Saturday, November 13, 2010

"Vajzën gjermane e përdora si karrem për t'u arratisur"


Historia e arratisjes së Qemal Voglit, e treguar nga vetë ky i fundit, vazhdon me serinë e gjatë të pyetjeve dhe përgjigjeve në hetuesi. "Të uritur" për t'i nxjerrë nga goja ndoshta edhe gjëra të paqena, drejtuesit e atëhershëm të regjimit komunist ndryshojnë edhe hetuesin, duke caktuar më 24 tetor 1956 (dy ditë më vonë) kapitenin I, Gaqo Meçi (edhe ky hetues i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme), që ta rimerrte në pyetje Qemal Voglin. Meçi ka kërkuar më shumë detaje nga Qemali, duke u munduar që të rrokë edhe impresionet e atyre momenteve kur legjenda e portës shqiptare kishte pasur që nga njohja te liqeni me vajzën gjermane e deri tek aventurat sa në njërin kamp në tjetrin. Në pjesën e parë të serisë së gjatë të pyetjeve Vogli tregon me imtësi sesi pati përdorur gjermanen si justifikim, karrem, jo vetëm për t'u larguar nga vendi ku ishin edhe pjesa tjetër e ekipit por edhe për t'i treguar rrugën drejt Berlinit Perëndimor, ku ishte edhe synimi parësor i tij.
Pyetje: Që kur dhe si u lindi ideja për t'u arratisur jashtë shtetit?
Përgjigje: Ideja për t'u arratisur jashtë shtetit më lindi në Gjermani, ashtu siç e kam thënë në procesin e parë. Arsyeja që unë ika, ka qenë se nuk trajtohesha mirë nga shokët, zihesha me familjen sa ndava gruan, po ashtu dhe më ishte rritur mendja.
Pyetje: Si u larguat nga kampi ku pushonin shokët tuaj?
Përgjigje: Minutat e fundit kur u arratisa, ndodhesha në liqenin afër kampit, ku pushonim ne sportistët. Këtu unë bisedoja me një vajzë gjermane, që nuk e njihja. Po e pyesja se pse nuk lahesh (me shenja), ajo më thoshte për këmbën, se i dhembte (me shenja). Pesëdhjetë metra larg nesh ishin të gjithë shokët, vetëm Skënder Jareci, Refik Resnja e Gani Merja nuk ishin. Kur po rrija me këtë vajzën gjermane, vjen kapiten Gani Kodra. Në atë çast, i thashë atij: po ti ç'do këtu, do me fut hundët gjithkund? Këtë i thashë ashtu kot, sa për të rënë në sy të asaj femrës. Në këtë kohë u ngrita dhe u largova në drejtim të pazarit për t'u qethur. Shkova deri tek rrojtorja, por nuk hyra brenda dhe ika në drejtim të rrugës për në Berlin. Deri atje shkova me këmbë, duke u ndalur vende-vende dhe mbërrita në orën 21.00 në Berlinin Lindor. Atje mbërrita në orën 21.30. Kam qenë i veshur me bluzën e sportit, pa xhaketën dhe pantallonat gri.
Pyetje: Si mundët dhe gjetët rrugën që shkuat nga kampi në Berlinin Lindor e nga Berlini Lindor në atë Perëndimor?
Përgjigje: Prej kampit deri në Berlinin Lindor kam shkuar nëpërmjet një qyteti të vogël dhe një katundi me pak shtëpi. Në qytetin e vogël pyeta një që skaliste gurë për Berlinin dhe më tha se është 7 km larg. Në katund nuk pyeta njeri tjetër, po ika sipas rrugës së trenit, se kështu më tha me shenja ky gjermani. Nga Berlini Lindor në Berlinin Perëndimor kam shkuar duke ditur se afër stadiumit ishte kufiri. E gjeta stadiumin dhe aty u arratisa për në Berlinin Perëndimor.
Pyetje: Gjatë rrugës prej kampit në Berlin, a keni udhëtuar me ndonjë automjet?
Përgjigje: Gjatë rrugës prej kampit në Berlin, nuk kam udhëtuar me ndonjë automjet. E bëra rrugën në këmbë. Ndalova vetëm te qyteti i vogël me atë burrin që skaliste nja treçerek ore ose një orë dhe vetëm kaq.
Pyetje: Çfarë bisede tjetër keni bërë me vajzën gjermane te liqeni?
Përgjigje: Unë vajzën gjermane që ishte te liqeni e kam pyetur nga je, ajo më tha nga Berlini. Më tha që do rrinte pesëmbëdhjetë ditë aty në atë qytet ku ishim edhe ne. Këto m'i tregoi me shenja dhe unë gjithashtu.
Pyetje: Me gojë thatë më parë se "i thashë vajzës gjermane se nga bie Berlini, ajo më tregoi". Na tregoni, cilës vajzë gjermane?
Përgjigje: Të thashë kështu, që i thashë asaj vajzës se nga bie Berlini dhe ajo më tregoi, po unë këtë gjë nuk ia pata thënë asnjërës nga vajzat gjermane. Këtë e thashë kot, u ngatërrova.
Pyetje: Kur u nise për t'u arratisur, pse i propozuat Gani Merjes të vinte për t'u qethur? Nuk ishte pengesë për ju ky?
Përgjigje: Unë në atë moment nuk kisha qëllim për t'u arratisur. Po të vinte Ganiu me mua do të shkoja në rrojtore për t'u qethur dhe nuk do të arratisesha. Kur isha vetëm në pazar, si kalova rrojtoren, vendosa që të arratisem.
Pyetje: Kur vendose për t'u arratisur, pasi vajte në pazar? Pse e gënjeve Resnjën dhe Jarecin që u the se ma bëri me sy kjo vajza dhe po i shkoj pas?
Përgjigje: Unë pasi takova Ganinë dhe nuk erdhi në pazar, m'u prish mendja e vendosa që të iki, të arratisem dhe për këtë arsye unë e gënjeva Refikun dhe Skënderin kur i takova afër pazarit, që u thashë se ma luajti syrin kjo vajza dhe po i shkoj pas.
Pyetje: Na tregoni konkretisht, në ç'orë mbërritët në Berlin, si kaluat kufirin dhe ku shkuat mbasandaj?
Përgjigje: Në Berlin kam mbërritur nga ora 9.00. Kufirin e kam kaluar në orën 9.30 më duket, e kam kaluar te stadiumi ku kemi luajtur ne që e ka emrin "Valter Ulbriht". Hyra brenda në stadium dhe kufirin e kam kaluar në anën e majtë të stadiumit, ku ishte një ndërtesë e madhe që kish një oborr: unë u futa në oborr të ndërtesës së sipërme e kalova prapë murin dhe në atë çast unë isha në zonën perëndimore të Berlinit. Në ndërtesën brenda kishte drita, por mua nuk më pa njeri. Stadiumi nuk kish roje, vetëm kishte një rrethim me parmakë nja një metro e ca lartësi, unë kaptova këta parmakë dhe u futa brenda. Këtu shtëpia që përmenda ndante zonën se ishte në kufi dhe kështu unë veprova si thashë. Afër portës së stadiumit ishin rojet e Gjermanisë Lindore, ndërsa te porta e stadiumit ishte një plak që ruante stadiumin. Këta nuk më panë, sepse ishte natë.
Pyetje: Ku keni shkuar mbasandaj?
Përgjigje: Pasi u hodha nga muri i oborrit të shtëpisë që përmenda, pasi eca nja pesëmbëdhjetë metra në rrugë, më afrohet një polic i Gjermanisë Perëndimore, më mori e më çoi në policinë gjermane. Atë natë e kalova aty, i mbyllur në një dhomë izoluese. Data ishte 3 shtator (1956). Këtu më pyeti një i policisë, të cilit nuk ia njihja gradën. "si të quajnë?"...etj. I dhashë emrin e mbiemrin e i thashë se jam futbollist, jam shqiptar, kemi luajtur në stadium dhe i tregova rezultatin e ndeshjes me dorë. Tjetër gjë nuk biseduam.
Pyetje: Për çfarë tjetër ju pyeti ky i polici i Gjermanisë Demokratike?
Përgjigje: Nuk më pyeti asgjë tjetër. Në datën 4 shtator më morën dy policë, më futën në një makinë dhe më çuan në një ndërtesë të madhe me oborr të madh, që futeshe nga një postbllok (kish një tra që ulesh e ngrihesh) dhe këtu vetëm me dokument të lejonin që të hyje. Në oborr kishte shumë ushtarë, civilë e makina. Ushtarët ishin me kapela të hekurta (helmeta), po jo si ato që kishin gjermanët në kohën e luftës. Nuk e di se çfarë ushtrie ishte kjo, po duhet të ishte ushtri franceze, për arsye se para se të më sillnin aty, unë i pyeta policët se ku po më çonin dhe kërkova të shoqëronin në konsullatën italiane, pasi unë doja të shkoja në Itali; këta, policët, më thanë se do të shkojmë te francezët e atje bisedojmë.
Pyetje: Çfarë ndodhi më pas?
Përgjigje: Në oborr ishte një ndërtesë e madhe, kishte edhe ndërtesa të vogla, në këto të voglat më futën në një zyrë ku ishte një civil ezmer me kostum blu. Ai, pasi dolën policët jashtë, nisi të më pyeste. Sa hyra unë erdhi dhe një tjetër i veshur civil, shumë më i vjetër se i pari, kishte flokë të thinjur. Më pyeti ky ezmeri që ishte nja 33-34 vjeç, nga ke ardhur, si të quajnë, pse ke ardhur? Gjithmonë ky më fliste italisht. Unë i thashë emrin e mbiemrin, se jam sportist e se dua të shkoj në Itali. Ky më tha pse për të shkuar në Itali, shko në Francë ose luaj këtu në Gjermaninë Perëndimore që ka skuadra mjaft të mira.
Pyetje: Polici ju njihte si sportist apo thjesht ju provokoi?
Përgjigje: Në fakt ky, për të më provuar se a isha lojtar i mirë, më pyeti se cilët sportistë njihja. Unë i thashë se nuk njoh francezë, por i tregova për hungarezët dhe në Francë i thashë një me emrin Kopa, që e kisha dëgjuar. Më pyeti se me cilët keni luajtur dhe pse ke ikur. Unë i tregova dhe i thashë se kisha ikur prej tyre, sepse kam kushërinjtë e mi në Itali dhe se atje jetojnë më mirë, se unë jam futbollist i mirë dhe se atje luhet me skuadra të mira. Ky nuk më bëri pyetje të tjera, vetëm se më tha shko te amerikanët sepse ata të nisin ku të duash.
Pyetje: Të çuan te amerikanët më vonë?
Përgjigje: Po, pas një gjysmë ore më çuan te amerikanët. Kaluan me makinë postbllokun dhe arritëm në një shtëpi dykatëshe, ku përballë saj ishte një shtëpi trekatëshe me ushtarë amerikanë. Këtu më futën në një dhomë ku ishin tri gra polake, njëra nga këto ishte gjermane, ishte dhe një djalë polak dhe një burrë tjetër. Pas një gjysmë ore më morën nga ndërtesa, në një zyrë të vogël jashtë. Në zyrë ishte një civil, djalë i ri, i cili më pyeti italisht e më mori gjeneralitetet. Ky më nxori në fotografi në tri poza: dy profil nga të dyja anët dhe një drejt fytyrën; po ashtu më mori shenjat e gishtave. Më tha pse ke ardhur dhe i tregova siç i thashë dhe francezit, për në Itali etj. Ky më tha se ç'do gjë do të shkojë mirë, do të rregullohet. Prej këtu më futën në dhomën ku ndodheshin ata personat që përmenda më lart. Më pas thirrën dy gratë polake, edhe ato nuk i vonuan shumë. I pyeta këto nëse i kishin nxjerrë në fotografi, ato me thanë po. Këtu na dhanë bukë të gjithëve.
Pyetje: Aty qëndruat atë ditë?
Përgjigje: Jo, pas një gjysmë ore më thirrën e më futën në një veturë. Unë i pyeta se ku do të shkojmë, në Ambasadën Italiane? Ata më thanë se do të shkojmë në një vend tjetër. Kështu më tha ai amerikani që dinte italisht, po nuk erdhi më me ne. Mua më shoqëronte një shofer dhe një civil tjetër. Si shkuam nja tre, katër kilometra, ndali makina. Më thanë zbrit. Kur mbrapa ishte një veturë tjetër ku hipa unë vetë përpara, ky shofer dinte italisht e më tha se do të shkojmë në një shtëpi, ku do të hash, do të rrish mirë atje. Pa ndaluar kurrkund, dolëm në periferi të Berlinit, ku ishte një ndërtesë dykatëshe. Këtu nuk kishte asnjë njeri. Hymë të dy brenda në këtë shtëpi dhe e mbylli derën shoferi. Shtëpia ishte mjaft komode. Unë i thashë shoferit se jam futbollist i mirë, etj. Ai më tha që të mos merakosesha, sepse gjithçka do të rregullohej. Në këtë kohë ishte ora nja dy pasdite, unë drekën e hëngra atje ku isha, me polaket. Ky, shoferi më dha pije dhe për të ngrënë, por unë i thashë se nuk doja të pija. I propozova që të dilnim të dy, po ai më tha jo, se në Berlin ka shumë komunistë, që mund të më njihnin e njoftonin dhe të më merrnin. Ne kështu mbajmë të gjithë njerëzit, por ma shumë ty se je sportist e të njohin. Në mbrëmje, rreth orës 7:00, erdhi vetëm ky dhe hapi portën e shtëpisë. Ngrohu disa gjellë kutish të gatshme dhe hëngrëm bukë të dy bashkë. Unë i thashë përsëri më shëtit, por ai ndenji aty nja dy orë dhe iku. Atë natë fjeta në këtë shtëpi, pa njeri tjetër.
(vijon nesër)


Qemal Vogli, edhe më mirë se Lev Jashini

Qemal Vogli ka një rekord shumë special në karrierën e tij të shkurtër. Ai e ka mbajtur të paprekur rrjetën e Dinamos në kampionat për 840 minuta, nga 21 janari 1952 deri më 23 mars 1952, duke u renditur kështu në vendin e 102-të në historikun e portierëve më të mirë në botë, klasifikim ky i bërë nga Federata Internacionale e Futbollit, Histori dhe Statistika. Madje, Vogli në këtë klasifikim është edhe më mirë se idhulli i tij, Lev Jashin. Ish-"Topi i Artë" e ka mbajtur të paprekur portën e Dinamos së Moskës për 741 minuta, nga 4 tetori i 1962-it deri më 10 nëntor të po atij viti, duke u renditur në vendin e 196-të. Por nga portierët tanë ai që renditet më lart se të gjithë është Bujar Gogunja, me rekordin e tij prej 1037 minutash lojë pa pësuar gol. Gogunja ishte pjesë e Labinotit kampion, më 1983-1984 kur vendosi këtë rekord.


11 ndeshje ka luajtur me fanellën e ekipit tonë përfaqësues, Qemal Vogli, ndaj kombëtareve me emër në atë kohë si ndaj Rumanisë, Polonisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, etj, por të gjitha ndeshje miqësore.

6 ndeshje kampion dhe 5 Kupa të Shqipërisë ka fituar Qemal Vogli në karrierën e tij futbollistike me skuadrën e Dinamos, në vitet 1950, 1951, 1952, 1953, 1955 dhe 1956. Ai ka luajtur edhe 11 ndeshje me Kombëtaren.


Rikthimi i dështuar në fushë i Qemal Voglit

Qemal Vogli ka dashur me gjithë shpirt që të mund të rikthehej edhe një herë mes katërkëndëshit të portës, por edhe në momentin kur ka qenë shumë pranë, i është ndaluar që të luajë. Pas daljes nga burgu, ish-legjenda e portës shqiptare ka qenë gati që të vishte sërish fanellën me numrin 1. Rreth viteve 1966-1967, u përhap një lajm në ambientet sportive dhe jo vetëm, se te fusha e vjetër, aty ku sot është Gjykata e Tiranës, do të zhvillohej një ndeshje futbolli mes Parkut të autobusëve dhe Kombinatit tekstil ku do të luante edhe Qemal Vogli. Lajmi mori dhenë, në vetëm pak orë aty u mblodhën më shumë se 15 mijë vetë, që dëshironin të shikonin sërish Qemal Voglin në portë. Por vetëm disa çastesh para nisjes së takimit, një urdhër nga lart i ndalonte Voglit që të luante futboll. Sipas Ismet Bellovës, urdhri u dha nga Kadri Hazbiu, i cili i kishte kërkuar gati miqësisht Qemalit (Kadri Hazbiu ka qenë një nga tifozët e zjarrtë të Qemal Voglit) që të mos luante, me qëllim që të mos i hapte probleme si vetes por edhe atij. Faktikisht, pas daljes nga burgu, Vogli pati nisur të stërvitej me mendimin se një ditë do të rikthehej sërish në futboll. Për pesë vjet radhazi, legjenda e portës shqiptare besoi në një mrekulli, por edhe ku ajo ndodhi, iu ndalua kategorikisht që të vishte fanellën me nr.1.


Gafa e Voglit në derbin e 1954-ës me Boriçin

Njëri luante për Dinamon, tjetri për Partizanin. Talente të padiskutueshëm që të dy. Ajo çka i ndante veç moshës ishte se njëri bënte të pamundurën për të shënuar gola (Loro Boriçi ishte sulmues), ndërsa tjetri, të pamundurën për të pritur çdo gjuajtje. Gjithsesi mes tyre kishte simpati, egoizëm, por edhe gjaknxehtësi, sidomos kur luhej derbi. Madje në një të tillë Partizani i Boriçit e ka fituar pikërisht për një gabim sa qesharak dhe trashanik të Qemal Voglit, të cilin e ka shfrytëzuar mjeshtërisht dhe me dinakëri Loro Boriçi. Këtë episod e tregon një prej atyre gazetarëve, personave që kanë bërë historinë e gazetarisë dhe mikrofonit sportiv, Ismet Bellova. "Luhej Partizani-Dinamo, ndeshje kjo mjaft e fortë për atë kohë, pasi ishin dy skuadra që dilnin që të dyja nga ministritë e regjimit. Shto edhe faktin se në to luanin futbollistët më të mirë shqiptarë, që i kishin mbledhur këto skuadra. Ishte viti 1954 dhe në një kontakt në zonë gjatë kësaj ndeshjeje mes Loro Boriçit, i cili luante për Partizanin dhe Qemal Voglit, Boriçi, në dyluftim për të gjuajtur topin drejt portës, pas një krosi që i erdhi nga mesfusha, goditi edhe Qemalin. Ky i fundit nga inati i përplasjes dhe faktit se siç duket u vra, lëshoi topin nga dora dhe vrapoi drejt mesit të fushës ku ishte arbitri i ndeshjes, Esat Shuaipi, për të protestuar. Në atë çast, me topin para këmbëve, Loro (Boriçi) e gjuan si pa teklif duke shënuar golin e avantazhit. Gjyqtari nuk bën gjë tjetër veçse quan të rregullt golin, duke kërkuar që Dinamo të nisë topin sërish nga mesi i fushës. Ndërsa Qemali u nevrikos edhe më shumë për gafën që bëri. Këtë histori, edhe kur kam shkruar librin, ai (Qemali) realisht nuk ka dashur që unë ta citoj. Por më lejoni të theksoj se paçka momenteve të tilla nervozizmi, për mua Qemal Vogli ka qenë dhe mbetet portieri më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave", tregon këtë episod të rrallë të dy gjigantëve të futbollit shqiptar, Boriçi e Vogli, Ismet Bellova.

Panorama Sport:Leonard Karaj

No comments: