Friday, July 22, 2011

Kadri Hazbiu: Mehmeti urdhëroi vrasje për te fshehur lidhjet me CIA

Pamje nga gjyqi i Kadri Hazbiut

Nga moria e vrasjeve misterioze që Kadri Hazbiu pohonte në Hetuesi në vjeshtën e vitit ’82, ekzekutimi i Alush Leshanakut në Elbasan në dhjetorin e vitit ’50 ka qenë një ngjarje e tipit mafioz. Të paktën ato që rrëfen ish-ministri i Punëve të Brendshme, të bindin për një histori të veçantë, të denjë për subjektin e një filmi horror.”Unë drejtoja operacionin për ta kapur të gjallë Leshanakun si agjent potencial, rekrutues e ndërlidhës i zbulimit italian, tregon Hazbiu, por dështuam kur ishim fare pranë realizimit të detyrës. Teksa e kishim futur në kurth te një njeriu ynë në Elbasan, Mehmeti urdhëroi për ta vrarë dhe e ekzekutuan menjëherë”. Sipas logjikës së ish-kreut të Policisë Sekrete, likuidimi i beftë i parashutistit që do të rrëzonte Enverin nga pushteti, lidhej me përpjekjet e Shehut për të fshehur gjurmët e tij si agjent i shërbimeve të huaja. Në vazhdim të deponimeve përball hetuesve Shkëlzen Bajraktari e Thoma Tutulani, njeriu që kishte drejtuar më gjatë Policinë Sekrete shqiptare, sjell të tjera fakte e dëshmi që zbulojnë karakterin represiv e kriminal të Sigurimit të Shtetit, duke iu referuar praktikave të ndjekura nga Mehmet Shehu në kohën kur kryesonte këtë dikaster, por edhe kur kryente detyrën e Kryeministrit. Procesverbalet e Hetuesisë zbardhin ndërkaq dyshimet e Hazbiut për mënyrën si është operuar në Ministrinë e Brendshme me urdhër të Shehut, me materialet për misionet amerikane, angleze, UNRRA-s, proceset e Maliqit, të agjentëve amerikanë Lari Post, për dosjen e shkollës amerikane të Fultzit, për proceset dhe materialet e Konferencës së Tiranës, ato rreth Panajot Plakut, Teme Sejkos etj.

10.11.1982
Kadri Hazbiu: Në vazhdim dhe plotësim të procesit tim të pyetjes së datës së sotme, reflektoj në qëndrimin tim dhe dua të shtoj këto mendime: Përveç njoftimeve që shpjegova në procesin e mësipërm, gjykoj se nga koha kur mësova nga sekretari i K. Q të Partisë se materialet për Mehmet Shehun për të cilat është folur në kohën e Plenumit 11-të të vitit 1948, mund të ishin asgjësuar, mua më takonte të interesohesha nëse u gjendën ose jo këto materiale. Nëse jo, të shfaqja mendimin për rrugët dhe masat që mund të merreshin për të çuar në përcaktimin sado përafërsisht të përmbajtjes së këtyre materialeve. Unë nuk e bëra këtë, sepse gjykova që këto veprime do të ndërmerreshin në kuadrin e trajtimit në kompleks të kësaj çështjeje, por pavarësisht nga kjo, unë gjykoj se mendimi dhe qëndrimi im në këtë rast kanë qenë të cekët, rutinë, pra, të gabuar. Çështja tjetër qëndron si më poshtë: Unë kam sugjeruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si në kohën kur ishte ministër Feçor Shehu dhe mbas tij, se me syrin e tanishëm ishte e nevojshme të shiheshin materialet për misionet amerikane, angleze, UNRRA-s, proceset e Maliqit, të agjentëve amerikanë Lari Post, për dosjen e shkollës amerikane të Fultzit, për proceset dhe materialet e Konferencës së Tiranës, ato rreth Panajot Plakut, Teme Sejkos etj. Këto mendime dhe sugjerime i kam bërë në disa raste, ku kanë qenë edhe kuadro të ndryshme të Ministrisë.
Pyetje: Nga gjithë këto probleme në proceset që përmendët, e dinit që bëhej fjalë për tradhtarin Mehmet Shehu?
Përgjigje: Konkretisht, nuk e dija, por mendimet i dhashë për të parë se mos kishte ndonjë gjë që nuk ishte vlerësuar si duhet.
Pyetje: Po për materialet që dinit për tradhtarin Mehmet Shehu dhe që ishin dorëzuar siç thatë në Komitetin Qendror të Partisë, a biseduat me Feçor Shehun?
Përgjigje: Nuk kam biseduar as me Feçor Shehun dhe as me ministrin e sotëm.
Pyetje: Gjatë kohës që keni punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, a jeni marrë me problemin e agjentit amerikan Llazar Papapostoli (Lari Posti)?
Përgjigje: Jo, nuk më kujtohet që të jem marrë në mënyrë të posaçme, nuk jam njohur me dosjen e tij, por mundet që ndonjë informacion ta kem marrë. Di që ka pranuar që ka qenë në shërbim të amerikanëve dhe se kishte implikuar njerëz në zonën e Devollit. Nuk më kujtohet që të ketë implikuar ndonjë personalitet. Di që Lari Post është arrestuar në kohën kur duhet të kem qenë në Sigurimin e Ushtrisë, megjithatë, le të shikohet data e procesit. Edhe nga proceset e tjera, nuk më kujtohet që të jetë implikuar ndonjë personalitet në shërbim të amerikanëve.
22.11.1982
Pyetje: A është interesuar ndonjëherë Zbulimi për Sheh Danjollën e Gjakovës dhe ç’dini për këtë person?
Përgjigje: Zbulimi ynë është interesuar, sepse ai dilte një njeri aktiv në veprimtarinë kundër vendit tonë, sidomos në rrethin e Tropojës. Lidhjet e tij janë përpunuar edhe nga kundër zbulimi këtu brenda dhe me sa më kujtohet, janë bërë edhe arrestime. Mbi këtë bazë më kujtohet që ai është bërë objekt i punës së zbulimit dhe në drejtim të tij janë marrë veprime për ta përpunuar atje ose për ta vënë në shërbimin tonë, por, me sa di unë, rezultat nuk pati. Përfundimisht, nuk pranoi të vihej në shërbimin tonë, nuk di a u neutralizua më vonë, për këtë duhet parë edhe dosja, e cila duhet të ekzistojë.
Këtë e di mirë që Sheh Danjolla nuk është vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Nuk di personat që janë ngarkuar për të vepruar konkretisht me Sheh Danjollën dhe mua nuk më kujtohet që të jenë marrë direkt me këta persona.
Pyetje: Ju vetë ose ndonjë person i autorizuar prej jush, keni bërë përpjekje për t’u takuar me Sheh Danjollën qoftë në territorin jugosllav ose shqiptar?
Përgjigje: Unë vetë jo, tjetër person nuk më kujtohet të kem autorizuar, me përjashtim të grupeve që mund të jenë ngarkuar me këtë detyrë.
Pyetje: Lidhur me këtë problem, a ka pasur ndonjë informacion tek armiku Mehmet Shehu për procedimin e gabuar për tërheqjen e Sheh Danjollës ose shkelje të tjera në këtë drejtim?
Përgjigje: Jo, nuk më kujtohet që të ketë pasur ndonjë material të tillë.
Pyetje: Janë autorizuar kuadro të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të kaluar kufirin dhe kryer veprime agjenturore në territorin jugosllav në vitin 1949 e më pas?
Përgjigje: Jo, unë nuk di që të kem autorizuar oficerë me funksione legale të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të kaluar kufirin.
Pyetje: Në vitet 1949, a keni qenë në fshatin Zogaj të Tropojës, në fshatrat Qarr, Zogaj, Letaj?
Përgjigje: Në këto fshatra të vijës së kufirit kam qenë disa herë, por konkretisht nëpër familje nuk kam qenë, me përjashtim të një rasti në fshatin Qarr të Kukësit, ku kam shkuar për të pritur një person që duhet të vinte nga Jugosllavia për të kryer një veprim operativ, por që nuk erdhi. Emri i kësaj familjeje nuk më kujtohet. Në të gjitha rastet kam qenë i shoqëruar nga persona të Sigurimit, ndërsa për rastin e mësipërm kam qenë edhe me Halim Prushin si ndërmjetës për personin që pritej.
Pyetje: Në ndonjë shtëpi tjetër në Zogaj, a keni ndenjur, qoftë një natë ose më shumë?
Përgjigje: Nuk kam ndenjur, mundet që ndonjë kafe të kem pirë, por jo të kem qëndruar.
Pyetje: Me Qerim Mukën a keni qenë në Zogaj të Tropojës?
Përgjigje: Jo, nuk kam qenë, as në Zogaj, as në Tropojë e fshatrat e saj dhe as në ndonjë vend tjetër për çështje pune. Dhe jo vetëm për çështje pune. Pra, me Qerim Mukën në fshatrat e kësaj zone nuk kam qenë as për punë personale. Siç kam shpjeguar, me Qerim Mukën kemi pasur lidhje të ngushta, të afërta familjare, vajtje – ardhje tek njëri – tjetri.
24.11.1982
Pyetje: Në ç’drejtime ka ndikuar tradhtari Mehmet Shehu në punën e organeve të Sigurimit të Shtetit?
Përgjigje: Mehmet Shehu si armik, goditjen e parë e përqendroi në pastrimin e çdo gjëje të dyshimtë që kishte pasur Sigurimi për të. Duke u kapur fort te kritika konkrete që iu bë Sigurimit në atë kohë edhe për ndjekjen e Mehmet Shehut, ai e dramatizoi çështjen dhe e ngriti veten në piedestalin e të “persekutuarit” e “martirit” tipik dhe me ndikimet që ushtroi nga të gjitha funksionet që i ishin besuar, arriti qëllimit. Kudo e ngado që kishte Sigurimi materiale rreth tij, u mblodhën me shpejtësi dhe u dërguan në K.Q të Partisë, por mundet që të jenë të atij vetë. Në të njëjtën kohë u krijua tek njerëzit e Sigurimit mendimi se dyshimi sado i vogël që mund të kishte ekzistuar ndaj tij, ishte trockizëm në veprim, bile edhe krim. Kështu që edhe ndonjë material, që ndofta nuk u grumbullua, u arkivua, kurse njerëzit që dinin qoftë edhe një diçka të vogël në ngarkim të Mehmet Shehut, duhet ta harronin atë, si një faj që nuk lejon përsëritje.
Armiku Mehmet Shehu, me tërë forcën e pushtetit që iu besua në atë kohë, duke ekzagjeruar tej caqeve dënimin që i bëri Partia, devijimeve, fajeve e gabimeve nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, nën drejtimin e Koçi Xoxes, u përpoq t’i dërrmonte nga çdo anë ato dhe njerëzit e tyre, si dhe të liberalizonte luftën drejtpërdrejt me armiqtë. Të tilla janë rastet e nxitjeve të tij për amnisti e falje të burgosurish; tentativat për të hequr e dënuar si trockistë kuadrot që kishin punuar më parë në Sigurim, trajtimi jashtë kritereve të drejta të luftës klasore sipas kushteve objektive të kohës, në çdo rreth etj. Me taktikën e tij tradhtari Mehmet Shehu arriti të ndikojë që nga ana e njerëzve të Sigurimit të luftohej me frikë për mos rënie në trockizëm; fenomen ky që vazhdoi edhe pas largimit të tradhtarit Mehmet Shehu nga Ministria e Punëve të Brendshme, për një kohë. Një ndjenjë frike të tillë kam pasur edhe unë vetë, për një kohë pasi erdhi Mehmet Shehu si ministër i Punëve të Brendshme. Si rrjedhim, ndodhi që për një kohë të shiheshin me dyshim, pa bërë diferencimet e duhura, rast pas rasti, të dhënat e materialet që dispononte sigurimi para viteve 1948 – 1949. Këtu ndikoi armiku Mehmet Shehu me orientimet e tij, që në sigurim çdo gjë duhet të fillohet nga e para dhe mund të thuhet se ia arriti të krijojë një shkëputje të përkohshme në vazhdimësinë e luftës së Sigurimit, gjë kjo që nuk ndodhte në vazhdimësinë e luftës që zhvillonin armiqtë. Të tëra këto përbëjnë, siç mendoj, drejtimin e dytë të veprimtarisë armiqësore të këtij agjenti dhe rrjetit të tij në organet e punëve të brendshme, veçanërisht në Sigurim dhe ndofta jo vetëm këtu. Siç e analizoj tani, del se ai për kohën që ishte ministër i Brendshëm bëri aq sa mundi që këto organe të vazhdonin në rrugën e shkeljes së ligjeve dhe të arbitraritetit. Nuk jam në gjendje të jap shembuj e raste, por me shprehjen e koncentruar të mendimit të tij se “më mirë të gabosh nga e majta, sesa nga e djathta”, indirekt kultivonte mendime të dëmshme, të cilat mund të lejoheshin “për të mirën e Partisë”, po ashtu, me prepotencën e tij në zgjidhjen e çështjeve dhe “iniciativën” në marrjen e vendimeve (sigurisht është fjala për marrjen e iniciativave të gabuara e të pakontrolluara) nxiti, në fakt, mendime të shtrembra, të cilat në raste të shkëputura në qëndrime arbitrare, si dhe në gjykime shpesh liberale ndaj këtyre akteve.
Pas largimit të Mehmet Shehut nga Ministria e Punëve të Brendshme, si e gjykoj unë, shkeljet e veprimet arbitrare u minimizuan. Mjaft çështje u vunë në baza të plota ligjore, por nuk mund të thuhet se çdo gjë e keqe u likujdua në kohë, si pasojë e kësaj veprimtarie të poshtër armiqësore. Në këtë kontekst edhe në veprimet e mia ka pasur raste të qëndrimeve liberale e të shkeljes së ligjit, siç janë rastet që kam shpjeguar në proceset e mëparshme, të një veprimi me një bashkëpunëtor në Rrëshen, i cili u ekzekutua pa gjyq dhe të qëndrimit për gjykimin e ish kuadrit Zylfi Saliu që kishte kryer një vrasje e u dënua me kusht e ndonjë rast tjetër, për të cilët duhen parë dokumentet që ekzistojnë.
Këto qëndrime janë shfaqje të luhatjeve në zbatimin e vijës së partisë në organet e brendshme si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Armiku Mehmet Shehu gjatë gjithë kohës që drejtoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, përdori me sukses metodën e monopolizimit të udhëheqjes së saj, duke e përqendruar çdo gjë tek ai vetë. Ky përqendrim duket sidomos në drejtimin e Sigurimit të Shtetit, ku për gjithë kohën që ai ishte ministër, ishte njëherësh edhe drejtor i Sigurimit të Shtetit. Me sa më kujtohet, drejtimin e Sigurimit në qendër e realizoi me 3 – 4 zëvendësministra (vetëm për Sigurimin). Të gjithë këta i mbajti vetë në vartësi të plotë, në çdo kohë. Zëvendësministri i parë, kushdo që qe (ka qenë Beqir Ndou dhe unë) kishte të drejtë t’u jepte rrugë problemeve operative të kohës, por jo të ndryshonte orientimet dhe planet që kishte miratuar ai vetë (Mehmet Shehu) dhe këtë të drejtë zëvendësministri i parë e kishte kur ministri ishte i sëmurë ose ishte jashtë shtetit, sepse edhe kur ishte me pushime në vend, çdo zëvendësministër ishte i detyruar të shkonte për raportim e miratim të Mehmet Shehut. Duke e përfytyruar tani se si ishte ndarja e punës ndërmjet sektorëve e zëvendësministrave, del se Mihallaq Ziçishti ishte më shumë i ngarkuar me lidhje e sektorë që siguronin edhe një kontroll të rregullt e normal mbi zëvendësministrat e sektorët e tjerë të Sigurimit. Kështu, për gjithë kohën ai mbajti në vartësi evidencën operative të Sigurimit dhe Hetuesinë, në të cilat reflektohen, siç dihet, realizimet e çdo sektori operativ si në qendër, ashtu edhe në rreth. Ai kishte gjithashtu në vartësi të vazhdueshme sektorët e grupimeve kundërrevolucionare e antiparti, nga ku në atë kohë dilnin të dhëna me rëndësi për organizime e veprime serioze të çdo prirjeje kundërrevolucionare siç ishin: Balli, Legaliteti, Socialdemokratët, kulakët, çifligarët, fetarët, elementët e mirëfilltë antiparti etj. Po nga Mihallaq Ziçishti u var pa shkëputje, sektori i Sigurimit të Udhëheqjes. Për arsye të “lidhjeve të shumta”, ky zëvendësministër rrinte më shumë, në mos vazhdimisht, në qendër, gjë që i jepte atij mundësi kontrolli më nga afër dhe mbi sektorët e zëvendësministrave të tjerë, kur ata ishin në bazë. Unë kam mbuluar vazhdimisht tre sektorë: të kundërspiunazhit; kundër bandave dhe Zbulimin jashtë. Mehmet Shehu e ushtronte kontrollin mbi këta sektorë nëpërmjet meje, direkt, me shefat e tyre kur i duhej, por edhe nëpërmjet Mihallaq Ziçishtit, të cilit ia kaloja në vartësi kur ikja me shërbim, me përjashtim të Zbulimit. Është e vërtetë që për shkak të dinamikës së madhe që kishin sektorët që drejtoja unë, të paktën 60 për qind të kohës e kaloja në terren (bazë), sepse banda kishte shumë e kudo diversantë, kanale dhe loja si punë e kundërspiunazhit kishte gjithashtu shumë. Në atë kohë edhe veprimet e zbulimit nëpërmjet kufirit kërkonin operativitet të shpeshtë e urgjent. Rrjedhimisht, sektorët e mi ishin në fakt nën disa kontrolle e presione për veprime. Kështu ndodhi, me sa më kujtohet, në rastin e vrasjes së Alush Lleshanakut. Ne e ndiqnim atë si kuadër, rekrutues e ndërlidhës të zbulimit italian, prandaj edhe unë kisha miratuar detyrën që ai me çdo kusht të kapej i gjallë e me gjithë materialet që kishte në përdorim, si shifër, radio etj. Prandaj dhe nuk e kishim vrarë në disa raste, që ishin paraqitur për ta vrarë, por jo për ta kapur të gjallë. Kështu, ne kishim përgatitur kurthe për kapjen e tij në rastin më të parë që do të kontaktonim. Mehmet Shehu më kishte thënë disa herë “vriteni, se do t’u iki”, por unë bashkë me shokët që e ndiqnim çështjen, nuk e dëgjuam. Në fund, kur pritej të vinte te një njeriu ynë në Elbasan, unë u largova me shërbim dhe porosita Mihallaq Ziçishtin dhe Rexhep Kollin që në rast se do të paraqiteshin mundësitë për kapjen e Alushit, të më njoftonin; në rast të kundërt, ta linin të ikte. Në fakt, Alushi erdhi, mundësi për ta kapur nuk kishte e megjithatë Mihallaq Ziçishti në kundërshtim me porosinë që i dhashë, informoi Mehmet Shehun, i cili urdhëroi që Alushi të vritet e në fakt u vra. Tani jam i bindur se ky akt u krye për të evituar ndonjë rrezik që mund të sillte për këta spiunë të vjetër kapja e Alush Lleshanakut. Për vrasjen e Alushit, një bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit nga Mirdita, me anën e të cilit ishte ngritur kurthi për kapjen e Alush Lleshanakut, ka ardhur te unë e Rexhep Kolli dhe ka shfaqur mendimin e dyshimin se mos keni tradhti brenda jush që u vra e nuk u kap Alush Lleshanaku, ashtu siç ishte planifikuar. Unë i kam thënë se tradhti nuk ka dhe kështu u paraqit rasti e Alushi u vra.
Për këtë arsye, para disa muajsh rrethanat e vrasjes së Alush Lleshanakut kam evidencuar tek ministri i Punëve të Brendshme si diçka që ia vlen të sqarohen gjatë zhvillimit të hetuesisë, sidomos me Mihallaq Ziçishtin, Fiqret Shehun e Feçor Shehun.
Në përfundim të kësaj çështjeje, gjykoj se me këtë metodë që përdori armiku Mehmet Shehu në drejtimin e Sigurimit, ai synoi dhe arriti kontrollin nga shumë drejtime mbi të dhënat që mund të rrezikonin atë dhe bashkëpunëtorët e tij dhe të ndikonte për keq mbi punët e Sigurimit nga disa drejtime (3 – 4 zëvendësministrat).
Unë gjykoj tani se Mehmet Shehu si spiun e konspirator i regjur e konsekuent në rrugën armiqësore, qenien 4 – 5 vjet në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme e shfrytëzoi edhe për të siguruar vazhdimësinë e kontrollit mbi Sigurimin për të dhënat që ai mund të nxirrte dhe që rrezikonin vetë atë dhe rrjetin e tij; për të sabotuar çdo zbulim të rrezikshëm për vete dhe të tjerët, si dhe për të ndikuar sadopak mbi punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit.

AFRIM IMAJ

No comments: