Der Spiegel
George Provopulos, guvernatori i Bankës së Greqisë, beson se rrëzimi i paketës së kursimeve, siç u përpoq të bënte opozita konservatore e vendit, do të kishte qenë një vetëvrasje. Megjithatë, Provopulos beson gjithashtu se Greqia ka prekur fundin dhe se do të ishte e pamundur që populli të shtrydhej edhe më shumë.
Duke folur për gazetën konservatore “Kathimerini”, ai u ndal tek ajo që shihte si rrënjë të krizës. “Nuk ka dyshim se dështimi i sistemit ekzistues social dhe politik vonoi zbatimin e politikave që do të kishin shmangur sëmundjet e tanishme”, tha ai. “Ne po paguajmë çmimin e gabimeve të së shkuarës.”
Financimet emergjente do të ndihmojnë Greqinë për disa muaj të ardhshëm dhe do t’i japin kohë BE-së - kohë gjatë së cilës kriza mund të lehtësohet disi. Por ka pak gjasa që të shpëtojnë Greqinë. Dekadat e fundit janë dëshmitare të një elite, me familjet Papandreu, Micotaqis dhe Karamanlis në qendër të themelimit të një sistemi patronazhi ekonomik. Ata shpërndanë rreth e rrotull miliarda, të cilat qeveria nuk i kishte, dhe i mbuluan miqtë dhe të afërmit me prosperitet; i gjithi i bazuar në kredit. Këta udhëheqës e mbifrynë administratën e vendit në mënyrë që të gjithë të mund të merrnin nga një copë dhe në proces e sipër krijuan një monstër burokratike.
Bizneset e partive politike ishin gjithmonë e më shumë rreth favoreve sesa politikave. Çdokush me akses te fondet publike i përdori për të blerë miq e vota, të cilat më pas i trashëgoheshin partisë - dhe familjes në krye të saj. Si rezultat, Greqia u bë një demokraci feudale, ku brezat vijë e shkojnë; por emrat mbeten të njëjtë: Papandreu e Karamanlis dhe Karamanlis e Papandreu; me ndonjë Micotaqi në mes herë pas here. Asnjë demokraci tjetër europiane nuk ka parë diçka të ngjashme.
Ullinj, qiej blu dhe plazhe
Ndërkohë princat feudalë të partive i mësuan njerëzit e tyre të jetonin përtej mundësive. Greqia me të 11 milionë banorët e saj është një vend i varfër në cepin më të largët të Europës, që ka ullinj, qiej blu dhe jo ndonjë gjë tjetër. Një në katër njerëz që punojnë janë pjesë e administratës. Është një burim që çdokush do të shfrytëzojë.
Ndërsa partitë politike e tregtojnë vendin si treg shumice edhe populli rrëmben ç’të mundet. Të pasurit i shmangin taksat në shifra miliardëshe; të varfrit mbijetojnë me punë në të zezë, ndërsa zyrtarët u hapën dyert ryshfeteve.
Tani kryeministri Jorgo Papandreu duhet të ndreqë atë që i ati ndihmoi të ndërtonte, një sistem në të cilin njerëzit mund të dilnin në pension më herët dhe të punonin më pak. Ka ardhur koha për masa të ashpra, beson Papandreu i ri. “Ose ndryshojmë, ose të gjithë biem së bashku”, ka deklaruar Kryeministri. Ai e di shumë mirë, megjithatë, se çfarë nuk ka shkuar si duhet për dekada me radhë.
Gjyshi i Papandreut, i cili gjithashtu quhej Jorgos, themeloi dinastinë politike të familjes, duke shërbyer në pozicione të ndryshme ministrore dhe më vonë si Kryeministër. Pas diktaturës ushtarake të 1967-1974, i biri i Jorgos, Andreas Papandreu, krijoi partinë socialiste, PASOK. Në vitet ‘80 ai u dha aq shumë mbështetësve dhe partnerëve të tij sa borxhi i vendit u fry.
Konservatorët grekë, ndërkohë, udhëhiqeshin, më shumë se nga një familje, nga një klikë dhe ata këmbeheshin me Papandreasit në krye të shtetit. Konstantin Karamanlis, patriarku i familjes, ishte në qeveri disa herë para se nipi i tij i quajtur gjithashtu Konstantin, apo Kostas, të vinte në pushtet. Me raste kishte vend në krye edhe për familjen Micotaqis. Konstantin Micotaqis shërbeu si Kryeministër dhe, ç’është më e rëndësishme, ka mbajtur pozicionin e njeriut më të fuqishëm në Demokracinë e Re për dekada.
Në fushatën zgjedhore të vitit 2004, Karamanlisi i ri premtoi reformimin e vendit. Pas fitores së tij, skandalet filluan të bëheshin stivë; me pakte imobiliare prej miliarda eurosh dhe para që rridhnin nga fondet e pensioneve. Njerëzit e Karamanlisit falsifikuan të dhënat financiare që ia raportuan BE-së dhe pak para se të linin pushtetin krijuan dhjetëra mijëra poste administrative për të afërmit dhe miqtë e partisë. Në fund të mandatit të tyre konservatorët e kishin dyfishuar borxhin kombëtar.
Vajza e Micotaqisit, Dora Bakojanis, ministre e Jashtme asokohe, u përpoq të merrte udhëheqjen e Demokracisë së Re. Antonis Samaras arriti që ta zmbrapste dhe të bëhej kreu i partisë - Micotaqisi ende vazhdon të ketë rolin e Presidentit të nderit.
BE ndihet me fat që ka Papandreun
Samaras, ashtu si Papandreu, një anëtar i pasur i shtresës së lartë, është tani kundërshtari i Kryeministrit. Ai është një rival i ashpër që nuk ka frikë të përdorë çfarëdo lloj taktike. Të dy, megjithatë, kanë afërsi, pasi ndanë një apartament kur ishin studentë në Amerikë në vitet ’70.
Zyrtarët e BE-së ndihen me fat që kanë Papandreun, i cili po përpiqet që të shkurtojë kostot. Samaras, m’anë tjetër po u premton votuesve taksa më të ulëta dhe po tregohet joelastik me masat antikrizë të BE-së.
Ndërkohë që pozicioni i Papandreut në publik ka rënë dukshëm gjatë javëve të fundit dhe partia e tij PASOK është katandisur te 27 për qind në sondazhet e opinionit, përqindja më e ulët e saj në 34 vjet, Demokracia e Re është ngulur te 31 përqindëshi. Kjo mjaftonte për ta renditur partinë si më populloren në sytë e votuesve në mesqershor, por prapë ishte 2.5 për qind më pak se rezultati i saj në zgjedhjet e 2009-ës.
Para pak javësh Papandreu i telefonoi kundërshtarit të tij konservator, duke dashur që të dyja partitë të punonin së bashku për të shpëtuar vendin nëpërmjet një koalicioni të gjerë. Papandreu sugjeroi se ishte i gatshëm të lëshonte edhe postin e Kryeministrit.
‘Si një mace që ndjek bishtin e vet’
Biseda duhej të mbetej konfidenciale, por Samaras lajmëroi gazetarët. Më pas ai e sikletosi Papandreun në Parlament duke e bërë të qartë se nuk ishte i interesuar për një qeveri konsensusi. Pavarësisht asaj që ndodh nën qeverisjen e Papandreut, apo me të dy politikanët që punojnë së bashku, nëse Greqia fillon të ekonomizojë ka rrezik të mbysë ekonominë e vet. “Është si një mace që ndjek bishtin e saj”, thotë profesori i ekonomisë, Janis Varoufakis.
Ish-shefi i FMN-së, Kenneth Rogoff, pat paralajmëruar së fundmi: “nëse vazhdojnë vetëm me paketën e shkurtimeve të BE-së, do të shënohet rritje e ulët ose recesion për sa të munden, por në fund, prapë do të falimentojnë”.
Dhe nuk është se Greqia ndërkohë nuk u është përshtatur masave kursimtare. Athina arriti ta shkurtonte deficitin e buxhetit të saj nga 15.4 për qind të PBB në 10.6 për qind falë paketës së parë të kursimeve. Qeveria shkurtoi rrogat, fondet e pensioneve dhe beneficet sociale, ndër të tjera.
Profesori i Ekonomisë, Georgios Argitis, tingëllon përçmues tek flet për “klasën sunduese politike që e shndërroi vendin në pre dhe shkaktuan këtë telash”. Autori kundërthënës best-seller Petros Markaris ia hedh fajin “aparatit të sëmurë shtetëror”. Përfaqësuesit e tij “kanë vetëm një interes, pikërisht ruajtjen e privilegjeve të tyre”, thotë ai. “Ata as e çajnë kokën për tjetër gjë”.
Ai e ka fjalën, për shembull, për punonjësit e Parlamentit, të cilët vazhdojnë të marrin 14 rroga në vit, shto edhe dy rroga të tjera si shpërblime. Ai e ka fjalën për ‘tokën e premtuar’, që është sektori publik ku politikanët u japin atyre që i kanë ndihmuar.
Çdo qeveri që ka ardhur në pushtet në Greqi ka punësuar mijëra zyrtarë dhe punonjës pa pushuar nga puna të mëparshmit. Askush nuk shqetësohej nga kjo, për sa kohë puna e secilit nuk prekej. Tani njerëzit po e refuzojnë klasën politike me gjithsejt. Në maj, 71 për qind e grekëve thanë se nuk kishin besim te qeveria, ndërsa 76 për qind e tyre kishin po kaq mungesë besimi edhe tek opozita.
No comments:
Post a Comment