Tuesday, September 21, 2010

Të bukurat, bishat dhe kokaina


Seksi, të famshme, por edhe të paragjykuara. Këto janë femrat që merren me trafikun e drogës, që nga Meksika në Kolumbi, mes pluhurit të bardhë dhe armëve, lidhin jetët e tyre me ato të bosëve të drogës. Ndonjëherë ndodh që edhe ato vetë të bëhen bose

Të bukura dhe ambicioze, ndonjëherë skllave, por edhe adoleshente. Këto janë femrat e trafikut të pluhurit të bardhë, ose më saktë zonjat e drogës. Shumë prej tyre janë aktore, këngëtare, balerina, mbretëresha bukurie, gazetare dhe spikere televizive. Zotërojnë gjithçka: vila hollivudiane, makina luksoze, shumë para dhe pushtet. Të rrethuara nga luksi dhe droga, përjetojnë emocione të forta përkrah kriminelëve. “Ndonjëherë përpiqesh të frenosh veten, sepse i druhesh terrorit të zbrazësisë së brendshme”, tregon kolumbiania Yovanna Guzman, e cila prej shtatë vjetësh ka qenë kukulla e carit të drogës, Wilber Varela. Tani Guzman po shkruan një libër për kujtimet e drogës, titulli i të cilit nuk është gjetur ende. Libri flet për katër tema: dashurinë, drogën, gjakun dhe seksin. Ja përse historia e modeles së penduar po ngacmon fantazinë e shumë producentëve, regjisorëve dhe skenaristëve, ndërkohë që kanali “Cnn Espanol”, sapo i ka kushtuar biondes bukuroshe nga Kolumbia, një dokumentar që titullohet “Kafazi i Artë”.

Studente në një universitet të Bogotës, me ëndrrën për t’u bërë aktore, në vitin 2001 Yovanna Guzman, fitoi një konkurs bukurie. Atë natë mes VIP-ave, në rreshtin e parë ishte edhe ai, bosi Wilber Varela. “Kur fitova atë konkurs kisha pak kohë që isha ‘gruaja’ e tij; trofeu i tij”, pohon modelja. Në Kolumbi, bosët e drogës ushtrojnë një presion të jashtëzakonshëm tek organizatorët e konkurseve të bukurisë. Qëllimi? Sigurisht që fitueset të jenë vajzat e bosëve. “Luksi nuk të bën të dashurohesh, por të verbon”, thotë Yovanna. Arsyeja që po shkruan librin është për të shmangur që vajzat e tjera të bien në të njëjtin kurth. “E njoha në një shkollë për modele. Më joshi me një dhuratë: një orë ‘Rolex’”, tregon sot Yovanna. “Pastaj filluan veshjet e shtrenjta, udhëtimet, restorantet moderne, hotelet me pesë yje, një orë tjetër ‘Cartier’ dhe një unazë diamanti. Pastaj kurora e Misit. Me atë në krah fillova të njihja shumë gjëra që nuk i kisha imagjinuar më parë. Por pavarësisht këtij luksi pa limit, më dukej sikur isha e burgosur në një kafaz të artë. Walter më ndalonte që të punoja si modele dhe të kisha miq meshkuj. Ajo që i përkiste atij, as nuk mund të shihej dha as nuk mund të prekej”. Një xhelozi që solli gjakderdhje kur ajo, pas shtatë vitesh vendosi të ndahej prej tij, për t’iu rikthyer karrierës si modele. “Sipas mjekëve nuk do të ecja kurrë më normalisht, por besimi në vetvete më dha forcën për t’u kthyer në pasarelë: sot nuk çaloj më”.

Burri i saj, Walter Varela, me nofkën “Sapuni” (gjithmonë arrinte t’i shpëtonte drejtësisë), për 15 vjet ka qenë drejtuesi një prej organizatave kriminale kolumbiane. Ish-polic i korruptuar, të gjithë e kishin frikë për shkak të ashpërsisë kafshërore, e krijoi perandorinë e tij duke transportuar drogë nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara, përmes Meksikës. Sipas qeverisë amerikane, nga ky biznes Walter fitonte një miliard dollarë në vit. Ky biznes i majmë u ndërpre në janar të vitit 2008, kur trupi i trafikantit të drogës u gjet i pajetë në një hotel në Venezuelë, mbi të cilin ishin hedhur disa dokumente të rreme.

Kur Yovanna Guzman mësoi përmes televizorit mbi vrasjen e Varela-s, nuk dinte se si të reagonte. “Nga njëra anë isha e lumtur, sepse ndihesha e lirë, ndërsa nga ana tjetër e trishtuar, sepse ai kishte pasur shumë anë pozitive. Nuk e pata të lehtë ta pranoj vdekjen e tij. Ishte një burrë që i adhuronte detajet: gatuante për mua dhe më dhuronte lule”, tregon modelja. Tani autoritetet kolumbiane po hetojnë mbi disa prona të modeles. Apartamente që mendohet të jenë fryt i aktiviteteve të jashtëligjshme të ish të dashurit të saj. Ajo pohon se ia ka kthyer të gjitha Varela-s, para se ai të vritej. “Kjo ishte mënyra e vetme që ai të më linte të qetë”, shprehet ajo për magjistratët kolumbianë. “Gjithçka që zotëroj është fryt i punës sime”.

Edhe meksikania Laura Elena Zuniga, e njohur në vendin e saj si “Mis Trafikantja e Drogës”, tërhoqi vëmendjen e hetuesve për marrëdhënien e saj me bosin e kokainës: Angel Orlando Garcia Urquiza. E arrestuar së bashku me të dashurin e saj në një operacion në të cilin u konfiskuan armë lufte dhe para. Pas gjyqit u shpall e pafajshme, sepse u vërtetua se nuk kishte lidhje me bizneset e të dashurit. Por në pritje të vendimit, kaloi pesë javë e mbyllur në një burg meksikan. Mos u çudisni, sepse edhe bukuroshet përfundojnë në burg. Ka nga ato bukuroshe që arrijnë deri në majë të organizatave të mëdha të krimit ndërkombëtar. Një prej tyre është edhe Sabdra Avila Beltran, e pagëzuar me emrin “Mbretëresha e Paqësorit”. Vejushë dy herë radhazi, Sandra Avila Beltran u arrestua në vitin 2007, pas sekuestrimit të një anije me 9 tonë kokainë në mortin meksikan të Manzanilos.

Lista e të bukurave dhe bishave nuk merr fund këtu। Mjafton të mendosh që gazetarja më e famshme dhe drejtuesja televizive kolumbiane, Virginia Vallejo, sot një zonjë elegante 66 vjeçe, ka pohuar se ka qenë nga viti 1983-1987-n, e dashura e Pablo Escobar trafikantit të drogës më i fuqishëm në histori। Në Kolumbi, pjesa më e madhe e femrave të famshme janë të lidhura pazgjidhshmërisht me këto lloj historish.


No comments: