Wednesday, January 12, 2011

Videoja e përgjimit Meta-Prifti, zbardhet biseda e plotë

“Fiks Fare” transmeton përgjimin mes Metës dhe Priftit, ku flitet për afera në emërimin e miqve të zv.kryeministrit, një tender në Albpetrol dhe koncesionin e një HEC-i në proces gjyqësor. Meta: Me Shpresa Beçajn kam marrëdhënie shumë të mira, i kam çuar vajzën në ambasadë

Tiranë Videoja me përgjimin e zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, mban datën 1 mars 2010. “Skena” e bisedës së përgjuar mes tyre është zyra e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, ndërsa diskutimet vërtiten rreth gjetjes së një vendi pune për një person të quajtur Tur Hajdari, emërimit në Lushnjë të një inspektori, një tender në Albpetrol dhe licencën koncesionare të një hidrocentrali. Videoja e dy zyrtarëve të lartë të shtetit është transmetuar mbrëmë në emisionin “Fiks Fare”, duke hapur kështu një tjetër debat të nxehtë mbi nivelin e korrupsionit në vend. Sipas kësaj bisede të përgjuar, zv.kryeministri Ilir Meta, i cili asokohe drejtonte Ministrinë e Jashtme, ka bujtur në zyrën e ministrit Dritan Prifti me një listë kërkesash të ngutshme, ndërsa dialogu mes tyre ka për protagonistë emra biznesmenësh apo miqsh të Metës, punët e të cilëve duket se janë “bllokuar” nga ministri i shkarkuar pak muaj pas regjistrimit të kësaj videoje. Përmendja e emrit të kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, është një tjetër episod në video, për të cilën zv.kryeministri Ilir Meta thotë se ka marrëdhënie shumë të mira, pasi i ka emëruar vajzën në ambasadë. Edhe pse ende nuk është qartësuar autori i këtij regjistrimi, videoja e përgjimit ishte paralajmëruar në media nga ish-ministri Dritan Prifti, gjatë replikave publike të tij me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Më poshtë, po botojmë bisedën e transkriptuar mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, transmetuar mbrëmë në emisionin “Fiks Fare”.

Meta: Çfarë thotë puna?

Prifti: Mirë.

Meta: Tani, të dërgova një mesazh, ma kishte dërguar Turi.

Faleminderit për bashkëpunimin dhe punën tuaj, në telefon.

Prifti: Po jo, mo, ia çova Kolit unë, e pyeta, e pyeta ku je.

Meta : Të mos ...

Meta : Ke një zakon të keq që mendon se njerëzve mund t'u bësh edhe me

nge, mua m’u bë si presion, por është e kotë.

Prifti: .. ishte tek unë një ditë më përpara.

Meta: Ai tha ca gjëra që të qëndrojnë. Ka ndonjë problem?

Prifti: Po jo, çfarë problemi të ketë.

Meta : Pse të bëhesh? E vë re që shpesh herë me njerëzit... çfarë të keqe ka?

Prifti : S'ka të keqe, mor burrë. Ç'të keqe ka?!

Meta : Më mori Turi mua, jo më mori Turi, jo më tha kështu, jo më tha ashtu.

Prifti: ...nuk ka diplomë, përveçse nuk ka diplomë, asnjë gjë tjetër.

Meta: Po përse ta solla unë? Unë mund ta kisha sjellë edhe pa emrin e

atij apo jo? Mund të mos ia kisha vënë emrin fare dhe vari...

Prifti: Po varja.

Meta: Çfarë të keqe ka?

Prifti: Jo, të keqe nuk ka.

(Vjen sekretarja, shërben ujin)

Meta : I gjen një zgjidhje?

Prifti: Për kë?

Meta : Tur Hajdarin.

Prifti: Turin, ëhë...

Meta: Turi Hajdarin, e para.

Meta: E dyta, me Lushnjën unë kam një që duhet ta bësh inspektor. Kam

detyrim, që e kam patur në shkollë, është marrë me LSI-në. Po qe se

duhet bërë…

Prifti: Pa diskutim që do ta bëjmë.

Meta: E treta...

Prifti: Këtë me kontratë do ta vëmë?

Meta: Me letra.

Meta: E treta, me Albpetrolin, çfarë do të bësh? Për Bekimin, si do ta zgjidhësh?

Prifti: Do ta zgjidh, mos ki merak.

Meta: Zgjidhe, pra!

Prifti: Ose ndoshta të bisedoj dhe një herë me Armo-n, do ta anuloj të parën ...

Meta: Po mirë, anuloje, pse s'e bën?Anuloje!

Meta: Gjeje!

Prifti: Po të flas dhe njëherë me Armon.

Meta: Po gjeje vetë. Po mos i zvarrit këto gjëra…

Meta: Tani, për punën e hidrocentralit të Gimit.

Meta: Tani, nuk e di në çfarë forme do të hysh ti, o ku e di unë etj, etj. Ky Gimi më tha mua, ne mund të bëjmë diçka, diku te 7 %.

Prifti: Këtu ka një problem.

Meta: Këtu nuk ka problem, sepse ata e kanë fituar. Ata le ta ndjekin këtë çështje, nëse e fitojnë ata, ta marrin ata.

Meta: Ata e kanë fituar, le ta ndjekin këtë çështje.

Prifti: T'ua jap tenderin pa mbaruar punë ata?

Meta: Ajo është punë e mbaruar. Ata, po qe se e fitojnë ata të tjerët

më vonë, le ta marrin ata.

Meta: Këtë problem a kam analizuar, e kam të ...

Prifti : Unë di që në Apel e kanë fituar apo jo?

Meta : E kanë fituar në Apel.

Prifti: Këta e kanë humbur në Shkallë të Parë, e kanë fituar në të

dytën. Tani është në Gjykatën e Lartë.

Meta: Absolutisht po, Apeli është i formës së prerë, t’i mund ta

zbatosh, do ta çojnë më tej. Ata le ta çojnë, por prapë mbyllet, do të

flas unë me Shpresën, i kam marrëdhëniet shumë mirë, i çova vajzën në

ambasadë.

Prifti: Po u them çunave këtu.

Meta: Gimi më tha mua, nga ana ime 700…

Prifti: Të më çojnë një letër zyrtare, të më thonë zoti Prifti, ne e kemi

fituar Apelin, ky është vendimi, kështu që zotëri vazhdoni vendimin.

Meta: Alo, Gimi, si kalove, mirë? Jam këtu me zotin Dritan. Foli pak këtu

Dritanit. (ia kalon celularin Priftit)

Prifti: Po, çfarë bëre? Duhet të më dërgosh në protokoll ti mua, një

letër, një letër, jo ti, po ata që janë firmat, po nuk e kanë sjellë me

protokoll.

Meta: Po le ta bëjnë prapë.

Prifti: Ta bëjnë prapë dhe t'i bashkëngjisin vendimin e Apelit. Mirë?

Dhe ma dërgo që sot. Po, dërgoje me protokoll, duke m’u drejtuar mua si

ministër.

Meta: Jo, jo, është ... Probleme të ndryshme, por emri im dhe

...prandaj them që duhet bërë.

Prifti: E mbyllëm atë muhabet.

Meta: Nuk kundërshtoj, nuk kundërshtoj.

Meta: Bisedova edhe me doktorin, edhe për një javë do ta mbyllim. Kupton?

Prifti: Këtë e di.

Meta: Duhet me pas shumë kujdes me ato që bëjmë ... Prokuroria e hap

... më pas në dy, tre veta. Pjesa tjetër, sa më pak.

Meta: Për këtë ( hidrocentralin) mbaroje sot, që të jenë gati.

Prifti: Sot...

Meta: Janë gati.

Shënim:

Bekimi - Bekim Halilaj, president i kompanisë “Halilaj Group”

Gimi - Agim Rrapaj

Shpresa - Shpresa Beçaj, kryetare e Gjykatës së Lartë.

Çështja 1

Në përgjim del emri i Tur Hajdarit, për të cilin Ilir Meta i thotë Priftit që t’i mbarojë porosinë. Hajdari, ish-shoqëruesi i kryetarit të LSI-së, duket se ka lidhje me një vend pune, pasi Prifti pohon në përgjim se problemi i vetëm është mungesa e diplomës.

Çështja 2

Kërkesa e dytë e zv.kryeministrit Ilir Meta lidhet me një shokun e tij të shkollës dhe militant të LSI-së në Lushnjë. Ai i ka kërkuar Priftit që ta emëronte inspektor, duke i konfiduar se e kishte detyrim, kërkesë që pranohet nga ish-ministri Dritan Prifti.

Çështja 3

Protagonist i kërkesës së tretë të Ilir Metës është Bekim Halilaj, president i kompanisë “Halilaj Group”. Sipas bisedës së përgjuar, bëhet fjalë për një tender që Bekimi synonte të merrte në Albpetrol, e për të cilën Meta jep porosi që të anulohet tenderi i parë.

Çështja 4

“Hidrocentrali i Gimit” është kërkesa e katërt në listën e Metës, për të cilin ai i thotë Priftit që t’i japë licencën, edhe pse çështja është në gjyq. Bëhet fjalë për Agim Rrapon, i cili ka ndërhyrë për HEC-in e kërkuar nga vëllezërit Tola, në Shushicë të Elbasanit.

Çështja 5

Në bisedën e përgjuar, Ilir Meta pohon se do të ndërhyjë te kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, për hidrocentralin e Agim Rrapos, ky i fundit i njohur në publik për proceset gjyqësore si drejtues i projektit 2KR. Ai shton se ka marrëdhënie të mira me Shpresën, pasi i ka çuar vajzën në ambasadë.

No comments: