Tuesday, November 9, 2010

Rikard Ljarja, Duartrokitja qëvazhdon.

Dikur, një aktor brilant, i pranishëm pothuaj çdo natë në ekranet e shqiptarëve. Sot një shpirt artisti i arratisur, në sfidë me kohën që ikën. E megjithatë duatrokitja për rolet e tij vazhdon e vazhdon….

Me pamjen e qetë, prej babaxhani, me flokët e thinjur, zërin e plotë prej basi, sytë kafe poshtë vetullave të trasha, trupin e lartë dhe ecjen me hapin e madh, është e pamundur që t’i shpëtojë vëmendjes së njerëzve.
Është një burrë i hijshëm, që jeton 67 vitet e tij me modesti, ndërsa nuk është më djalosh i ri… Është një jetë e tërë në terren, në mal, në fushë, në borë, në shi! Plot role, filma, skenarë, dashuri, dhimbje, eksperienca që vetëm një aktor i madh mund t’i përfshijë në dimensionin e tij.
Është Rikard Ljarja.
Dikur, një aktor brilant, i pranishëm pothuaj çdo natë në ekranet e shqiptarëve. Sot një shpirt artisti i arratisur, në sfidë me kohën që ikën. Pasioni për filmin dhe teatrin nuk i është fashitur, ndonëse më shumë tani i pëlqen të shkruajë. Sepse të shkruarit është një proces personal, ku i mjafton një lapës e letër, ndërsa për një film a pjesë teatri duhen paratë. Në kohët e vështira të artit, më shumë se aktor, duhet të jesh një menaxher i mirë. Por kjo është më e vështira për të. Ai ka lindur me shpirt të lirë artisti, ndaj të bëjë të tilla kompromise, shndërrohet në një mision të pamundur.

Rikardi në shtëpitë e shqiptarëve
Me lojën, portretin, zërin dhe talentin, figura e aktorit Rikard Ljarja ka qenë popullarizuar kaq shumë në vitet ‘70-‘80, sa konsiderohej si një ndër aktorët më të dashur dhe më të rëndësishëm. Kaq ishte bërë familjare figura e tij, sa nisën të qarkullojnë barcoleta pozitiviste, lidhur me praninë e tij në shtëpitë e shqiptarëve. “Mbrëmë kam darkuar me familjarët dhe Rikard Ljarjen”, apo “Jemi tre vëllezër, bashë me Rikard Ljarjen”. Të gjitha këto ishin pjesë e një humori spontan, që lindte në Shkodër e përhapej me shpejtësi gjithandej, ndërsa Rikardi e ka pranuar këtë pjesë, pa asnjë lloj besdie, sepse të jesh në çdo shtëpi shqiptari është privilegj.

Vendlindja
Megjithëse pjesën më të madhe të jetës e kalon në Tiranë, Rikard Ljarja mbetet një shkodran i mirë. Duket se e ka të pamundur të jetojë pa qytetin e tij të lindjes, kjo është arsyeja që kthehet herë pas here në shtëpinë e vjetër me oborr. Kthehet në qytetin verior, sepse gjithçka: qyteti, shtëpia e vjetër, miqtë e fëmijërisë, janë aty dhe ai ka nevojë për ushqimin shpirtëror që gëlon prej tyre. Kur ishte fëmijë ëndërronte të bënte gjëra që lidheshin gjithnjë me artin. Lindi në vitin 1943 në një shtëpi intelektualësh, ku mori kulturën e parë. I ati, Karlo Ljarja ishte ndër të parët mësues të gjermanishtes në Shqipëri. Në këtë ambient intelektual, prindërit i krijuan mundësitë të mësonte muzikë. Kësaj kohe mëson dhe luan mjaft mirë në piano, madje përfshihet edhe në orkestrën simfonike të Prenk Jakovës, si instrumentist i fagotit. Pikërisht në Shkodër, Ljarja ndoqi vitet e para të mjeshtërisë së aktrimit. Teatri i qytetit të Shkodrës e aktivizon të riun muzikant nëpër fshatra, ku ai interpreton edhe vetë skeçe. Vite më vonë ka edhe role. Më 1960 i del shkolla për matematikë, por një thirrje e brendshme e dërgon në aktrim. Dhe u bë një aktor i madh.
Sot, sa herë kthehet në shtëpinë e tij, veç mallit për rrugicat, shokët e miqtë, i pëlqen të punojë në kopshtin e shtëpisë së vjetër, të mbjellë tulipanë, qepë e hudhra. “Jam në vendlindjen time, në vendin ku jam edukuar dhe ku kam marrë kulturë. Jam në shtëpinë e lindjes, që ka ndërtuar babai im dhe ndihem vërtetë shumë mirë”.

Teatri Migjeni
Kur shkon në Shkodër, këmbët normalisht e çojnë tek “Teatri Migjeni”, vendi ku nisi karrierën si aktor. Sot kolegët me të cilët luante dikur, nuk janë më, janë të tjerë, më të rinj. Megjithatë ata janë njerëz që Rikardi i vlerëson dhe me ta ndan të njëtin pasion: dashurinë për teatrin dhe Shkodrën.
Nga viti 1965 deri më 1973, Ljarja ka interpretuar në rreth 30 role në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku pjesa më e madhe ishin role kryesore. Në atë kohë televizioni ishte në hapat e parë dhe brezat e rinj nuk e mbajnë mend si aktor teatri, ku ai vërtet ka shkëlqyer në interpretimet e tij.

Rolet
Shumëkush e kujton si Deda mbi shtyllë në “Rrugët të bardha”, por rolet e tij, me të cilët identifikohet janë edhe shumë e shumë të tjerë. Komisari te “Kur zbardhi një ditë”, mësuesi Dritan Shkaba te “Komisari i dritës”, Rrema në “Shtigje lufte”, Skënder Guri te “Duel i heshtur”, Perlat Pëllumbi në “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Gaqo tipografi në “Rrugicat që kërkonin diell”, inxhinier Tosi në “Ilegalët” e shumë të tjerë.
Megjithatë, roli i parë, tek filmi “Komisari i dritës”, është ndër rolet më të veçantë të aktori, meqënëse erdhi menjëherë pas diplomimit. Në fakt, rolin e Dritanit, Ljarja e fitoi në një audicion, në të cilin merrnin pjesë edhe Guljelm Radoja apo Viktor Zhusti.
“Rolet e mi s’janë heronj të partisë. Janë njerëz të thjeshtë. Figurat që kemi interpretuar janë pak skematike, është e vërtetë. Dhe të gjithë aktorët dhe regjisorët jemi përpjekur t’u japim mish e gjak, që t’u heqim sadopak skemën. Si tek filmi “Rrugë të bardha”. Ai ka një mision të jashtëzakonshëm simbolik. Ai lidh njerëzit. Sot ka edhe internet, atëherë lidheshim me tela. Kjo është shumë njerëzore. Të lidhen njerëzit, të bashkohen, të komunikojnë. Atyre figurave skematike të shkruara atëherë, të gjithë jemi munduar t’i japim mish e gjak”, do të shprehej Ljarja.

Sot
Rikard Ljarja, aq i pranishëm me ekranet e kinemasë dhe televizionit, që prej fundit të viteve ’90, kur Kinostudio “Shqipëria e Re” pushoi së prodhuari dhjetrat e filmave, nuk ka marrë asnjë rol si aktor në kinema, por i është kthyer sërish teatrit. Ka vënë në skenë një shfaqje në Teatrin Kombëtar, në teatrin e Prishtinës, të Shkodrës ku ka interpretuar edhe si aktor në skenë.
Për të gjithë është aktori i madh i filmit dhe teatrit. S’ka njeri që të mos ketë fiksuar në memorie disa nga rolet e tij më brilante, megjithatë ai bën një jetë të qetë, pa u marrë shumë me lavdinë e dikurshme. Më shumë sot i intereson të shkruajë. Një hapësirë kjo për shkarkimin e tij artistik. Më përpara i pëlqente të pikturonte, ndërsa sot është kthyer tek gjuha, por jo tek ajo e folura, që i dha emrin aktor.

Dashuria që nis në pyjet me borë
Ishte viti 1978.
Rikardi, aktor, por kësaj radhe edhe regjisor, ishte i angazhuar me filmin “Në pyjet me borë ka jetë”, film ky që ndryshoi shumë gjëra jo vetëm në jetën e tij, por edhe të aktores pogradecare, Marjeta Ilo. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit që ato kanë luajtur bashkë në një film. Kanë qenë kohë të bukura për të dy dhe ky film, mbase është një nga arsyet, pse nuk kanë punuar më me njëri-me tjetrin. Sepse kanë dashur të ruajnë poezinë e veçantë të lidhjes së tyre. Në atë film u dashuruan dhe u lidhën, një lidhje e natyrshme, shumë e menjëhershme, nga e cila kanë kaluar 30 vjet. Një dashuri që lindi në borën e ftohtë të maleve, ndërsa po xhirohej një film, dhe që u ka mbijetuar stuhive dhe rrebesheve, të natyrshme për çdo famije, gjatë 30 viteve bashkëjetesë.

Familja
Sot kanë një familje të bukur. Janë të dy ata, Marjeta dhe Rikardi, bashkë me dy fëmijët e tyre, vajzë e djalë. Në një familje ku të dy prindërit janë aktorë, është e vështirë t’i shpëtosh tundimit për tu marrë me artin. Megjithatë dy fëmijët e familjes Ljarja, i kanë shpëtuar këtij tundimi, pasi janë jashtë fushës së artit dhe për këtë fakt, Rikardi e Marjeta ndihen të kënaqur, sepse siç thonë ata:“Për profesionin tonë erdhën kohë të vështira”.

No comments: