PD KUNDER DORIS PACK/ Deputetët e PD dhe PS nuk kanë arritur dot të votojnë një dokument kompromisi për zgjidhjen e krizës politike pas debateve të ashpra në praninë e eurodeputetëve të Parlamentit Europian. Pas takimit të Komitetit Parlamentar BE-Shqipëri, kreu i delegacionit të PE, Kukan, ka deklaruar se ndihej i zhgënjyer nga palët dhe se ky ishte një mesazh i keq për Europën. Eurodeputetja Doris Pack propozon hetimin e materialeve zgjedhore dhe për kutitë të vendosë Gjykata Kushtetuese. PD kundër, PS pro
Gjithçka ka ardhur për shkak se përfaqësuesit e PS-së dhe të PD-së në këtë takim nuk ranë dakord për mënyrën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në përfundim të takimit, pasi u anulua edhe një konferencë për shkak të mosgjetjes së konsensusit për deklaratën e përbashkët, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, u shpreh i zhgënjyer për këto dy ditë pune në Shqipëri. Sipas tij, ndarja e thellë mes dy forcave politike, e demonstruar edhe në tryezën me eurodeputetët, është një lajm i keq që i jepet Bashkimit Europian përpara se ai të vendosë për statusin e vendit kandidat. "Jam i zhgënjyer sepse për herë të dytë nuk arritëm të siguronim një dokument të përbashkët. Po bëhet rutinë kjo dhe eshtë shumë keq. Është e nevojshme të vazhdohet dialogu politik. Javën e ardhshme do jepet progres-raporti dhe opinioni nga Komisioni Europian. Kjo që ndodhi këtu nuk është lajmi i mirë që i duhej Shqipërisë para këtyre ngjarjeve. Është një mesazh i keq për Europën, që nuk u arrit pas dy ditësh pune një konsensus prej palës shqiptare. Javën tjetër publikohet raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë. Unë nuk e di çfarë përmban, megjithëse disa media e kanë prezantuar atë, por nuk është zyrtare. Por rezultati i këtij takimi, përfundimisht nuk është një lajm pozitiv apo konstruktiv për Shqipërinë përpara kësaj ngjarjeje", tha Kukan në një komunikim me mediat në hollin e hotel "Rogner". I pyetur për këtë tryezë, të cilën Kukan e drejtoi së bashku me deputetin e PD-së, Fatos Beja, eurodeputeti i djathtë, shpjegoi edhe arsyen përse nuk mund të kishte një deklaratë të përbashkët. "Ne nuk mundëm dot të arrinim në një dokument të përbashkët, sepse nuk kishte marrëveshje nga pala shqiptare. Sipas rregullores, nëse ka mosmarrëveshje, është e nevojshme vota dhe deklarata e përbashkët miratohet kur të dyja palët e delegacionit bien dakord me të".
Debatet në tryezë
Në tryezën e djeshme, që ka zgjatur rreth dy orë, përpara se të diskutohej deklarata e përbashkët, deputetët e PS-së dhe PD-së kanë përsëritur akuzat për korrupsion. "Duhet theksuar se këtu ka deputetë të maxhorancës, si dhe ministrat, që në deklaratat e tyre të pasurisë kanë gënjyer dhe sot janë subjekt i gjykatave dhe janë subjekt i ndjekjes penale nga ILDKP-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ky institucion ka vërtetuar akuzat e PS-së dhe ka anëtarë të qeverisë të akuzuar të lidhur me mafian, ashtu siç ka raporte sekrete në tavolinën e Kryeministrit", tha Sajmir Tahiri. Ndërsa deputetja e PD-së, Albana Vokshi, tha se "të dy zotërinjtë nga opozita që folën dhe 8 kolegë të tjerë i kam paditur në gjykatë për shpifje dhe do të bënin mirë të paraqiteshin në gjykata, ashtu siç z. Tahiri duhej të ishte paraqitur sot, ashtu siç duhej. Le t'ia lënë drejtësisë. Maxhoranca nuk e njeh imunitetin dhe qenia si deputetë nuk na ka penguar të japin shpjegime në Prokurori, ILDKP apo në institucione në tjera".
Debati në Komision
Ridvan Bode: Ne kemi si objektiv rikthimin e nivelit të borxhit publik në masën 59 % nga 59.5 % që pritet të jetë në fund të vitit. Projekt-buxheti 2009 nuk është konsertavorist, por nuk mund të konsiderohet si optimist. Ai mund të konsiderohet si stimulues për ekonominë.
Antonia Cancia (eurodeputet italian): Sot Europa është e bashkuar dhe duhet të projektojmë rrjete të reja lidhëse. Si do t'i programojmë sot këto rrjete? Ju jeni sot të gatshëm të arsyetoni për Korridorin 8 sepse kur ishim në Beograd, ata thoshin se do të shkojmë në Mal të zi. Po kjo duket si paralele me atë që programoni ju dhe Korridorin 8. Duhet t'i zhvillojmë këto korridore dhe është ideja për Korridorin 11.
Arben Malaj: Në momentin që kjo mazhorancë ka ardhur në pushtet, pretendonte se borxhi publik mund të shkonte deri në 49 %. Sipas dokumenteve zyrtare që janë dorëzuar nga FMN-ja, deri në vitin 2013 borxhi publik i Shqipërisë tenton të shkojë 69 %. Elementi i tretë ka të bëjë me koston e borxhit që po shkon në 4.1 % nga 3.2 që ka qenë.
Saimir Tahiri: Duhet theksuar se këtu ka deputetë të maxhorancës, si dhe ministrat, që në deklaratat e tyre të pasurisë kanë gënjyer dhe sot janë subjekt i gjykatave dhe janë subjekt ndjekjes penale nga ILDKP-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ky institucion ka vërtetuar akuzat e PS-së dhe ka anëtarë të qeverisë të akuzuar të lidhur me mafien, ashtu siç ka raporte sekrete në tavolinën e Kryeministrit.
Taulant Balla: Në Shqipëri u arrestua një prej drejtuesve kryesore të organizatës mafioze italiane "Sacra Corona Unita" të përfshirë në një rrjet qendrash lojërash fati. Sipas njoftimit nga Prokuroria, bëhej pastrim parash. Rezultoi se administratorët e këtyre bizneseve ishte motra dhe kunati i ministres së Integrimit, por ajo që implikon ministren është se ajo bën një deklaratë se familja Prudentino nuk kishte probleme me drejtësinë.
Albana Vokshi: Doja të bëja nja dy sqarime që vërtet opozita ka rol të rëndësishëm, por jo kur ajo shpif. Të dy zotërinjtë nga opozita që folën dhe 8 kolegë të tjerë i kam paditur në gjykatë për shpifje dhe do të bënin mirë të paraqiteshin në gjykata, ashtu siç z. Tahiri duhej të ishte paraqitur sot, siç duhej. Le t'ia lënë drejtësisë. Unë s'kam gënjyer në deklaratën e pasurisë dhe bashkëjetuesi im nuk e ka refuzuar deklarimin e pasurisë si person i lidhur. Afati i fundit ka qenë sot, pra 5 nëntor, dhe jemi akoma duke u sqaruar me ILDKP-në për këtë çështje.
Saimir Tahiri: A mund të flas zoti kryetar?
Doris Pack: Për çfarë do të flasësh tani?
Saimir Tahiri: Ajo më përmendi emrin.
Doris Pack: Mjaft më me këto. Jam e zhgënjyer nga të gjithë ju dhe po tregoni mungesë serioziteti. Kemi 20 vjet që shohim të njëjtën praktikë. Në mbledhje të tilla diskutohen fatet e vendit ndërsa në tryezë vazhdojnë të njëjtat përplasje. Kjo është e papranueshme. (largohet nga salla në mënyrë demonstrative)
Sergio Silvestris (eurodeputet i djathtë italian): Sa herë që vij këtu, më duket sikur dëgjoj të njëjtat gjëra. Më falni por nuk i kemi në interes këto akuza apo këtë gjyq publik. Ky "gossip" që bëni ju...nuk jemi për këtë këtu. Ju dëgjova që lëshoni akuza të forta, shoh se si funksionon drejtësia këtu. Ju dëgjoja që lëshoni akuza të forta, por s'kam mënyra si t'i verifikoj, kështu që pse i thoni? Nga ana tjetër, puna e Parlamentit është e pezulluar dhe kjo nuk është e mirë sepse vetëm aty mund të bësh ndryshimet e duhura. Bëni vetëm akuza teatrore por nuk bëni një teatër mbi rezultatet apo përmirësimet e sistemit të drejtësisë, që mesa duket nuk po i thoni.
Fatos Beja: T'i lëmë institucionet në punën e vet. Ministrat e parë që përmendët ju, Basha e Mediu, kaluan në gjyqësor dhe ka vendim për to. Më vjen keq që vijoni të bëheni pjesë e kësaj strategjie politike.
Eduard Kukan: Ju lutem, duhet të bëjmë një mbledhje normale. Nëse ju vijoni të thoni emra të tjerë, të reagoni, kjo nuk do të sjellë asnjë rezultat, përkundrazi, do të bëni vetëm një zero të madhe.
Saimir Tahiri: Ne jemi të shqetësuar, z. kryetar, nga presioni i qeverisë mbi sistemin gjyqësor. Jam i shqetësuar se Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese po synohen të nënshtrohen nga qeveria. Ju dhashë shembullin e rrëzimit të 11 gjyqtarëve të kualifikuar të dekretuar nga Presidentit i vendit.
Eduard Kukan: Të nderuar miq. Ne e dimë pozicionin e qeverisë dhe atë të opozitës. Por ju z. Tahiri, i përsëritët këto argumente dhe ju them se jemi njerëz inteligjentë ne të Parlamentit Europian dhe nuk është e nevojshme të na i përsërisësh. Nuk shoh më sens në këto diskutime. Njerëzit e zgjuar thonë se atë që ndodh në Romë e dinë vetë romakët.
Marije Cornelissen (eurodeputete holandeze): Jam e befasuar për atë që ndodhi në këtë tavolinë. Ju supozohet të keni dialog me ne, por nga ju morëm mjaft debate të panevojshme. Këtu duhet të dialogohet, ndërsa ju vazhdoni ende me akuzat. Ju supozohet se përfaqësoni qytetarët shqiptarët, ashtu si ne përfaqësojmë europianët. Nëse do të isha shqiptare, do të më vinte turp.
Eduard Kukan: Për paragrafin 3 (hetimin e zgjedhjeve) ka dy amendamente. Njëra nga zonja Pack dhe nga zoti Masip.
Viktor Gumi: Për këtë amendament, duhet të shtojmë fjalët pas rezolutës së PE-së, "në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor".
Doris Pack: Nuk besoj se është e nevojshme t'i përmendim këto se kodi dhe Kushtetuta janë fakte, i dimë ato. Por duhet të themi se duhet të hetohen materialet zgjedhore dhe për fletët e votimit, duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Taulant Balla: Zonja Pack, kur e propozoi këtë amendament, e kishte parasysh Kushtetutën dhe Kodin, dhe s'ka pse duhet të mbushim deklaratat me fjalë boshe, me fjalë që i dimë. Duhet ta hedhim në vonë. (zhurmë në sallë)
Eduard Kukan: Tani filluan prapë nga e para.
Aldo Bumçi: Çështja është e thjeshtë. Kemi një rezolutë të PE-së dhe duhet t'i referohemi asaj. Nëse i referohemi asaj, duhet t'i referohemi edhe Kushtetutës. Problemi është se PS-ja dhe kreu i saj nuk e marrin të mirëqenë Kodin Zgjedhor dhe ka deklaruar publikisht që është kundër zbatimit të kodit.
Eduard Kukan: Duhet të arrijmë një kompromis dhe jo kështu si ju, që kërkoni kush e kush të marrë më shumë.
Doris Pack: Unë e di që sipas Kodit Zgjedhor me hapjen e kutive, fletët e votimit duhet të shkatërrohen. Dakord, por ne na duhet një dalje e situatës dhe nuk jam këtu të them çdo gjë nga e para. Unë po mundohem të ndihmoj shqiptarët. Ky kod elektoral u bë, dhe unë e mbaj mend mirë, kundër Metës nga PS dhe PD. Përse nuk uleni bashkë në Parlament dhe ndryshoni këtë nen të kodit dhe të dilni nga ngërçi? Bëjeni dhe siguroni materialet zgjedhore. Qeveria ka garantuar kuti të reja, pra nuk është kjo çështja. Zgjidheni përfundimisht çështjen e djegies dhe mosdjegies sepse nuk është kjo e rëndësishme.
Eduard Kukan: Duhet të votojmë tani sepse çështja po bëhet dramatike.
Doris Pack: Duhet të bëhet e qartë për socialistët që keni një Kod Zgjedhor dhe duhet ta respektoni. Kërkoni të ndryshonin Kodin Zgjedhor dhe kjo duket qartë. Por këtë duhet të jeni në Parlament për ndryshimin e ligjit.
Eduard Kukan: Hedhim në votim amendamentet. Anëtarët e delegacionit europian? Të gjithë dakord. Po për anëtarët shqiptarë? Kush është dakord? 7 vota pro (deputetët e PS).
Fatos Beja: Më falni, por duhet të unifikojmë qëndrimet. Ju s'po pranoni të zbatoni Kushtetutën dhe Kodin Elektoral. Kjo është e çuditshme. Kolegët europianë shprehen se kjo nënkuptohet, por u lutem atyre sepse problemet fillojnë këtu ndaj dhe duhet të jetë e shkruar. Duhet të pranojmë atë që ka ardhur në fillim nga zoti Kukan.
Eduard Kukan: Kush është në favor të propozimit të zotit Beja? 7 vota pro sërish (deputetët e PD). Pra kompromisi nuk u arrit.
Doris Pack: Duhet të pranohet një kompromis dhe këtu nuk u arrit sërish asnjë hap para. Ky është një problem.
Valentina Leskaj: Ne pranojmë amendamentin e zonjës Pack dhe është pa sens të miratojmë artikullin tre (të propozuar nga Kukan). Nuk e kuptoj pse e kanë të vështirë kolegët e PD-së, pasi është e qartë që nuk vihet në diskutim zbatimi i Kushtetutës. Ajo është e detyrueshme, e vëmë ose jo ne këtu.
Fatos Beja: Nuk ka kuptim pse të mos e votojmë artikullin 3 sepse janë terma të rezolutës së PS-së. Kolegët e PS-së duhet ta votojnë pro.
Eduard Kukan: Konkluzioni është se nuk bëmë dot një dokument të përbashkët. Kërkesa ime që duhet të reflektoni për këtë takim. Besoj se më kuptuat.
Pack braktis tryezën, revoltohet nga debatet
Eurodeputetja Doris Pack braktisi dje punimet e tryezës në formë demonstrative, pas debateve të ashpra mes deputeteve të PD-së e PS-së për korrupsion. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, akuzoi deputeten Vokshi se nuk ka bërë deklarim të drejtë të pasurisë, ndërsa kjo e fundit e akuzoi atë për shpifje. Kjo situatë bëri që Pack të shpërthejë në kritika dhe të dalë jashtë mbledhjes, për t'u kthyer pas disa minutave. "Jam e zhgënjyer nga të gjithë ju dhe po tregoni mungesë serioziteti. Kemi 20 vjet që shohim të njëjtën praktikë. Në mbledhje të tilla diskutohen fatet e vendit, ndërsa në tryezë vazhdojnë të njëjtat përplasje. Kjo është e papranueshme", tha Pack.
Adi Shkembi
No comments:
Post a Comment