzistonte. Unë kam kërcyer vetëm një herë përpara mbretit, të cilit loja ime iu duk e admirueshme, e pakrahasueshme, por Zogu ishte i dashuruar vetëm pas valsit vjenez.
Vallëzoja shpesh, por me të, shoqëruar nga muzika e disqeve. (Në Shqipëri kishte vetëm një orkestër, kjo ishte orkestër ushtrie). Ne, unë dhe Zogu mund të jetonim edhe vetëm me maratonën e vallëzimit. Për gjithçka që ishte tango, foks-trot, vals, ishim të pamposhtshëm. Vallëzonim vetëm, ose rallë nëpër festa edhe përpara të ftuarve të paktë: ministra dhe personalitete të tjerë të Pallatit.



Gjatë pushimeve tona në Durrës gjithçka më dehte: deti, plazhet e bukur e me rërë të imët, ekskursionet që bënim me tim më (gjithnjë nën shoqërinë e Ded Sulit, sigurisht). Cila grua nuk do të kishte qenë e magjepsur në një jetë, ku edhe më e vogla dëshirë e saj ishte urdhër?!
Nëse doja një parfum, do të më sillnin nga ky një sasi sa për gjithë jetën. Mbulohesha me bizhu, me "lecka" shumë të kushtueshme. Zogu ishte si gjithnje i butë, tepër i sjellshëm, magjepsës. Ai qe tridhjetetre unë njëzet. Kisha jetuar gjithnjë nën presion, duke punuar në mënyrë të vazhdueshme, tani kisha ditët e mia të shplodhjes; lexoja, shëtisja, më dilte koha të admiroja zambakët e rërës, aq të hollë, aq të bukur.
Pas disa kohesh, mamaja ra përsëri e sëmurë nga paludizmi. Zogu i propozoi një pushim në Karlsbad, por mamaja, që nuk e njihte Gjermaninë preferoi të shkonte e të pushonte në Vishi. Duke shkuar në Vishi, kaloi nga Parisi, ku shleu detyrimet për apartamentin tonë të vogël në hotelin "Minerva". Me kërkesën e Zogut, i dërgova një letër Foli-Berzherit, me anë të së cilës kërkoja të tërhiqesha nga detyrimet. Tani isha një robinë, nën mbikqyrjen e Dedë Sulit, nje burri krejt të shquar.
Gjatë gjithë kohës që pushova në Durrës, skenari mbeti i pandryshuar. Ditës dilja e shoqëruar nga im me, flas për kohën kur ajo qe në Shqipëri. Rreth kohës kur binte dita, vinin më kërkonin, shpesh.



Vetë Ahmet Zogu vinte të më takonte. Hanim bashkë, kaloja pasditen me të. Të dy bënim plazh me kostume të rregullt banje, nuk flitej kurrë të plazhonim nudo. Dhe notonim të dy bashkë deri pranë vaporëve ushtarakë, të ankoruar thellë në det, larg rezidencës së tij.
Protokolli parashikonte madje edhe orët tona të dashurisë. Dashuria bëhej gjithnjë në të njëjtën orë; ndoshta mund ta quaje të gjithë këtë, "nëpunësi", ndonëse unë nuk kisha shpirt prej funksionareje. E megjithatë ajo bëhej, pavarësisht nga unë! Por e gjitha kjo nuk më dukej se mund të ishte jeta e vërtetë e dy të dashuruarve. Zogu, mendoj, nuk ishte një qenie e ndezur në pasione, më dashuronte, kishte dobësi të madhe për mua, por protokolli, kotësitë e funksionit të tij mbretëror merrnin frenat dhe vinin nën kontroll gjithë gjërat e tjera.


Tre vitet pranë mbretit të Shqiptarëve. Kërcimtarja e “Foli-Berzherit” rrëfen jetën pranë familjes mbretërore. Mëria e nënës mbretëreshe dhe motrave të sovranit, xhelozia e tërbuar e Zogut, shpërdorimet e çmendura të familjes mbretërore, si vidhnin ministrat dhe largimi pa kthim nga vendi që kish aq bukuri dhe aq mjerim


Pas tre viteve në Shqipëri si e dashura e mbretit Ahmet Zogu, Tanja Visirova do të vendoste të kthehej në Francë. Për tu bërë e famshme pasi historia e saj e rrëfyer në gazetën “Pari Suar” me titull: “Tanja Visirova nga “Foli Berzher” ne fronin mbreteror”, do të bënte bujë të madhe duke shtuar jo vetëm tirazhin e gazetës në 1 milion kopje, por edhe namin e kërcimtares së Foli-Berzherit. Me këtë histori Tanja do të kalonte disa vite të lumtura. Me kalimin e viteve, duke u marrë me mbijetesën dhe duke lënë pas krahëve të shkuarën e lavdishme, Visirova do të shuhej ngadalë, për të ndërruar jetë në 1981. Me gjithë historitë e shumta, lidhjet dhe ndarjet, ajo nuk u martua asnjëherë, duke mbajtur si kujtim dashurinë e pamundur me mbretin e Shqipërisë, Ahmet Zogu.

Në pjesën e dytë të rrëfimit, që kërcëmtarja Visirova ia bëri gazetares Maria Krepo, jepet atmosfera e Oborrit Mbretëror në vitin 1929, në Tiranë. Është një mbret i vetëshpallur prej një viti që ende nuk e beson se është i tillë dhe është i dehur nga froni. Është Nëna Mbretëreshë që kërkon me ngulm që i biri të lidhet me një vajzë me rrënjë mbretërore, por i biri nuk do që të marrë një nuse që e lidh me Orientin. Janë motrat e mbretit, që përshkruhen si familjarët e Napoleonit I, të cilat vetëm shqetësime i sjellin mbretit. Janë ministrat, shumica prej tyre hajdutë të paskrupullt, që mundohen vetëm të zhvasin. Janë lukset e pafundme të jetës në Oborrin Mbretëror për favoriten e Mbretit, për të cilën gjithçka bëhet, përveç martesës së ndaluar. Tanja Visirova do të mbijetonte në këtë Shqipëri të varfër dhe të mbuluar me shpenzimet e çmendura të Oborrit vetëm tre vite dhe pastaj do të ikte, por gjatë gjithë jetës, veç fotografisë së Mbretit Zog ajo do të mbante kujtim atë lidhje që i ndërroi jetën përgjithmonë.

I flisja rreth vetes, rreth revolucionit, për tim atë. Duhej të gjenim një mundësi për të sjellë tim atë në francë fillimisht, pastaj ta fusnim në Shqipëri. Dhe ai bëri përpjekje të vërteta për këtë. Por mbi të gjitha qe ai që më fliste rreth jetës së vet.
Më shpjegoi se emri i tij Zog përfaqësonte në gjuhën shqipe fajkoin ose shpendin. Ishte i biri i një drejtuesi të fuqishëm në klanin Mati. I ati ishte vrarë gjatë një revolte kundër pushtuesve turq dhe Ahmeti (ky ishte emri i tij) ishte dërguar për në Stamboll si peng. Kaloi këtu pesë vjet në pallatin e Sulltanit dhe u rikthye në vendin e tij vetëm në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, më 1912 në kohën e luftërave në Ballkan që i krijuan edhe Shqipërisë mundësinë të shkundej një herë e mirë nga zgjedha turke.
Shqipëria mbeti e pavarur për dy vjet. Më 1914 austriakët pushtuan vendin. Ahmetin e ri nisën ta trajtojnë me shumë përkujdesi, e nisën në Austri, ku do të rrinte deri në fund të luftës.
Pas luftës Zogu erdhi përsëri në Shqipëri dhe filloi të merrej me politikë. Aktiviteti i tij shqetësoi presidentin e këshillit të asaj kohe, Mgasitër Fan Noli, i cili nuk vonoi të nxjerrë një mandat arresti për të. Zogu u arratis në Jugosllavi ku u mor me organizimin e kthimit të tij në Shqipëri. Këtu kthehet në 1924, në krye të një grupi të vogël (të përbërë nga besnikë dhe oficerë rusë të bardhë) me ëndrrën për të qenë Musolini i vendit të vet. Nervi i politikës ishin të hollat, Zogu i shtiu në dorë ato, në sajë të një njeriu: beut të Elbasanit, Shevqet Verlacit, e bija e të cilit kishte qenë deri në marrëzi e dashuruar pas Zogut. Ahmeti i pranoi të hollat, në fund të vitit 1924 u bë president i republikës, por e bija e Vërlacit nuk u bë kurrë bashkëshortja e tij. Që nga ajo kohë, klani i Vërlacit u vu në opozitë me Zogun, por kjo nuk e pengoi aspak matjanin të bëhej mbret i Shqipërisë nën emrin Zog I, më 8 shtator 1928.

Së shpejti do të festonte përvjetorin e parë të ngritjes në fron. I thoja vetes se isha shfaqur tepër herët. Zogu ishte ende në kulm të gjendjes euforike: “Unë jam mbret!”. Fliste si të kishte qenë pasardhës i një dinastie që kishte zaptuar fronin për shekuj. Kalonte për llogari të tij të gjitha lëvizjet kundër turqve. Ëndërronte ta quanin Skënderbe, si heroin e rezistencës në shekulin XV. Madje zhytej edhe në një të shkuar të thellë, fliste për Shqipërinë e lashtë, për të shkuarën e saj greke, romake, bizantine e të gjitha këto e dehnin. Teksa e dëgjoja, mendoja se i zmadhonte gjërat, por e kuptova se kurora i kishte rënë në kokë, ashtu siç më kishte rënë në kokë mua goditja e fatit. Çdo çast mërmëriste me vete: “Jam mbret!”.

Në fund të shtatorit u nisëm për në Tiranë. Pushimet kishin përfunduar. Na dhanë një shtëpi të admirueshme të stilit të vjetër që i përkiste nënës së Mbretit. Tavanet ishin bërë me dru të gdhendur dhe në dhomat e gjumit, fletë prej argjendi të futura në dru, luanin muzikë kur kishte erë. Asgjë nuk kishte komfort. Shtëpia kishte vërtet një vaskë banje, por kjo duhej mbushur me dorë nga shërbyesit, këta ishin tamam një tufë, të mëdhenj, të vegjël, mesatarë, asnjë nuk fliste frëngjisht, vetëm disa belbëzonin në italisht. Kjo shtëpi, gjithnjë e gatshme të na mblidhte të gjithëve, gjendej në krah të pallatit mbretëror-pallatit të dikurshëm të Princit Vid.
Tirana ishte një qytet oriental. Për teatër as që bëhej fjalë, kishte vetëm një kinema të vogël, të varfër. Në tërë qytetin ishin mbjellë xhami. Më treguan se midis Zogut dhe nënës Mbretëreshë kishte patur një dramë, ngaqë kjo e fundit, myslymane fanatike, nuk ia falte të birit faktin që ky kishte prishur një xhami për të hapur një shesh.

Vetëm pasi mbërritëm në Tiranë njoha familjen e tij, shtatë motrat dhe nënën. Armiqësia e tyre ndaj meje ishte e menjëhershme. Unë isha shumë jashtë shijeve të motrave të Mbretit, nuk kisha prirje të njëjta për gjërat e kota. Ndërsa e ëma e detyroi Zogun t’i premtonte se asnjëherë sa të qe gjallë ajo, ky nuk mund të merrte për grua një vajzë që nuk ishte myslymane.
Zogu më foli hapur për martesë, pa dyshim për një martesë morganatike (martesë e një njeriu me pozitë mbretërore ose dinastike me një njeri të zakonshëm, ky i fundit nuk gëzon të drejtat ligjore që rrjedhin nga akti i martesës-shënim i redaksisë), por për mua një gjë e tillë nuk më shqetësonte aspak. I përsërisja vazhdimisht:
“Im më ka patur një teto që ka qenë mbretëreshë dhe ajo ishte mjaft fatkeqe. E përse të martohemi? Unë jam e zgjedhura e zemrës tuaj, siç thoni ju gjithnjë, mirë, pra le të mbetem kështu: e zgjedhura e zemrës suaj! dhe asgjë më shumë”.
I drejtohesha me ju, ndërsa ai më drejtohej me ti, nuk më pëlqente ta bëja këtë kalim).
Martesa me të nuk ishte ndonjë ide që mund të më tërhiqte. Jetoja në një botë që nuk qe imja. Nuk dashurohesha dot pas gjërave që shihja në Tiranë.

Nëna e Zogut ishte fis i mbretit të Egjiptit, Fuad. I kërkonte të birit që të fejohej me motrën e mbretit Faruk dhe kujtonte se isha unë që e pengoja këtë martesë. Në të vërtetë Zogu donte ta shmangte vetë me çdo kusht një martesë që do ta rilidhte me orientin. Duke qenë oriental, ai donte të fshinte rreth vetes çdo gjë që binte era orient, sipas tij sinonim i “prapambetjes” i “mjerimit”.
Kur mbusha njëzetenjë vjeç, ditë që u festua me zhurmë, më dha një unazë “fejese”, një diamant prej shtatë karatë e gjysmë. Erdhën për të më bekuar dy priftërinj: një ortodoks dhe një katolik, erdhi edhe një mullah. U bë një ceremoni që të kujtonte fejesën ose martesën. Por e dija se kjo nuk ishte asgjë, ishte thjesht një lojë që atij i pëlqente. Luanim, kjo qe e gjitha. Dhe natyrisht pas një rinie të varfër, aq të vuajtur, aq të dhimbshme, unë përkedhelesha nga këto gjëra që më ndodhnin, si kjo tani, me shumë dhurata, bizhu…Hyja në lojë, por duke i lënë trurit ndriçim të mjaftueshëm, pa e humbur toruan. Kam udhëtuar në këtë vend me veturë, me kalë, që të mësoja se deri në çfarë pike kjo Shqipëri kaq e lashtë, kaq e bukur, ishte e mjeruar.
Zogu ishte një vassal i Italisë, nga e cila ishte kretësisht i varur, edhe nëse nuk dëshironte ta pranonte këtë. Më fliste gjithnjë për projektet e veta të mëdha, për ato që do të bënte për vendin së afërmi, por gjatë gjithë kohës që unë qëndrova në atë vend, nuk lëvizi asgjë. Burimet ekzistuese, nafta dhe mineralet nuk shfrytëzoheshin. Paratë vinin nga Italia dhe i jepeshin si ndihmë Pallatit.

Në të vërtetë, megjithë europianizmin e vet, Ahmet Zogu ishte një despot oriental. Klani i tij dhe të motrat i jepnin vetes një rëndësi të kotë, të padëgjuar-mamaja ime ishte e para që e krahasoi familjen e tij me atë, që i krijoi aq shumë telashe dhe andrralla Napoleonit I. Të motrat u flaknin në kokë ministrave pantoflat, Kur vinte drejtori i pallatit, gjithë përulje, që t’u njoftonte se tualetet e porositura në Paris mund të vononin pakës, ato zhvishnin këpucët dhe ia vërtitnin në fytyrë, drejtori largohej duke u tërhequr mbrapsht e duke fshehur fytyrën pas krahëve.
Zogu kishte një qen, një barzoi, të quajtur Eros, me një ligësi të pabesueshme. Ky rrinte drejt, i gatshëm për t’u hedhur mbi njeriun që i tregonin me të marrë sinjal nga i zoti. Kur mbetesha vetëm në holl me Erosin, nuk guxoja të lëvizja e të merrja frymë.
Sa shumë drama pati me të. Një ditë në inat e sipër Zogu i dha shenjë Erosit i cili u hodh vrik mbi njërin nga adjutantët dhe e kafshoi në krah. Krahu i këtij burri mbeti pak i paralizuar edhe pas një qëndrimi të gjatë në spital. Ministrat që paraqiteshin tek mbreti dridheshin në atë farë feje nga frika se mos hapeshin dosjet. Një herë Zogu më tregonte se kur kishte qenë fare i ri kishte shtënë dashuri me një çupërlinë, meqenëse ajo kishte qenë e fejuar, ai fare thjesht e kishte vrarë të fejuarin e saj në një “duel”.

Zogu e urrente erën e hudhrave, ndaj ato qenë syrgjynosur nga Oborri. Më kot të pranishmit, kur kishin ngrënë hudhra përpiqeshin të mbysnin erën, frymëmarrja e tradhtonte gjithnjë fajtorin. Dhe unë që i pëlqeja hudhrat isha betuar se ditën që do të largohesha nga Shqipëria do të haja hudhra me kokrra të tëra.
Mëgjithë frikën që u kallte, ministrat e vidhnin në mënyrë të vazhdueshme. Shpesh ata na kërkonin, mua ose sim mëje, që të ndërhynim pranë mbretit, p.sh. për të fituar monopolin në shitjen e një prodhimi. Përpiqeshin të na joshnin me anë të përqindjeve të mëdha që na premtonin, në rast se do t’ia dilnim mbanë kësaj pune. Unë u përgjigjesha vazhdimisht: “Nuk ndodhem këtu për të biseduar çështje tregtare me Mbretin!”.

Shpenzimet pa hesap në këtë vend kaq të varfër ishin vërtet çmenduri. Mamaja nuk e pëlqente verën dhe nuk e pinte kurrë një pikë. Megjithatë arka të tëra me verë vinin për të zbukuruar tryezën e saj çdo ditë. Një ditë ajo humbi ombrellën. U sollën dymbëdhjetë ombrella për të zëvendësuar atë që humbi. Zogu domosdo deshi të më ofronte dy pallto-mbërriti vetëm njëra, tjetra u përla nga motrat e tij, që të thuash të drejtën nuk vuanin për sende të tilla. Ishte e vërtetë që pesë herë në ditë duhej ndryshuar tualeti, kjo më bënte të pyesja veten: përse?
Më vinte në mendje prince Danilo në “E veja e Gëzuar”. Zogu shëtiste me një kapele të bardhë që mbante në majë një xhufkë po të bardhë. Motrat e tij mbanin kostume ushtarake. Pak më vonë deshi ta thjeshtonte paraqitjen e vet dhe nisi të mbante veshje qesharake, duke u shprehur se këto i jepnin kënaqësi popullit. Në fakt këto i sillnin vetëm atij kënaqësi. Një natë pësova një krizë apendesiti, ndaj thirra Dedë Sulin në mesnatë dhe i kërkova të më sillte një mjek. Mjeku mbërriti shpejt dhe më lehtësoi, por për çudinë time të madhe në orën shtatë të mëngjesit pashë të vinte Zogu me një tërbim të shfrenuar.

-Përse e kërkove mjekun?
-Ngaqë isha tepër e sëmurë.
-Dhe ai të pa të zhveshur? Të preku?
Tani u tërbova unë:
“Ju mbaheni për europian, por ju po thoni gjëra që vetëm një orientali i vijnë në mendje. Sa për zhveshur, i gjithë Parisi më ka parë të zhveshur, ministrat e tu, deputetët e tu më kanë parë lakuriq, ndërsa tani që u sëmura, qenka e ndaluar të vijë një mjek që të më shohë!!”.
Skena u mbyll sigurisht, u qetësua duke u ofruar një barcaletë, dhuratë e uljes së tensionit. Por sidoqoftë kishte ndodhur një skenë, e para.
Ndodhi një skenë tjetër. Ai djaloshi i ri i dashuruar pas meje, shën-siriani, kishte ardhur inspektor ushtarak në Tiranë. Një ditë teksa ndodhej në rrugë, më pa brenda veturës dhe duke u gjendur në befasi, pa dashur, thirri aq shpejt sa nuk pata kohë as të ktheja sytë nga ana tjetër: “Po kjo qenka Tanja!”.

Në mbrëmje pata rastin të provoja një skenë të llahtarshme xhelozie. Sa për shën-sirianin atë e bënë të provonte një seancë të plotë pyetjesh. Mbeti gjatë nëpër hetime. U përpoqa më kot të shpjegoja se ky djalosh fare i ri ishte dashuruar dikur pas meje, se nuk kishte gjë të pandershme në këtë çështje, se kishte dashur të martohej me mua, por nuk e realizuam dot, as ai, as unë, skena vazhdonte. Unë i thashë: “Po shkoj. Një skenë për një mjek, një tjetër për një shën-sirian që rrotullon sytë…U mbush kupa, po iki!”.
Dhe ne u nisëm. Na duhej vërtet të ndryshonim disi ambient. Shkuam në Vjenë, pastaj në Bregun e Kaltër. Mamaja vendosi të blenim një vilë në kepin e Antibeve. Natyrisht nuk lëviznim kurrë vetëm , gjithnjë ishte me ne një “sekretar” shqiptar, u cili angazhohej për çdo gjë, për të hollat, për imtësirat materiale…

Brenda kafazit të artë ku u gjenda edhe një herë e mbyllur, nisi të më shuhej gëzimi, që tek unë kishte qenë aq i natyrshëm. Ne, im më unë, gjendeshim të zëna në një rrjetë intrigash dhe komplotesh. Musolini do të kishte parapëlqyer që “e zgjedhura e zemrës së mbretit” të kishte qenë një italiane që do të mund ta mbante në korent për gjithë sa ngjanin brenda vendit. Në popull unë nuk kisha gjithashtu mbështetje. Që nga koha e braktisjes së vazjës së Shevqet Vërlacit, Zogu ishte i papëlqyer për popullin po ta krahasonim me një pjesë të tërë fisnikërisë vendase. Dhe si kundërpeshë edhe unë isha e tillë. U bënë përpjekje me shumë mënyra të hidhnin Zogun kundër meje. Në shtatë nëntor, ditën e përvjetorit tim (që i përket njëzetepesë tetorit me kalendarin e vjetër rus) im më më dërgoi një telegram urimi. Në darkë erdhi Zogu duke qeshur:
-Sapo më informuan se ti je komuniste, ja prova: nëna të uron ditën e përvjetorit të revolucionit rus”.

Por ne jo gjithnjë arrinim të qeshnim. Brenda vendit kishte një atmosferë rebelimi. Në pragun e dhomës ku unë dhe Zogu flinim, njerëz me armë të shtrira përgjonin duke gdhirë netët. Mamaja shkonte jetën duke rënë në gjunjë dhe duke iu lutur Virgjeshës së Shenjtë që të na e bënte sa më të thjeshtë largimin. Kishte frikë për mua, për ne, për Zogun. Po të ndodhte diçka, do të ishim ne që do të akuzoheshim në radhë të parë. Atëherë si do të dilnim nga ky vend?
Zogu pati një ide që të martonte tim më me një nga ministrat e tij. Ajo e kundërshtoi këtë gjë. Më pas dëshironte të më blente një titull baroni austriak, por kjo mu duk si poshtërim. Iu ktheva me mllef: “Që të kesh titull duhet njëfarë përshtatje, si të thuash një suazë: po të nisesh nga kjo mua nuk më mungon diçka e tillë. Një titull të përshtatshëm do ta kem. Aq më tepër që jam fisnike nga gjyshi im polak dhe nga familja e nënës, mendoj se kaq i mjaftojnë një gruaje.
-”Nuk ke të drejtë, titujt janë gjithnjë joshës!”
-Të joshin, e për çfarë?

Ahmet Zogut i pëlqente shumë ideja që në dejtë e mi lëvizte pak gjak mbretëror, gjak që zbriste nga princesha Gorçakov dhe mbretëresha Natali e Serbisë. Ndaj miklohej kur mendonte se kishte një robinë si kjo, gjë e ngjashme me miklimet e tjera që i vinin kur mendonte se kishte të vetën “La Visirovën” për të cilën shkruanin gazetat e Parisit..
Por në të vërtetë kishte patur një keqkuptim. Zogu kishte ëndërruar të kishte atë gjë që ishte shumë në modë, Visirovën, kërcimtaren nudo të Foli-Berzherit, një pariziane të vërtetë. Por unë isha krejt…tjetër gjë. Dhe kjo gjë tjetër nuk i interesonte aspak atij.
Mbreti nisi të ndërtojë një vilë të madhe për mamanë dhe për mua. Por në atmosferën e vitit 1932 në Tiranë nëna ishte cfilitur nga një frikë shtazore. Kishim aq shumë armiq: Nënën Mbretësheshë, motrat e mbretit, popullin…Duhej të niseshim, të niseshim sa më parë të qe e mundur. Dhe këtë e kërkonte në radhë të parë im më, që kishte patur aq shumë shpresa kur vinim, im më që ishte dikur e gatshme të priste çdo gjë që mund të ngjante…e çfarë saktësisht?
Më në fund pas një krize të re xhelozie nga ana e Zogut vendosëm që të ndahemi.
Ndjeva dhimbje, kisha qenë e lidhur pas tij, por nuk mund të duroja më në kafaz.
U nis pra pas tri vitesh jetë si favorite. Më pas duke dashur të shpëtonte nga tutela italiane Zogu kërkoi të martohej me ndonjë miliardere amerikane, por asnjë e tillë nuk u ndodh e gatshme të shkonte jetën në Shqipëri. Shqipëria nuk i ngjante në asnjë pikë Monakos.
Në vitin 1938 Zogu u martua me Geraldinën. Konti Çiano, dhëndri i Musolinit ishte një nga dëshmitarët e martesës, ndërsa Hitleri i dërgoi si dhuratë martese një Mercedes të fabrikuar jashtë serie. Por erdhi viti 1939, pasi kundërshtoi një ultimatum të Musolinit, ultimatum që kërkonte kthimin e Shqipërisë në një protektorat Italian, Zogu, me gjithë familjen e vet, u detyrua të arratisej, nën zjarrin e bombarduesve. Vdiq në 1961 dhe e varrosën pranë Parisit.

Çfarë (nuk) arriti të bëjë gjatë 14 viteve të sundimit të tij në krye të Shqipërisë

Dështimet dhe sukseset e mbretërimit të Ahmet Zogut

Zogu rifilloi sundimin e tij katërmbëdhjetëvjeçar në Shqipëri në fillim si president i Shqipërisë (1925-1928) dhe më vonë si Zogu I, Mbret i Shqiptarëve. Revolucioni demokratik i Nolit tronditi gjithë klasën politike shqiptare, përshi dhe Zogun. Tashmë ish bërë e qartë se nëse Shqipëria duhej të bënte përpara atëherë duheshin ndërmarrë reforma domethënëse. Si rezultat, Zogu qe i suksesshëm në vendosjen e rregullit dhe rendit publik, hapjen e shkollave fillore dhe të mesme.
Këto reforma u interpretuan nga qarqe të ndryshme si skllavërim kombëtar pasi sigurimi i të ardhurave financiare për to dhe modeli i tyre ish kryesisht Italia. Financimet dhe traktatet e shumta që Zogu ndërmori me qeverinë fashiste të Mussolinit shpesh u interpretuan si orvatje për ta shndërruar Shqipërinë në një koloni Italiane. Ndërkaq, interpretime të tjera të historiografisë hedhin dritë mbi faktin se shumë nga reformat e modernizimit të ndërmarra prej Zogut qenë lëvizje të detyruara të tij për t’i shpëtuar kolonizimit real të Shqipërisë nga Italia, plan ky i shpallur haptas prej saj që para rënies së Perandorisë Osmane. Një ndër faktet që e ndihmon këtë interpretim është largimi i Zogut nga vendi më 1939, vit në të cilin Italia fashiste pushton Shqipërinë. Zogu fillimisht u largua për në Greqi më pas në Egjipt e më pas për në Francë ku dhe ndërroi jetë.
Ligjërisht Shqipëria e Zogut ish një monarki kushtetuese dhe parlamenti i Shqipërisë i përfaqësonte të dyja forcat kryesore politike, tradicionalistët e djathtë dhe progresistët e majtë. Ndërkaq, baza mbështetëse e autoritetit të Zogut ishin bejlerët dhe pashallarët e zonave qendrore dhe jugore dhe bajraktarët e veriut. I mbështetur në këtë rrjet, i siguruar nga ndihmat financiare të Italisë dhe në një xhandarmari të stërvitur dhe udhëhequr nga oficerë të huaj, Zogu solli stabilitet në Shqipëri. Ai vendosi autoritetin shtetëror në zonat e thella malore, uli kriminalitetin, hodhi themelet e sistemit të ri arsimor dhe ndërmori hapa shumë të guximshëm në modernizimin e jetës shoqërore të vendit.
Zogu dështoi në zgjidhjen e problemit të reformës agrare. Ai importonte drithra në shuma të konsiderueshme, por sidoqoftë mungesa e të ardhurave dhe e aktivitetit të shtresës së fshatarësë detyroi një pjesë të saj të emigronte jashtë shtetit. Për më tepër Zogu u kufizoi shtetasve të tij të drejtat qytetare, fetare dhe civile të cilat krijuan kushte të favorshme për kryengritje të shpeshta ndaj regjimit të tij. Në betejën kundër korrupsionit shtetëror nuk u tregua i vendosur ndërkaq që qe i ashpër me një pjesë të opozitës politike. Zogu neglizhoi në masë të konsiderueshme krijimin e grupeve dhe celulave të para komuniste në Shqipëri edhe pse elementi komunist nuk qe burimor për vendin. Ndërkaq, elementi komunist u përdor si armë për të luftuar dhe përçarë stabilitetin e vendit.


No comments: