Oferta e çimkës: Mos të prishet Piramida
Kryeministri Berisha bëri të ditur dje se në këmbim të mostransmetimit të pamjeve filmike që përmbante videoja e përgjimit e bërë nga ish-ministri Dritan Prifti i janë bërë oferta dhe pazare deri edhe në mos prishjen e Piramidës. Duke iu përgjigjur interesit të medias lidhur me këtë çështje, Berisha e cilësoi videon e publikuar të përgjimit të bisedës mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, një montim diletantesk të bërë për qëllime përfitimi. Gjithashtu kreu i qeverisë u ndal edhe në pazarin, që deputeti Prifti ka tentuar të bëjë në shkëmbim të asaj videoje, duke kërkuar oferta nga Kryeministri. Sipas tij videoja u ofrua për të, por ndërsa iu përmbajt moralit ai nuk e pengoi që ajo të shfaqej. "Në rast se merr përsipër të falsifikosh dhe të montosh ndaj Kryeministrit të vendit, merret me mend se çfarë i pret qytetarët e tu nesër kur të jetë në pushtet. Ajo video ka ardhur tek ju, sepse kam dashur unë. Është e vërtetë që Dritan Prifti më ka ofruar videon, por i kam thënë çoje ku të duash, është shumë e vërtetë. Është e vërtetë, që janë bërë shumë oferta të tjera deri tek Piramida ku jetoni që të mos prishet, por Kryeministri i këtij vendi as nuk blen dhe as nuk shet. I përmbahet një morali dhe disa parimeve. Ju videon e morët, sepse nuk e mora unë, po ta merrja unë ju nuk e merrnit, por kjo nuk mund të ndodhte, sepse nuk është morali im. Pse e kanë trukuar shpirti i tyre e di, pse e kanë falsifikuar morali i tyre e di, shkoni pyetni ata. Një gjë është e sigurtë, po të doja unë videoja nuk vinte tek ju. Sikundër unë iu besoj shumë lirive dhe të drejtave njerëzore dhe këto janë probleme të tjera, por videoja erdhi tek unë dhe unë nuk e pengova. Ata që tentuan të nxjerrin favore me videoja tek unë, ata dështuan, u dëshmuan falsifikatorë ordinerë, manipulues të paskrupull, u dëshmuan ashtu siç janë zogj bunkeri, nga i cili nuk kanë për të dalë kurrë", u shpreh Berisha. Pamjet e shfaqura në Top Channel janë vënë në dispozicion të Prokurorisë. Organi i akuzës që ka hapur hetimet për korrupsion aktiv e pasiv, ka në dorë edhe kasetën origjinale. Një gjest, i cili është vlerësuar edhe nga kreu i qeverisë, i cili shprehu garancinë për lehtësimin e punës së Prokurorisë. "Dua të përgëzoj Prokurorinë e vendit, e cila vendosi me përgjegjësinë më të madhe, shpejtësinë më të madhe hapjen e hetimit për këtë çështje dhe dua ta garantoj se do të ketë çdo lehtësi jo vetëm për këtë, por për çdo hetim që do të ketë nevojë, ndaj çdo zyrtari të këtij vendi. Ne jemi të vendosur të respektojmë plotësisht dhe tërësisht institucionet e pavarura të vendit, sistemin tonë juridik dhe e them këtë me besim të plotë", u shpreh ai.
Prokuroria do t'i zbardhë që të gjitha. Çuni i Kiços, Kristaqit apo Xhelilit drejt bunkerit të etërve të tyre
Berisha-Ramës: Me çimka nuk vjen kurrë në pushtet
Me montimin e përgjimeve si dhe përfitimet që pret të nxjerrë prej tyre, kreu i PS, Edi Rama nuk bën gjë tjetër veçse ndjek rrugën e shëmtuar të Bllokut, goditjen e kundërshtarit me falsifikime. Kryeministri Berisha përgëzoi publikimin e përgjimit, të montuar sipas tij midis Metës dhe Priftit, e cila tregon fytyrën e vërtetë të bllokmenëve të rinj. Berisha dënoi montimin, ndërsa i trembej faktit se deriku shkon egërsia e Kryesocialistit Rama për pushtet, gjest i cili mund të shfaqet edhe tek populli i thjeshtë. Gjithashtu ai theksoi se me montimin dhe trukimin e videos, Rama dëshmoi se aq i paskrupull dhe amoral, saqë për të luftuar kundërshtarin mund të bëjë çdo falsifikim. "Më duhet të falënderoj, jo pa sinqeritet Edvin Kristaq Ramën, e them haptas për nderin që më bëri. Me montimin dhe trupimin e videos Edvin Kristaq Rama, dëshmoi se është i biri i të atit, se është aq i paskrupull dhe amoral, saqë për të luftuar kundërshtarin mund të bëjë çdo falsifikim. Në këtë aspekt nuk mund të mos jem i hapur këtu, se dalja e tij lakuriq jo me lëkurë, por me moral është vendim i tij jo i imi. Kultura e bunkerit është ajo çka unë nuk do të rresht së demonstruari shqiptarëve se çfarë përfaqëson. Një qëndrim të tillë e mbajnë vetëm larvat e bunkerit të Bllokut, neobllokmenët. Të cilët janë të aftë të sajojnë çdo gjë, të montojnë gjithçka pa asnjë lloj skrupulli, sepse mendojnë se në këtë mënyrë i afrohen pushtetit. Por unë iu them qytetarëve shqiptarë, imagjinoni ju se çfarë mund të bëjë ky njeri me ju, po të ketë pushtet, kur ndaj Kryeministrit nuk përmbahet dot dhe monton, trukon video dhe dokumente", theksoi Berisha. Këtë rast kreu i qeverisë e konsideroi të njëjtë me "çimkën", që një tjetër djalë i drejtuesve të regjimit komunist, Spartak Ngjela, i biri i Kiço Ngjelës bëri duke përgjuar Kryeministrin e një vendi nëpërmjet një ore-kamer. Ky përgjim sipas Berishës është shumë më i evoluar saqë do të përbënte lakmi për regjimin e egër komunist drejtues, të së cilit ishin etërit e drejtuesve të opozitës së sotme. "Tenxhere dhe kapak. Është bashkuar i biri i Kiços me të birin e Kristaqit dhe merren me çimkat, etërit do t'ua kishin lakmi, ndërsa ky ati shpirtëror do t'u jepte një dekoratë. Unë jam Kryeministri i vendit, në rast se çuni i Kiços vuri orën dhe regjistroi bisedën time, çuni i Kristaqit urdhëroi fatkeqin e Top Channel të montojë videon. Nuk ka këtu asgjë tjetër vetëm demonstrim të moralit të etërve të tyre. Po flas dhe është fat i madh, që këto janë në duar të Prokurorisë dhe Prokuroria do t'i zbardhë që të gjitha. Por unë them këtu se as çuni i Kiços dhe as çuni i Kristaqit, as i i Xhelilit, as i ndonjë tjetri, nuk do të munden kurrë, që as me çimka, as me truke të vijnë në pushtet. Kështu vetëm largohen drejt bunkerit të etërve të tyre. Ndaj dhe ajo që mund të them edhe njëherë është se e falënderoj të birin e Kristaqit, që dubloi në këtë rast të birin e Kiços, në çimkëzimin. Çimka ishin ata në bunker, çimka mbetën dhe në liri. Zoti i çliroftë shpirtrat e tyre", u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë gjatë reagimit të tij vlerësoi lënien e imunitetit nga zëvendëskryeministri Ilir Meta për t'u treguar i gatshëm për një hetim të plotë pa mbrojtje nga organ i akuzës.
Montimi i përgjimit, manipulimi i 35 sekondave filmike
Videoja e përgjimit të bisedës mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit teknikisht është një montazh dhe kjo vërehet fare qartë nga minutazhi i pamjeve filmike, bisedat e të cilave kapërcejnë nga 25 deri në 35 sekonda. Ky kapërcim vërehet në bisedën kur flitet për miratimin, që sipas videos, "Meta ka marrë nga Kryeministri Berisha për koncesionin e një hidrocentrali", bashkëbiseduesit kanë folur për një çështje tjetër, që nuk ka të bëjë me këtë koncesion. Videos i mungojnë të paktën 30 sekonda pas pjesës kur flitet për koncesionin, në minutën e 29 e 43 sekonda, ndërsa përgjigjja e Metës, "për vënien në dijeni të Kryeministrit" jepet në minutën e 30 e 05 sekonda. Duke reaguar për këtë video dhe montazhin diletantesk Kryeministri Berisha kërkoi nga Prokuroria të hetohet vërtetësia e saj. "Një material i trukuar në mënyrë diletanteske, që kapërcen nga sekonda e 43 në sekondën e 4 të minutës nuk mbetet gjë tjetër, veçse të hetohet nga Prokuroria në mënyrë të plotë", u shpreh ai. Pamjet e shfaqura e faktojnë montazhin, madje dhe vetë autori i përgjimit, ish-ministri Dritan Prifti, ka pranuar se në pjesën e hequr, kur flitet për miratimin, që sipas videos, Meta ka marrë nga Kryeministri Berisha për koncesionin e një hidrocentrali, bashkëbiseduesit kanë folur për një çështje tjetër, që nuk ka të bëjë me këtë koncesion. Videos i mungojnë të paktën 30 sekonda pas pjesës kur flitet për koncesionin. Por fakti që në këtë pjesë është folur për tjetër gjë dhe jo për koncesionin e hidrocentralit, siç lihet të kuptohet nga montazhi i filmimit, pranohet edhe nga Dritan Prifti. Manipulimin e videos së xhiruar prej tij, Prifti e ka pranuar në një intervistë për gazetën "Shekulli". "Për aq sa mban mend ish-ministri Prifti, në atë pjesë të videos diskutohet për emërime të tjera që Ilir Meta kërkonte që të bëheshin në administratën shtetërore. Në pjesën e prerë ndodhen porositë e emërimeve", shprehet Prifti, duke faktuar ndërhyrjet në videon e publikuar.
Topi: Prokuroria të bëjë transparencën e ngjarjes
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka kërkuar që videoja e përgjimit Meta-Prifti të mos komentohet para se Prokuroria të thotë fjalën e saj. Nga Pogradeci në përfundim të vizitës së tij, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Topi kërkoi që organi i akuzës të bëjë transparencën e hetimit të kësaj çështjeje, ndërsa ftoi të tjerët të presin vendimin e saj. "Inkurajoj Prokurorinë të bëjë punën e saj, të hetojë dhe të bëjë transparencë hap pas hapi, sepse ka mjaft ngjarje, që kanë një sensibilitet të lartë publik, me të drejtë dhe këto ngjarje duhet patjetër të çertifikohen hap pas hapi, qoftë në sensin e pohimit të gjërave, qoftë në sensin e kontestimit të gjërave. Pra, kemi nevojë të respektojmë institucionet, shtetin ligjor dhe vetëm atëherë do të shkojmë në parametrat e shtetit të së drejtës. Komentet politike pastaj nuk më takojnë mua t'i bëj, u takojnë të tjerëve. Edhe një herë, edhe kjo bën pjesë në vlerësimet politike. Unë jam President i Republikës dhe i trajtoj çështjet me shumë rigorozitet, në sensin ligjor dhe institucional. Fakti që kjo çështje është në dorë të Prokurorisë, pra, le ta lëmë Prokurorinë të punojë, por edhe të bëjë transparencë, në të gjithë procesin", u shpreh Topi. Gjithashtu sipas tij kjo është një çështje e Institucionit të Prokurorisë, duke inkurajuar Prokurorinë, jo thjesht në sensin për të bërë detyrën e saj.
Kreshnik MERSINLLARI
No comments:
Post a Comment