Friday, September 24, 2010

Masakra e Tivarit, dëshmia e Islam Kadeshit, ish-shifrantit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste

Telegrami i Alisë: U pushkatuan të gjithë në luginë

Dëshmi të reja që implikojnë dhe zbulojnë dijeninë e regjimit komunist në gatimin e Masakrës së 31 marsit 1945 në Tivar, ku mbetën të vrarë më shumë se 5000 mijë kosovarë, janë zbuluar në mbledhjen e radhës të komisionit hetimor parlamentar për këtë masakër. Deputetët e djathtë, të cilët janë anëtarët e vetëm të këtij komisioni, pasi ata të opozitës nuk janë bërë pjesë e zbardhjes të ngjarjeve të Tivarit, kanë vënë në dispozicion të hetimit dëshmi të reja. Një ndër to ishte edhe dëshmia e ish-shifrantit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, zotit Islam Kadeshi. Sipas tij, rezulton se në një telegram të ardhur nga komisari i Divizionit V, zoti Ramiz Alia, njoftohet se një turmë e madhe prej mijëra njerëzish u grumbulluan në një luginë dhe u pushkatuan të gjithë. Një tjetër dëshmi është edhe ajo e bërë nga persona të mbijetuar nga kjo masakër, si Azem Hajdini-Xani, ku në një libër të tij ai zbardh të vërtetën që ka ndodhur në ato ditë. Sipas Hajdinit, gjatë kalimit në territorin e Shqipërisë për të eliminuar të rekrutuarit kosovarë është aplikuar helmimi në masë që u është bërë ushtarëve shqiptarë në këtë territor nëpërmjet dhënies së një ushqimi të helmuar dhe moslejimi që të afroheshin pranë ujërave që ishin në territorin tonë. Gjatë mbledhjes së komisionit hetimor parlamentar u vu re vendosmëria e deputetëve të djathtë për t'i shkuar deri në fund zbardhjes së masakrës më të madhe në historinë e kombit shqiptar. Kryetari i komisionit hetimor, Fatos Beja gjatë fjalës së tij theksoi se objekti i këtij hetimi kryesisht do të jetë territori shqiptar ku do të synohet gjetja e bashkëpunëtorëve me që me veprimet e tyre kanë mbështetur eliminimin fizik të mbi 5000 njerëzve. "Sigurisht, objektin ne do ta kemi në territorin shqiptar, sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se shumë pyetje nuk kanë marrë përgjigje. Shqipëria ishte një republikë në të cilën kishte një qeveri, përgjegjësi e njësi ushtarake të shpërndara në të gjithë territorin dhe ishte e pamundur të kalonin me mijëra trupa pa u ditur. A ka qenë në dijeni Tirana për kalimin e këtyre trupave? Për shembull, të gjithë ju jeni në dijeni për rastin e trupave angleze që ishin në jug të Shqipërisë. Në Shqipëri ka pasur informacion. Po për këta mijëra trupa që kalonin nga jashtë kufijve të Shqipërisë, nëpër Shqipëri e më pas dilnin jashtë, a ka pasur dijeni Tirana zyrtare? Deri tani opinioni publik është i painformuar. Nëse ka pasur dijeni, a janë marrë masat e duhura? A ka pasur koordinim? Cila është e vërteta? Nëse nuk janë marrë masa, cilat kanë qenë arsyet që nuk është bërë një gjë e tillë?", u shpreh Beja. Për këtë qëllim, Beja u shpreh se komisioni do të kërkojë fakte dhe dokumente të reja si në arkivën shtetërore të Shqipërisë edhe në arkivat jashtë vendit. "Të gjitha këto janë çështje që komisioni do t'i hetojë për të nxjerrë të vërtetën. Do të kërkojmë të gjitha dokumentet arkivore në arkivat brenda Shqipërisë. Njëkohësisht do të përpiqemi të kërkojmë edhe dokumente të tjera arkivore jashtë Shqipërisë, të cilat dëshmojnë për elemente që do të na provojnë të vërtetën për ngjarjet e Masakrës së Tivarit", theksoi Beja, ndërsa e cilësoi hetimin një detyrim moral e shoqëror për të informuar shqiptarët për të gjitha faktet dhe dëshmitë që do të dalin gjatë hetimit, në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm se çdo ngjarje që ndodh do të hetohet dhe asnjë krim nuk do të mund të fshihet përpara opinionit publik, kushdo qofshin autorët e tij. Komisioni Hetimor miratoi gjatë seancës së djeshme planin paraprak të hetimit si dhe marrjen e një eksperti pranë komisionit, i cili do të jetë studiuesi Romeo Gurakuqi.

Deputetët e opozitës bojkotuan punimet e komisionit që do të zbardhë krimet e rënda të kësaj masakre

Etërit e një pjese të lidershipit të PS të implikuar me Masakrën e Tivarit

Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha theksoi dje se nga dëshmi të shumta pranë komisionit është pohuar se një pjesë e të afërmve të lidershipit të Partisë Socialiste ka qenë e implikuar me Masakrën e Tivarit. Gjatë mbledhjes së komisionit, deputeti Hoxha tha se deputetët socialistë kanë mundësinë më të mirë për t'u bërë pjesë e zbardhjes së një prej masakrave më tragjike e më të rënda të kombit shqiptar. Duke i bërë thirrje opozitës për të qenë pjesëtare në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Hoxha theksoi se hezitimi i saj bëhet për shkak të lidhjeve të Partisë Socialiste me të shkuarën e saj. Sipas tij, prindërit ose njerëzit e lidershipit të Partisë Socialiste janë të implikuar në këtë masakër. "Do të ishte e udhës t'i bënim edhe një herë thirrje opozitës të ishte pjesë e këtij komisioni, pavarësisht se nga takimet dhe bisedat që kemi bërë me dëshmitarë okularë ndoshta një pjesë e lidershipit të Partisë Socialiste, që është sot, është e implikuar, prindërit ose njerëzit e tyre janë të implikuar në këtë masakër, por është në të mirën e shqiptarëve që ne ta zbardhim këtë masakër. Pra të gjejmë mundësinë, nëpërmjet jush, që t'i bëjmë thirrje edhe një herë opozitës të marrë pjesë, e thashë, pavarësisht se ndonjë pjesë e lidershipit është e implikuar në këtë ngjarje, nuk ka rëndësi. Gjëja më e rëndësishme për popullin është që ta zbardhim këtë", u shpreh Hoxha. Gjithashtu, deputeti demokrat i kërkoi komisionit angazhim maksimal në këtë çështje për shkak se shumë nga autorët e krimeve që përgjërohen sot për NATO-n, për Bashkimin Europian, të cilët japin edhe leksione vend e pa vend për këto organizma, janë pjesë edhe e kësaj masakre. Ndërsa deputetja Doda duke propozuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, tha se tashmë është i njohur një grumbullim në Prizren të rreth 20 mijë trupave, të cilët kanë shkuar me objektiv kryesor hapjen e frontit të Srenit dhe në ndihmë për frontin veriperëndimor të Adriatikut dhe kemi 22.017 luftëtarë shqiptarë që janë grumbulluar për këtë qëllim. Ajo tha se në Prizren u gjendën të çarmatosur dhe kaluan nëpër Shqipëri dhe ky është një fakt që duhet zbardhur. "Sipas dëshmisë së bërë nga zoti Hajdini, të cilën kemi pasur fatin ta lexojmë, kemi dy momente që janë shumë të rëndësishme. Së pari, helmimi në masë që u është bërë ushtarëve shqiptarë në këtë territor nëpërmjet dhënies së një ushqimi të helmuar dhe moslejimi që të afroheshin pranë ujërave që ishin në territorin tonë, pra një masakër që i kalon kufijtë njerëzor të trajtimit, një fenomen të cilin e kanë parë shqiptarët që janë banorë të zonës së Veriut, pra duke filluar nga Fushë-Arrësi, duke vazhduar me Prizrenin, Kukësin, Pukën, Shkodrën dhe përfundon në Tivarin", tha Doda.

Butka: Shteti shqiptar bashkëpunëtor në vrasjen e rekrutëve kosovarë

Shteti shqiptar ka qenë bashkëpunëtor në masakrën e përgjakshme të 31 marsit në Tivar në vitin 1945. Këtë fakt e pohoi gjatë komisionit hetimor studiuesi dhe historiani Uran Butka, i cili iu referua disa dokumenteve të gjetura në Arkivin e Shtetit kosovar. Sipas Butkës, kjo provohet edhe nga dokumente që ndodhen në Arkivin e Kosovës që zbardhin urdhrin për të likuiduar fizikisht në territorin shqiptar 50 përqind të rekrutëve kosovarë që nisen për të luftuar në frontin e Triestes. "Tani është fillimi, por mund të them se ka dijeni dhe bashkëpunim të plotë. Kjo provohet edhe nga dokumente që ndodhen në Arkivin e Kosovës. Ka një urdhër të fshehtë të krerëve ose të organeve partiake dhe ushtarake të Jugosllavisë, ku thuhet shprehimisht: '50 përqind e rekrutëve kosovarë që nisen për të luftuar në frontin e Triestes të likuidohen në territorin shqiptar'. (Arkivi i Kosovës, Fondi OKKM, dok. 335, nr.1, fq. 4 dhe dokumenti tjetër respektiv në Arkivin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, që ndodhet në dosjen e Koçi Xoxes (aty e kam gjetur për herë të parë). Gjatë gjykimit që iu bë Koçi Xoxes u akuzua, sepse ka autorizuar oficerët e OZMO-s, domethënë të UDB-së", u shpreh Butka. Një hap tjetër të rëndësishëm historiani Butka ka sugjeruar hulumtimin e arkivave të Shqipërisë dhe në ato të huaja, që lidhen me këtë ngjarje, përfshirë këtu arkivat e Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë.

Doda: Telegramet faktojnë dijeninë e Alisë për ekzekutimin e kosovarëve

Anëtarja e komisionit hetimor për Masakrën e Tivarit, Mesila Doda theksoi dje se ngjarja duhet zbardhur ashtu siç ka ndodhur, në çfarë vendesh janë vrarë shqiptarët e Kosovës dhe ku kanë përfunduar trupat e tyre. "Nga dëshmia e zotit Hajdini, besohet se mund të jenë rreth 1200 persona, që janë ekzekutuar në territorin shqiptar. Kjo gjë duhet të jetë një nga momentet e para të rëndësishme të punës tonë, pra bërja me dije publikut të gjerë për ngjarjen që ka ndodhur, mundësisht edhe përcaktimi i datave përkujtimore apo memorialëve që duhet të ngrihen në këtë itinerar, i cili duhet të jetë në sytë e publikut. Nga ana tjetër, mbështes edhe unë shqetësimin e të gjithë kolegëve lidhur me dëshmitë që kemi pasur mbi veprimin apo mosveprimin e shtetit shqiptar në këtë ngjarje", tha Doda. Ajo sqaroi ndër të tjera se, sipas dëshmive të mbledhura ekzistojnë disa telegrame në të cilat faktohet se Ramiz Alia ka qenë në dijeni të plotë të krimeve monstruoze të ndodhura në Tivar, në marsin e vitit 1945. "Në librin e të ndjerit zoti Hajdini, i cili me sa duket e ka kaluar gjithë jetën e tij në përpjekje për ta zbardhur këtë ngjarje (si për ironi të fatit, ne jemi mbledhur këtu tani që zoti Hajdini nuk është më), kemi një dëshmi të trishtuar të ish-shifrantit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, zotit Islam Kadeshi. Sipas tij, rezulton se në një telegram të ardhur nga komisari i Divizionit V, zoti Ramiz Alia, njoftohet se një turmë e madhe prej mijëra njerëzish u grumbulluan në një luginë dhe u pushkatuan të gjithë. Sipas dëshmisë së tij, rezulton se këtë telegram ia ka kaluar Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes", vijoi deputetja demokrate. Gjithashtu, ajo tha se nga dëshmitë e grumbulluara nga pushtetarë të kohës, zëvendësministra të Brendshëm dhe anëtarë të tjerë shumë të lartë të Ministrisë së Brendshme, flitet në mënyrë të qartë për dijeni mbi atë që kishte ndodhur. "Besoj se është hapi i parë i asaj ku duam të mbërrijmë, i cili na tregon për një politikë jo vetëm vasale ndaj sistemit jugosllav, jo vetëm anti-shqiptare të sistemit komunist, por, mbi të gjitha për dhënien e fakteve konkrete, të cilat na tregojnë rreth nocionit të pasjes me dije nga shteti shqiptar mbi atë që kishte ndodhur dhe heshtjes po me ndërgjegje mbi atë që po kryhej. Në kërkimet e mia, kam pasur mundësinë që të kem edhe disa dëshmi të tjera të dhëna nga pushtetarë të kohës, pra zëvendësministra të Brendshëm dhe anëtarë të tjerë shumë të lartë të Ministrisë së Brendshme, në të cilat flitet në mënyrë të qartë për dijeni mbi atë që kishte ndodhur. Shteti shqiptar i asaj kohe e dinte që po kalonin turma kosovarësh, e dinin që po ekzekutoheshin në territorin tonë dhe, akoma më keq, në momentet kur vinin dhe dorëzoheshin në shtetin amë, po të njëjtët njerëz ktheheshin prapë pranë autoriteteve jugosllave, për të plotësuar në këtë mënyrë atë detyrim të internacionalizmit, që i bashkonte të dyja qeveritë, të Jugosllavisë dhe Shqipërisë", tha në vijim deputetja Doda.

Kreshnik MERSINLLARI

No comments: