Sunday, November 7, 2010

Interesant! Vetëm për prishjen e Stadiumit Kombëtar heshtin

Nga:BESNIK DIZDARI

Janë çuar peshë. Janë çuar peshë për "shtëpinë" e Enver Hoxhës, e cila do të...

prishet për t'u ndërtuar Parlamenti i Republikës së Shqipërisë. E çka nuk thonë! Thonë që është arkitekturë historike! Thonë që është trashëgimi e diktaturës dhe duhet të ruhet, qoftë edhe për t'i treguar brezit të ri se çka qe diktatura komuniste! Thonë se askush në botë nuk i prish këto objekte. Thonë se ky mermer që kërkon të pushtojë qiellin, po të prishet, prish historinë e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" e ndoshta të vetë Shqipërisë!
E çka nuk thonë! Thonë se është mëkat të prishet, se po u prish, prishet dëshmia e historisë. Ndonëse ky objekt për atë qëllim për çka u ndërtua, nuk pati më shumë se nja dy a tri vjet jetë, që në të vërtetë nuk qe histori. Ngaqë për fatin e tij të keq, nuk arriti të bëjë histori, mu sepse Regjimi i të "zotit" të këtij objekti, ra shumë shpejt pas ndërtimit të tij.
Nuk kam fort dëshirë që të hyj unë e të argumentoj prishjen apo mosprishjen e këtij objekti. Dhe në fund të fundit, nuk kam dëshirë të hyj. Ajo çka më pëlqen t'i hyj paksa, është pyetja që më lind e fuqishme: Ç'kanë që janë çuar peshë kësisoj për ta shpëtuar këtë objekt, i cili edhe nga ana arkitekturore, përveç vetëmadhështisë mbytëse me të cilën kërkon të të imponohet kur i kalon afër, nuk të ngjall asnjë shije estetike mbresëlënëse? (Përjashto rastet kur sheh duke rrëshqitur fëmijët e guximshëm nga lart-poshtë prej shpateve të kësaj trampoline të pajetë prej mermeri). Sepse, përveç të tjerave, nuk harmonizohet as me stilin zogist ministror të ndërtimeve të atyshme, as me stilin musolinian, as me stilin kremlinian të sovjetizmit tonë.
E çka nuk thonë, vërtet! Duke u hedhur përpjetë vetëm për këtë objekt që as histori nuk arriti të bëjë, as funksionin për të cilin u ndërtua nuk pati kohë ta luajë.
Nuk më pëlqen kurrsesi që në këtë shkrim të përshkruaj se si regjimi ka hedhur në erë kishën mijëvjeçare të Vaut të Dejës e kishën e Zojës; ka prishur xhami e kisha të tjera sa të duash. Ka zhdukur pazarin e Shkodrës që ka pasur 4 000 dyqane. Ka futur nën dhè Pazarin e Tiranës. Ka rrënuar Pazarin e Korçës. Ka hedhur në erë varrin monumental të Nënës Mbretëreshë. Ka flakur eshtrat e At Fishtës në Kir. Ka djegur librat më të vjetër shqiptarë e të kulturës botërore në oborre kishash, jo në kohën e Inkuizicionit, por më 1967 të shekullit XX.
E çka nuk kanë prishur ata, "baballarët" e….
Dhe nuk shoh të hidhet përpjetë askush prej tyre për gjithë këto rrënime të pafund të historisë e kulturës kombëtare. Se edhe sot ia vlen të hidhesh përpjetë për ato masakra që u bënë kundër kulturës sonë të vjetër, të arkitekturës së qytetërimit tonë të lashtë, po dhe modern të asaj kohe. Natyrisht, këtë e bën vetëm nëse je dhe ndihesh shqiptar.
E çka nuk thonë, vërtet!
Dhe prapë pyes: çka kanë që janë çuar peshë për këtë objekt pranë Kryeministrisë, që përveç të tjerave, edhe në aspektin arkitektonik qe ndër objektet e parë me të cilin nisi shkatërrimi i gjithë harmonisë së ndërtimeve dhe stilit tradicional të "Dëshmorëve të Kombit"?
Mbes keq për të marrë një përgjigje apo një domethënie.

2.
Mirëpo, papritmas më duket se megjithatë, e gjej përgjigjen dhe domethënien e gjithë kësaj. E gjej te vendimi për të ndërtuar një stadium të ri, duke shuar Stadiumin Kombëtar. Dhe po papritmas krahasoj:
Janë çuar peshë për të mbrojtur një objekt që në përmbajtjen e tij nuk arriti të jetonte as tri vjet. E aq më pak, të ketë bërë histori Rajshtagu dhe as histori Kremlini. Dhe heshtin, edhe pse kanë marrë vesh që do të prishet Stadiumi Historik Kombëtar për t'u ndërtuar mbi të një stadium krejt i ri, modern, që ndryshe do të thotë se mbi shuarjen e një historie të vjetër, të ndërtosh një histori të re, ose duke prishur një histori të vjetër, tradicionale, të pasur, shumëvjeçare, që ka qetësuar për rreth 70 vjet shpirtin e trazuar të shqiptarëve, të nisësh nga e para një histori të re, që natyrisht do të shpaloset në një arenë krejt tjetër, të re, moderne.
E, tash krahasoni. Hidhen përpjetë për "shtëpinë" e Enver Hoxhës, një objekt që nuk arriti të bënte histori. Dhe heshtin për prishjen e "shtëpisë" së madhe sportive të brezave të shqiptarëve që është Stadiumi Kombëtar, që ka plot gati 70 vjet që bën histori, qysh kur me dekretin e Viktor Emanuelit të III, të dhjetorit 1939, nisi të ngrejë themelet e tij!
Ata nuk ndiejnë mall se po prishet historia. Po ta kishin vërtet këtë mall historik dhe apolitik, siç thonë, më parë se për këtë objekt, do të shqetësoheshin për prishjen e stadiumit që bart mbi supet e tij një histori të jashtëzakonshme që ka kapur shekullin.
E, ai që ka mall këtu, është autori i përvuajtur i këtyre radhëve. Dhe natyrisht jo vetëm ai.
Si ka mundësi që nuk shqetësohen se do të prishet kujtesa historike e tribunave të atij stadiumi, ku është shpallur Shqipëria Kampione e Ballkanit, më 1946? E nuk u vjen keq që do të tjetërsohet aty para tribunës ai vend emblematik ku më 13 tetor 1946, qe vendosur podiumi mbi të cilin lartësohej trupi monumental i Loro Boriçit me kurorën e dafinës dhe Kupën e Kampionit të Ballkanit, madje para gjithë udhëheqësve komunistë me në krye Enver Hoxhën. Po, po, edhe kjo e fundit është histori që duhet të kujtohet e të mos tjetërsohet.
Mirëpo, ja që do të prishet tribuna karshi prej ku unë dhe mijëra të tjerë më 17 dhjetor 1967 kemi parë dhe përjetuar me ankth barazimin mitik 0-0 me Gjermaninë - nënkampione e botës në fuqi, si një duel midis Davidit dhe Goliadhit që tronditi krejt Europën.
Nuk do të jetë më dhoma ku në shtatorin 1970, pak muaj para se të dalë kampion i Europës, jam gjendur midis Ajaksit legjendar të futbollit botëror, menjëherë mbas barazimit të bujshëm 2-2 me "17 Nëntorin" e Tiranës, dhe ku kam dialoguar rrufeshëm me trajnerin po aq legjendar, Rinus Michels, të befasuar asisoj prej asaj fushe të zakonshme, prej këtyre tribunave modeste, prej kësaj arene elektrizuese shqiptare.
Nuk do të kem më vendin tim tradicional në tribunën e shtypit prej ku kanë lindur qindra e qindra faqe të shkrimeve e librave të mi. Dhe jo vetëm të mi. Do të zhduket kabina prej ku i paharrueshmi Anton Mazreku u dha jetë qindra ndeshjeve përmes radiokronikave të tij që qenë të një vlere europiane. Do të mërzitem fort kur nuk do të shoh më, atë pjesë të fushës, ku përballë Tribunës së Nderit janë zhvilluar ceremonitë e gati 120 kampionateve e Kupave Kombëtare të futbollit të mijëra ndeshjeve; ku janë ngritur lart trofetë sportivë e janë vënë medaljet e qindra kampionëve të Shqipërisë.
Dhe do të ndihem tejet i trishtuar se do të më zhduket pista ku janë zhvilluar mbi 60 kampionate kombëtare të Atletikës së Lehtë, dëshmitar pamor i të cilëve kam qenë gjithashtu në mbi nja 50 prej tyre. Dhe jo vetëm unë.
Do të më prishet pedana e kërcimit të Nih Çih Çinit - rekordmen legjendar i botës në kërcimin së larti, ku isha i ulur pranë tij mbi barin e pedanës, ndërsa e intervistoja më 1971, teksa ai pasi do të kërcente 2.25 metra, po kërkonte të thyente rekordin e tij botëror (2.28). Kjo po, është histori që duhet ruajtur fort. Do të prishet kësisoj, pedana dhe pista ku kanë garuar një Ji?í Skobla, një Josef Odložil apo një Vilém Mandlik, të cilët ishin ndër atletët më të mirë të botës. Kjo po, është historia që duhet ruajtur. Do të më prishet pedana ku ka bërë garat e para kampionia e botës, Kampionia e Europës dhe Nënkampionia Olimpike Mirela Manjani, shqiptarja po legjendare që garoi për Greqinë.
Nuk do t'ia arrij të marr më me mend golat e Josës dhe të Mingës të cilët më 1984 mposhtën 2-0 për Kupën e Botës një nga skuadrat më të fuqishme të Europës e të botës të asokohe, Belgjikën e Shifos, sepse ajo fushë, ato tribuna, ai mjedis do të më zhduket sysh përjetë, për t'u ndërtuar stadiumi i ri, që do të jetë diçka krejt tjetër. Nuk do të arrij më të marr me mend as mposhtjen prej Panajot Panos me shokë, të Torinos së Italisë - ato ditë Kampione e Europës. Dhe as të fitoreve të bujshme ndaj Cëltic të Gllaskout apo Austrisë së Vjenës prej Partizanit tim. Dhe as mposhtjen e Kampiones së Europës 2004, Greqisë, prej Kombëtares sime. Dhe kurrsesi nuk do t'ia arrij të marr më me mend tribunën me flamurin gjigant kombëtar të mijëra shqiptarëve atdhetarë të mëdhenj të Kosovës sime, që ndizte Tiranën dhe Shqipërinë e asaj mbrëmjeje të paharrueshme. Natyrisht jo vetëm unë, po gjithë shqiptarët.
Këto po, janë histori për t'u ruajtur me të gjithë monumentin e tyre, memorialin e tyre, që është Stadiumi Kombëtar.
Të gjithë këto histori nuk do t'ia arrij t'i nëpërmend më as si një mirazh. Dhe jo vetëm unë.
Sepse stadiumi i ri padashur do të ma shkatërrojë gjithë këtë histori. Madje do të ma zhdukë.
Nuk do ta kem më aq afër Tribunën e Nderit dhe kështu nuk do t'ia arrij të kujtoj më praninë për herë të parë dhe të vetme në historinë e Shqipërisë (1995) të të dy presidentëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), Huan Antonio Samaranch dhe Jaques Rogge.
Ndiej mall qysh tash kur kujtoj se do të më zhduket tribuna karshi, qoftë dhe ngaqë më kujton dekorin gjigant të spartakiadave kombëtare që i thurnin lavde regjimit, ndërsa Enver Hoxhën e kisha 10 metra larg kabinës së shtypit të asokohe, teksa interpretonte dashuri të rreme, me vetëmadhështinë e tij të shfrenuar, të cilën ne, gazetarët po të regjimit, vraponim duke na u marrë fryma për të mbërritur shpejt në redaksi dhe për ta përshkruar deri në patetikën më servile që mund të ekzistonte. Kjo po, është histori, gjurmët e së cilës, për hir të së vërtetës, gjithashtu duhen ruajtur. Sepse është histori e gjallë, e përjetuar drejtpërsëdrejti me të gjithë fasadën e kriminalitetit të saj në këtë tempull sportiv 70-vjeçar që quhet stadiumi kombëtar "Qemal Stafa".
Kjo po, është histori, gjurmët e së cilës do të shuhen me ngritjen e stadiumit të ri europian, që me të drejtë do të ndërtojë Shqipëria e sotme. Për fat, do të ndërtohet duke zhytur në nëntokë historinë e Stadiumit Kombëtar, stadiumit tim shqiptar, stadiumit tonë shqiptar, stadiumit që mund të mos prishet mu për hir të historisë, kur me pak mundim, siç e kam thënë me kohë, i riu mund të ndërtohet diku tjetër. Dhe kështu, pa harxhuar asgjë më tepër, fitonim një stadium më tepër!

3.
Por ata heshtin. Dhe janë çuar peshë vetëm për "shtëpinë" e Enver Hoxhës, e cila do të prishet për t'u ndërtuar Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, që në ndryshim nga stadiumi i ri, vështirë t'i gjendet vend më i përshtatshëm.
E çka nuk thonë, vërtet! Thonë që është arkitekturë historike! Thonë që është trashëgimi e diktaturës dhe duhet të ruhet, qoftë edhe për t'i treguar brezit të ri se çka qe diktatura komuniste! Thonë se askush në botë nuk i prish këto objekte. Thonë se ky mermer që kërkon të pushtojë qiellin, po të prishet, prish historinë e bulevardit "Dëshmorët e Kombit"!
Dhe heshtin për prishjen e Stadiumit Kombëtar me një jetë 70-vjeçare, tempullin historik të shpirtit sportiv të shqiptarëve.
Ashtu siç heshtin tash 65 vjet për atë që kanë prishur ata, "baballarët" e….
Janë naivë. Iu thotë mendja që ne nuk e dimë se "arkitektura është më misteriozja dhe më ushqyesja e ideve" (Guy de Maupassant). E ideve të tyre…

No comments: