Maskarada-Rama, provohet montimi
Varianti origjinal i videos provoi maskaradën e orkestruar nga Kryetari i PS me autor çimkën Prifti dhe televizionin që ata kanë nën kontroll, ku dilte qartë se konteksti në të cilin përmendej Kryeministri nuk kishte lidhje me atë që kishin paraqitur çimkat e PS, por me Drejtorin e KESH. Pas pyetjeve prej katër orësh në Prokurori, Çimka, Prifti pranoi në intervistë televizive se ishte bërë një ndërhyrje në materialin e regjistruar prej tij. Përmes pjesës së plotë të videos sqarohet se pjesa ku Meta përmend "Doktorin" nuk ka lidhje me emërimet, koncesionet apo çështjet e tjera që përmend Meta, por me shkarkimin e drejtorit të KESH, Muharrem Stojku. Publikimi i versionit origjinal të përgjimit ka nxjerrë në pah edhe montazhin që i është bërë kësaj videoje për arsye të pa sqaruara nga emisioni që e transmetoi. Për të ardhur deri në versionin e videos përgjuese të publikuar nga emisioni "Fiks Fare" asaj origjinales i janë hequr bisedat për sekonda të tëra, duke shtrembëruar kontekstin e bisedës dhe e gjithë kjo vetëm për të lidhur edhe Kryeministrin Berisha. Përveç publikimit të videos origjinale faktin që përdorimi i Kryeministrit Berisha është në një kontekst tjetër dhe jo të aferave e kanë pranuar të dy protagonistët e videos, ku si deputeti Prifti ashtu edhe zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta kanë pranuar që emri i Kryeministrit është montuar për ta lidhur atë me diçka që nuk ekzistonte. Sipas Metës ky montazh është bërë për të krijuar idenë se në punën e emërimeve është i ngarkuar edhe Berisha. "Vetë autori i përgjimit e pranoi, pasi Prokuroria filloi hetimin që kjo kasetë ka disa pjesë që janë hequr, që janë konsideruar të panevojshme. Për hir të transparencës duhet të ishte dhënë materiali më i gjatë. Po marr një rast. Thuhet diku që kam folur me Doktorin dhe ai është dakord për këtë çështje. Fjala është për një emërim që ka të bëjë me zëvendësimin e ish-drejtorit të KESH me drejtorin aktual, për të cilin kishim rënë dakord dhe si një pjesë e një marrëveshjeje i takonte LSI-së. Unë i kisha thënë Dritan Priftit për ta çuar para marrëveshjen, pretendimi i tij ishte po mirë thuaj edhe Doktorit dhe i kam thënë që po, kam folur për këtë çështje. Tani çfarë ndodh aty, kjo gjë është lidhur me çështjen e vendimit të Gjykatës për hidrocentralin. Duke krijuar idenë që në këtë punë është i ngatërruar dhe Doktori", u shpreh Meta. Gjithashtu zëvendëskryeministri nëpërmjet një emisioni televiziv ku ka dhënë versionin e tij rreth kësaj çështjeje deklaroi se ish-ministri Prifti e ka shantazhuar me përgjimin për të mos e hequr nga Ministria e Ekonomisë. "I kam thënë Priftit se nuk e shtymë dot mbledhjen, por duhet të takohemi. Pasi i shpjegoj se mbledhja ishte e rëndësishme ai më thotë me SMS që të mos guxoja të bëja mbledhje, sepse unë kam kaseta, unë të kam përgjuar etj., etj. Këtë moment unë ndërpreva komunikimin me të. Më pas ka dërguar që në mëngjes falje me SMS, ka thirrur një nga anëtarët e LSI-së", theksoi Meta.
Kreshnik MERSINLLARI
Montimi i çimkës, kreu i PS, dy muaj që shkon te shtëpia e Priftit
Kreu i LSI, Ilir Meta konfirmoi dje se Edi Rama me anë të montimit të videos së publikuar në një prej televizioneve pranë tij ka synuar të shantazhojë kryeministrin Berisha. Ai pohoi se prej më se dy muajsh, kreu i PS, Rama është parë të shkojë përditë tek shtëpia e Dritan Priftit ku dhe kanë bashkëpunuar për ngjitjen e pamjeve filmike duke kompromentuar në mënyrë të rreme edhe emrin e kryeministrit. Meta deklaroi nga studioja e emisionit "Opinion" se regjisori i montazhit të videos së publikuar është pikërisht Edi Rama. "Të marrësh për bazë një kasetë të tillë, pasi Edi Rama për muaj të tërë kërkonte ndërmjetësime në mënyrë që të mos publikohej kjo kasetë, për të rrëzuar zotin Berisha. Rama çdo natë është në shtëpinë e Dritan Priftit, ku kanë orkestruar montazhin. Regjisori i këtij montazhi dhe atyre zhvendosjeve është zoti Rama. Zoti Rama më kërkon mua dorëheqjen, se ai ka hall të luftojë korrupsionin me njeriun që e akuzoi për të korruptuar", tha Meta. Ai theksoi se kaseta nuk ishte shantazh vetëm ndaj Ilir Metës, por ishte një presion edhe ndaj Kryeministrit Berisha. Zëvendëskryeministri tha se për kasetën ka punuar një regji e organizuar nga elementë, të cilët synojnë përmes shantazheve të sjellin në shtetin shqiptar standardin e çimkave. "Në rastin konkret kemi të bëjmë me një përpjekje shumë të qartë për të bërë shantazh ndaj institucioneve të shtetit, jo thjesht një shantazh ndaj Ilir Metës. Ka qenë ndaj zotit Berisha, i cili sot deklaroi që i është thënë se është një kasetë e tjerë e tjerë dhe Berisha nuk ka preferuar të merret me këtë çështje. Sot kemi një regji të organizuar nga elementë, të cilët synojnë përmes shantazheve të sjellin në shtetin tonë standardin e çimkave. Ky përgjim po përdoret nga zoti Rama, i cili përdori një person, i cili ka bërë një akt të shëmtuar moral, njerëzor, pikërisht njeriun që e ktheu në simbolin e korrupsionit të qeverisë Berisha", tha ndër të tjera Meta.
Autori i përgjimit, Dritan Prifti pranoi publikisht se ka dërguar një kasetë përgjimi të montuar
Meta: Gati të përballem me ligjin, jo me çimkat
Përmes një prononcimi për mediat, kreu i LSI, njëkohësisht ministër i Ekonomisë, Ilir Meta, deklaroi dje se përgjimi i bërë ndaj tij është vepër e një regjie mafioze që kontrollon Edi Ramën dhe lidershipin e Partisë Socialiste, e cila siç theksoi ai ka kthyer Tiranën prej vitesh në një lavatriçe të parave të krimit të organizuar. Meta bëri të ditur se klani mafioz i drejtuar nga Rama kërkon me çdo kusht që lavatriçen e pastrimit të parave ta vazhdojë edhe pas 8 majit. Ai shtoi se tashmë është mësuar me këto sulme, të cilat montohen nga një regji e qartë dhe flagrante mafioze. Gjithashtu, Meta shprehu gatishmërinë të përballet me të vërtetën dhe ligjin, duke shtuar se injoron përballjet me çimkat, të cilat pranojnë se janë vënë në shërbim të një regjie mafioze, e cila nuk kërkon të luftojë korrupsionin, por kërkon të marrë peng shtetin. Duke shprehur keqardhjen për ëndrrat e parealizuara të Kryetarit të Partisë Socialiste, Meta u shpreh se kreu i opozitës është bashkëregjisori, së bashku me njeriun që praktikisht po e drejton atë dhe Partinë Socialiste, Tom Doshi. Zëvendëskryeministri tha se regjistrimi i videos është dëshmi e moralit të ulët të ish-ministrit Prifti në raportin me Ramën, duke kujtuar akuzat reciproke të bëra gjashtë muaj më parë.
-Zoti Meta, dje ka patur deklarata shumë të forta në adresën tuaj jo vetëm nga zoti Prifti, por edhe nga Kryetari i Partisë Socialiste. Cili është komenti juaj?
I mirëpres të gjitha sulmet kundër Ilir Metës. Jam i mësuar me to dhe veçse më shtojnë përgjegjësinë për t'u ballafaquar me këto sulme jo vetëm të karakterit politik dhe elektoral, pasi jemi në prag të zgjedhjeve vendore të përgjithshme dhe natyrisht edhe të Bashkisë së Tiranës, por edhe sulme me një regji të qartë dhe flagrante mafioze. Dje autori i përgjimit, pas lënies nga ana ime të imunitetit, njëherë e përgjithmonë për aq kohë sa do të jemi në jetën parlamentare, politike dhe publike, për të vendosur një standard të ri të raportit të përballjes me çdo akuzë dhe akuzat janë normale kur je një figurë publike dhe politike, por me kërkesën edhe nga ana ime të hetimit të kësaj çështjeje dhe këtij montazhi nga ana e Prokurorisë, pra menjëherë pas fillimit të hetimeve autori i përgjimit pranoi publikisht se ka dërguar një kasetë përgjimi të montuar, duke hequr pjesët e panevojshme, natyrisht sipas tij, por aspak së vërtetës, pikërisht me qëllim për të manipuluar opinionin publik, me qëllim për të krijuar imazhe tërësisht të paqena dhe të pavërteta. Dhe kjo regji mafioze nuk është thjesht e çimkës në fjalë, por është e një klani të qartë kriminal dhe mafioz, i cili sot kontrollon Edi Ramën dhe lidershipin e Partisë Socialiste, përmes shantazheve dhe aferave që ka bërë, i cili e ka kthyer Tiranën prej vitesh në një lavatriçe të parave të krimit të organizuar dhe i cili kërkon që me çdo kusht këtë lavatriçe ta vazhdojë ta përdorë për të pastruar paratë edhe pas 8 majit dhe ta kthejë të gjithë Shqipërinë në një lavatriçe të krimit të organizuar. Unë jam Ilir Meta. Unë kam treguar qartë gjithmonë që jam gati të përballem me të vërtetën, që jam gati të përballem me ligjin dhe jo më për t'u përballur me çimka, të cilat e pranojnë që në fillim të gjithë kësaj historie se janë vënë në shërbim të një regjie mafioze, e cila nuk kërkon të luftojë korrupsionin, sepse këtë mund ta kishte bërë gjithmonë dhe në çdo kohë, e cila nuk kërkon të rrisë transparencën në këtë shtet, por e cila kërkon të marrë peng shtetin, e cila kërkon të marrë peng politikën dhe të imponojë lëvizjet politike në funksion të këtij klani kriminal mafioz. Ndaj unë këtë betejë, e cila për mua është politike, morale dhe ligjore, do ta fitoj në emër të dinjitetit dhe të lirisë së qytetarëve shqiptarë, në emër të dinjitetit të institucioneve përballë pengmarrësve, të cilët të jeni të sigurtë që do të dalin plotësisht me fytyrën e vërtetë që kanë patur dhe që kanë përballë të gjithë qytetarëve shqiptarë.
-Zoti Meta, në emër të këtij dinjiteti që sapo folët Kryetari i PS-së ka kërkuar dorëheqjen tuaj. Do ta jepni dorëheqjen?
Më vjen shumë keq për ëndrrat e parealizuara të Kryetarit të Partisë Socialiste. Ai është praktikisht bashkëregjisori, së bashku me njeriun që praktikisht po e drejton atë dhe Partinë Socialiste, zoti Doshi dhe tashmë ka marrë në administrim dhe zotin Prifti, i gjithë këtij sulmi, i gjithë këtij shantazhi, i gjithë kësaj veprimtarie mafioze kundër një politikani, kundër një deputeti, kundër liderit të një force politike. Dhe se cili është morali i zotit Prifti në raportin me zotin Rama, i zotit Rama në raport me zotin Prifti, kthejuni inserteve të akuzave reciproke të bëra vetëm gjashtë muaj më parë. Natyrisht që kjo është edhe një sfidë dhe një betejë karakteresh. Unë, sikurse e shikoni, qartësisht ndjehem absolutisht i privilegjuar që të mbetem i njëjti person, me të njëjtin karakter në shërbim të dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, të lirive dhe të të drejtave të tyre, por edhe me një karakter që do ta ndihmojë Partinë Socialiste të shikojë më qartë se nga çfarë klani kriminal është uzurpuar dhe se çfarë metodash të ulëta, manipulative, tërësisht të regjistruara në mënyrë mafioze do të përdorë dhe kërkon të marrë pushtetin.
No comments:
Post a Comment