Friday, January 14, 2011

Enver Hoxha, festivali i 11-të (22 dhjetor-25 dhjetor 1972), Ramiz Alia dhe Todi Lubonja -१-

NGA SKIFTER KËLLIÇI
Terror mbi byroistë dhe ushtarakë të lartë!...

Pa kaluar ende një vit, hobeja që mbante në dorë Goliathi, Enver Hoxha, u shndërrua në shpatë, në Plenumin e 5-të të KQ të PPSH-së, që u mbajt më 25-28 korrik të vitit 1974, kur u analizua dhe u dënua veprimtaria armiqësore e Beqir Ballukut ish-ministër i Mbrojtjes, armik i betuar i partisë dhe i popullit, agjent në shërbim të armiqve të jashtëm të RPSSH, dhe një vit më pas në Plenumin e 6-të, që u mbajt më 16-17 dhjetor, i cili dënoi veprimtarinë armiqësore të pasuesve të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Cakos, Rrahman Parllakut, Dilaver Pocit dhe shumë ushtarakëve të tjerë madhorë, gjithnjë në fushën e spastrimeve në ushtri. Kjo shpatë pastaj u vërtit në fushën e ekonomisë, duke prerë koka të tjera në Plenumin e 7-të (25-26 maj 1975), ku anëtarët e Byrosë Politike dhe ministrat Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi etj., për gabime të rënda në fushën ekonomike u dënuan si armiq të Partisë.

Apogjeun e kësaj fushate dënimesh e spastrimesh të papara, këtë radhë që të ruante pushtetin e tij gjakatar, ky tiran e arriti më 1981-82, kur eliminoi me vetëvrasje, a vrasje, kryeministrin Mehmet Shehu dhe ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, të cilët, sipas tij prej vitesh përgatitnin një komplot të madh dhe të rrezikshëm për të rrëzuar pushtetin popullor, komplot ku bënte pjesë edhe Todi Lubonja e Fadil Paçrami (Enver Hoxha, Vepra, faqe 9,1986).

Edhe shkrimtari i madh francez Zhyl Vern po të ishte gjallë, do t’ia kishte zili Enver Hoxhës për këtë fantazi të harlisur, që sajonte komplote pas komplotesh, të cilat zbuloheshin me vigjilencë… nga Partia (domethënë nga ai vetë e askush tjetër).

Ka të drejtë Ramiz Alia kur shkruan në libri e tij “Jeta ime” se ai vuante: “Nga një farë paranoje, për mendimin tim e justifikuar”(faqe 199), por në fakt aspak e justifikuar.

Cili ishte Enver Hoxha?

Në kapitullin “Vdekja e Enver Hoxhës”, të librit “Jeta ime”, midis të tjerash, duke bërë vlerësimin e këtij diktatori hitleriano-stalinist, Ramiz Alia shkruan kështu:

“Enver Hoxha gëzonte një respekt e një dashuri të veçantë dhe se masat e gjera popullore kishin tek ai një besim të patundur…Njerëzit, që gjatë 50 vjetëve ishin mësuar ta shihnin dhe ta dëgjonin në raste të shumta, në gëzime e në hidhërime, thoshin se ai ishte ‘i pavdekshëm’…Enver Hoxha ishte personalitet politik…Për pesë dekada ai ka qenë udhëheqësi kryesor i Shqipërisë, i respektuar dhe i dashur nga njerëzit… ishte në kuptimin e vërtetë të fjalës burrë shteti…” (faqe 314, 315, 316).

Pa dashur të bëj as më të voglën polemikë, t’i vë në dyshim ose t’i kundërshtoj këto epitete që Ramiz Alia ia atribuon atij, po citoj vetëm disa përcaktime të nxjerra nga zëri ENVER HOXHA, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, 2008, që është përgatitur dhe miratuar nga akademikë, profesorë, doktorë të shquar, pra personalitete të specializuara në studimin e historisë së Shqipërisë, me prirje qoftë të majta ose të djathta, të cilët arrijnë në të njëjtin përfundim:

“Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës në Shqipëri u vendos një diktaturë staliniste, u zbatua një luftë e ashpër klasash e shoqëruar me shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut, me përndjekje e dënime edhe kapitale të kundërshtarëve politikë…

Veprimtaria e PPSH-së, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, u karakterizua nga goditje të vazhdueshme të grupeve të cilësuara si armiqësore, pasojë e luftës së klasave, që u shtri edhe në radhët e saj. Enver Hoxha kundërshtoi çdo orvatje për ndryshim dhe liberalizim të sistemit… Gjatë viteve që drejtoi shtetin, ekonomia e në përgjithësi energjetika, arsimi, kultura shëndetësia, njohën ritme të larta zhvillimi. Por masat radikale që u zbatuan në ekonomi çuan në likuidimin e plotë të pronës private e të nismës private dhe në krijimin e sistemit të ekonomisë së centralizuar që rezultoi e paefektshme dhe në fund dështoi duke e futur vendin në një krizë të përgjithshme…

Në politikën e jashtme Enver Hoxha ndoqi një kurs të ashpër që çoi në izolimin e vendit nga bota” (faqe 958 e veprës së mësipërme).

Duket Ramiz Alia, kur ka shkruar këto radhë, ka harruar, ose nuk e ka ditur se çfarë shkruhet në këtë botim të fundit të Akademisë së Shkencave. Por me sa duket, ai ka harruar gjithashtu se në diskutimin autokritik që bën në Plenumin e Beratit, të mbajtur në nëntor të vitit 1944, Enver Hoxha shprehet në këtë mënyrë për veten e tij:

“U afrova me Grupin e Korçës. Të tjerët mendonin se isha udhëheqësi i tij. Unë isha simpatizant.

Kur u krijua Partia, u gjenda në KQ, hyra me propozimin e Koço Tashkos.

Në Konferencën e Vendit më avancoi Miladin Popoviçi. Propozimin për sekretar politik e kanë bërë Dushani dhe Liria. U shpreha se nuk e bëja dot këtë detyrë dhe propozova Koçin.

Detyrën e Komisarit të Shtabit të Përgjithshëm e kam quajtur të pamerituar. Nuk dija të organizoja ushtrinë.

Ishte vështirë që organet e Partisë të funksiononin rregullisht në kohën e luftës. Kisha frikë të thërrisja mbledhjet e forumeve, se ato kërkonin përgatitje e nuk bëja dot.” (AQSH, Fondi 14, Dosja 2, nëntor, 1944).

Ja cila është fytyra e vërtetë e Enver Hoxhës. Duket përsëri se Ramiz Alia “harron” (këtë radhë nuk është se nuk i di) pasojat e tmerrshme që pati populli gjatë regjimit të tij despotik, të cilin ai e trashëgoi pas vdekjes së tij, më 15 prill të vitit 1985, që duhet t’i kishte përfshirë në librin e tij:

Të pushkatuar: 5477 burra dhe 450 gra.

Të burgosur: 26.768, nga të cilët të vdekur 998 burra dhe gra.

Të çmendur nga torturat: 308 burra dhe gra.

Të internuar në kampet e përqendrimit: mbi 32 mijë vetë, nga të cilët, burra dhe gra vdiqën 7022 vetë, pa përmendur me qindra mijëra dosje për qytetarë, me fakte komprometuese, pjesa dërmuese e të cilëve u detyruan të bëheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, se ndryshe kalleshin në burg për 10-15 vjet, sipas nenit 55 për agjitacion dhe propagandë të Kodit Penal dhe familjet e tyre internoheshin. Dhe ky Sigurim drejtohej nga Ministria e Brendshme, e cila mbulohej, kontrollohej dhe merrte udhëzime nga Hysni Kapo, dora e djathtë e Enver Hoxhës në KQ të Partisë dhe nga Mehmet Shehu, kryeministri, pra nga vetë Enver Hoxha dhe pastaj nga vetë Ramiz Alia, që nuk bëri përpjekjet e duhura që ta fshinte një herë e përgjithmonë këtë nen të Kodit të tmerrshëm Penal të Shqipërisë “demokratike”.

Shifrat e mësipërme janë të publikuara nga Instituti i të Përndjekurve Politikë, mbi bazën e dokumenteve të ruajtura në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve të diktaturës. Dhe, çuditërisht, Ramiz Alia jo vetëm nuk mori masa për të liruar qindra e qindra të burgosur, intelektualë dhe klerikë të kulturuar, por nuk e bëri këtë as për Fadil Pacramin dhe as për mikun e tij, Todi Lubonjën, sepse “...problemet e mëdha që kishin të bënin me fatin dhe të ardhmen e të gjithë vendit… më vonuan të ndihmoj shokun tim” (faqe 266 e librit “Jeta…”).

Burimin e këtyre pasojave të tmerrshme, “pra të deformimeve dhe veprimeve të pajustifikuara në emër të luftës së klasave, kufizimit të lirive të individit dhe izolimit të vendit etj., siç shkruan ai në parathënien e këtij libri, i shpjegon kështu:

“Jo rrallë organet e diktaturës, veçanërisht ato të Sigurimi të Shtetit, kapërcenin kompetencat e caktuara me ligj. Kështu, si pasojë e deformimeve të ndryshme kanë vuajtur padrejtësisht edhe njerëz të pafajshëm, bile edhe familjet e tyre…” (faqe 8 e veprës “Jeta ime”).

Pohim jo plotësisht i saktë, sikur të përmendim vetëm pasojat që solli Plenumi i 4-t i PPSH-së, shkas i të cilit u bë me qëllim nga diktatori Enver Hoxha Festivali i 1-të i Këngës në RTVSH, më 1972, që analizova në këtë dossier…Të gjitha dënimet, siç e pamë, u bënë më nismën tij dhe vetëm të tij, sepse ai qëndronte mbi Sigurimin, mbi partinë, mbi shtetin, mbi popullin, mbi Shqipërinë.

Sidoqoftë, ashtu siç është nënvizuar në pjesën e parë të këtij cikli, Ramiz Alia nënvizon se “duke kthyer kokën prapa, pa dyshim ka arsye të bëjmë autokritikë dhe t’i kërkojmë ndjesë popullit: “…për vuajtjet që padrejtësisht u janë shkaktuar disa njerëzve të veçantë, si pasojë e zhvillimit të ashpër të luftë së klasave, apo shkeljes së ligjeve nga ana e organeve represive dhe organizmave të tjerë të partisë-shtet” (po aty, faqe 9).

Përsëri pohim i vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Vetëm me një korrigjim të madh: ata që vuajtën nuk ishin disa njerëz të veçantë, por me mijëra e mijëra, siç del nga shifrat që përmenda më lart.

Edhe diçka tjetër me shumë rëndësi: këtë falje që i kërkon popullit Ramiz Alia, ka detyrë ta bëjë, madje sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe e shoqja e diktatorit, Nexhmie Hoxha, pra të kërkojë edhe ajo falje. Duke u shkëputur njëherë e mirë nga dashuria për bashkëshortin, nga kujtimet e saj si baba shembullor, siç e ka përshkruar me të drejtë në të gjithë artikujt, intervistat, librat e saj, sepse i tillë duket se ka qenë ai në familje, më së fundi të ketë guximin ta quajë Enver Hoxhën si burimin e shumë të këqijave që pësoi populli shqiptar dhe Shqipëria gjatë gjithë periudhës së diktaturës, të cilat i vë në dukje shoku dhe bashkëpunëtori i saj i ngushtë që në vitet e rinisë, Ramiz Alia, në librin e tij “Jeta ime”.

Jo vetëm kaq, por Nexhmia duhet të pranojë më së fundi botërisht se ka qenë, siç thonë romakët e vjetër, alter ego e tij, pra “një tjetër unë, se ai dhe ajo ishin si vëllezër siamezë, se në çdo veprim kriminal Enver Hoxha është këshilluar para së gjithash me të dhe vetëm me atë, të cilën shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare e ka quajtur “Ledi Makbeth”.

Epilog

Po mbushen 39 vjet nga zhvillimi i Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH. I ndodhur kaq larg atdheut, kujtoj këtë shfaqje të bukur, kujtoj ç’ndodhi më pas, ngjarje të cilat jam munduar t’i përshkruaj edhe në romanin tim “Festivali i njëmbëdhjetë” dhe thjesht historikisht, në këtë cikël. Kujtoj atë natë të festivalit, kur shkova pas skene për të uruar, si plot të tjerë, dy paraqitësit e programit, Edi Luarasin dhe Bujar Kapexhiun, regjisorin Mihal Luarasi, disa nga këngëtarët që i njihja, midis të cilëve Justina Aliajn, drejtuesin e orkestrës së vogël frymore, Gaspër Curcinë…

Dhe tani më bëhet sikur shoh një përbindësh, që me shpatë në dorë depërton mërishëm në këtë mjedis kaq të hareshëm. Është Enver Hoxha. E vërtit shpatën pa mëshirë mbi kokat e festivalistëve, pastaj mbi kokat e atyre që kanë organizuar vetë festivalin. Pastaj del me furi jashtë për të prerë koka, kudo nëpër Shqipëri e, madje edhe… në tërë rruzullin tokësor, siç thonë edhe vargjet e këngës:

“Enver Hoxha e mprehu shpatën, /edhe një herë, o, për situatën, /Kjo asht shpata që u rri te koka, /Gjith’armiqve që ka sot bota!..”.

Është e çuditshme se si një paranojak i tillë pëlqente që kjo këngë të përhapej e këndohej kudo si himn, kur në vargjet e saj ai pranon se nuk ishte veçse një tiran sadist, i pushtuar nga deliri i madhështisë, që, madje, ishte gati të zhbinte tërë armiqtë e tij kudo që të ishin, pra në tërë rruzullin tokësor.

Dhe, pasi sundoi me gjak dhe hekur, ky Goliath mbeti pas vdekjes i ngrirë mbi një piedestal në sheshin “Skënderbej”, ku hija e tij përsëri dukej sikur nderej kërcënueshëm mbi tërë Shqipërinë.

Nuk e dinte se një ditë populli i këtij vendi të sfilitur do të ngrihej, do ta rrëzonte dhe do ta bënte copë e çikë shtatoren e tij.

Më 20 shkurt të këtij viti mbushen plot 20 vjet nga kjo ditë e lume…

Fund

Boston, tetor-nëntor, 2007- dhjetor 2010

No comments: