Friday, September 24, 2010

RREFEHET PRIFTI-“Meta do servilët, më kërcënuan me dy arrestimet”

INTERVISTA/ Ish-ministri i Ekonomisë flet dhjetë ditë pas shkarkimit nga detyra. Raporti me Metën dhe Berishën, dialogjet me SMS natën përpara vendimit të kryesisë së LSI, presionet për të lënë detyrën dhe kërcënimet: “Arrestimet e këshilltarit tim, Belegu dhe kryeinspektorit të hidrokarbureve, ishin presion mbi mua nga mafia për të vazhduar aktivitetet e tyre. Kam dyshime se kontrabanda e naftës bëhej nga policia,doganat e tatimet”. Prifti deklaron se do vazhdojë të qëndrojë ende në LSI

Në një intervistë në "Top Story" të gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, ai flet edhe për arrestimin e dy zyrtarëve të lartë të ministrisë që drejtonte, sulmet nga brenda Qeverisë dhe të ardhmen e tij politike.


Si e morët vesh shkarkimin tuaj?
Para 10 ditësh, ishte e diel, unë jam kthyer nga një shërbim që kisha në Vjenë, në Komunitetin e Energjisë atje. E dija që e kisha gjyshen shumë rëndë, e kisha në minutat e fundit. Ajo kishte prerë gojën, i themi ne, dhe fjalët e fundit që kishte folur kishte pyetur për mua dhe kish thënë 'nuk u kthye Dritani nga jashtë?'. Kam pasur një marrëdhënie shumë të veçantë me të. Sa u ktheva nga aeroporti, shkova direkt te gjyshja. Ajo ishte në një gjendje që nuk kuptonte më, ishte në minutat e fundit. Ka vdekur në krahët e mi, por arrita ta takoja të gjallë. Në këto momente, pasi ndodhi kjo, unë i dërgoj një sms 4-5 miqve të mi për t'u thënë se çfarë ndodhi. Mes tyre i dërgova dhe zotit Meta

një sms, ku i thashë që 'gjyshja ime u nda nga jeta'. Pas dy minutash mora nga zoti Meta një sms, ku më thotë 'nesër në orën 10 në mëngjes është mbledhja e kryesisë së LSI, pra të hënën. Unë si kryetar i saj do propozoj largimin tim nga ministër i Jashtëm dhe emërimin tim si ministër Ekonomie'. Pa thënë ngushëllime për gjyshen, pa thënë hajde ta bisedojmë këtë punë.


Kishit folur më parë?
Asnjëherë. Nuk kishim folur fare për largimin tim. Drejtpërdrejt asnjëherë. Unë i thashë 'kështu e kishe planifikuar, të ma thoshe me sms këtë gjë, pa u ulur dhe pa diskutuar'. Zoti Meta kërkoi që deri të nesërmen, që është mbledhja e kryesisë në orën 10, ishte i gatshëm të bisedonim. Unë i thashë ta shtynin mbledhjen për pasdite, sepse unë do varros njëherë gjyshen dhe pastaj do vij të merrem me politikë dhe të diskutoj aty këto gjëra. Ai nuk e shtyu mbledhjen pasdite. Unë shkova t'i bëja respektet gjyshes. Ajo më ka rritur, e kam pasur shumë të dashur dhe nuk mundet në asnjë mënyrë të mos i jepja lamtumirën e fundit. Mungova në mbledhjen e kryesisë ku ndodhën të gjitha këto muhabetet.


Si e pritët shkarkimin kur ai u bë fakt i kryer?
Nuk më erdhi mirë, sepse ishte një veprim brenda familjes tepër imoral. Nuk ishte guximi as për ta diskutuar, as për të shkëmbyer disa mendime dhe as për të dëgjuar arsyet. Nuk e kam pritur mirë, por nuk e kam pritur mirë vetëm për mënyrën se si u realizua. Jo sepse një karrige që e kisha, nuk e kisha më. Kam dëgjuar shprehje të bukura këto ditë si 'prapanicën e ke tënden, karrigen nuk e ke tënden'. Nuk e kam pasur shumë problem largimin nga posti, sesa mënyra se si u krye ky largim.


A jeni i qartë pse ju hoqi Ilir Meta?
Unë jam shumë i qartë, por jo të gjitha një politikan mund t'i deklarojë në një moment të duhur. Unë kam bindjen që shqiptarët janë shumë më të qartë se sa unë dhe kam bindjen që nuk është shumë e nevojshme që t'i ndriçoj ata për momentin se kush ishin motivet e vërteta të zotit Meta për të bërë këtë lëvizje.


Për hir të transparencës, njerëzit duan të kuptojnë diçka...
Zoti Meta ka bërë një deklaratë publike, ku thotë që këtë ndryshim e ka kërkuar sepse do të ketë më shumë kohë për t'u marrë me partinë. Në pozicionin e ministrit të Jashtëm ai ka kaluar një periudhë të rëndësishme kohe duke udhëtuar jashtë shtetit dhe nuk ka pasur shumë mundësi të merret me partinë. Unë nuk mendoj që ministri i Ekonomisë ka më pak punë se ministri i Jashtëm. Detyra e ministrit të Ekonomisë është shumë më shumë me ngarkesë, sesa detyra e ministrit të Jashtëm. Nëse Meta këtë detyrë nuk e ka marrë thjesht formalisht për të qenë në Tiranë, por e ka marrë për ta bërë detyrën, nuk mendoj se ishte detyra e duhur për t'iu angazhuar partisë. Unë në detyrën si ministër kaloja 1000- 1500 faqe dokumente në ditë, duke përfshirë 100- 150 dokumente që duhen firmosur, përveç angazhimeve mediatike, angazhimeve me takime. Një axhendë tepër e ngjeshur lëvizjesh nëpër vend.


Ky motiv nuk qëndron sipas jush?
Motivi për të qenë pranë partisë mund të këtë qenë i drejtë, por është absolutisht i pamundur. Nëse Meta do të bëjë me të vërtetë këtë detyrë siç e presin shqiptarët, ta bëjë, është e pamundur që në këtë detyrë të ketë më pak angazhim sesa në detyrën e mëparshme si ministër i Jashtëm. Megjithatë, mes meje dhe zotit Meta ka pasur historikisht një lidhje, e cila herë ka qenë e mirë, e herë problematike.


Pra ka një historik...
Ka një histori bashkëpunimi 10 vjeçare, te e cila unë po të ndalem. Mund të evidentoj me dhjetëra raste që ne nuk kemi qenë dakord me njeri-tjetrin. Kemi pasur përplasje herë të lehta, herë të forta dhe sigurisht që disa nga këto kanë qenë në periudhat e fundit.


Është folur që disa muaj më parë keni pasur një përplasje të fortë me Ilir Metën. Është i vërtetë ky informacion?
Historia ime me zotin Meta, përfshi dhe vitin e fundit të qeverisjes, ka qenë gjithmonë problematike. Zoti Meta është një lloj politikani, i cili bashkëpunëtorët ka qejf t'i ketë servilë ose ushtarë. Nuk është ai lloj politikani, që e vlerëson një njeri dinjitoz, të aftë, që ka përballë. Në këtë kuptim unë kam pasur një marrëdhënie problematike me zotin Meta, sepse jo të gjitha porositë që jepte ai mund të zbatoheshin. Jo të gjitha kërkesat që bënte ai mund të zbatoheshin ose mund të bëheshin duke pasur parasysh ligjin.


Ju po thoni që zoti Meta u ka bërë kërkesa edhe mbi ligjin?
Dikush të thotë 'po të vjen një shoku im, ka një kërkesë për ta zgjidhur dhe të lutem shikoje'. Unë kam predispozitën që kur më thotë kryetari i partisë për diçka, në qoftë se diçka brenda kontureve të ligjit dhe rregullave mund të realizohet, sigurisht që nuk mund të them që s'kisha dëshirë ta realizoja. Por jo të gjitha kërkesat për një njeri të partisë, një mik të familjes, janë gjëra që realizohen. Mbi të gjitha për mua në këtë detyrë ka qenë ligji, vendimet e Qeverisë. E kam ditur gjithmonë që një politikan në këtë nivel, vjen dita kur kontrollohet çdo firmë, vjen dita kur përpara njerëzve që të kanë votuar dhe përpara publikut që të monitoron dhe të sheh, duhet të japësh llogari. Pavarësisht predispozitës sime për të ndihmuar sa më shumë nga ata që e meritonin ndihmën ose nga ata që mund të kërkohej nga kryetari i partisë tënde për t'i ndihmuar, në disa raste është e pamundur ta realizosh. Ka pasur raste kur ka pasur qejfmbetje për shkak të mos realizimit të porosive apo kërkesave të caktuara. Metën, po ta analizosh historinë e tij si politikan, nga viti 2000 kur ishte njeriu më i fuqishëm në Shqipëri dhe 2001 kur ishte kryeministër dhe kontrollonte 85% të partisë, sot është katandisur, reduktuar, në një njeri shumë të vogël, pra në një kryetar të një partie të vogël, që ka vetëm 3 deputetë rreth atij. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të një personaliteti të tij që i kërkon jo të ketë bashkëpunëtorë dhe partnerë në detyrë, por të ketë njerëz që zbatojnë urdhra e detyra. Është prishur me të gjithë. Merre historinë dhe shikoji të gjithë njerëzit që ka pasur në krah nga 2000 kur ishte kryeministër. Sot asnjë nuk është në krah. Ka një problem marrëdhëniesh njerëzore. Gjithmonë ai ka të veshur kostumin e kryeministrit. Siç e ka pasur në vitin 2000, ka menduar që është një kryeministër në hije dhe urdhrat e kryeministrit nuk diskutohen, por zbatohen. Por mbi një kryeministër apo një mik është ligji. Mund të ketë pasur probleme të tilla në vendimet e nxitimet e tij dhe LSI për të marrë vendimet që janë marrë.


Posti juaj politik si ministër i Ekonomisë mori një goditje kur një këshilltari juaj u akuzua, u arrestua, më pas u lirua, por pak më vonë u zhduk. Bëhet fjalë për zotin Belegu. A është ky rast që ka shkaktuar përplasje mes jush dhe zotit Meta?
Nuk dua ta thjeshtoj kaq shumë këtë gjë. Rasti i arrestimit të zotit Belegu është një rast tipik i presionit që është kryer mbi mua nga segmente të caktuara të Qeverisë shqiptare. Belegu është arrestuar në mënyrë bombastike në zyrën e tij në ministri, për një çështje që kishte të bënte me një aktivitet të tijin privat, të viti 2005. Këtë çështje prokuroria kishte 2 vjet që e kish hapur, siç kishte një vit e gjysmë që e kish mbyllur. Ishte një çështje që nuk flitej më zoti Belegu. Kam bindje të plotë që goditja e tij ishte një paralajmërim për mua.
Nga kush?
Nga segmente të caktuara të Qeverisë dhe të shtetit për të më thënë qëndro në rresht, bëj çfarë të thonë. Më vjen keq që ju e hapët këtë, sepse ai tani është i zhdukur dhe unë nuk e di ku është, familja nuk e di ku është dhe unë s'kam dëshirë të diskutoj për këtë gjë. Ai është arrestuar absolutisht kot, padrejtësisht. Kam apo s'kam të drejtë të them që ishte shantazh ndaj meje, sepse të gjitha mediat të nesërmen, disa të komanduara disa jo, thanë: 'këshilltari i Priftit korrupsion'.


Në këto segmente përfshihen edhe PD e LSI?
Nga analiza ime kam evidentuar një person, i cili ishte në brendësi të këtyre gjërave. Ky person quhet Agron Kuliqi, ish- badigard i Sali Berishës dhe tani është nëndrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ky person ka qenë në historinë Belegu jashtë mase i përfshirë, ka qenë edhe në historinë e arrestimit të ish-kryeinspektorit të hidrokarbureve. Edhe atij i bënë një arrestim të jashtëzakonshëm 'shou'. Prokuroria dhe policia kriminale bindën një qytetar, i dhanë atij 10 mijë dollarë, të shkojë t'ia japë ato me dhunë një inspektori hidrokarburesh, që pastaj ai t'ia çonte kryeinspektorit dhe pastaj këtë ta arrestonin. Atë e kanë arrestuar me flagrancë duke bërë 'shou' të jashtëzakonshëm. Ka dalë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në konferencë, ku ka thënë që e kanë arrestuar në flagrancë. Unë kam parë dosjen e këtij personi dhe nuk i është gjendur asnjë qindarkë në xhep. Asnjë qindarkë nuk ka marrë. Një intrigë e sajuar.


Sërish presion ndaj jush?
Absolutisht presion ndaj meje. Dhe jo vetëm kaq, por përpjekje e mafies për të vazhduar aktivitete kriminale dhe mafioze në fushën e karburanteve në Shqipëri. Unë në momente të caktuara kam informuar kryeministrin dhe ministrin e Financave, që në Shqipëri ka pasur një kontrabandë të jashtëzakonshme të 'virgin naftës'. Unë kam dyshimet e mia që në këtë lloj kontrabande ka qenë e përfshirë policia, doganat dhe tatimet.


Cili ishte reagimi i kryeministrit?
Karburantet merreshin nga ARMO. Niseshin gjoja për t'u eksportuar në Kosovë, Maqedoni, Itali, bëheshin dokumente eksporti false dhe ato shiteshin në tregun shqiptar. Ky, inspektori i hidrokarbureve, në fillim të punës së tij nuk e lejoi më këtë aktivitet të paligjshëm. Ai u godit sepse ka goditur një pjesë të mafies, që bënte këto aktivitete.


Cili ka qenë reagimi?
Kryeministri i ka dhënë porosi në syrin tim ministrit të Financave, të bëhet menjëherë hetim për atë dhe të bëhen verifikime. Unë s'kam ndonjë informacion për atë porosi. Presionet kanë qenë të vazhdueshme. Unë kisha dijeni se Meta kishte 6 muaj që kërkonte zëvendësimin tim. Presionet kanë qenë nga më të çuditshmet, nga korrierë që vinin në zyrën time dhe thoshin 'mbaroji këto punë se deri në 15 je ministër dhe do ikësh, do vijë ai tjetri', te zv.ministri im që çdo muaj ndërronte datën kur unë do ikja. Në muajin prill thoshte 15 prill, pastaj në maj thoshte deri në 15 maj është dhe do ikë. Pastaj me kërcënime me mesazhe elektronike për jetën.


Ka ende raport mes jush dhe Metës?
Sigurisht. Unë kam qenë dje për drekë me Metën. Ne vazhdojmë të bëjmë përpjekje për të rikrijuar një raport bashkëpunimi me njëri- tjetrin, pavarësisht se për momentin duket e vështirë.


Sa gjasa ka të rikuperohet kjo marrëdhënie?
Unë jam i përgatitur të mos e hedh poshtë investimin tim në LSI. Jam bashkëthemelues, kam qenë ideator i saj para Metës. Jam shkëputur nga PS me idenë e krijimit të një force tjetër, kur Meta vazhdonte të ishte atje. Më vjen keq që për shkak të momenteve stresante, situatave problematike, unë të jem i detyruar të hedh poshtë investimin tim në LSI. Do përpiqem të qëndroj pranë LSI, të ringrihem mbi ngjarjet e ditëve të fundit për të krijuar një raport me Ilir Metën dhe atë forcë politike. Por nuk varet çdo gjë prej meje, varet nga fryma që do përçohet atje. Nëse do ndiqet politika e disa deklaratave të anëtarëve kryesisë në mbledhjet ku u vendos shkarkimi im, mund të jetë e pamundur që unë të vazhdoj të qëndroj në atë forcë politike, nëse do gjej atë lloj sjellje nga drejtuesit e asaj force politike. Por jam i përgatitur ta marr situatën me qetësi.


Ju themeluat koalicionin me PD një vit më parë. Qëndronte Meta pas veprimit tuaj apo ishte veprim i pavarur?
Veprimi im ka qenë fillimisht i pavarur, ka qenë personal. Meta, pasi unë kam bërë deklaratën e parë, më ka çuar një mesazh dhe më ka thënë: 'U bëre si Xhuveli'. Pra nuk ishte dakord me lëvizjet e mia, mbase sepse donte t'i bënte vetë lëvizjet, ta kishte vetë protagonizmin.


Cili është komunikimi juaj me Berishën dhe çfarë ju ka thënë ai?
Marrëdhënia ime me Berishën është arsyeja kryesore pse unë sot jam shumë i qetë dhe shumë i butë në ato që deklaroj. Në ato deklarimet e fillimit të emisionit, nuk isha aq i qetë dhe aq i butë. Kam këtë qetësi sepse besoj te marrëdhënia ime me Berishën, marrëdhënie politike, por edhe njerëzore. S'kam asgjë çfarë mund të them kundër veprimeve të tij. Kur ka pasur kërkesa për largim më ka thirrur dhe kemi diskutuar. Edhe në kërkesën e fundit më thirri dhe diskutuam. Edhe në kërkesën e fundit ai me thirri, e diskutuam, bile ka pasur një përpjekje nga Berisha, e ka rithirrur Metën dhe i ka thënë 'ju mund ta ndryshoni pozicionin, por Priftin ta mbajmë në Qeveri, për shkak të kontributit'. Pra Berisha e ka bërë atë që ka pasur mundësi të bëjë. Ajo që nuk doja unë të bënte ai, ishte prishja e koalicionit për mua.

No comments: