UPDATE- Nëpërmjet një komunikimi për shtyp Prokuroria e Tiranës njoftoi regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve shtetërorë, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Duke iu referuar materialeve filmike të paraqitura në emisionin "Fiks Fare" në televizionin Top Chanel, në njoftimin për shtyp thuhet se Prokuroria ka vendosur të sekuestrohet kaseta filmike e shfaqur në emisionin "Fiks Fare" si provë materiale.
Ndërkohë, grupi hetimor i ngritur me këtë qëllim, po kryen veprimet e nevojshme hetimore.
Të pështirë dhe bllof politik e ka quajtuar Ilir Meta, videon e transmetuar mbrëmjen e shkuar nga programi Fiks Fare. Në një konferencë për shtyp, zv.Kyreministri dhe njëherësh kryetari i LSI-së Ilir Meta tha se është i gatshëm të lërë imunitetin dhe t'i hapë rrugë hetimeve.
Dokumentet janë në dispozicion të Prokurorisë, tha ai, ndërsa shtoi se këto përgjime janë tinzare dhe bëhen për të denigruar emrin e tij.
Përgjimi në zyrën e ministrit Dritan Prifti: Zv.kryeministri i Republikës i kërkon ministrit të emërojë njerëz dhe të japë koncesione e tenderë për persona në gjykim.
Ai thotë se ka rregulluar gjithçka me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, prokurorinë dhe deri me kryeministrin Berisha. Në këmbim do të marrë 7% të investimit dhe 700 mijë euro në dorë.
Politikanët shqiptarë akuzohen për korrupsion, vjedhje të fondeve publike, emërime në administratë në bazë të njohjeve personale dhe së fundmi për përqindje në firma që marrin koncesione të dyshimta.
Akuzat kryesisht bëhen nga foltoret e Parlamentit apo të selive të partive dhe rrallë herë shoqërohen me dokumente konkrete. Kjo pasi një "kod nderi", i ngjashëm me "Omerta-në" e mafias siciliane, i ndalon të nxjerrin jashtë të palarat e njëri-tjetrit. Por këtë herë diçka ka rrjedhur.
Emisioni "Fiks Fare" ka transmetuar mbrëmjen e djeshme një video të filmuar në zyrën e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, ku zv.kryeministri i Republikës Ilir Meta, kërkon "t'i mbarohen disa punë".
Emërime në poste kyçe, falënderime për punë të kryera më parë, kontrata biznesi dhe së fundmi koncesione. Meta premton se mund të zgjidhë gjithçka, pasi ai ka në dorë Gjykatën e Lartë, Prokurorinë, ka fol me Doktorin dhe si përfundim do të marrë 7% të investimit të një koncesioni hidrocentralesh dhe 700 mijë euro të thata në dorë.
Gjatë bisedës së zhvilluar mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit kuptohet se si mjafton që të kesh pasur shoqëri me pushtetarët dhe fiton vende pune të rëndësishme, edhe pse nuk ke arsimimin e duhur.
Aty shpjegohet se si emërohen inspektorët në Ministrinë e Ekonomisë dhe se si aferat korruptive kërkohen në mënyrën më të thjeshtë. Dy pjesët më të rëndësishme të kësaj bisede janë çështja "ARMO-Albpetrol" dhe dhënia me koncesion e hidrocentraleve.
Meta kërkon haptazi nga vartësi i tij, Prifti, që të ndërhyjë tek "Albpetroli" për të ndihmuar një biznesmen që jeton në Greqi. Në bisedë përmendet emri Bekim Halilaj, i cili merret me naftë. Meta kërkon nga Prifti që të prishë një kontratë të vjetër të "Albpetrolit" me "ARMO"-n dhe të ndihmojë mikun e tij. "Anuloje kontratën, mos i zvarrit këto gjëra", - është porosia e Metës për vartësin e tij.
Pjesa e fundit e bisedës është ajo që zbardh mënyrën se si bëhet korrupsion në nivele të larta qeveritare. Bëhet fjalë për një koncesion hidrocentrali. Personi që kërkon të marrë koncesionin premton jo pak, por shtatë për qind të investimit dhe një pagesë të majme në dorë, 700 mijë euro. "Koncesionari" është një njohje e vjetër e drejtësisë dhe politikanëve shqiptarë, Agim Rrapaj. I arrestuar dhe i dënuar për korrupsion më parë.
Në atë kohë kishte përvetësuar paratë e grantit japonez për projektin "2KR". Tani ai kthehet si një biznesmen i fuqishëm dhe në bashkëpunim me zv.kryeministrin Ilir Meta, kërkon të marrë një hidrocentral.
Problemi është edhe më i komplikuar se kaq, pasi çështja është në proces gjyqësor dhe do shumë miq për të mbaruar. Këtu zv.kryeministri Ilir Meta shpjegon se meqë çështja është në Gjykatën e Lartë, ajo zgjidhet shumë shpejt. Ai thotë se e ka në dorë kryetaren e gjykatës, Shpresa Beçaj, sepse asaj i ka emëruar të bijën në ambasadë.
"Do të flas unë me Shpresën, i kam marrëdhëniet shumë mirë, i çova vajzën në ambasadë...", - thotë Meta, duke shpjeguar edhe përfitimet financiare që do të ketë nga dhëna e këtij koncesioni. Më pas, duhet zgjidhur puna edhe në prokurori, por sërish Meta merr përsipër çdo gjë vetëm me një kusht, mos e marrin vesh më shumë se dy ose tre veta.
Koncesioni që Ilir Meta do t'i japë Agim Rrapajt dhe një biznesmeni tjetër Fatmir M., duhet miratuar edhe në mbledhjen e qeverisë. Teorikisht, ministrat duhet të diskutojnë me njëri-tjetrin dhe nëse koncesioni e meriton duhet të miratohet. Teorikisht!
Praktikisht, ndodh tjetër gjë. Meta i shpjegon Priftit procedurën: "Bisedova edhe me doktorin edhe për një javë do ta mbyllim. Kupton?". Mjafton një bisedë me kryeministrin dhe nuk ka më nevojë për dokumente dhe shkresa të kota, mjafton 7% e investimit dhe 700 mijë euro para të thata në një zarf...
Legjenda
Data 01.03.2010
Ambienti
Zyra e ministrit të Energjisë Dritan Prifti
Personazhet kryesore
Dritan Prifti, ministër i Energjetikës, zv.kryetar i LSI-së
Ilir Meta, ministër i Jashtëm, zv.kryeministër, kryetar i LSI-së
Personat që përmenden në bisedë
Tur Hajdari, - një njeri që i ka dërguar SMS Metës dhe kërkon zgjidhje
Koli - Sokol Dervishi, sekretar i përgjithshëm i Metës në Ministrinë e Jashtme
Bekimi - Bekim H. Biznesmen i fushës së karburanteve. Jeton në Greqi
Gimi - Agim Rrapaj. Ish-funksionar i Ministrisë së Bujqësisë. I arrestuar dhe dënuar për korrupsion me projektin "2KR". Sot biznesmen që kërkon të ndërtojë një hidrocentral në bashkëpunim me shtetasin Fatmir M.
Shpresa - Shpresa Beçaj, Kryetarja e Gjykatës së Lartë. Ilir Meta thotë që e ka në dorë se i ka emëruar vajzën në Austri, në Ambasadën Shumëkombëshe në OSBE
Doktori, kryeministri Sali Berisha
Kërcënohet Dritan Prifti
Në kohën kur emisioni "Fiks Fare" transmetonte videon ku Ilir Meta i kërkonte Dritan Priftit që të miratonte afera korruptive, në telefonin e Priftit kanë mbërritur disa mesazhe kërcënuese. i kontaktuar nga "Shekulli", Dritan Prifti ka konfirmuar vërtetësinë e videos. Ndërkohë Prifti ka pohuar se menjëherë i kanë mbërritur edhe kërcënimet e para. Bëhet fjalë për sharje dhe kërcënime familjare.
Kush është personazhi Agim Rrapaj
Agim Rrapaj, personazhi, i cili i ka premtuar Ilir Metës 7% të investimit në një hidrocentral dhe 700 mijë euro të thata në dorë është një personazh i njohur për drejtësinë dhe publikun shqiptar. Ai është bërë i njohur për skandalin e grantit japonez ku ka shpërdorur fondet duke u ndërruar destinacionin.
Në atë kohë ministri i Bujqësisë Jemi Gjana u shpreh: "Mbrojtja e turpshme e Agim Rrapajt, se gjoja u sakrifikua duke mbrojtur interesat e fermerëve për furnizimin me naftë pa akcizë, është një mashtrim i paskrupullt".
Ish-drejtori i zbatimit të projektit të financuar nga qeveria japoneze, "Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR", Agim Rrapaj, është shkarkuar nga puna së bashku me 25 drejtorë të tjerë në strukturat qendrore e lokale të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, për abuzime të rënda miliona dollarëshe dhe arbitraritet në zbatimin e ligjit.
Agim Rrapaj, që ishte njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, është akuzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vjedhjen e 1 milion dollarëve të grantit japonez, duke i xhiruar ato për OJQ-në e vet private.
"Me një vendim plotësues të datës 6 maj 2005, qeveria 'Nano' ka lëshuar në dorë të Agim Rrapajt, përveç fondeve të '2KR', edhe 280 milionë lekë kosto lokale për gjoja furnizimin me naftë të fermerëve. Në të vërtetë, fondet janë përdorur gjatë muajve maj, qershor e korrik në rrugë tërësisht abuzive dhe për qëllime elektorale", - deklaronte në atë kohë ministri Jemin Gjana.
No comments:
Post a Comment