Tuesday, January 11, 2011

'Marty',dëshmia e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Moskë


Shaqir Vukaj

Dëshmia e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Federatën Ruse në vitet 1998-2002. Vizita në Moskë të Karla Del Pontes dhe të Dick Marty-t. Mbështetje ruse për "vëllezërit" serbë dhe sulmet prej vitit 1998 të politikanëve, gazetarëve, shkencëtarëve dhe akademikëve për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës


Duke ndjekur me vëmendje jehonën e raportit të Dik Martit, veçanërisht analizat e komentet e politikanëve e medieve ruse, padashur ju ktheva kujtimeve e materialeve të kohës kur kam punuar në Moskë (1998-2002). Duke gërmuar ndër to, gjeta këto shënime të mbajtura plot 11 vite më parë, ku ndërmjet kam shkruar :


" Delegacioni i Dumës në Hagë për të ndihmuar vëllezërit serbë". Data 27.12.1999. Këto ditë shkoi në Hagë një delegacion i Dumes Shtetërore, për të paraqitur në Tribunalin Ndërkombëtar materialin e përgatitur nga komisioni i Dumes " Mbi krimet e NATO-s gjatë operacionit kosovar".


Siç kam shkruar diku më lart, Duma Shtetërore e këtyre katër viteve ka qenë tepër aktive për të ndihmuar "vëllezërit serbë" e për të përkrahur politikën e Beogradit....


Nuk është e rastit që komisioni u prit nga vetë prokurorja Karla del Ponte, madje natën e Krishtlindjeve
(megjithëse ajo ishte me pushime). Pavarësisht nga ç'është folur e shkruar në Rusi kundër kësaj gjykate, mbas kthimit të komisionit në Moskë, për çudi, anëtarët dhe në veçanti kryetari i tij, ish kryeministri Bashkimit Sovjetik N. Rizhkov, ( i deklaruar haptazi pro Millosheviçit) folën mirë për del Ponten, pritjen, mënyrën si i kishte dëgjuar e dëshirën me të cilën ajo kishte marrë në dorëzim materialin e përgatitur (sigurisht nga bashkëpunëtoret e Millosheviçit).


Pavarësisht nga akuzat që përmbaheshin në material kundër NATO-s, më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë akuza që ky komision kishte bërë në Hagë "për veprimtarinë e të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës" ndaj të cilës ka "shumë akuza të bazuara për terrorizëm, vrasje masive, spastrim etnik", për "shkatërrimin dhe përvetësimin e pronave".


Rizhkovi nuk ishte mjaftuar vetëm me materialin e dorëzuar ( me fakte e dokumente , sipas tij) por kishte shpjeguar me fjalë "veprimtarinë antiserbe të UÇK-së, vrasjet masive, përdhunimet, djegiet, plaçkitjet, përzënien me dhunë të serbëve nga Kosova" etj. jo vetëm para dhe gjatë luftës, pore dhe tani e deri na ditët e sotme.


Sipas tij, Karla del Ponte e kishte dëgjuar me shumë vëmendje, kishte treguar interes të posaçëm për këto materiale dhe kishte premtuar se gjithçka do të shihet me drejtësi.....Ne shqiptarët duhet të jemi shumë të vëmendshëm e të mos mendojmë se tani i kemi të gjithë miq....".
Kështu i mbyllja shënimet e asaj dite..


Një vit më vonë, erdhi në Moskë për vizitë Karla del Ponte dhe në shënimet e dt.20.12.2000, kam shkruar për ketë vizitë dhe intervistën dhënë kanalit rus ORT, si më poshtë : "Pyetjes se përse kërkon bashkëpunim me autoritete ruse, ajo iu përgjigj: " Gjykata që ajo përfaqëson është një organ ndërkombëtar dhe ka nevojë për bashkëpunim me të gjitha shtetet.


Për rastin e krimeve në Jugosllavi, bashkëpunimit me autoritetet ruse ne i japim rëndësi të veçantë dhe kjo është arsyeja që kam ardhur në Moskë...."


Këto shënime dhe shumë të tjera të përmbledhura në librin "Rusia dhe Kosova" i kam botuar në vitin 2007, pra një vit para se Karla del Ponte të botonte kujtimet e saj...Që në atë kohë kanë lindur dyshime e janë shtruar pikëpyetje se përse Karla del Ponte i jepte rëndësi të veçantë bashkëpunimit me Moskën, kur të gjithë e dinin qëndrimin e hapur proserb të Moskës, e kryesorja, qëndrimin tepër agresiv kundër UÇK-së, ku krahas institucioneve zyrtare e politikanëve më me peshë, ishin angazhuar ushtarakë, historianë e shkencëtarë, gazetarë e analistë e deri "demokrati" Sollzhenjicin.


Nëpërmjet fakteve e dokumenteve (që flasin vetëm për qëndrimin e Moskës ndaj UÇK-së) do të përpiqem të provoj se ato që thotë Dik Marti tani, nuk janë të reja dhe se shumë prej tyre janë thënë me kohë nga Moska (sigurisht të përgatitura në Beograd).


Që me fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, në të gjithë Rusinë filloi regjistrimi i vullnetarëve që do të shkonin për të luftuar në Kosovë. Sipas medieve ruse të atyre ditëve ishin regjistruar rreth 70 mijë vetë, në krye të të cilëve do të vihej komandanti i Qarkut Ushtarak të Lindjes së Largme, gjenerali Çiçikatov.


Kryesorja, siç reklamohej atëherë, ishte se ata do të shkonin të luftonin kundër "terroristëve të UÇK-së". (Më vonë disa prej këtyre vullnetarëve kanë shkruar kujtimet e tyre, ku krahas tjerave flasin për "luftën e trimëritë" e tyre kundër "terroristëve të UÇK-së").


Pavarësisht se muajt e parë të v.1999, propaganda ruse ishte përqendruar kundër NATO-s, e veprimeve të saj kundër Jugosllavisë, herë pas here shkruhej e flitej për "terroristët e mafiozët e UÇK-së".


Kështu gjatë një konference shtypi, përfaqësuesi i presidentit Jelcin për problemin jugosllav, ish kryeministri i Rusisë, Çernomërdin, deklaroi se: "Ne i njohim se kush janë tregtarët e armëve dhe të drogës; me anë të UÇK-së lëviz drogë me vlerë mbi 3 miliardë dollarë".


Mbas çlirimit të Kosovës, kur diskutohej për të ardhmen e saj, vihet re një sulm frontal kundër UÇK-së, ku u vunë në garë se kush akuzonte, shpifte e shante më shumë.


Me dt.22 qershor, Pr.Dr. Vollkov, anëtar i Akademisë së Shkencave të Rusisë dhe drejtor i njërit prej instituteve të kësaj Akademie, e shpesh herë këshilltar e anëtar i komisioneve qeveritare shkruante: "Qysh në zanafillë, UÇK-ja e ka treguar veten një organizatë terroriste me qëllime politike.


Burimet e formimit të saj janë tepër të dyshimta: në të ka patur edhe mercenarë, edhe të ashtuquajtur vullnetar të huaj-muhaxhidinë nga vendet arabe. Kurse problemi i financimit të UÇK-së është më i turbullt: para droge, të dërguara nga diaspora shqiptare si dhe disa burime të huaja...... ".


Nga ana tjetër, MPJ e Rusisë nëpërmjet një deklarate të dt.31 korrik, pohonte edhe një herë botërisht se ajo "Nuk e njihte UÇK-në, se ajo është një organizatë terroriste, që vazhdon të vrasë e të shpërngulë serbët me dhunë nga Kosova, se UÇK-ja nuk ka punë më në Kosovë e jo më ta turbullojë atë", dhe i bënte thirrje NATO-s që "të hiqte dorë prej kësaj organizate terroriste, dhe se duhej shpallur sa më parë çarmatosja e saj".


Në këtë periudhë herë pas here deklarohej e shkruhej se "mbas përfundimit të luftës janë larguar nga Kosova rreth 300 mijë serbë, dhe të gjitha këto nga dhuna e terroristëve të UÇK-së dhe se po kaq shqiptarë kanë ardhur nga Shqipëria e janë vendosur në Kosovë".
Në kuadrin e një vjetorit të sulmit ajror të NATO-s kundër Jugosllavisë, në mars të v.2000, në Moskë u zhvilluan shumë aktivitete "për të dënuar NATO-n" dhe "terroristët shqiptarë të UÇK-së", e kryesorja për të nxirë situatën në Kosovë.


Kështu, ndërmjet tjerave, në një artikull të botuar në "Njezavisimaja Gazeta", Ministri i Jashtëm i Rusisë, Ivanov shkruante: " E prapëseprapë edhe sot Kosova ka mbetur një plagë që kullon gjak në trupin e Europës. Operacioni i NATO-s, i ndërmarrë nën parullën e sajuar për të mbrojtur shqiptarët, në fakt e acaroi më tepër kontradiktën ndëretnike, dhe çoi në dëbimin nga krahina të shumicës së popullsisë joshqiptare.


Nuk ka ditë që të mos ketë njoftime për akte të reja dhune kundër serbëve, ciganëve, turqve dhe kombësive të tjera. Sipas të dhënave të ndryshme, kanë ikur me detyrim nga Kosova 250-350 mijë vetë.


Kurse ata që kanë mbetur atje jetojnë në kushtet e rezervateve, nën mbrojtjen e paqeruajtësve ndërkombëtarë. Mirëpo kjo mbrojtje nuk garanton sigurinë e tyre. Gjatë një viti në Kosovë janë vrarë 1000 vetë, nga të cilët 800 të kombësisë joshqiptare. Ka qindra të plagosur e shumë të humbur pa lënë gjurmë....".

Në kuadrin e fushatës së madhe propagandistike që u zhvillua ato ditë në Rusi, një vend i konsiderueshëm iu kushtua UÇK-së. Ndërmjet tjerave u tha: "UÇK-ja është një organizatë terroriste dhe është çarmatosur vetëm në letër.


Ajo ruan strukturat kriminale që ka patur, armatimet etj. dhe vazhdon luftën për "Shqipërinë e Madhe". Ajo mban në burgjet e veta disa qindra serbë". Ose "UÇK-ja është organizatë e lidhur me strukturat kriminale ndërkombëtare", ose "UÇK-në si organizatë terroriste e kanë përgatitur instruktorë nga ShBA dhe disa vende të tjera të NATO-s" ose "Kosova çdo ditë e më shumë po kthehet në plasdarm të grupimeve të ndryshme ekstremiste kriminale".


Duke marrë shkas nga zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe Maqedoni, gjatë gjithë vitit 2001, Moska zyrtare, mediet, personalitete të ndryshme të jetës ruse etj. nuk lanë rast pa shfrytëzuar për të folur e shkruar kudër "terroristëve të UÇK-së", gjë që u rrit dukshëm mbas ardhjes së Putinit në postin e presidentit.


Edhe më herët, por veçanërisht në ketë periudhë filluan të përmenden me emër komandantë e aktivistë të UÇK-së. Kështu duke marrë shkas nga hedhja në erë e një autobusi ku u vranë shtatë serbë, "Roosijskaja Gazeta" e dt.21 shkurt shkruante: "Në Kosovë asgjë nuk ka ndryshuar.


Vazhdojnë të vrasin serbë" dhe më poshtë sulmohen ashpër "kriminelët shqiptarë që kanë vrarë e prerë serbët, si Agim Ceku, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Sokol Bashota, Naim Maloku, Shaban Shala, Rahim Ademi".
Në mars presidenti i ri i Rusisë V.Putin, deklaronte: "Në Ballkan po ndodh ajo që ne kishim paralajmëruar.


Mbas largimit të ushtrisë jugosllave nga Kosova, aty u krijua vakuum, të cilin e mbushën terroristët shqiptarë....", ndërsa po ato ditë në një emision televiziv të kanalit RTR, ndërmjet tjerave thuhej: "Menjëherë mbas largimit të trupave ushtarake e policore jugosllave nga Kosova, në vitin 1999, shqiptarët filluan vrasjet e serbëve. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë mbi 1500 serbë, një pjesë e të cilëve nuk dihet ku janë varrosur".


Kryetari i Bashkisë së Moskës, J.Lluzhkov ( kandidat me peshë për postin e presidentit të Rusisë) në një artikull të gjatë, botuar në gazetën "Izvestia" me 23 mars, duke folur për "terrorizmin shqiptar", ndërmjet tjerave shkruante: "Për terroristët dhe uzurpatorët e sotëm pseudonimi mysliman është thjeshtë një maskë e përshtatshme. Ekstremizmi i sotëm lidhet jo me fenë, por me mentalitetin mesjetar. Në qendër te Europës mund të shfaqet një vatër e mendimit mesjetar.


Dhe do të ringjallet rreziku i shpërthimit të rajonit, në sfondin e të cilit Çeçenia dhe Palestina do të ishin lodra kalamajsh në rërë. Që të mos mblidhen përsëri në Puantje dhe Vjenë, Europa duhet, qysh tani, të marrë vesh se ç'po ndodh në të vërtetë në Prishtinë....".


Me dt.21 maj, në një emision special të kanalit televiziv RTR, titulluar "Rebelët shqiptarë përgatiten për luftë" ndërmjet tjerave thuhej: "Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një organizatë terroriste që udhëhiqet nga Ashim Thaçi.


Pavarësisht se ç'far thuhet, ajo vazhdon të funksionojë njëlloj si më përpara, me të gjitha strukturat e mëparshme ushtarake". Siç shprehej Moska zyrtare, nëpërmjet një deklaratë të MPJ të dt.9 qershor "Ekstremistët dhe separatistët shqiptarë vazhdojnë të frikësojnë dhe të dëbojnë serbët dhe grupet e tjera të popullsisë jo shqiptare....".

Moska herë pas here deklaronte se "me terroristët nuk do të ulej asnjë herë në tavolinën e bisedimeve", madje përpiqej që të bindte edhe të tjerët.


Duke ecur me ketë logjikë, nga "terrorizmi i UÇK-së" u kalua në "terrorizmin kosovar", në "terrorizimin shqiptar në Maqedoni", e më vonë në "terrorizmin mbarshqiptar", madje si "një terrorizëm që lot rol kryesor në botë".


Me lajme për terroristët shqiptarë, UÇK-në terroriste, UÇK-në (Ushtria Kombëtare Çlirimtare) terroriste, terroristët shqiptarë të Kosovës, terroristët shqiptarë të Maqedonisë, terroristët shqiptarë të Shqipërisë etj., mbusheshin gazetat e lajmet e kanaleve ruse, aq sa për rusët e thjeshtë fjala terrorist jo radhë identifikohej me fjalën shqiptar.


Por ky ishte dhe qëndrimi i Moskës, dhe në të gjitha materialet zyrtare të asaj periudhe. UÇK-ja (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) emërtohej njëlloj, "terroriste" si UÇK-ja. Kështu në një deklaratë të MPJ të Rusisë me dt.17 korrik thuhej: "Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se në Maqedoni veprojnë jo disa "kryengritës", që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe të pakicës kombëtare, por terroristë të betuar".


Ndërsa me 13 gusht, po kjo Ministri deklaronte se "Si detonator i ngjarjeve të tanishme në Maqedoni, ka shërbyer vërshimi i terrorizmit dhe ekstremizmit nga Kosova".


Me dt.8 tetor presidenti Putin duke folur para Qeverisë ruse tha: "Atë që terroristët po bëjnë në Çeçeni që nga viti 1996, tani po e bëjnë në Kosovë, nga ku përpiqen të veprojnë edhe jashtë saj".


Ndërsa ish-kryeministri Primakov, në një leksion që mbajti ato ditë në Universitetin "Miqësia e Popujve" duke folur për "Trekëndëshin Afganistan-Kosovë-Kaukazi i Veriut"- e quajti atë -"Qendër të terrorizmit ndërkombëtar, ku brinja e parë, ajo Afganistan-Kosovë, luan rolin kryesor".


Gjatë periudhës 2002-2008, Moska duke dashur të kundërshtonte e të pengonte pavarësinë e Kosovës, krahas tjerave, herë pas here sulmonte UÇK-në, duke përsëritur ato që ishin thënë shumë herë, por tashmë në kushte të tjera, kur sipas saj "terroristët, kriminelët, trafikantët, fundamentalistët etj. të UÇK-së ishin bere politikanë, kryetarë partish, kryeministra, ministra etj.".


Është tepër domethënës qëndrimi i Moskës, mbas publikimit të Kujtimeve të Karla del Pontes.


Të gjitha mediet ruse i kushtuan një vend të dukshëm "krimeve të kryera nga shqiptarët kundër serbëve paqësorë", ndërsa institucionet zyrtare menjëherë u aktivizua me të gjitha mjetet e mundshme për ndërkombëtarizimin e problemit dhe për të "sqaruar deri në fund krimet e terroristëve shqiptarë dhe dënimin e tyre".


Në një deklaratë të MPJ , të dt.8 prill 2008 thuhej: "Në Moskë po ndjekin me vëmendje si po zhvillohen ngjarjet rreth Kujtimeve të ish Kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, Karla del Ponte për hetimin e krimeve çnjerëzore në territorin e ish Jugosllavisë.


Faktet që dolën në dritë për krimet çnjerëzore kundër popullsisë civile në Kosovë, të kryera nga luftëtarët e UÇK-së nën parullat e "luftës për pavarësi" janë shokuese. MPJ i është drejtuar Gjykatës së Hagës me kërkesë zyrtare për informacione, mbi krimet kundër serbëve të Kosovës që përmenden në Kujtimet e del Pontes dhe masat e marra për publikimin e tyre".


Zyrtarët dhe media ruse e cilësonin lufëtrët e UÇK-së si "terroristë shqiptarë"

Masakra e Reçakut, rusët: Shqiptarët e bënë vetë

Që me daljen e UÇK-së në skenë, Moska zyrtare dhe shumica e medieve ruse kanë dalë hapur kundër saj. Kështu me dt.2 mars 1998, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë dilte me ketë deklaratë: "Më 28 shkurt të këtij viti, në Kosovë ndodhën përleshje të trupave të armatosura të shqiptarëve të Kosovës me policinë serbe.


Ngjarjet filluan me sulmin e terroristëve shqiptarë kundër një patrulle policie serbe....Sipas të dhënave të MPB të Serbisë, gjatë aksionit të ndërmarrë si kundërpërgjigje, u vranë 16 terroristë ...". Gazeta "Izvestia' dt.4 mars shkruante : "Dhuna në Kosovë nuk i shpëtoi as Moskës. MPJ e Rusisë u solidarizua plotësisht me Beogradin dhe njëlloj si propaganda serbe të gjitha gjynahet ja hodhi "terroristëve shqiptarë".


Më 23 prill MPJ e Rusisë doli me një deklaratë tjetër ku thuhej: "Ditët e fundit, gjendja në Kosovë u ashpërsua përsëri. Ka njoftime për rritjen e veprimtarisë së organizatës terroriste të shqiptarëve të Kosovës, të ashtuquajtur "Ushtria Çlirimtare e Kosovës....", ndërsa Duma Shtetërore (Parlamenti i Rusisë) nëpërmjet një deklarate, akuzonte shqiptarët: "Duma e Shtetit dënon me vendosmëri çdo shfaqje të terrorizmit, ekstremizmit dhe separatizmit...".


Për ta paraqitur UÇK-në si organizatë "fundamentaliste" të lidhur me terroristët e Al Kaedës, me dt.22 korrik gazeta "Izvestia" shkruante: "Gjatë luftimeve në qytetin e Orehovacit (Rahovecit) janë vrarë e kapur robër 16 të huaj, nga të cilët gjashtë vetë nga Arabia Saudite, një nga Jemeni, katër arabë që jetojnë në Gjermani, si dhe pesë vetë të besimit mysliman me shtetësi maqedonase..".


Ish Kryeministri i Rusisë, E.Primakov shkruante: "Në fund të shkurtit 1998, situata në krahinë u acarua së tepërmi. Si shkak shërbeu sulmi i një grupi terroristësh të së ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës ndaj një patrulle policore serbe...".


Ndërsa drejtori i Institutit të Sllavjanistikës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, Pr. Dr. Vollkov shkruante se "Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një organizatë krejtësisht terroriste nisi të provokonte incidente...".


Aq e shqetësuar ishte Moska në atë periudhë nga veprimtaria "terroriste e UÇK-së" sa, në fund të vitit 1998, Shefi i Shtabit i Ushtrisë ruse i ka dorëzuar Uesli Klarkut një dokument , ku i propozonte "Që të bashkërendohen veprimet midis NATO-s dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë për të parandaluar futjen e luftëtarëve shqiptarë dhe armatimeve në Kosovë". Madje i propozonte që për këtë, "të bashkëpunojnë me forcat serbe, për të shkatërruar bazat dhe depot e armatimit të "terroristëve shqiptarë....".


Ish kryeministri i Bashkimit Sovjetik, N.Rizhkov në librin e tij "Golgotoja jugosllave" (Moskë v.2000) shkruante: "Gjatë vitit 1998, në territorin e Kosovë-Metohi, nga anëtarët e UÇK-së janë kryer 1884 akte terroriste, ku janë vrarë 288 vetë, ndërmjet të cilëve 173 civilë dhe 115 përfaqësues të Ministrisë Punëve të Brendshme të Serbisë, janë rrëmbyer 292 vetë, nga të cilët 173 serbë dhe malazezë dhe 100 shqiptarë. Nga këta, 31 vetë janë vrarë, 9 kanë arritur të ikin, 110 janë liruar dhe fati i 142 vetëve nuk dihet".


Që me fillimin e vitit 1999, pothuajse çdo ditë mediet ruse, MPJ, Duma Shtetërore, historianë, ushtarakë etj. flisnin e shkruanin për "veprimtarinë terroriste të UÇK-së". Kështu me dt.14 janar, MPJ ruse, organizoi një brifing vetëm për të dënuar "aktet barbare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës". Dhe kjo ndodhte vetëm pak ditë para publikimit të krimit serb në Raçak, për të cilin MPJ ruse u gjet e "papërgatitur". Por më vonë ajo u "përgatit" dhe doli me deklarata zyrtare antishqiptare.


Asaj i parapriu gazeta pro qeveritare "Roosijsakaja Gazeta" e cila me dt. 22 janar nëpërmjet artikullit "Dyzet kufoma dhe asnjë gëzhojë" , dilte me konkluzionin se "shqiptarët e kanë inskenuar vetë të gjithë ketë ngjarje" ( ndërsa më vonë, me dt.25 gusht 2000 "Njezavisimaja Gazeta" shkruante se: "Kurrfarë vrasjesh nuk ka patur në Raçak". Të njëjtën gjë do të thoshte edhe ministri i jashtëm Ivanov, madje do i quante "sjellje teatrale të shqiptarëve") .


Në deklaratën e Dumes Shtetërore, lidhur me ngjarjen e Raçakut thuhej: "Deputetët shprehin keqardhje lidhur me paragjykimet ndaj palës serbe, mbasi një nga faktorët e thellimit të dyshimeve dhe armiqësive midis palëve konsiston në mungesën e reagimit adekuat ndërkombëtar ndaj provokacioneve të njohura, përfshijë vrasjen dhe kapjen e serbëve prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".


Marti: "Hetimi u bë me iniciativën e Rusisë

Por Moska nuk u mjaftua me deklarata. Ajo ndërmori veprime konkrete. Siç thuhet këto ditë në Moskë me krenari, Rusia ka qenë nismëtare për hartimin e raportit të Dik Martit. Vetëm pak ditë mbas kësaj deklarate, delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, propozoi që Asambleja të merrte nën kontroll hetimin e krimeve të përshkruara nga del Ponte.


Kështu, kryetari i delegacionit rus Kosaçov, tha: "Ne mendojmë se në kushtet kur Tribunali hesht, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës duhet të marrë situatën nën kontroll, duke marrë parasysh faktet që sillen në librin e del Pontes", dhe shtoi se "Kjo Asamble ka përvojë për hetime të tilla, si për shembull ato për burgjet e CIA-s në Europën Lindore" (duke propozuar indirekt Dik Martin që të angazhohej me këtë punë, meqenëse ai kishte përvojë....).


Për të "ndihmuar" Dikun, që atëherë në Moskë filluan të flisnin me emra e akuza konkrete. Kështu, duke iu referuar gjyqit të Ramush Haradinajt, 'Rossijskaja gazeta" e dt. 4 prill 2008 shkruante: "Nuk përjashtohet që së shpejti të ngrihet padi edhe kundër Hashim Thaçit për rrëmbim civilësh serbë me qëllim shitjen e organeve".


Në muajin qershor, përfaqësuesi i Rusisë në OKB V.Çurkin deklaronte: "Ne e konsiderojmë si të pakënaqshme situatën në Gjykatën e Hagës. Ne presim nga Tribunali një raport të hollësishëm mbi masat e marra lidhur me zbulimet shokuese të ish prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë Karla del Ponte, lidhur me faktet që deri kohët e fundit janë mbajtur të fshehura nga Tribunali"


Ndërsa tani mbas publikimit të raportit të Martit, kryetari i Komisionit të Jashtëm në Dumës ruse, Kosaçov në një intervistë dhënë radios "Eho Moskvi" me dt.20 dhjetor deklaroi: "Raporti ka qenë i iniciuar nga delegacioni rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, dhe ketë ne e kemi bërë sapo u publikuan të dhënat përkatëse nga goja e Karla del Pontes.


Që nga ajo kohë është dashur një punë e kujdesshme për verifikimin e gjithë këtyre fakteve, dhe kjo vërteton se raporti nuk është përgatitur me ngut e brenda një afati të caktuar. Sigurisht që ne e kemi diskutuar ketë raport dhe unë i kam shprehur falënderimet zotit Marti, se raporti ishte përgatitur me ndershmëri e objektivitet, pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë".


Janë tepër kuptimplote intervistat e Dik Martit për "Rossijsakaja Gazeta" dhe radion "Eho Moskvi", mbas publikimit të raportit, ku ai pohonte se "hetimi u bë me iniciativën e Rusisë" dhe madje e falënderonte për këtë nismë...


Ashtu si në shumë vende të tjera, raporti i Dikut pati një jehonë të gjerë edhe në Rusi. Me këtë problem u morën ditë me radhë të gjitha mediet, ku u përsëriten ato qe ishin thëne shumë herë per UÇK-në e Ashim Thaçin, por tashmë duke përsëritur në ato që ishin shkruar në raport, apo edhe më parë në librin e Karla del Pontes. Më rëndësishmja ishte reagimi zyrtar i Moskës, e cila edhe një herë u përpoq ta shfrytëzonte këtë rast në mbrojte të politikës së Beogradit, për të kundërshtuar përsëri pavarësinë e Kosovës.


Me dt.15 dhjetor ishte në Moskë për vizitë Ministri Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministri i Jashtëm i Rusisë, S.Llavrov deklaroi: "Lajmet për trafik organesh njerëzore ka kohë që janë përhapur. Tani, siç e kuptoj unë, është bërë një punë profesionale për verifikimin e këtyre fakteve. Ky raport nuk duhet të mbetet një dokument sekret, por duhet përhapur sa më shumë".


Kjo ishte sa për ti "venë vulën" atyre që kishte thënë Dik Marti, por kryesorja për Llavrovin ishte që, duke marrë shkas nga ky raport, të fliste kundër pavarësisë së Kosovës, madje ti kthehej edhe një herë këtij problemi, sepse sipas tij: "Problemi i Kosovës duhet të zgjidhet vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së".


Ndërsa me dt.17 dhjetor, MPJ e Rusisë deklaroi zyrtarisht se nuk i njihte zgjedhjet në Kosovë, mbasi siç tha zëdhënësi i saj Sazonov "Ato janë organizuar nga pushtetarë të një Republike të vetëshpallur.....".


Sipas MPJ të Rusisë "Përderisa në dokument bëhet fjalë për krime monstruoze, e për më tepër kur dyshohet si pjesëmarrës në veprimtarinë kriminale Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi...", mosnjohja e Kosovës, është edhe më e "bazuar". Por njëkohësisht MPJ ruse "porosiste" Asamblenë Parlamentare të këshillit të Europës "Që në sesionin e janarit ta diskutojë me seriozitetin më të madh ketë dokument dhe të marrë vendimet përkatëse".


Po atë ditë deputeti rus Vjatkin, anëtar i delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare deklaroi se "Të gjithë e dimë se këta njerëz (udhëheqësit e Kosovës) kanë një reputacion të dyshimtë, për të thënë më hapur, janë kriminelë lufte". Ndërsa ambasadori i Rusisë në Beograd A.Konuzin në një intervistë dhënë radios "Gollos Rosii" akuzoi OSBE-në se "ka zhdukur arkivat", dhe pushtetarët e Shqipërinë se "bllokojnë me të gjitha mënyrat çdo lloj hetimi për ketë problem".


Siç u shpreh ai: "Del qartë se udhëheqja e UÇK-së është e implikuar në shumë krime.....Akuzat për liderët kosovarë janë aq publike sa nuk mund të injorohen. Nuk mund të injorohen, jo vetëm sepse ato janë bërë në të kaluarën, por edhe sepse situata në ketë territor, nuk po rregullohet aspak".


Me të drejtë lind pyetja: Po tanët, qeveritarë e deputetë, diplomatë e zyrtarë, ata që shkojnë neper Europë, në Strasburg e Bruksel, në OKB e shumë organizma të tjera ndërkombëtare, a e kanë ditur se ç'po përgatiste Dik Marti, dhe a janë marrë seriozisht me këto probleme? Në se nuk e kanë ditur, lind edhe pyetje tjetër, më e rëndësishme.


Vallë me çfarë merren terë këta njerëz që marrin rroga e dieta (të gjitha nga taksapaguesit), dhe sa i si i mbrojnë interesat e Shqipërisë e shqiptarëve ( të të gjithë shqiptarëve pa përjashtim, sepse tani ne po akuzohemi si komb). Dhe së fundi, në se e kanë e ditur, atëherë përse kanë heshtur?


No comments: