Kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari ishte një prej personave që u dënua me vdekje nga gjyqi special i mars – prillit 1945. I akuzuar si “armik i popullit”, organizator dhe drejtues i Ballit Kombëtar, kolaboracionist (ministër i Jashtëm për 3 muaj, kur Shqipëria nuk kishte fare diplomaci), Bahri Omari dilte së bashku me 59 persona të tjerë përpara një gjykate speciale, jo vetëm me atributet e politikanit që i kishte mbaruar koha, por edhe si kunati i Enver Hoxhës, njeriut që sapo kishte marrë pushtetin në Shqipëri. I njohur si një prej deputetëve antizogistë, që emigruan jashtë vendit në fundin e vitit 1924, Bahri Omari kishte qëndruar deri në maj 1939 në Bari të Italisë, pa u përfshirë me grupin tjetër të politikanëve antizogistë, që u larguan kryesisht në Francë e Austri. Në majin e vitit 1939, pasi kishte pritur për kurim kunatin e tij, Enver Hoxha, i cili vuante nga reumatizma në gju, Omari u vendos në Tiranë. Disa muaj më vonë, në Tiranë erdhi edhe i kunati, Enveri. Marrëdhëniet midis dy kunetërve janë vërtet interesante, gjatë periudhës së luftës. Bahriu u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit, ndërsa Enver Hoxha ushtronte tregtinë e cigareshitësit në dyqanin “Flora” në Tiranë. Pak nga pak, dy kunetërit e panë veten në kampe të ndryshme të politikës: Enver Hoxha te komunistët dhe Bahriu te ballistët. Gjatë kohës që Enver Hoxha ishte në Tiranë, midis tij dhe Bahri Omarit janë zhvilluar disa takime të fshehta, fakt ky që ka dalë në gjyqin special të vitit 1945, i pohuar pikërisht nga vetë ky i fundit. Enver Hoxha u tregua hakmarrës ndaj kunatit të tij, fill pas ardhjes në pushtet. Gjëja e parë që bëri në Tiranë ishte arrestimi i Omarit dhe shokëve të tij. Omari në fakt ishte një njohës i vjetër i Hoxhës, jo vetëm si kunat, por edhe si bashkëbisedues dhe dëshmitar në lëvizjet e Hoxhës nga Italia në Francë. Për ta mbyllur çështjen e Bahriut, Enver Hoxha e la fatin e tij në duart e gjyqit special, edhe pse më parë e kishte ndarë mendjen për vdekjen e tij. Para krijimit të gjyqit special, një komision i posaçëm hetimor, i përbërë nga Manol Konomi, Koçi Xoxe, Faik Shehu, Ali Shtëpani, Bedri Spahiu, Qiriako Harito, Nako Spiru, Pjetër Deda dhe Muharrem Bedini, i ndihmuar nga disa me nënkomisione vendore, evidentoi “kriminelët e luftës”. Gjyqi u hap më 1 mars – 13 prill 1945, në kinema “Kosova” në Tiranë. Komisioni Hetimor, i drejtuar nga Bedri Spahiu, mori në pyetje paraprakisht të pandehurit. Vendimi për dënimet e dhëna u mor nga Byroja Politike e Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Akuzat ndaj Omarit
Bahri Omari, lindur në Gjirokastër e banues në Tiranë, i biri i Iljazit dhe i Rehos, vjeç 56, me arsim të lartë të lartë në “Mylqije” në Stamboll, ish- ministër, ish- deputet, ishte akuzuar muajin e katërt që ishte arrestuar. Sipas dëshmisë, Omari ka ardhur në Shqipëri 2 – 3 muaj pas zbarkimit fashist. Gjatë kësaj kohe, italianët nuk e lejonin të lëvizte, madje mezi e kishte siguruar lejen e kalimin prej policisë. Deklaronte se nuk kishte marrë asnjë subvencion prej italianëve. Kishte pasur vështirësi në formulimin e kësaj akuze. Në aktakuzën e datës 12 shkurt 1945, ai akuzohet se kishte një marrëveshje me italianët para 7 prillit 1939, se kishte marrë shpërblime prej tyre, se kishte frymëzuar dhe organizuar organizatën e Ballit Kombëtar, se kishte marrë pjesë si ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, se ishte përgjegjës për masakrën e 4 shkurtit 1944, për plaçkitjet, grabitjet që i ishin bërë popullit shqiptar, për shkatërrimin e portit të Durrësit. I pyetur për këtë, në sallën e gjyqit, Omari përgjigjej: “Akuzën që më bëhet për tradhti, e formuluar prej komisionit hetimor, besoj në bazë të artikullit të gazetës “Roja Kombëtare”, nuk e pranoj në asnjë mënyrë. Kur janë bërë bisedimet në Grenoble të Francës, unë ndodhesha në Bari, i survejuar. Është e vërtetë se bëja pjesë në grupin e “Bashkimit Kombëtar”. Këtë çështje, unë e kam marrë vesh pasi erdhën italianët... Dy – tre muaj para zbarkimit të italianëve ka ardhur në Itali, Maliq Bushati, e në prani të Sheh Karbunarës e të Kost Paftalit na ka dhënë lajmin se do të bëhej një revolucion. Për marrëveshjen e arritur në Francë, pasi nuk kam qenë atje, nuk kam dijeni. Kur na thirrën italianët në Romë, mora vesh marrëveshjen e Grenoblit. Unë nuk kam qenë dakord me këtë politikë, pasi kisha frikë prej italianëve”.
Dëshmia për Ballin Kombëtar
Duke qenë një prej personave që kishin dijeni për formimin e Ballit Kombëtar, Bahri Omari jep dëshminë e tij këtë rast. “Kur erdha në Shqipëri, kam qenë kundër okupatorit. E para organizatë që u krijua këtu me frymë e me persona nacionalistë dhe që m’u propozua edhe mua si patriot të merrja pjesë, organizatë kjo që u formua nga nëntorit ose dhjetori 1939. Kjo organizatë ka qenë pak e përhapur në popull dhe aktiviteti i saj për dy vite me radhë ka qenë pothuaj asgjë. Qëllimi ka qenë për të bërë propagandë vesh më vesh e me mjete të pakta, që ishin atëherë, duke u ruajtur nga okupatori për t’u përgatitur për kohën e ardhme. Kjo organizatë nacionaliste nuk quhej Balli Kombëtar. Në fillim as kam ditur kush ishin kryetarët dhe iniciatorët e saj, vetëm se një herë, kur më thirri Mit’hat Frashëri dhe më ngarkoi të isha në një marrëveshje me pjesëtarët e nacionalçlirimtares, kam kuptuar se kryetar i saj ishte Mit’hati. Kjo ndodhi pas konferencës së Pezës”. Omari këmbëngulte pa lëkundje se “direktivat e Ballit kanë qenë për luftë kundër okupatorit”.
Takimet ilegale me Enver Hoxhën
Bahri Omari flet për takime që janë zhvilluar me përfaqësues të Partisë Komuniste në Gjirokastër dhe në Tiranë, ku dy personat kryesorë kanë qenë Enver Hoxha dhe Bahri Omari. Për këtë pikë, ai thotë: “Në mbledhjet e Gjirokastrës, nuk është e vërtetë të kem qenë dërguar nga qendrori i Ballit. Me Ymer Dishnicën dhe me Enver Hoxhën kam pasur biseda vetëm kur ishin ilegalë. Më pat ngarkuar vetëm këtë herë Mit’hat Frashëri, që së bashku me Halil Maçin dhe me Ali Begenë të bisedonim me përfaqësuesit e lëvizjes nacionalçlirimtare. Këtë bisedë e kemi zhvilluar në shtëpinë e Ramazan Jaranit, e jo se ka qenë edhe ky i ngarkuar në këtë bisede, siç ka thënë në një artikull Ymer Dishnica. Kur vamë (shkuam) në shtëpinë e Ramazan Jaranit, hymë në bisedime. Ymer Dishnica dhe Enver Hoxha na thanë se ishin pjesëtarë të Partisë Komuniste dhe se përfaqësonin Frontin Nacionalçlirimtar, unë kisha dyshime se këta, duke u shfaqur si përfaqësues të Partisë Komuniste nuk mund të ishin të frontit. Kështu që bisedimet u ndërprenë dhe unë menjëherë këtë çështje ia raportova Mit’hat Frashërit, për arsye se vetë nuk mund ta shkoqisja këtë çështje”. (Vijon nesër)
Gjyqi special u krijua me një vendim të Kryesisë
së KANÇ-it më 15 dhjetor 1945, sipas kësaj përbërje:
1-Gjeneralmajor Koçi Xoxe – kryetar
2-Kolonel Hysni Kapo – anëtar
3-Nënkolonel Beqir Balluku – anëtar
4-Kapiten i dytë Hajdar Aranitasi – anëtar
5-Gaqo Boboshtica (partizan) – anëtar
6-Medar Shtylla – anëtar
7-Faik Shehu – anëtar
8-Halim Budo – anëtar
9-Gaqo Floqi – anëtar
10-Bilbil Klosi – anëtar
Prokuror: Bedri Spahiu
No comments:
Post a Comment