Friday, July 22, 2011

Kadri Hazbiu në hetuesi: E vërteta e kasafortës së Mehmet Shehut

Kadri Hazbiu ne sallen e gjyqit

Pavarësisht besnikërisë dhe vullnetit për t’i shërbyer Sigurimit të Shtetit, në radhët e armatës së agjentëve dhe bashkëpunëtorëve të fshehtë kishte që tradhtonin duke prishur paktin me Policinë Sekrete.Mënyra si reagonte kupola e Sigurimit ndaj këtyre “besëprerëve” zbulohet për herë të parë në pohimet e Kadri Hazbiut gjatë hetimeve në vjeshtën e vitit 1982. Në librin e studiuesit të njohur Kastriot Dervishi, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, pasqyrohet jo vetëm mekanizmi i sjelljes ndaj kësaj kategorie, por edhe legjendimi i zhdukjeve pa gjurmë të atyre që ndërruan mëndje për t’i shërbyer Sigurimit të Shtetit. Nga aq sa pranon për herë të parë ish-ministri më jetëgjatë i Ministrisë së Brendshme, pjesa më e madhe e tyre janë vrarë pas shpine në shenjë hakmarrjeje dhe janë trajtuar si të arratisur jashtë shtetit. Ka pasur të tjerë, dëshmon Hazbiu, që janë eliminuar me urdhër, por në të gjitha rastet historitë e tyre janë legjenduar me situata nga më të ndryshmet, për të fshehur të vërtetën mbi misionin dhe tragjedinë e tyre. Të tjera deponime të ish-kreut të Policisë Sekrete zbardhin të tjera mistere për ngjarje e ndodhi të panjohura më parë. Njëra ndër to është edhe ajo e arrestimit të poetit Petro Marko, i dyshuar si agjent i Zbulimit amerikan…
22.10.1982
Pyetje: Ç’problem tjetër keni për të thënë i pandehur?
Përgjigje: Kur kam qenë ministër i Mbrojtjes, në muajin prill-maj të vitit 1981, sekretarja e kolegjiumit që regjistronte diskutimet që bëheshin në mbledhje të ndryshme ose në kolegjiumin e Ministrisë, më ngriti problemin se kishte vështirësi të merrte të gjitha diskutimet, pasi mikrofoni që kishim nuk kapte diskutimet që bëheshin nga gjysma e sallës e poshtë. Për të zgjidhur këtë problem, kam biseduar me tradhtarin Feçor Shehu dhe i kam kërkuar të më ndihmonte me një mikrofon nga ato që përdorte Ministria e Punëve të Brendshme për punë operative, mbasi nuk kishim mundur të gjenim mikrofona të përshtatshëm. Këtë mikrofon, i thashë tradhtarit Feçor Shehu, ose të na bënte kalim kapital, ose ta blinim sipas rregullave. Feçori ra dakord dhe më dërgoi specialistin Dalan Hajdari, i cili e pruri pajisjen që kërkova. Me të ishin edhe shokë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të sektorit përkatës operativ. E takova Dajlanin që ta vendoste mikrofonin dhe të shtrinim kabllon deri tek vendi ku ishte magnetofoni që regjistroheshin bisedat dhe diskutimet në mbledhjet. Dalani më tregoi se e kishte vendosur mikrofonin në mënyrë të padukshme në mesin e tavolinës. Vendin ku u vendos mikrofoni dhe mënyrën se si u vendos, e panë edhe sekretarja Eli Kokushta, Zija Beqiri, Ismet Isufi. Këtë e morën vesh edhe zëvendësministrat.
Mbas vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, unë kam kërkuar nëpërmjet Faurdin Poçarit, që ndodhej në zyrën e Feçor Shehut ose të ndonjë tjetri, që të vinte tek unë Dalan Hajdari. Këtij i thashë që të kontrollonte zyrën time, paradhomën, sallën e mbledhjeve të kolegjiumit, zyrën e shefit të Shtabit dhe të shefit operativ me aparaturat e posaçme që kanë ata, për të parë se mos kishte vendosur mikrofona të tjerë sekret që nuk i dinim ne. Dalani më tha se këtë kontroll nuk mund ta bënim në sallën e kolegjiumit pa hequr mikrofonin që kishte vendosur më parë. Unë i thashë që ta hiqnin farë atë dhe të bënin kontrollin. Kështu u bë dhe rezultoi që në asnjë nga ambientet e kontrolluara nuk kishte mikrofona të tjerë. Dajlani nuk e vendosi më mikrofonin që hoqi. Unë i thashë të njoftonte tradhtarin Feçor Shehu për kontrollin që bëmë. Vendosja e këtij mikrofoni, që është pajisje sekrete e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zyrën time të mbledhjeve nuk duhej të ishte bërë, sepse personat që e morën vesh këtë punë, nuk janë të autorizuar të njihen me mjetet teknike sekrete që përdor Ministria e Punëve të Brendshme.
22.10.1982
Pyetje: I pandehur, përse na keni kërkuar?
Përgjigje: Unë kam për t’iu thënë disa çështje, të cilat mendoj se janë të vlefshme në lidhje me veprimtarinë armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu për ta sqaruar atë. Kur më bëri dorëzimet e Ministrisë së Mbrojtjes, ndër të tjera tradhtari Mehmet Shehu më dorëzoi edhe disa çelësa, të cilët ishin në një kasafortë, brenda së cilës ishte një sirtar edhe ai, i mbyllur dhe më tha se brenda në sirtar ishte një kuti në të cilën ndodhej një dokument që u interesonte shumë jugosllavëve. Tradhtari Mehmet Shehu më tha se këtë dokument mund ta hapja vetëm me urdhër të komandantit të Përgjithshëm. Përmbajtjen e këtij dokumenti dhe vendin ku ndodhej e dinte edhe Veli Llaka e Kiço Mustaqi.
Pasi vrau veten tradhtari Mehmet Shehu, unë u kujtova për këtë dokument dhe më shkoi mendja të verifikoja nëse ishte në vend apo e kishte marrë tradhtari Mehmet Shehu. Thirra të dy shokët që kishin dijeni për këtë problem, por ata, kur panë çelësat, më thanë se më mungonte çelësi i sirtarit. Për të sqaruar ku ndodhej çelësi, pyeta shokun që kishte marrë çelësat, që i ishin gjetur tradhtarit Mehmet Shehu pas vetëvrasjes. Ai m’i dërgoi ato. Veli Llaka dhe Kiço Mustaqi kur i panë në tufën e çelësave, njohën çelësin që më mungonte. Me lejen e udhëheqësit të partisë e hapëm sirtarin dhe kutinë e verifikuam që dokumenti ishte në vend.
Unë për këtë ndodhi u thashë shokëve që ishin me mua kur hapëm kasafortën, të mbanin një procesverbal. Mendoj se armiku Mehmet Shehu çelësin e sirtarit ku ruhej dokumenti që përmenda më sipër, e ka marrë me qëllime të caktuara. Me anë të tij, kontrollonte nëse ky dokument do të kërkohej nga udhëheqësi kryesor i partisë, sepse për ta marrë atë do të duhej të kërkonim çelësin tek ai(Mehmeti) ose, nëse do ta hapnim me mënyra të tjera, do të thoshte se sekreti është nxjerrë nga ne, për problemin që bëhej fjalë në dokument, dhe kështu nuk do të merrej vesh që këtë sekret ua kishte bërë të njohur jugosllavëve tradhtari Mehmet Shehu. Këto mendime ia kam thënë partisë.
26.10.1982
Pyetje: Na shpjegoni i pandehur ç’dini rreth vrasjes së Qamil Lleshit?
Përgjigje: Unë kam marrë vesh pas Plenumit të 11-të të K. të Partisë se ishte vrarë Qamil Lleshi, të cilin nuk e kam njohur personalisht, por di që ka qenë oficer. Atëherë u fol se me këtë vrasje implikohej Hajdar Aranitasi, që ishte në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Vrasja e Qamil Lleshit nuk ishte e lidhur me punën që kryeja unë në atë kohë. Unë nuk kam biseduar ndonjëherë me Hajdar Aranitasin për këtë problem. Di që në një rast, në një mbledhje përfaqësie për caktimin e kandidaturave për në Plenumin e KQ, kur është propozuar Hajdar Aranitasi, është ngritur edhe problemi i vrasjes së Qamil Lleshit, por u tha se këtë problem e ka sqaruar partia.
Pyetje: Çfarë veprimesh të tjera të paligjshme keni kryer në kundërshtim me vijën e partisë?
Përgjigje: Veç atyre që kam shpjeguar në proceset e mija të mëparshme, dua të flas për veprimtarinë e gjyqit special të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Unë nuk e di se mbi çfarë baze ligjore ka funksionuar ky gjyq, por unë e gjeta të krijuar nga Mehmet Shehu pranë Sigurimit të Shtetit në sektorin e Hetuesisë të Ministrisë së Brendshme. Në atë kohë kur unë kam qenë zëvendësministër, rreth viteve ‘48-‘49, Hetuesia që kishte gjyqin special varej nga Mihallaq Ziçishti. Në atë gjyq dënoheshin bashkëpunëtorët tradhtarë të Sigurimit, si dhe oficerët e tjerë të Ministrisë së Brendshme që kryenin faje në lidhje me punën operative. Në rastet që më kujtohet, ka qenë dënimi i një personi nga krahina e Kurbinit me mbiemër, me sa më kujtohet, Lleshi, i cili, duke qenë bashkëpunëtor i Sigurimit në drejtim të bandave, kishte vrarë disa persona për motive personale. Ky person u kap me kombinacion dhe, pasi u bënë dy-tre ditë hetuesie me të, u dënua me “vdekje” nga gjyqi special. Vendimi u ekzekutua me urdhrin tim, por u legjendua sikur ky kriminel ishte vrarë në pritë. Veprim i paligjshëm ka qenë edhe vrasja e një bashkëpunëtori që ndodhej në arrati, i cili nuk donte të vazhdonte bashkëpunimin me organet e Sigurimit. Ky u vra në pritë nga Zylfi Saliu dhe Halil Zeneli, të cilët u gjykuan dhe u dënuan për këtë veprim të paligjshëm. Këtë çështje, me sa më kujtohet, e ka hetuar dhe gjykuar Hajdar Aranitasi. Theksoj se nuk më kujtohet se nga varej gjyqi special, nga Ministri apo Mihallaq Ziçishti. Për saktësi duhet parë praktika e vrasjes së bashkëpunëtorit që ndodhej në arrati në zonën e Kukësit.
6.11.1982
Pyetje: Keni dijeni për veprime të paligjshme nga ish-kuadri i Sigurimit, Zylfi Salihu, dhe ç’qëndrim keni mbajtur ndaj tij?
Përgjigje: Unë nuk di raste që të jenë kryer veprime të paligjshme nga Zylfi Saliu, me përjashtim të rastit të Kukësit.
Pyetje: Si qëndron problemi i ngjarjes së vrasjes në Berat të kryer nga Zylfi Saliu
Përgjigje: Si ngjarje dhje si analizë e saj mua nuk më kujtohet, por në bazë të dokumentit të Ministrisë, të marsit të vitit

Petro Marko

‘56, në qoftë se vrasja është bërë me dashje, pa asnjë ekuivok, çështja duhet t’i kishte kaluar hetimit për të nxjerrë përgjegjësinë dhe për të ndëshkuar fajtorët. Rrethanat e një gjykimi të tillë nuk më kujtohen, por theksoj se gjykimi nuk është bërë i mbyllur, përderisa siç doli nga dokumenti janë bërë dy verifikime dhe çështja është shqyrtuar në kolegjium. Sipas dokumentit që u citua në KQ, problemi ka qenë në dijeni të tij, kështu që për të parë rrethanat konkrete, duhet t’i referohemi dokumenteve përkatëse kudo që ndodhen.
Pyetje: Për këtë vrasje jeni sinjalizuar me letra se kosovari Idriz Zeqiri është vrarë nga Nuri Çakërri dhe Anastas Bojaxhiu me urdhër të Zylfi Saliut, duke deklaruar Anastas Bojaxhiun se vrasja është bërë kur i lartpërmenduri është dorëzuar. Edhe në rast se Nuri Çakërri ka raportuar se vrasja u krye në rrethanat që Idriz Zeqiri nuk u dorëzua, a duhej që për sqarim të këtyre rrethanave çështja t’i kalohej organit të hetimit?
Përgjigje: Për rastin e parë e dhashë shpjegimin edhe për rastin e dytë, për sqarimin e rrethanave të vrasjes, duhej që çështjen t’ua kalonim hetimit dhe organeve të Drejtësisë, por nuk përjashtohet që në këtë rast të jemi sugjeruar për të mos e djegur si kuadër.
Pyetje: Si shpjegohet që ju me urdhrin e datës 23.9.1961 e keni emëruar në detyrën e nëndrejtorit të Degës së Parë, duke iu kundërvënë vendimit të Byrosë Politike të datës 15.2.1960, që Zylfi Aliu për gjithë këto veprime të paligjshme të mos ngihet në përgjegjësi?
Përgjigje: Duke u nisur nga periudha e kohës, si dhe fakti që vendimi i Byrosë Politike nuk ka afat të caktuar, nuk e konsideroj shkelje nga ana ime. Megjithatë, duke iu kthyer problemit, dua të them se për rastin e trajtimit të çështjes në fund të vitit 1955, kur më është relatuar, siç dokumentohet, fakti që jam mjaftuar me vërejtje, me paralajmërim dhe papërshtatshmëri në detyrë duke mos ia kaluar çështjen organit të hetimit për Zylfi Saliun, flet për qëndrim liberal nga ana ime dhe veprimi është i padrejtë.
Pyetje: A jeni sinjalizuar për veprime të tjera të paligjshme nga ana e Zylfi Saliut dhe ç’qëndrim keni mbajtur?
Përgjigje: Me të kemi pasur vazhdimisht probleme, si person grindavec, nervoz, kapadai, por konkretisht për veprime të tjera të paligjshme të kryera prej tij në rrethin e Beratit, mua nuk më kujtohet, megjithëse ma merr mëndja që, në qoftë se kam pasur sinjalizime në ngarkim të tij, këto duhet të jenë verifikuar dhe duhet të jenë dokumentuar…
Pyetje: Kur jeni njohur me Petro Markon dhe çfarë keni për të thënë rreth tij?
Përgjigje: Me Petro Markon jam njohur pas Plenumit të 11-të të vitit 1948 (koha ekzakt nuk më kujtohet), kur unë kam shkuar në Ministrinë e Brendshme. Në atë kohë mund të kem qenë në detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme ose të shefit të Kundërspiunazhit. Kam vajtur për inspektim të përgjithshëm në dhomat e izolimit të Tiranës dhe atje kam gjetur Petro Markon, si një i arrestuar i lënë pa u marrë në pyetje. E pashë në një gjendje të keqe, nuk ishte marrë në Hetuesi për një kohë të gjatë. Sigurisht që e kam pyetur dhe duhet të ketë paraqitur ankimet e tij, por konkretisht se si është zhvilluar kjo bisedë, nuk më kujtohet. Mbas kësaj i dhashë porosi Hetuesisë që të shpejtohej kjo çështje dhe të përfundonte duke mënjanuar zvarritjen e saj. Me sa di unë, Petro Marko duhet të jetë dënuar si agjent i amerikanëve.
Pyetje; A i keni dhënë ndonjë porosi Petro Markos kur i shkaur në dhomën e izolimit?
Përgjigje: Jo nuk i kam dhënë ndonjë porosi kur i shkova natën në dhomën e izolimit. Nuk më kujtohet nëse ka qënë ose jo me persona të tjerë në qeli.
Pyetje: Mbas kësaj kohe, a keni patur kontakte me Petro Markon, në rast se po për çfarë probleme dhe ç’qëndrim keni mbajtur?
Përgjigje: Viti ekzakt nuk më kujtohet, rreth ndonjë vit para botimit të librit të tij mbi Halim Xhelon, më ka takuar dhe kërkoi të dinte për lidhjet e babës tim me Halim Xhelon dhe unë e adresova për te babai i Nustret Dautit. Në një rast kam pritur në zyrë të shoqen e Petro Markos lidhur me konkursin që fitoi pllakata e saj për 20 vjetorin e sigurimit.
Pyetje: A është interesuar tradhtari Mehmet Shehu për Petro Markon dhe a ka biseduar në ndonjë rast me ju për të?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që Mehmet Shehu të ketë biseduar për probleme që lidheshin me Petro markon.

AFRIM IMAJ

No comments: