Thursday, January 13, 2011

Analizë e raportit të Dick Marty (2)

Nga Kastriot MYFTARAJ

Sipas raportit: “Dëshmitë mbi të cilat ne bazojmë gjetjet tona flasin besueshëm dhe në mënyrë konsistente për një metodologji, sipas së cilës të gjithë personat e rrëmbyer qenë vrarë, rëndom me një plumb në kokë, para se të operoheshin për t’ u marrë një ose

më shumë nga organet e tyre. Ne mësuam se kjo ishte kryesisht një tregti me veshkat e kufomave, domethënë veshkat u nxirreshin trupave pas vdekjes, nuk ishte një procedurë e avancuar kirurgjike, që kërkonte kushte të kontrolluara klinike dhe, p.sh., përdorimin e gjerë të anestezisë”.
Dick Marty është aq i zgjuar sa të thotë se bëhej fjalë kryesisht për marrje veshkash, se po të fliste për marrje zemrash në këto kushte, do të dëbohej me të qeshura nga çdo forum mjekësh ku do ta tregonte këtë histori. Megjithatë ja se ku po e pranoj edhe këtë që thotë ai, madje me kënaqësi, se përbën një boomerang për Dick Marty. Në raport thuhet: “Ekspertë të shquar të transplantimit të organeve, të cilët ne i kemi konsultuar gjatë hetimeve tona, e përshkruajnë këtë procedurë si eficente dhe me rrezik të ulët”.
Unë pajtohem me këtë gjë, por, si këta ekspertë, ashtu dhe Dick Marty, nuk mund të mohojnë se kjo procedurë që mund të quhet primitive, është edhe ajo me fitim më të ulët, nga pikëpamja e çmimeve në tregun e trafikut të organeve njerëzore. Sepse një tjetër çmim kanë organet që nxirren në një klinikë me standard të lartë, dhe për të cilat klientët paguajnë shumë para, dhe një tjetër çmim kanë organet që supozohej se nxirreshin në disa shtëpi në fshatrat shqiptare, të cilat pastaj merreshin në akull nga korrierë që hipnin në avionët e linjës (imagjinoni sa respektohej orari i avionëve në atë kohë në aeroportin e Rinasit në gjendjen që ishte ai), për t’ u çuar jashtë vendit në klinikat e transplanteve. Çmimi i veshkave në tregun e zi atëherë dhe tash shkonte nga 70 mijë dollarë në dyfishin e kësaj shume, varësisht gjendjes dhe kushteve në të cilat gjendeshin ato. Për kënaqësinë e Dick Marty, veshkave të marra nga UÇK po u ve çmimin 70 mijë dollarë, megjithëse veshkat e marra në Shqipëri në ato kushte dhe të transportuara në ato kushte, nuk t’ i blinte kush aq. Derisa veshkat supozohet se u janë marrë 470 personave, të cilët kishin nga dy veshka, kjo do të thotë se janë shitur 940 veshka (Unë pres ende që Marty të thotë se Hashim Thaçi shtroi një drekë me veshka serbësh me rastin e fitores, me ç’ rasti mund t’ i ulim 40 veshka). 940 veshka, me nga 70 mijë dollarë copa bëjnë 66 milion dollarë. Një shumë e madhe, apo jo?
Pyetja është se sa nga paratë e përfituara për çdo veshkë shkonin në xhepat e krerëve të Grupit “Drenica”, ashtu që ata ia vlente të rrezikonin për këtë ndërmarrje? Se sigurisht që në këtë rrjet trafiku kishte shumë njerëz që paguheshin, që nga transportuesit, strehuesit, mjekët që bënin operacionin e heqjes së veshkave, korrierët që i transportonin me avion, policët dhe kontrollorët në aeroport, si dhe zyrtarët në Shqipëri, mjekët dhe mafiozët e tjerë në klinikën ku bëhej transplanti (këta të fundit do të merrnin sigurisht një pjesë të madhe të shumës). Zyrtarët, policët dhe njerëzit e shërbimeve inteligjente të Shqipërisë, nuk mund ta toleronin një veprimtari të tillë pa marrë pjesën e tyre të fitimit se në atë periudhë kishin aq kontroll mbi territorin për të cilin flitet, sa që të mos lejonin që të bëheshin trafiqe pa lejen dhe përfitimin e tyre. Këtë gjë e dinë mirë njerëzit e shërbimeve inteligjente perëndimore që kanë qenë në Shqipëri në atë kohë. Kështu, kur të qenë paguar të gjithë, atëherë çka do të mbetej për krerët e Grupit “Drenica”? Dhe këtu duhet zbritur edhe pjesa e fitimit që morën disa personalitete ndërkombëtare, se Dick Marty thotë në raport duke iu referuar një ngjarjeje të kohëve të fundit në Kosovë: “Veçanërisht, ne gjetëm një numër të dhënash të besueshme, konvergjente, se përbërësit e trafikut të organeve, të rrëmbimeve të paskonfliktit, të përshkruara në raportin tonë janë të lidhura ngushtë me rastin e klinikës Medicus, përmes personaliteteve të njohur shqiptaro-kosovarë dhe ndërkombëtarë të cilët shfaqen si bashkëpunëtorë në të dy rastet”.
Natyrisht se pjesa e fitimit e këtyre personaliteteve ndërkombëtare, të cilët supozohet se u përfshinë në këtë histori, duke rrezikuar mjaft, ka qenë tepër e madhe. Atëherë çka mbetur për këta krerët e Grupit “Drenica”? Në rastin më të mirë, jo më shumë se 10 mijë dollarë për një veshkë, do të thotë jo më shumë se 9.4 milion dollarë! A mund të mendohet se njerëzit të cilët tashmë kishin nxjerrë fitime të mëdha gjatë luftës, në momentin që shtinë nën kontroll Kosovën në 1999 do të rrezikonin në një ndërmarrje të tillë, për një shumë të tillë? Vetëm pasuritë e patundshme që ata shtinë në dorë në Kosovë në 1999, përbënin shumëfishin e kësaj shume. Dhe e gjithë kjo po të flasësh në shifra absolute. Se as Dick Marty vetë nuk mund të pretendojë se mund të jenë fituar më shumë se 40 milion dollarë gjithsej, nga të cilat krerët e UÇK në rastin më të mirë nuk do të kishin marrë më shumë se 4-5 milion dollarë.
Dick Marty vetë, siç e kam cituar më lart në raport, e pranon në raport se ai që e quan Grupi “Drenica” ushtronte vetëm një kontroll diskret në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut, në periudhën për të cilën bëhet fjalë. A ishte ky kontroll i mjaftueshëm për të ndërmarrë një aventurë të tillë si rrëmbimi i njerëzve për marrje dhe trafikim organesh, duke pasur sigurinë se kjo nuk do të zbulohej? Sado i ngadalshëm që të ishte procesi i vendosjes së kontrollit të ndërkombëtarëve në Kosovë, në verën e vitit 1999, prania ndërkombëtare ishte tepër e madhe (50 mijë ushtarë të KFOR, kryesisht të NATO), dhe disa mijëra nëpunës civilë si dhe policë ndërkombëtarë, kështu që as mund të mendohej se ndërmarrja masive në fjalë do të kalonte pa u vënë re. Aq më tepër kur siç thotë Marty, Grupi “Drenica” kishte shumë kundërshtarë brenda vetë shqiptarëve të Kosovës. Ata me siguri që do të vinin në dijeni për trafikun e organeve njerëzore dhe do ta bënin të ditur botërisht.
Edhe nëse pranohet si e vërtetë teza e Dick Marty se fuqitë e mëdha të NATO qenë të painteresuara për të inkriminuar aleatin e tyre, UÇK dhe posaçërisht Grupin “Drenica”, përsëri Dick Marty nuk mund ta mohojë se në atë kohë në Kosovë kishte një prani të madhe ndërkombëtare nga vende jodashamirëse me shqiptarët e Kosovës. Kështu, kishte një prani të madhe të forcave ushtarake, me ç’ rast edhe të shërbimeve inteligjente të Rusisë, Spanjës, Greqisë, Ukrainës, Sllovakisë, Rumanisë, Armenisë etj. Shërbimet inteligjente serbe gjithashtu qenë prezente në Kosovë, çka e kanë pohuar më pas publikisht zyrtarët më të lartë serbë. Këto vende do të kishin rënë në gjurmë të kësaj veprimtarie kriminale dhe do ta kishin bërë publike. Nuk do të ishte pritur që në vitin 2003 një radio e dyshimtë amerikane (off-spring i një rrjeti radiofonik amerikan)të “zbulonte” këtë histori dhe të vinte në dijeni UNMIK-un.
Njëjtë edhe në Shqipërinë e Veriut në atë kohë kishte një prani të madhe të shërbimeve inteligjente të huaja, pikërisht për shkak të Kosovës. Dhe në të vetmin aeroport ndërkombëtar të vendit, ku supozohej se bëhej trafiku i organeve njerëzore, prania e shërbimeve inteligjente të huaja ishte aq e madhe, sa kjo gjë nuk mund të kalonte pa u vënë re. Dhe ndër këto shërbime inteligjente kishte jo pak të cilat nuk do të kishin heshtur nëse do të kishin zbuluar diçka si ajo që thotë Dick Marty.
Dikush mund të thotë: po provat që sjell Dick Marty? Me ato prova dhe me atë logjikë mund të inkriminohet dickmartisht çdo shtëpi fshati në Shqipëri. Se në çdo shtëpi në Shqipëri mund të gjesh gjurmë të hershme gjaku në dysheme, duke përfshirë edhe shtëpinë e lindjes së Dick Marty dhe timen. Unë vetë me këtë rast sjell ndërmend se në sa vende në shtëpinë ku kam lindur jam rrëzuar e përgjakur, kam çarë duart, këmbët, kokën. Nuk mund të quhet një hetim serioz kur shkohet në një shtëpi fshati në Shqipëri dhe i kërkohet të zotit të shtëpisë që të tregojë burimin e gjurmëve të gjakut. Përndryshe, hetuesit duhet të kishin të dhënat e gjakut të të humburve dhe të shikonin nëse përkonin me gjakun e gjetur. E megjithatë Dick Marty e quan hetim serioz atë që është zhvilluar në Mat, në 2004, nga një ekip i përbashkët i Tribunalit të Hagës dhe UNMIK, sipas logjikës së mësipërme se duhet të vërtetonte i zoti i shtëpisë në Mat burimin e gjurmëve të gjakut. Nuk është serioze as ajo që thotë eksperti peruan, të cilin Marty e quan serioz, se një provë është fakti se u gjendën shiringa dhe materiale të tjera mjekësore, në një shtëpi, sipas tij, në mes të asgjëkundit. Ta thoshte këtë gjë një danez, mirë, por kur e thotë një peruan… Nëse Marty dhe ky peruani do të kishin pyetur shërbimet inteligjente perëndimore që e njohin Shqipërinë, do të mësonin se fshatrat shqiptare nuk kanë qenë kurrë gjatë shekullit XX në atë gjendje, sa të mos i njohin dhe përdorin sendet mjekësore si ato që përmenden.
Nuk është serioz as hetimi që bëhet duke pyetur nëse ka varre masive serbësh në këtë apo atë fshat në Shqipëri. Varre masive serbësh ka në gjithë Shqipërinë e Veriut, se ushtria serbe u tërhoq nëpër territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore, në dimrin e vitit 1915-1916 dhe gjatë kësaj tërheqjeje vdiqën 100 mijë serbë. Serbët deri vonë kanë pasur një proverb që thoshte: “Nuk e di se çfarë është vuajtja ai që nuk e ka përshkuar Shqipërinë në këmbë, në dimër”. Tash, mund të gërmosh në Shqipëri, të gjesh varre ku ka kufoma me simbole serbe dhe të thuash se zbulove viktimat e UÇK! Kjo është qesharake.
Dick Marty në raportin e vet synon qartësisht që të bëjë akuza, për të cilat barrën e provës t’ ia lerë praktikisht atij që akuzohet. Dick Marty thotë se autoritetet e Shqipërisë nuk pranuan që të bashkëpunojnë për hetimin, por ai nuk është në gjendje të sjellë një dokument të vetëm ku është kërkuar zyrtarisht hetimi dhe janë përcaktuar detyrimet e palëve. Se grupet e ekspertëve që kanë ardhur në Shqipëri për këtë çështje, qartësisht kanë pasur synimin që t’ i bëjnë gjërat në mënyrë informale, dhe nëse nuk gjenin prova të mos qenë të detyruara që ta pohonin publikisht këtë gjë. Pra ka pasur një synim të qartë për ta lënë të hapur këtë çështje, që të përdorej herë pas here. Edhe tash Shqipëria duhet të pranojë një hetim me kushte të përcaktuara, ashtu që pala ndërkombëtare të ketë detyrimin që të shprehet definitivisht në mënyrë formale për këtë çështje, me përfundimin e hetimeve.
Shumë interesante është ajo pjesë e raportit ku Dick Marty kërkon që të përdorë ngjarjen e klinikës Medicus në Prishtinë për të vërtetuar teorinë e tij të marrjes dhe trafikut të organeve të të burgosurve të UÇK në Shqipëri: “Veçanërisht, ne gjetëm një numër të dhënash të besueshme, konvergjente, se përbërësit e trafikut të organeve, të rrëmbimeve të paskonfliktit, të përshkruara në raportin tonë janë të lidhura ngushtë me rastin e klinikës Medicus, përmes personaliteteve të njohur shqiptaro-kosovarë dhe ndërkombëtarë të cilët shfaqen si bashkëpunëtorë në të dy rastet”.
Meqënëse Dick Marty nuk ka vërtet prova për këtë gjë, ai thotë se problemi këtu është tek praktika shqiptare e besnikërisë fisnore, çka i detyron njerëzit që të marrin fajin përsipër duke mbrojtur ata sipër tyre. Sipas Marty: “Njëjtë, Ilir Reçaj do të vazhdojë që të pranojë konseguencat e të qënit i flijuar për licensimin e parregullt dhe praktikat e dhënies së fondeve në rastin e klinikës Medicus në Prishtinë, në vend që të drejtojë gishtin tek ata që janë përgjegjësit e vërtetë për këtë aktivitet të organizuar kriminal në sektorin e shëndetësisë në Kosovë”. Pra, sipas Marty, ky Reçaj nuk thotë të vërtetën nëse nuk fajëson Hashim Thaçin, dhe fakti që në Prishtinë ekziston klinika Medicus është provë se ka ndodhur i njëjti aktivitet edhe në të supozuarat burgjet e UÇK në Shqipëri!
Dick Marty pretendon se ka prova të cilat vinin nga njerëz të UÇK për burgjet sekrete, marrjen dhe trafikimin e organeve. Por vetë Dick Marty thotë se brenda UÇK ka pasur konflikte, dhe se Grupi “Drenica” përdori lidhjet me NATO për të mposhtur kundërshtarët e vet midis shqiptarëve të Kosovës. Sipas kësaj logjike, a nuk është e drejtë të thuhet, se kundërshtarët e atij që Dick Marty e quan Grupi “Drenica”, po e përdorin Dick Marty-n për të marrë revanshin ndaj këtij të fundit? Në një çështje të tillë si ajo e rrëmbimit dhe trafikimit të organeve, nuk mund të shpallet dikush fajtor vetëm me deklarata “dëshmitarësh”, por duhet të gjenden personat të cilëve u janë transplantuar veshkat, ashtu që të ndërtohet krejt rrjeti i supozuar dhe të vërtetohet prejardhja e organeve të trafikuara. Dick Marty e kupton se dëshmitarët janë një tjetër pikë e dobët e raportit të tij, prandaj justifikohet duke folur për zhdukjen e dëshmitarëve dhe përmend rastin e Nazim Bllacës për të vërtetuar se Grupi “Drenica” përdor vrasës për zhdukjen e dëshmitarëve. Por rasti “Bllaca” flet kundër Marty se Bllaca nuk pësoi gjë edhe pse ishte pa mbrojtje për një kohë të gjatë pas deklaratave të tij, dhe edhe tash është i lirë në shtëpi dhe nuk ka pësuar gjë. Marty mund të thotë se Grupi “Drenica” nuk mund ta eliminonte Bllacën se kështu do të vërtetonte deklaratat e tij. Eh, por mund të thuhej se Bllacën e kishin vrarë familjarët e viktimave të tij.
Përmendja e rastit “Bllaca” është një nga treguesit e shumtë se Marty ka bërë një raport politik. Por treguesi më i mirë se Marty ka bërë një raport politik vetëshkatërrues është ky paragraf: “Gjatë periudhës së bombardimit ajrore të NATO, i cili zgjati disa javë, ndoshta përmbysja kryesore në balancën e fuqisë në Kosovë ndodhi si rezultat i ardhjes së të huajve në regjion, në mbështetje të hapur e të fshehtë të çështjes së UÇK. Duke mos mundur që të kishin akses të drejtpërdrejtë në territorin e Kosovës, pjesa më e madhe e kësaj ndihme të huaj u kanalizua nëpërmjet Shqipërisë”.
Nuk është e vështirë që të kuptohet se për cilët të huaj jashtë NATO-s të cilët mbështetën UÇK, e ka fjalën Marty. Fjala është për akuzat që iu bënë UÇK nga Serbia se në radhët e saj kishte terroristë islamikë, moxhahidinë të ardhur nga vendet islamike. Këtu Marty ka treguar se ai është njeri i paguar i Serbisë dhe Rusisë. Në këtë paragraf shkëlqen alogjika e raportit të Dick Marty. Se është absurde që të mendohet që UÇK ishte edhe proamerikane dhe mbështetej nga amerikanët, si dhe kishte mbështetjen e terroristëve islamikë, moxhahidinëve, të cilët siç dihet ishin dhe janë armiq të SHBA-ve. Në atë kohë pati vërtet moxhahidinë nga bota islame që infiltruan në Shqipëri dhe shkuan në kufirin me Kosovën duke tentuar që të krijojnë një lëvizje islamike të armatosur, por ata nuk gjetën mbështetje dhe disa prej tyre u vranë nga CIA.
Paragrafi i mësipërm tregon se Dick Marty ka pasur si qëllim që të demonizojë UÇK-në, krejt nacionin shqiptar, duke e paraqitur Hashim Thaçin si personifikimin e së keqes, një person tek i cili bashkohen Jack The Ripper dhe Bin Laden. Natyrisht se Hashim Thaçi dhe entourage e tij drenicake ka fajet e veta, qoftë edhe sa u përket marrëdhënieve me krimin e organizuar, por ato nuk janë më të veçanta se të politikanëve të tjerë të regjionit të Ballkanit. Por një gjë është kjo, dhe një gjë krejt tjetër është akuza për trafik organesh njerëzore. Nuk ka dyshim se në të gjitha institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare e kanë të qartë se raporti i Dick Marty është një punë prej sharlatani. Atë e besojnë vetëm ata që dëshirojnë që ta besojnë.
kastriotmyftaraj@sot.com.al

No comments: