Sunday, November 7, 2010

Shembja e shtëpisë së Kadri Hazbiut, për të ndërtuar m


Shpëtim Koli

Pse vendi i ngritjes së Piramidës u zgjodh në krah të KQ, përballë Bllokut dhe pranë sheshit Skënderbej. Hapja e varrit të Hoxhës, më 3 maj 1992, tregoi se kufoma ishte akoma e padekompozuar, pasi arkivolit i ishte hequr ajri

Enver Hoxha pëlqente modelin sovjetik të jetesës. Ai kishte parë ndërtimin e Kremlinit, sidomos nga Stalini, dhe e admironte jashtëzakonisht atë. Mjafton të kujtojmë faktin se ish Komiteti Qendror (godina ku jeton Leka Zogu sot), u mendua se do të ishte Kremlini shqiptar, vendi ku zhvillohej jo vetëm qendra e politikës, por edhe jeta sociale, kulturore, shpirtërore, etj e elitës së vendit. Këtu hynin edhe shenjat e përkujtimit si varre, mauzeleume, etj. Deri vonë (mesi i viteve ‘70) në vendin përbri Galerisë së Arteve, dikur periferia e Komitetit Qendror të PPSH-së qëndronin varret e Qemal Stafës, Alqi Kondit, Vasil Shantos, Nako Spirut dhe Gogo Nushit, të gjithë anëtarë të këtij komiteti të vdekur në detyrë. Një model të tillë të shenjave të të vdekurve (në Shqipëri varre, sepse në Moskë përdorej edhe djegia e kufomës), Hoxha e pa edhe në Kremlin.

Mirëpo ideja për një Kremlin shqiptar në vendin e sipërthënë doli nga mendja e Enver Hoxhës, për arsye se aty nuk mundej të ndërtonte oborrin e tij “perandorak”. Kësisoj u përzgjodh “Blloku” i mëvonshëm, i cili mund të përmblidhte për bukuri gjithë udhëheqjen e lartë komuniste. Në botëkuptimin e Hoxhës, e fundit gjë që i kishte ngelur në këtë jetë ishte të nderohej si Lenini në Sheshin e Kuq të Moskës, ku të gjithë të kalonin e nderonin kufomën e tij. Këtë fakt e provon më së mirë edhe kufoma e Hoxhës, e cila kur u hap më 3 maj 1992, ishte akoma e padekompozuar, pasi arkivolit i ishte hequr ajri.

***

Kur u deklarua vdekja e diktatorit, me anë të një njoftimi të përbashkët, Komiteti Qendror i PPSH-së, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave, bënin të ditur se Enver Hoxha kishte vdekur në orën 2:15 të 11 prillit 1985. Komunikata vlerësonte thellësisht figurën e tij, që nga koha e luftës e më pas, duke thënë se nuk kishte fushë të aktivitetit politik, ideologjik e shoqëror të partisë, ku të mos ishte shprehur “mendimi filozofik” i Hoxhës.

Në kohën e përbetimeve të mëdha pas vdekjes së Hoxhës, nuk ishte përmendur ngritja e këtij muzeumi. Gjatë mbledhjes së Byrosë Politike, të datës 13 prill 1985, Muho Asllani propozoi që Tiranës t’i vihej emri i Enver Hoxhës, propozim që nuk u miratua, sepse, sipas Ramiz Alisë, me emrin e Hoxhës identifikohej e gjithë Shqipëria. Pas zgjedhjes së Ramiz Alisë, si sekretari i parë, u vendos ngritja e përmendoreve të Enver Hoxhës në Tiranë, Gjirokastër e Korçë, vënia e emrit të tij Universitetit të Tiranës, Portit Detar të Durrësit, Ndërmarrjes Bujqësore të Plasës në Korçë. Organizatës së pionierit iu dha emri “Pionierë të Enverit”.

Në përkujtimin e parë të ditëlindjes së Hoxhës, pa praninë fizike të tij, Ramiz Alia filloi të shpikë lëvizje të tilla si “Flamurtarë të zbatimit të mësimeve të shokut Enver Hoxha”. Duke vizituar Gjirokastrën, më 11 tetor 1985, Ramiz Alia deklaronte se çdo ditë duhej të ishte si në “Ditën e Enverit” dhe “Javën e Enverit”, që ai i quante “lëvizje të fuqishme revolucionare”, të ndërmarrë nga punonjësit e vendit “për të kthyer dhimbjen në forcë”. Alia pohonte se mësimet e Hoxhës ishin “burim frymëzimi” në rrugën revolucionare.

Duke përkujtuar nxehtësisht 16 tetorin e parë pa praninë fizike të Enver Hoxhës, KQ i PPSH-së vendosi ngritjen në Tiranë të Muzeut “Enver Hoxha”, ku do të pasqyrohej gjithë jeta e personit në fjalë “si mendimtar marksist – leninist dhe internacionalit proletar”. Në këtë mënyrë, shqiptarët u përgatitën se do ta kishin një muze të madh të Enver Hoxhës në Tiranë, i cili më së shumti do shquhej për madhështinë sesa për brendinë.

Vetë jeta e Hoxhës kalonte nëpërmjet fotografish dhe fotosh të censuruara nga prania e pafund e armikut në to, si dhe në disa dokumente të sakatuara edhe ato. Pjesa tjetër ishte luks që i përngjasonte një vendi të frikshëm, ku i vdekuri vinte me zë të incizuar, a thua se po kthehej prapë si lugat në këtë botë.

***

Por le të kthehemi tek argumentet pse duhej piramida dhe kundër kujt ngrihej ajo? Ajo u ngrit pikësëpari duke shembur një vilë të një pronari shqiptar, në të cilën kishte banuar ish-ministri i Punëve të Brendshme “armiku i partisë dhe popullit Kadri Hazbiu”.

Vendi i përzgjedhur ishte i përshtatshëm sepse ndodhej edhe afër Komitetit Qendror të PPSH-së, afër Bllokut (Kremlinit Shqiptar), afër sheshit “Skënderbej” (sheshi i Kuq i Moskës), etj. Grupi që rrëzoi Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun, kishte një hakmarrje edhe simbolike ndaj Kadri Hazbiut, t’i shembte edhe shtëpinë.

Muzeu “Enver Hoxha” u përurua më 14 tetor 1988 në 80-vjetorin lindjes së tij. Për ndërtimin e tij u caktua një grup arkitektësh, ku më kryesori ishte dhëndri i diktatorit. Sipas tij, i vlerësuar në kushtet e sotme, objekti ka një kosto rreth 3 milionë euro.

Sjellja e kufomës së Enver Hoxhës në atë vend ka qenë çështje kohe. Një shembull tjetër shihej edhe rasti i Titos në Beograd, pasardhësit e të cilit kishin ngritur një vend ku atij i bëheshin nderime të mëdha.

No comments: