Wednesday, January 12, 2011

Analizë e raportit të Dick Marty (1)

Nga Kastriot MYFTARAJ

Në këtë analizë raporti i Dick Marty do të analizohet sipas vetë mënyrës se si arsyeton Dick Marty. Akili i mitologjisë e kishte pikën e dobët në njërën nga thembrat e tij. Dick Marty ka dy “Thembra të Akilit”, sipas vetë arsyetimit të tij. Nga pikëpamja

e analizës numerike të tekstit, raporti në anglisht përbëhet nga 19 329 fjalë. Në rreth gjysmën e këtij teksti shtjellohet një teori politike personale e Dick Marty, me të cilën ai kërkon të vërtetojë se përse autoritetet ndërkombëtare në Kosovë nuk kanë qenë të prirura që të hetojnë seriozisht akuzat që përmban raporti i tij për trafik organesh njerëzore, si dhe kërkon që të vërtetojë se krerët e UÇK, fill pas largimit të forcave serbe nga Kosova, ishin në gjendje të ushtronin një kontroll të tillë mbi territorin e Kosovës dhe Shqipërisë së Veriut, çka mundësonte funksionimin e rrjetit logjistik për marrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore. Pikërisht në shtjellimin e kësaj teorie është dhe e para nga “Thembra e Akilit” në arsyetimin e Dick Marty.
Dick Marty thotë në fillim të raportit të vet se ai mori si detyrë nga Këshilli i Europës që të hetonte dhe raportonte mbi ato që kishte shkruar ish-Prokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, në librin e vet me kujtime, të botuar në 2008, ashtu që krerët e UÇK kishin ndërtuar një rrjet kriminal që merrte organe njerëzore nga serbë të burgosur prej tyre, të cilat më pas i trafikonte nëpërmjet Shqipërisë për në klinikat e transplanteve, në botë. Dick Marty nuk ka marrë nga Këshilli i Europës mandatin për të dhënë konsiderata politike dhe gjeopolitike për motivet e luftës që bëri NATO kundër Serbisë për Kosovën. E megjithatë Dick Marty e ka përdorur detyrën e tij për të bërë pikërisht këtë gjë. Madje, logjika e raportit të Dick Marty, të jep të kuptosh se çështja për të cilën ai është ngarkuar që të raportojë, ajo e rrëmbimit të njerëzve nga UÇK, marrjes së organeve të tyre dhe trafikut të këtyre organeve, është kthyer në raportin e Dick Marty nga synimi kryesor, thjesht në një ekspedient për të mbështetur teorinë e Dick Marty se NATO dhe posaçërisht SHBA-të kishin motive diabolike në luftën që bënë kundër Serbisë për Kosovën. Synimi dytësor është demonizmi i kombit shqiptar.
Dick Marty, që në fillim të raportit merr përsipër që të bëjë vlerësime politike mbi qëndrimin e autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, Tribunalit të Hagës dhe fuqive të mëdha që qëndronin pas tyre, sa i përket ndëshkimit të krimeve të luftës në Kosovë: “Të gjitha të dhënat janë se përpjekjet për të përcaktuar faktet e konfliktit të Kosovës dhe ndëshkimit të atyre të cilët kanë kryer krime lufte, më së pari kanë qenë të përqëndruara në një drejtim, të bazuara në supozimin e nënkuptuar se njëra palë kanë qenë viktimat dhe pala tjetër kanë qenë kriminelët”.
Vetëm ky vlerësim i Dick Marty do të kërkonte një raport më vete për t’ u vërtetuar. E megjithatë Dick Marty e paraqet këtë si postulat, në fillim të raportit, a thua se është diçka që duhet marrë si e mirëqenë! Kjo tregon se Dick Marty e ka përdorur për një qëllim krejt tjetër detyrën që iu dha si reporter. Ai ka pasur si qëllim që të ndryshojë raportin në peshoren e fajit mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës. Kështu, Dick Marty e ka marrë detyrën e reporterit në keqbesim. Dick Marty, qartësisht synon që ta përdorë ekspedientin që i dha në dorë Carla Del Ponte, me thëniet e saj, për t’ i drejtuar një akuzë NATO-s dhe posaçërisht SHBA-ve, se ato qëllimisht kanë penguar ushtrimin e drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë. Natyrisht se Këshilli i Europës mund të hetojë edhe për këtë çështje, por kur kjo bëhet në raportin për çështjen në fjalë, atëherë thjesht kompromenton reporterin. Dick Marty në raport jep edhe opinione të cilat kompromentojnë pozitën e tij prej reporteri të paanshëm: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një ambasadë (në Prishtinë-K.M.) të mbështetur me burime mbresëlënëse, dhe një bazë ushtarake, Kampin Bondsteel, në një shkallë dhe masë që qartësisht kapërcen konsideratat rajonale”.
Çdo njeri që ka një pikëpamje të paanshme për çështjen për të cilën raporton Dick Marty, nuk mund të mos pyesë se si kontekstualizohet ky opinion i Dick Marty me çështjen për të cilën ai ishte ngarkuar që të raportonte. Dick Marty natyrisht se ka gjithë të drejtën që të ketë çdo opinion që e gjykon të drejtë për praninë amerikane në Ballkan, por në këtë rast është e qartë se ai po e përdor çështjen e trafikut të organeve si ekpedient për të kundërshtuar praninë amerikane në Ballkan. Dick Marty vetëzbulohet në qëllimet e veta, kur thotë në raport: “Ndërhyrja e NATO në thelb mori trajtën e një fushate ajrore bombardimesh në Kosovë e Serbi-operacione për të cilat disa mendonin se shkelnin ligjin ndërkombëtar, derisa ato nuk qenë autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-ndërsa në tokë UÇK ishte aleati de facto i NATO”.
NATO është shënjestra e akuzave të Dick Marty, se ky kërkon që të kompromentojë ndërhyrjen e NATO kundër Serbisë, duke i paraqitur gjërat sikur NATO ishte aleati i një organizate kriminale, çka ishte UÇK. Dick Marty, në raportin e vet, derisa fajin e Serbisë e kufizon shprehimisht tek Millosheviçi dhe rrethi i tij, në rastin e UÇK, e kriminalizon atë në pjesën më të madhe të saj, kur shkruan: “E dhëna që ne kemi zbuluar është ndoshta më me rëndësi në atë që është shpesh në kundërshtim me imazhin e krijuar për UÇK si një ushtri guerilase që luftoi trimërisht për të mbrojtur të drejtën e popullit të saj për të jetuar në territorin e Kosovës. Derisa atje kishte padyshim një numër ushtarësh trima të cilët qenë të gatshëm që të shkonin në front, përballë rreziqeve të mëdha, dhe nëse ishte e nevojshme të vdisnin për çështjen e mëmëdheut, këta luftëtarë nuk qenë patjetër shumica”.
Pra, Dick Marty na thotë se shumica e ushtarëve të UÇK qenë kriminelë. Pra ai bën inkriminim kolektiv të UÇK. Kjo e kompromenton pozitën e tij si reporter. Kështu del se synimi i tij nuk është që të identifikojë përgjegjësit për trafikun e organeve, nëse ka pasur një të tillë, port ë inkriminojë UÇK, e me këtë edhe krejt shqiptarët e Kosovës.
Synimi i Dick Marty wshtw krejtwsisht politik dhe nuk është e vështirë që të merret vesh. Ai kërkon të thotë se në origjinë të krimit të trafikut të organeve është “Krimi i Atridëve”, do të thotë krimi fillestar, ndërhyrja e NATO kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës, pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB. Ky krim fillestar supozohet që ta ketë çuar NATO-n në një varg krimesh të tjera, që janë bashkëpunimi me UÇK, mbulimi i krimeve të UÇK, dhe tekefundit tek fajësia e NATO për krimin e rrëmbimit të njerëzve për t’ u marrë organet për trafik. Kështu tekefundit NATO dhe posaçërisht SHBA-të dalin sikur kanë luftuar kundër Serbisë për hir të “Jack The Ripper” shqiptar.
Dick Marty, për nevojat e teorisë së tij, paraqet tezën se UÇK ushtronte një kontroll të mjaftueshëm në territorin e Kosovës dhe të Shqipërisë së Veriut, pas javës së dytë të qershorit 1999 kur ushtria dhe policia serbe u larguan nga Kosova dhe trupat e NATO hynë atje. Teza e Dick Marty është kjo: “Aktet për të cilat ne jemi tashmë të interesuar është thënë që të kenë ndodhur, në pjesën më të madhe të tyre duke filluar nga vera e vitit 1999 dhe tutje, në kuadrin e një konfuzioni të madh, gjithandej regjionit. Forcat serbe të sigurisë e patën abandonuar Kosovën dhe trupat e KFOR qenë duke bërë një nisje të ngadaltë në dislokimin e tyre, ndërsa dhjetëra mijëra refugjatë kosovarë shqiptarë, të cilët në fillim provuan që të arrijnë Shqipërinë e më pas të kthehen në shtëpi, kur serbët nga ana e tyre kërkonin strehim në territoret e kontrolluara nga ushtria serbe. Ishte kaos: nuk kishte administratë funksionuese nga ana e kosovarëve dhe KFOR iu desh një periudhë kohe që të fitonte kontrollin e situatës, qartësisht duke mos zotëruar njohuritë e nevojshme për t’ u përballur me këto situata ekstreme. Ndërhyrja e NATO në thelb mori trajtën e një fushate ajrore bombardimesh në Kosovë e Serbi-operacione për të cilat disa mendonin se shkelnin ligjin ndërkombëtar, derisa ato nuk qenë autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-ndërsa në tokë UÇK ishte aleati de facto i NATO. Kështu gjatë kësaj periode kritike që është në fokus të hetimit tonë, UÇK pati kontroll efektiv mbi një zonë territoriale që përfshinte Kosovën si dhe disa rajone kufitare në veri të Shqipërisë. Kontrolli i UÇK nuk duhet kuptuar si një ushtrim i strukturuar i pushtetit, dhe ai sigurisht që ishte larg prej marrjes së kontureve të një shteti. Ishte gjatë kësaj periudhe kritike që një numër krimesh u kryen ndaj serbëve të cilët patën qëndruar në regjion dhe ndaj kosovarëve shqiptarë të dyshuar se kishin qenë ‘tradhtarë’ ose ‘bashkëpunëtorë’, ose të cilët ranë viktima të rivaliteteve brenda UÇK. Këto krime mbetën gjerësisht të pandëshkuar dhe vetëm vite më vonë u arrit deri tek fillimi i një hetimi jo të besueshëm të tyre”.
Në paragrafin e mësipërm, së pari të bën përshtypje fakti se Dick Marty thotë se shqiptarët e Kosovës nuk u dëbuan nga Kosova për në Shqipëri prej serbëve, por u përpoqën që të arrijnë në Shqipëri, për arsye të panjohura. Kjo është njëlloj sikur ai të thoshte se serbët për të cilët ai pretendon se u janë rrëmbyer organet në Shqipëri, nuk u sollën këtu si të burgosur, çfarë pretendon ai, por u përpoqën që të arrijnë Shqipërinë për arsye që i dinin ata. Dhe ky njeri që është kaq i kujdesshëm me shifrat kur flet për serbët dhe krimet ndaj tyre, në rastin e shqiptarëve të dëbuar nga Kosova në Shqipëri thjesht heq një zero, duke folur për dhjetëra mijë njerëz, kur krejt bota është dëshmitare se qenë qindra mijë njerëz. Por më mirë që Dick Marty flet kështu, se kjo tregon prapamendimet e tij.
Ja se ku po e pranoj tezën e Dick Marty se UÇK ushtronte në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut atë kontroll për të cilin flet ai, në atë periudhë. Ja se ku po e pranoj dhe tezën tjetër të Dick Marty se këto i bënte grupi i quajtur prej tij “Drenica”, i cili merrej me trafikun e drogës, armëve, femrave për prostitucion, e krime të tjera të ngjashme. Nga të gjitha këto veprimtari kriminale grupi “Drenica” kishte të ardhura të mëdha, apo jo? Dick Marty sigurisht që do t’ i përgjigjet në mënyrë pohuese kësaj pyetjeje. Por teoria që ka ndërtuar Dick Marty nuk mund të mos çojë deri tek pyetja se përse Grupi “Drenica” i cili kishte të ardhura të mëdha nga të gjitha këto veprimtari kriminale (kur bëhet fjalë për të ardhurat kriminale në këtë periudhë duhen veçuar ato nga prostitucioni se ardhja e ndërkombëtarëve në Kosovë në atë periudhë krijoi një bazë klientele prej rreth 60 mijë njerëzish që zotëronin shumë para), duhej që të rrezikonte në ndërmarrjen shumë të rrezikshme për rrëmbimin e njerëzve me qëllim që t’ u merreshin organet dhe të trafikoheshin?
Se krerët e Grupit “Drenica” qenë njerëz të cilët kishin jetuar në Perëndim, të cilët kishin tashmë një karrierë politike, të cilët kishin pasur dhe kishin të bënin me shërbimet inteligjente dhe diplomatët perëndimorë, çka do të thotë se këta njerëz e kishin të qartë se trafiku i organeve përbënte jo thjesht një rrezik të momentit, por një bombë të kronometruar në të ardhmen e tyre. Ata natyrisht se bënin analizën rrezik-përfitim në rastin e veprimeve të tyre. Por, mund të pretendohet se përfitimi nga trafiku i organeve ishte aq i madh për këta njerëz, saqë ia vlente që ta merrnin përsipër rrezikun. Mirë, le të bëjmë një llogari të thjeshtë, duke i bërë zotit Marty favorin që të marrim rastin sikur rrëmbimi i organeve është bërë tek të gjithë njerëzit për të cilët ai thotë se janë burgosur ilegalisht në Shqipëri. Pra, le të supozojmë se u janë marrë dhe trafikuar organet 470 personave, nga të cilët 375 joshqiptarë, shumica e të cilëve sipas Marty janë serbë dhe 95 shqiptarëve të Kosovës.
kastriotmyftaraj@sot.com.alThis e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

No comments: