Tuesday, November 9, 2010

Rrefimi i Alida Hiskut:Unë, këngëtarja e akuzuar si pjesëtare e grupit armiqësor të Fiqirete Shehut


Rrëfimi i këngëtares së mirënjohur, për këtë moment kritik, përmbledh përjetimet e një rrugëtimi misterioz nga Konispoli i Sarandës te birucat e Brakës. Pas një thirrjeje urgjente në vendin ku kryente stazhin e partisë, Alida Hisku përfundoi në bangot e të akuzuarit. Aty pastaj jeta e saj mori një trajektore krejt tjetër dhe artistja e famshme u shpall e padëshiruar për regjimin. Çfarë kishte ndodhur? Njerëzit si rëndom në të tilla raste, u jepnin rrugë hamendjeve, duke u përpjekur të deshifronin me mënyrën e vet ato pak zëra që depërtonin nga hekurat e qelisë. Fillimisht u fol se e penalizuan për interpretimin e këngëve të huaja. U aludua për një lidhje të fshehtë me grupin e Fiqirete Shehut. Kishte zëra se e goditën pas refuzimit të ofertës për t’u futur nuse në Bllok. Flitej se e kryqëzuan për ditarin ku mbante shënime. Pëshpëritej sakaq një histori rozë. Përkundër të gjitha këtyre, Alida Hisku rrëfen për herë të parë përjetimet e atyre ditëve, duke iu rikthyer çasteve dramatike të hetimeve të qershorit 1983, në birucat e Brakës...

Zonja Alida! Kreshentua e karrierës suaj artistike është ndërprerë në fillimin e viteve ‘80. Më pas jeni zhdukur papritur nga skena. Çfarë ndodhi?
Dita e rrëzimit absurd ishte 13 qershori i 83-shit. Sa herë e kujtoj më dridhet trupi. Krejt papritur më bënë objekt të organeve të sigurimit dhe pastaj...
Më konkretisht...
Sa kisha mbaruar studimet në shkollën e Partisë dhe siç ishte rregulli, kisha filluar stazhin në prodhim. Bashkë me një grup të vogël studentesh, ishim caktuar në kooperativën e Konispolit.
Mbrëmjeve, si zakonisht ulesha në dhomë dhe hidhja shënimet në ditar. Ishte kjo një praktikë qysh nga periudha e adoleshencës.
Shënimet personale i përjetoja si pjesë të çlirimit shpirtëror. Me kalimin e viteve ditari ishte bërë një mik i ngushtë në tërë kuptimin e fjalës. Aty sistemoja mendimet e mbresat e çastit, ashtu siç i ndjeja. Ky ritual për shoqet e dhomës (njëra nga Vlora e tjetra nga Rrësheni) shikohej me një lloj habie. Kërshëria arriti deri aty sa ma rrëmbyen fshehurazi dhe ia dorëzuan “kompetentit”. Pikërisht atë ditë mbushej një vit nga vdekja e mamasë. Shënimet e fundit që kisha hedhur aty i dedikoheshin kujtimeve të saj. Po ato shpirtzeza nuk donin t’ia dinin. “Vigjilenca” e tyre kishte dalluar në shënimet e mia agjitacion e propagandë kundër regjimit. Që këtej do niste rrebeshi i goditjes së beftë...
Në çfarë rrethanash i kishit kryer studimet në shkollën e Partisë?
Është një histori më vete mënyra si u regjistrova në shkollën e Partisë “Lenin”. Një histori që ka në qendër njohjen me Fiqirete Shehun. Ajo në një farë mënyre u bë shtysa e këtij shkollimi...
Pra, miqësia me Fiqirete Shehun ju krijoi mundësinë për t’u diplomuar si kuadër partie. Ku ishit njohur me të?
Në atë kohë, artistët në zë e ata që spikasnin, i ftonin në Bllok për të bërë muzikë në raste ditëlindjesh e festash të tjera, sipas shijeve të liderëve. Rasti kishte sjellë të shkoja dhe unë disa herë. Aty jam njohur me Fiqirete Shehun dhe familjen e saj. Kontaktet me të u mundova t’i shfrytëzoj për të gjetur ndonjë punë sipas preferencave të mia. Me qenë se më pëlqente muzika, jo vetëm se isha këngëtare, por edhe kisha filluar të studioja për të, synoja një vend në fushën e kulturës. Mirëpo koha ishte e tillë që nuk mund të emërohej askush në funksione të kësaj natyre, pa pasur teserën e Partisë dhe një shkollë të lartë politike. Ky si të thuash ishte shkaku që më futi në këtë rrugë...
Bekimi i gruas së kryeministrit...
Fillimisht e kisha konsumuar këtë me Fiqirete Shehun, në një gosti në shtëpinë e saj. Ajo më sqaroi procedurat e më pas më udhëzoi për to. I plotësova dokumentet e kërkuara dhe sipas rregullit, i dorëzova në drejtorinë e shkollës nëpërmjet Komitetit të Partisë së rajonit dhe atij të rrethit të Tiranës. Nuk vonoi dhe më njoftuan zyrtarisht për të filluar studimet. Kështu u futa në korpusin, që shkollohej si kuadër politik. Në periudhën e studimeve me Shehun jam takuar herë pas here...
Cilat ishin raportet me Fiqirete Shehun para se t’iu izolonin dhe si reagoi ajo në kohën kur ju penalizuan për të famshmin ditar?
Fiqirete Shehu, drejtoresha e shkollës së Partisë, në përgjithësi mbante marrëdhënie korrekte me studentët. Në pamje të jashtme dukej autoritare, por nuk shfaqej e tillë në kontaktet njerëzore. Në raport me të tjerët, unë flisja më lirshëm me të. Më jepte krahë njohja e hershme, por edhe ai pak emër që kisha bërë në skenë. Gjithsesi, konfidenca në asnjë rast nuk i kapërceu raportet profesor-student. Mirëpo jo kushdo i perceptonte të tilla. Fill pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, marrëdhëniet me Fiqireten u artikuluan me dashakeqësi, duke aluduar prapaskena të çuditshme, që as mund t’i mendoja kurrë. Në një mënyrë apo në një tjetër, orteku i ngjarjeve tronditëse ndaj familjes së kryeministrit, e shtriu frekuecën deri tek unë. Penalizimi për ditarin erdhi menjëherë pas arrestimit të Fiqiretes. Kështu që ajo nuk kishte si të reagonte. Fiqiretja pati fatin ta provonte para meje shtyrjen në greminë...
Në fillimin e viteve ‘80, në Tiranë qarkullonin zëra se Alida Hiskun e kryqëzuan se refuzoi një krushqi në Bllok...
Në atë kohë ishte e vështirë të gjeje të vërtetën. Akoma më e vështirë është sot e kësaj dite. Kjo tregon se nuk ka ndryshuar sistemi i qarkullimit të zërave keqdashës. Për t’i rënë shkurt, asgjë nuk ishte e vërtetë. Ishte shpifje, një thashethem i rëndomtë, i adresuar vetëm për të lënduar zemra njerëzish...
Ti rikthehemi edhe një herë momentit të ndalimit në policinë e Sarandës. Kush ua komunikoi urdhrin e arrestit?
Nuk e di si operohej në rastet e tjera me procedurën e arrestit, por mua asnjëherë nuk më komunikuan një urdhër të tillë. Pasditen e 13 qershorit 1983, njëri nga zyrtarët e shkollës më tha se dikush më kërkonte në qendër të Konispolit. Aty dy xhentillmenë më ftuan në xhipin e tyre dhe bashkë me ta shkuam në Sarandë. Pastaj nga Saranda drejt e në Tiranë, direkt e në qelitë e Brakës. Disa ditë, javë, e muaj aty...
Çfarë të pyetën gjatë ditëve që ishe në qelitë e Brakës dhe si u rrëfeve para hetuesve të sigurimit?
Kur të thërrisnin në polici nuk të qerasnin me kafe. Të nxirrnin një letër përpara e të urdhëronin ta firmosje, për të konfirmuar rrëfenjat e tyre. Në të kundërt, të hidhnin një batanije përsipër që mos t’i dalloje dhe fillonin formalitetet me shkelma brinjëve e në fytyrë. Në rastin tim përballja ishte e tmerrshme. Si tani e kam para syve tërbimin e hetuesit bastard. Sa vinte përballë, fillonte të njëjtin refren: Çfarë lidhje ke pasur me Fiqirete Shehun?...për këtë kemi fakte !! Sa herë keni shkuar në shtëpinë e kryeministrit??... për këtë kemi fakte !! Kush bën pjesë në grupin tuaj?....edhe për këtë kemi fakte.!! Kush është drejtuesi dhe si vepron rrjeti juaj?....! Nuk dija ç’tu thosha. Në thelb, unë këngëtarja e muzikës së lehtë akuzohesha si pjesëtare e grupit armiqësor të Mehmet Shehut. Çudia vetë! Hetuesit silleshin si përbindësha. Skërrmiteshin sikur kishin përballë një superkriminel. Çirreshin, bërtisnin e përgjigjeshin po vetë. Avazi i tyre vazhdonte për orë të tëra. Seancat maratonë riktheheshin pas mesnate. Nuk di sa vazhdoi kështu, pasi një çast humba ekuilibrin mendor dhe përfundova në psikiatri...


Dhuratat e çmimeve

Alida Hisku është ndër këngëtaret e muzikës së lehtë, që ka marrë një sërë trofesh në festivalet kombëtare të RTSH. Njëherazi me to ka përfituar dhurata të ndryshme, të cilat i ruan edhe sot si relikë. I gjithë koleksioni i tyre përbëhet nga një termus kinez, një qyp bakri, një orë tavoline kineze, një stilograf, një pjatë druri me motive artistike dhe

Afrimi Imaj



No comments: