Për vlerat e punës së aktorit Bekim Fehmiu, në të gjithë nekrologët dhe biografitë për të do të përzgjidhen fjalët më të mira. Por, jo duke përlyer të tjerët. Sidomos, jo bashkëkombësit e tij.
Nga Ilir Mirena më 19.06.2010 në ora 12:08
Vetëvrasja e aktorit Bekim Fehmiu erdhi si prej qiellit në skenën mediale kosovare. Fundi tragjik i tij u bë sebep që skajshmërisht nga një armatë e tërë gazetarësh, analistësh, artistësh, shkrimtarësh e nuk e di kush tjetër, të thonë diçka për të. Fat për shumëkënd, në fatkeqësinë e tij.Së pari, nga ajo mori shkrimesh u mësua se ne ende nuk e kemi mësuar e zhvilluar zhanrin e nekrologut, çfarë zakonisht bëhet për personalitetet të shquara, siç e bën për shembull çdo javë revista The Economist. Po të lexohet sasia e shkrimeve që patëm për katër pesë ditë radhazi, shumica prej tyre më shumë u morën me të gjallët sesa me kontributin e të vdekurit, në këtë rast Bekim Fehmiut.
Në fillim, të gjithë gjetën dromca të jetës së tyre që në ndonjë mënyrë i lidhte me aktorin Fehmiu. Një pjesë kishin afërsi dhe njohje personale me të. E, atyre që u mungonte njohja individuale me vet artistin, kapeshin e tregonin se njihnin secilin kuadër të secilit prej filmave ku kishte aktruar ai. Pamë se si u shterën të gjitha figurat stilistike letrare në përshkrimin e jetës së tij. Fatkeqësisht, Fehmiu kishte lënë amanet të digjej trupi i tij, përndryshe tashmë do t’i kishte të shkruara e të gdhendura kushedi se sa epitafe nga miqtë personalë dhe adhuruesit.
Duke kaluar prej historive personale, fundi i Fehmiut ishte rast i mirë që nuk duhej të lëshohej nga goja për të atakuar gjithçka që ekziston në Kosovë. Nuk u kursye asgjë.
Së pari, një shpullë fytyrës për gjithë shkrimtarët shqiptarë që kanë shkruar në 15 vjetët e fundit. Faqet e librit autobiografik të Bekim Fehmiut u quajtën gjeniale, e të pashkruara nga dorë shqiptari në 15 vitet e fundit. Nëse ajo autobiografi arrin t’i kalojë kufijtë e tregut serbishtfolës dhe atij shqipfolës, nga zanati i tyre duhet të heqin dorë të gjithë shqiptarët e tjerë që i mësyhen zanatit të shkrimtarit dhe që shkruan në dekadën e fundit. Pa përmendur emra konkretë, kjo përfshin edhe ata shumë shkrimtarë shqiptarë që kanë arritur të depërtojnë suksesshëm në tregun perëndimor të librit, bash në këto 15 vitet e fundit. (Nuk bëhet fjalë për Ismail Kadarenë, ku së pari na shkon mendja).
Nuk munguan edhe prononcime trishtuese që dëgjuam nga emra të njohur të dramaturgjisë në Kosovë. Njëri prej tyre, vetëvrasjen e tij e interpretoi si simbolikë sakrifice për gjendjen e popullit shqiptar! Siç është e rëndomtë në këto raste, sulmet tjera u nisën prej majës së institucioneve të vendit, Presidencës, për të vazhduar frontalisht kundër gjithë elitës politike dhe asaj kulturore. Pra, kundër të gjithëve, që nuk janë as më shumë e as më pak se reflektim i asaj që ka mundur të prodhohet nga shoqëria jonë.
Mbi një shoqëri të tërë u hodhën shigjeta të zemërimit nën justifikimin – provincialistë, mediokër, inatxhinj, xhelozë patologjikë për suksesin e të tjerëve. Një vend i tërë rezultoi në bankën e zezë, ngase nuk i paskan dhënë hapësirën që e meritonte aktori Bekim Fehmiu. Vdekja e tij na kthjelloi se si një komb paska qenë i mobilizuar që atij t’ia mbyllë të gjitha dyert e penetrimit në hapësirën kulturore shqiptare.
Kështu u tentua të shpjegohet mungesa, apo refuzimi, i Bekim Fehmiut që të paktën një rol a një varg të vetëm ta kishte të regjistruar në gjuhën shqipe, në skenë a në shirit filmik.
Ajo që as nuk mund t’i kontestohet personalitetit të tij është mjeshtëria e tij e jashtëzakonshme e aktrimit.
Por, kjo bashkëkombësve të tij nuk ua heq të drejtën që aty-këtu, nga habia, të pyesin mbi mosprezencën e tij në hapësirën kulturore shqiptare. Nga mosdashja që t’u jepet një casus belli gjithë publicistëve për të rinisur ofensivat e tyre, në terrenet e të cilëve kontestimi nuk preferohet, vetë të pyeturit në këso situata mund të bëhet me ndrojtje përballë frymës euforike.
Por, është po aq e padrejtë të fyhet gjithë skena politike dhe kulturore në vend, se nuk i paskan bërë një ofertë të dinjitetshme projekteve të Bekim Fehmiut.
Nëse vërtet diçka e tillë paska munguar, besoj që aktori Fehmiu ka pasur aq influencë sa të gjejë projekte falë reputacionit të tij, dhe t’i çojë deri në fund. Aktorë botërorë janë bërë edhe regjisorë dhe producentë të suksesshëm të shumë filmave të njohur (Mel Gibson, Jodie Foster, Nicolas Cage, Clint Eastwood, etj...).
A është justifikim dhe pengesë mediokriteti ynë që Bekim Fehmiu në një projekt të vetëm të tij të linte diçka në gjuhën shqipe? Mediokriteti ynë duhej të ishte motivim për të mos hequr dorë sipas asaj thënies famoze: “Fali Zot, se nuk dinë...”.
Nëse kjo që pyeta ka qenë e pamundur të realizohet, është e pashpjegueshme mungesa e atij angazhimit intelektual, si pjesë e pandashme e secilit artist të madh, që do të duhej të vinte si reagim ndaj asaj nëpër të cilat kemi kaluar gjatë viteve të 90’ta.
Askush nuk ka kërkuar që intelektualin dhe aktorin Bekim Fehmiu ta shihte të veshur në uniformë të UÇK’së, anëtarë të partive tona politike, apo duke shpërndarë ndihma humanitare për personazhet e mjerimit në Kosovë. As në rolin e Adem Jasharit në Teatrin e Skenderajt.
Por, guxojmë të pyesim e të krahasojmë se si mundi që në vitin e tmerrshëm ’99, në Bllacë pranë qindra e mijëra refugjatëve kosovarë të zbarkonte aktori Richard Gere? Si mundi që Vanessa Redgrave të organizojë një recital në London's Phoenix Theatre për mbledhje fondesh për refugjatët kosovarë? Si i ra ndërmend këngëtarit me prejardhje greke, George Michael, të incizojë një radio spot për të apeluar për viktimat e luftës në Kosovë? Ose këngëtari i bendit Manic Street Preachers të organizojë një koncert humanitar? Të mos harrojmë albumin e Pavarotti’t dhe miqve të tij? E lista e intelektualëve botërorë që u angazhuan në atë vit është shumë e gjatë. Mjafton të përmendim mes tyre, Ellie Wiesel, Salman Rushdie, Slavoj Zizek...
Cila do të duhej të ishte përmasa e ofertës dinjitoze që edhe në këtë rast Bekim Fehmiu të thoshte diçka. Një paragraf të vetëm të thënë prej tij, në ato ditë të rënda kurrë nuk do t’ia harronim. Apo ndoshta edhe vuajtjet e mediokreve duhet refuzuar?
Prandaj, për vlerat e punës së aktorit Bekim Fehmiu, në të gjithë nekrologët dhe biografitë, për të do të përzgjidhen fjalët më të mira. Por, jo duke përlyer të tjerët. Sidomos, jo bashkëkombësit e tij. Në të kundërtën, secili do të ballafaqohet me pyetje që nuk do të jenë aq të këndshme.
P. S.
Harrova ta përmend fare në fund edhe aktorin tashmë të ndjerë, Faruk Begollin. Në fillim të viteve të 90’ta ia ktheu shpinën famës dhe lavdisë që gëzonte në Beograd dhe zgjodhi për të bashkëjetuar dhe bashkëvuajtur ambientin mediokër kosovar, duke kontribuar në themelimin e degës së aktrimit në Kosovë.
No comments:
Post a Comment