Sunday, November 7, 2010

Pack: Hetoni materialet, fletët në gjykatë

Gjatë punimeve të Komitetit të përbashkët Shqipëri-PE për Stabilizim Asocimin, eurodeputetja Doris Pack kërkoi nëpërmjet një amendamenti që të nisë hetimi i menjëhershëm i materialeve zgjedhore. Më tej, ajo shtoi se për fletët e votimit të ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese. Por deputetët e PD-së e rrëzuan me votë këtë amendament, duke kërkuar që në tekstin e tij të vendoset "në respektim të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës", duke nënkuptuar që me hapjen e kutive të digjen fletët e votimit. Kjo solli që deputetët e PS-së të mbrojnë kërkesën e Doris Pack, e cila u shpreh e zhgënjyer për mosarritjen e një konsensusi. "Unë e di që sipas Kodit Zgjedhor, me hapjen e kutive, fletët e votimit duhet të shkatërrohen. Dakord, por ne na duhet një dalje e situatës dhe nuk jam këtu të them çdo gjë nga e para. Unë po mundohem të ndihmoj shqiptarët. Ky kod elektoral u bë dhe unë e mbaj mend mirë, kundër Metës nga PS dhe PD. Përse nuk uleni bashkë në Parlament dhe ndryshoni këtë nen të kodit dhe të dilni nga ngërçi? Bëjeni dhe siguroni materialet zgjedhore. Qeveria ka garantuar kuti të reja, pra nuk është kjo çështja. Zgjidheni përfundimisht çështjen e djegies dhe mosdjegies sepse nuk është kjo e rëndësishme", tha Pack. Por demokratët këmbëngulën që duhet të vendoset në tekst Kushtetuta dhe Kodi për shkak se sipas tyre, lidershipi socialist nuk kërkon të respektojë ligjin. "Problemi është se PS-ja dhe kreu i saj nuk e marrin të mirëqenë Kodin Zgjedhor dhe ka deklaruar publikisht që është kundër zbatimit të kodit. Prandaj insistojmë që të futet kjo pikë në tekst", tha deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Por në proces votimi, 7 deputetët e PD-së votuan kund propozimit të zonjës Pack, ndërsa 7 deputetët e PS-së votuan pro. Por situata u komplikua pasi deputetët e PS-së nuk votuan pjesën e parë të tekstit që fliste për situatën politike, me argumentimin se nuk ka kuptim të votohet nëse rrëzohet amendamenti i eurodeputetes Pack. "Nuk ka kuptim të votojmë artikullin kur kolegët e PD-së rrëzuan amendamentin e zonjë Pack", tha deputetja e Ps-së, Valentina Leskaj.


Propozimi i Pack

Amendamenti i Doris Pack

Thirrje Parlamentit Shqiptar për të krijuar një komision hetimor të kryesuar nga opozita dhe me shumicën e anëtarëve të Partisë Socialiste, në respektim të Rezolutës së Parlamentit Europian të 8 korrikut, për të parë në materialet zgjedhore, ndërsa për çështjen e kutive të votimit mund të vendoset vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Propozimi i deputetëve të PD-së

Pas fjalëve "në respektim të Rezolutës së Parlamentit Europian të 8 korrikut", të shtohet "në respektim të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor".


Leskaj: Refuzimi i PD-së, mungesë vullneti

Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, pas përfundimit pa asnjë rezultat të Komitetit të Stabilizim-Asocimit, akuzoi maxhorancën për mungesë vullneti në miratimin e rezolutës përfundimtare. Leskaj sqaron se ishte maxhoranca që hodhi poshtë amendamentin e propozuar nga Doris Pack, që konsistonte sipas saj, "në ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, në hetimin e materialeve zgjedhore, ndërsa për fletët e votimit të vendoste Gjykata Kushtetuese". Pikërisht në këtë pikë, siç tha Leskaj, PD-ja votoi kundër dhe ishte e vetmja në atë tryezë. "Kishim negociuar për një kohë të gjatë dhe u gjetëm para një të papriture kur PD-ja rrëzoi amendamentin e tij", sqaroi deputetja Leskaj.


Beja: Nuk e rrëzuam propozimin e Doris Pack

Deputeti i PD-së, Fatos Beja, deklaroi dje pas takimit se deputetët e PD-së nuk e rrëzuan amendamentin e propozuar nga eurodeputetja Pack. Ai akuzoi të majtët për bllokim të situatës në komitetin e përbashkët. "Pasi kam dëgjuar deklaratën e zonjës Leskaj, jam shumë i befasuar. Për fat të mirë, ju mediat e keni ndjekur gjatë kësaj periudhe aktivitetin e sotëm. E vërteta është se përsëri Partia Socialiste bllokoi deklaratën e përbashkët të Komitetit Ndërparlamentar Shqipëri-BE. Ne votuam dhe ishim dakord që të kalonte deklarata ashtu siç e ka sjellë zoti Kukan dhe ishim tërësisht dakord. Dhe në të gjitha pikat ishim të përbashkët dhe ramë në konsensus. Së fundi, ishte amendamenti i zonjës Pack, të cilën ne e mbështetëm dhe e miratuam, kërkuam që vetëm thjesht të shtohej në bazë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor", deklaroi Beja. Ai akuzoi më tej opozitën si bllokuese të deklaratës së paraqitur nga eurodeputeti Eduard Kukan. "Partia Socialiste kishte një rezervë të dukshme dhe ishte kundër futjes së termit 'në bazë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor'. Pra duke refuzuar që të shtoheshin këto fjalë, PS-ja refuzoi të kalonte amendametin e zonjës Pack", shtoi Beja.

Erald Kapri

No comments: