Si ruheshin varret e të ekzekutuarve si armiq nga Sigurimi i Shtetit dhe porositë e Kadri Hazbiut për trupat e komplotistëve të vitit 1975. “Feçor Shehu hodhi klor e acid për të shpejtuar dekompozimin e trupave, me qëllim varrosjen e eshtrave në një vend ku ishte e pamundur gjetja e tyre”
Hazbiu: Vetëvrasja e Mehmet Shehut,
ja si e mora letrën e tij për Enverin
Dëshmia e Kadri Hazbiut për fejesën e djalit të Mehmet Shehut, shthurjen e tij në plazh, survejuar nga agjentët e Sigurimit dhe natën e vetëvrasjes së ish-kryeministrit. “Vetëvrasjen e Mehmet Shehut e mësova me telefon nga Ramiz Alia, i cili më tha të shkonim tek udhëheqësi i partisë. Enveri kërkoi që të shkoja atje e të merrja letrën që kishte lënë Mehmet Shehu”
Akuzave të Fiqret Shehut se kishte qenë me të shoqin, pak para vetëvrasjes në mbrëmjen e 17 dhjetorit 1981, Kadri Hazbiu i është përgjigjur me fjalën: Shpifje. Në një seancë të gjatë hetuesie, ish-ministri më jetëgjatë i komunizmit ka shpjeguar me detaje si e kishte mësuar fejesën e djalit të Mehmet Shehut me vajzën e Qazim Turdiut, planin e tij për t’i raportuar Enverit këtë fakt dhe alibinë e tij për natën e vetëvrasjes së ish-kryeministrit. Duke hedhur poshtë akuzat në hetuesi të Fiqret Shehut, Kadri Hazbiu ka rrëfyer se vetëvrasjen e Mehmet Shehut e kishte mësuar nga një telefonatë e Ramiz Alisë e më pas ishte nisur drejt shtëpisë së tij me misionin që i kishte ngarkuar udhëheqësi i partisë: të merrte letrën e Mehmetit. “Kur hyra në shtëpi, ishin Fiqreti, Vladimiri dhe gruaja e tij. Pasi u fola familjarëve se akti që kishte kryer Mehmet Shehu ishte i dëmshëm, u kam thënë të mbanin veten dhe u kërkova letrën. Në fillim hezituan të ma jepnin letrën, duke pretenduar se donin t’ia dorëzonin udhëheqësit, pastaj letrën e solli Vladimiri i prishur keq në fytyrë”- rrëfente në vitin 1983 Kadri Hazbiu. “Mapo” zbardh sot procesverbalet e hetuesisë së Kadri Hazbiut, ku ai jep shpjegime për të gjitha episodet e vetëvrasjes më të bujshme të regjimit komunist, si kundërpërgjigje e akuzave që Fiqret Shehu kishte ngritur për të.
Pyetje: A jeni interesuar, pas ekzekutimit të komplotistëve e sabotatorëve, për varret e tyre?
Përgjigje: Jam interesuar, me sa kujtoj, pasi kam shkuar si ministër i Mbrojtjes para vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, kam biseduar me tradhtarin Feçor Shehu në telefon dhe e kam porositur që të shikonte, nëse ishin dekompozuar kufomat e tradhtarëve që ishin ekzekutuar në vitin 1975. Mbas disa kohësh, tradhtari Feçor Shehu më njoftoi se kishin shkuar dhe kishin hapur varret e dy sabotatorëve që ishin ekzekutuar e ishin varrosur në rajonin e Tiranës, të cilët sipas Feçorit nuk ishin dekompozuar. Ai më tha se kishin hedhur në varr klor apo acid, nuk e kujtoj mirë, për të shpejtuar shpërbërjen e kufomave. Me të e lamë që hapja e varreve të puçistëve të bëhej mbas një kohe. Këtë interesim unë e kam treguar, sepse doja që pasi të dekompozoheshin kufomat e tyre, eshtrat t’i zhvarrosnim nga vendi i parë dhe t’i varrosnim në një vend tjetër për të bërë të pamundur gjetjen e tyre, sepse kështu e kishim porosinë. Jam interesuar në atë kohë, sepse ka ardhur tek unë personi që i kishim besuar ruajtjen e varreve dhe më ka thënë se ç’do bëhet me ta; mbasi ne i kishim thënë atij idenë e varrosjes së eshtrave pas dekompozimit të kufomave. Këtë çështje unë ia kam ngritur ministrit të Punëve të Brendshme pas arrestimit të tradhtarit Feçor Shehu, me qëllim që të merreshin masat e nevojshme sipas porosisë që ishte dhënë për varrosjen e eshtrave të puçistëve.
Hetuesia për deklarimet e Fiqret Shehut
I pandehuri u njoh me atribuimet që i ka bërë e pandehura Fiqret Shehu për aktivitetin e përbashkët armiqësor që ka zhvilluar kundër partisë së Punëve të Shqipërisë për përmbysjen e pushtetit popullor dhe për kryerjen e gjithë akteve të tjerë armiqësor nën drejtimin e tradhtarit Mehmet Shehu.
Pyetje: I lexove, i kuptove dhe ç’ke për të thënë në lidhje me atribuimet që të bën në hetuesi Fiqret Shehu?
Përgjigje: U njoha me proceset hetimore, ku armikja dhe agjentja e huaj Fiqret Shehu më atribuon mua në formë dhe shkallë të ndryshme pjesëmarrjen time në veprimtarinë armiqësore tradhtare e agjenturore kundër Partisë së Punëve të Shqipërisë. Ato janë fund e krye shpifje e sajime të bëra me qëllim armiqësor kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe meje, si një viktimë e kësaj veprimtarie. Armikja Fiqret Shehu jep shpjegimet pse i ka ndërruar deponimet e saj të para në tërësi e që lidhen me mua. E mbyll këtë me autokritikë. Kjo është një djallëzi e plotë, sepse në fakt kështu kjo armike e agjente e regjur zbaton planin e një intrige të ndërtuar nga tradhtari e spiuni Mehmet Shehu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, nën drejtimin e padronëve të jashtëm. Ajo më atribuon se unë kam qenë në shtëpinë e tyre natën e 17 dhjetorit të vitit 1981(nata e vetëvrasjes së Mehmet Shehut). Kjo është shpifje, e cila mund të vërtetohet me saktësi se ku kam qenë unë këtë natë. Unë kam qenë i ftuar te Ismet Isufi, ku kam shkuar prej orës 20.30 ose 21.00, fill pasi kam dalë nga mbledhja e Byrosë Politike e kam qëndruar deri në orën 1.00 pas mesnate. Mundësitë për verifikimin e kësaj janë të shumta si shoferi shoqërues dhe shërbimi i Drejtorisë të Dytë të Sigurimit, e cila nuk lejonte që unë të lëvizja pa u shoqëruar, si dhe nga pjesëmarrësit në darkë. Për sa i përket takimeve të shpeshta të shoqërisë që kam pasur me Dushan Mugoshën dhe Liri Gegën, unë kam dhënë shpjegime në proceset e mia. Tërë sa thotë Fiqretja janë shpifje, por megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë, mund të vërtetohen disa gjëra, si, nëse paskam pasur takime kaq të shpeshta me Dushan Mugoshën, apo nëse kam qenë njeri i preferuar për Liri Gegën, që dihen nga shokë të vjetër në Vlorë, si Manush Myftiu, Delo Balili etj. Janë të njohur njerëzit e preferuar të Liri Gegës në Vlorë në atë kohë. Ata kanë qenë Hito Çako, Rrahman Parllaku, Teki Alushi, Mehmet Jaho etj, për të cilët dinë edhe të tjerë persona.
E pandehura Fiqret Shehu thotë se deri në Sllatinë të Dibrës, ku ka mësuar nga Liri Gega ato që thotë për mua, nuk më njihte dhe as kishte dëgjuar gjë për mua. Kjo jo vetëm shpif, por është edhe kontradiktore me sa deponon edhe në proceset e saj. Unë kam dhënë shpjegime se me Fiqreten jam njohur në aktivin e partisë të Divizionit I në Kulmak, disa muaj përpara se të shkonim në Dibër. Kjo armike e betuar thotë se unë paskam vepruar kundër vijës së partisë, kur isha me brigadën në Kosovë, si duke propaganduar të kundërtën e kësaj vije, ashtu edhe duke marrë pjesë e kryer masakra me brigadë së bashku me tradhtarin Hito Çako. Masakra në Kosovë, as Brigada 5-të dhe asnjë nga brigadat shqiptare nuk kanë bërë, përkundrazi, kanë mbrojtur popullin kosovar për çka mund të pyeten ish-kuadrot e kësaj Brigade... Mund të verifikohet gjithashtu se kur kam shkuar në Kosovë, në vitin 1945, për krijimin e Sigurimit të divizionet 5 dhe 6, qëndrova vetëm disa ditë dhe s’kam folur në masë apo në grupe kosovarësh pro Serbisë e Jugosllavisë, si deklaron kjo armike. Mund të vërtetohet se unë u mora me punët e Sigurimit si kam shpjeguar më parë dhe u ktheva në Shqipëri. Mund të vërtetohet se në atë kohë, në pranverën e vitit 1945, tradhtari Hito Çako ishte larguar prej kohësh nga divizionet tona që vepronin në Kosovë, siç kam dhënë shpjegime në proceset e mëpasshme, kam bërë raport me shkrim për Komitetin Qendror të Partisë dhe për Nesti Kerenxhin, ku i dënoja masakrat që kishin bërë e bënin jugosllavët në Kosovë. Të fala e porosi nga Dushan Mugosha për tradhtarin Mehmet Shehu e Mihallaq Ziçishti apo për ndonjë person tjetër me emër, nuk kam pasur. Mundet të kem pasur ndonjë porosi të përgjithshme për t’u bërë të fala shokëve nga Dushani. Nuk di se ç’thotë Mihallaq Ziçishti për sa shpjegon Fiqretja, se gjoja i paskam thënë atij për agjitacionin e propagandën e bërë nga unë në Kosovë pro Jugosllavisë e në kundërshtim me vijën e partisë sonë, por kjo është një shpifje, sepse unë qëndrova atje disa ditë, kurse punën e propagandën sipas vijës së partisë e bënin divizionet 5 dhe 6. Shpifje është, gjithashtu, ajo që thotë Fiqret Shehu, se unë jam marrë në sigurim me rekomandim të Velimir Stojniçit e Niaz Dizdareviçit me porosi të Dushan Mugoshës. Kjo thotë se i mësoi këto nga Nako Spiru. Ky është një implikim pa krye e mundësi verifikimi. Për programin socialdemokrat që paska pasur tradhtari Mehmet Shehu që gjatë luftës, të cilin e kam parë edhe unë sipas thënieve të Fiqretes, ajo shpif. Unë kam dhënë shpjegime në proceset e mia se e kam marrë vesh ekzistencën e një programi të tillë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, kur e tha Llambi Gegprifti në prezencë edhe të udhëheqësve të tjerë.
Është shpifje edhe ajo që thotë Fiqretja se qenkam ngarkuar nga Savo Bozhidaroviçi e Koçi Xoxe për të mbledhur e trilluar materiale për udhëheqësin e partisë. Unë Savo Bozhidaroviçin nuk e kam njohur dhe nga Koçi Xoxja s’më është ngarkuar kurrë një detyrë e tillë. Në deponimet e saj Fiqretja e lidh këtë me aktivizimin tim në Sigurim në drejtim të hekurudhës. Mund të vërtetohet plotësisht se unë s’kam qenë marrë kurrë me hekurudhën, por me sigurimin në ushtri që s’kishte asnjë lidhje me hekurudhën. Ajo shpif kur thotë se pas Plenumit 11-të dhe gjatë zhvillimit të punimeve të tij unë dhe Mihallaq Ziçishti paskemi propaganduar pro Koçi Xoxes e vijës së ndjekur nga ai. Ky është një absurditet. Unë kam dhënë shpjegime për sa kam folur në aktivin e shkollës së Dakos pas Plenumit të 8-të, por po ashtu kam shpjeguar se ç’qëndrim kam mbajtur ndaj materialeve të përgatitura e të servirura nga këshilltarët jugosllavë. Këtë qëndrim unë e kam mbajtur pa ditur se ç’ndodhte nën plenumet e 9-të dhe 10-të të Komitetit Qendror, kurse pas Plenumit 11-të kam mbajtur atë qëndrim për të cilin kam dhënë shpjegime të hollësishme. Fiqret Shehu shpif kur thotë se pas Plenumit të 11-të qenkam thirrur nga tradhtari Mehmet Shehu dhe së bashku paskemi përgatitur një plan, duke mbështetur njëri – tjetrin dhe si të zhdukeshin materialet që ekzistonin për udhëheqësin e partisë. Tradhtari Mehmet Shehu më ka thirrur në shtëpi dhe jo në zyrë, në prani të Gogo Nushit për të më dhënë përgjigje për letrën autokritikë që i kisha bërë udhëheqësit të partisë, pas gabimit që bëra në aktivin e ushtrisë MMP-së, ku ishte i deleguar nga Komiteti Qendror, Gjin Marku. Kjo ka ndodhur para vajtjes sime në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe emërimit të Mehmet Shehut si ministër, ndërsa unë kam shkuar në Byronë Politike, materialet e tilla ishin mbledhur dhe mblidheshin dhe ishin dorëzuar në Komitetin Qendror të Partisë... Për faljen e të burgosurve që është bërë pas Plenumit të 11-të unë kam dhënë shpjegimet e mia në proceset e mëparshme hetimore. Ato janë bërë me komision të caktuar nga qeveria dhe jo si thotë Fiqretja nga unë, Mihallaq Ziçishti e Mehmet Shehu. Unë kam qenë anëtar i komisionit, ndërsa Mihallaqi nuk ka qenë në komision. Mua nuk më kujtohet nëse më ka dhënë ndonjë porosi ose jo Mehmet Shehu për të liruar ndonjë person të liruar nga ata që përmend Fiqreti. Për sa i përket problemit të analizës së bërë në Byronë Politike të Komitetit Qendror në vitin 1953, pas vrasjes së Berias, që shpjegon Fiqret Shehu, e vërteta është kështu: që unë nuk di që Mehmet Shehu ishte i tronditur dhe para se të shkonte te ambasadori sovjetik Leviçkini ai paska biseduar me mua dhe unë i paskam aprovuar që të shkojë te Leviçkini. Unë vajtjen e Mehmet Shehu te ambasadori sovjetik e kam mësuar nga “autokritika” që bëri Mehmet Shehu në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë në atë kohë, ku u shpreh se kishte humbur besimin në udhëheqjen e partisë dhe kishte shkuar te Leviçkini, se kjo është gabim dhe kërkonte falje, bile edhe qau në mbledhjen e Plenumit. Për punën time me këshilltarët sovjetikë dhe punën e tyre në Ministrinë e Punëve të Brendshme kam folur gjerësisht në proceset e mia, ato kanë qenë marrëdhëniet pune. Këshilltarët nuk i mbaja unë në lidhje me përjashtim të kryekëshilltarit, por çdo kuadër që kishte në sektor. Lidhje të veçanta me ambasadorin sovjetik Leviçkinin unë s’kam pasur. Për gjah vetëm me të unë s’kam shkuar, por së bashku me të tjerë, ndër të cilët edhe Mehmet Shehu. Unë s’kam pasur të drejtë të thërrisja në rezervatet e gjuetisë Leviçkinin apo këdo tjetër. Kuadrot e vjetra që kanë qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme unë i kam trajtuar sipas porosive të Partisë me sa kam mundur drejt, por jo me qëllime armiqësore, siç thotë Fiqret Shehu....
Nuk është e vërtetë ajo që thotë Fiqreti se unë paskam pasur iluzione për përmirësimin e marrëdhënieve me BS pas largimit të Hrushovit nga skena politike. Nuk është e vërtetë, që, siç thotë ajo, Mehmet Shehu më paska treguar bisedën me Nesti Nasen për këto çështje. Po kështu theksoj se Mehmet Shehu nuk më ka biseduar dhe as ka bërë ndonjëherë aluzion kundër vijës së partisë dhe udhëheqësit të saj. E vërteta është se ai është ruajtur nga unë në gjithë veprimtarinë e tij. Unë nuk kam menduar kurrë të ngre polemika me revizionistët sovjetikë, sa thotë Fiqret Shehu janë trillime. Pra, asnjë bazë verifikimi të mundshëm. Kriteri për të gjykuar për këtë është qëndrimi im i hapur dhe i ashpër në këtë polemikë, kudo që më është dhënë rasti.
Fiqret Shehu nuk thotë të vërtetën edhe kur flet për qëndrimin tim, kur u prishën marrëdhëniet me Kinën. Unë kam qenë plotësisht me vijën e partisë dhe me këtë çështje. Nuk kam patur mendime kundër vijës së partisë e orientimit të udhëheqësit të saj, si dhe orientimit të çdo marrëdhënieje me fqinjët. Unë kam kundërshtuar mendimin e Çu En Lait që ma ka thënë në vitin 1970 – 1971, kur kam qenë në Kinë, se disa furnizime ushtarake mund t’i merrnin nga Rumania. Kjo dokumentohet si me informacionin që duhet të jetë në Komitetit Qendror të Partisë, ashtu edhe me ish-ambasadorin shqiptar në Kinë në atë kohë, Xhoxhi Robon. Për lidhjet e mia agjenturore e armiqësore që unë gjoja paskam pasur me Panajot Plakun, Mihallaq Ziçishtin e jugosllavët, Fiqret Shehu shpif. Këtë e argumentoj me faktin se në vitin 1956 organet e Sigurimit të Shtetit nuk kishin asnjë të dhënë dhe dyshim për Teme Sejkon. Për këtë le të shihet dosja e tij dhe të pyeten kuadrot që janë marrë me këtë përpunim. Me sa më kujtohet mua, të dhënat e para për Teme Sejkon janë në vitin 1959 ose në fillim të vitit 1960. Ky fakt e rrëzon gjithë këtë legjendë....
Nuk është e vërtetë si thotë Fiqret Shehu, se në vitin 1973 unë kam qenë në shtëpinë e Mehmet Shehut së bashku me Hito Çakon e Petrit Dumen, ku qenka zhvilluar një bisedë mbi luftën apozicionale aktive për mbrojtjen e patundur, ku unë, sipas Fiqretes, paskam shprehur mendimin se është e pamundur në kushtet e vendit tonë. Unë as nuk kam qenë kurrë ndonjëherë në tunelet e Mushqetasë, as vetëm, as me persona që thotë Fiqretja.
Përse i përket mbledhjes me kuadrot e sektorit ushtarak të Komitetit Qendror të Partisë, që thotë Fiqret Shehu, me sa më kujtohet, unë kam qenë në një mbledhje të tillë, por këtu nuk është bërë fjalë për rolin udhëheqës të partisë, por për njohjen më mirë të gjendjes në njësi e reparte dhe për likuidimin e të metave nëpërmjet një edukimi intensiv të njerëzve. Kjo mund të verifikohet me dokumentet që ekzistojnë....
Nuk është e vërtetë sa thotë Fiqret Shehu, që unë të kem manipuluar proceset hetimore të puçistëve në ushtri dhe të sabotatorëve. Metoda e ndjekur në hetimin e këtyre proceseve e miratuar nga udhëheqësi i partisë ka qenë ajo e dëgjimit të të pandehurve, por si kufi për ta hedhur deponimin në procesverbal ishte kur i pandehuri do të thoshte nëse çështja e trajtuar me personin e dhënë kishte karakter armiqësor. Nuk është e vërtetë të jetë biseduar në prani të Fiqretes, si thotë ajo, për përmbajtjen e procesit të puçistëve apo të sabotatorëve. Mundet me Feçor Shehun të kemi qenë në plazh te Mehmet Shehu për procesin si për të raportuar, ashtu edhe për t’i kërkuar dokumente nga Ministria e Mbrojtjes Popullore për t’i përdorur në hetuesi, por kurrë nuk është biseduar nga këndi që e paraqet Fiqret Shehu...
Thëniet e Fiqret Shehut për planin për mënjanimin dhe likuidimin fizik të udhëheqësit të partisë nuk janë të vërteta, ato janë të kurdisura me qëllim prej saj. Me sa di unë nga partia, Fiqret Shehu e ka shpjeguar ndryshe këtë çështje dhe tani e bën këtë ndryshim sipas planit armiqësor që kanë.
Gjithë sa thotë Fiqreti për rolin tim në fejesën e djalit të tyre, Skënderit me vajzën e Qazim Turdiut nuk janë të vërteta, por duke parë që ajo jep disa hollësi, evidentoj në proces si momente që mund të verifikohen disa çështje. Unë nuk jam i pari që njoftova udhëheqësin e partisë për këtë fejesë. Ai e dinte këtë fakt dhe më thirri vetë, porsa u ktheva nga shërbimi. Unë e kisha marrë vesh fejesën në mbrëmjen e një dite më parë se të më thërriste udhëheqësi dhe vetë do të shkoja ta njoftoja për këtë dhe për disa shthurje, që kisha konstatuar gjatë disa ditëve në plazh të familjes së tradhtarit Mehmet Shehu, të cilat i kisha biseduar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme dhe kishim mbetur dakord që t’ia thoshim Mehmet Shehut pas pushimeve, meqenëse ai merrej me raportin e Kongresin 8 të partisë së Punës të Shqipërisë. Për fejesën unë kam mësuar vetëm nga familja ime, të cilëve u kishte thënë Gani Kodra si një çështje e përfunduar dhe jo nga Sulejman Bushati. Të shihet nëse kam qenë ose jo ato ditë në Shkodër. Mua më kujtohet se ato ditë unë kam qenë në Fier.
Për takimin që thotë Fiqret Shehu se kam bërë me Mehmet Shehun në shtëpinë e tij natën e 17 dhjetorit 1981, kur ai vrau veten, shpjegimet e saj nuk janë të vërteta. Për herë të parë kam shkuar në këtë shtëpi, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, me porosi të udhëheqësit të partisë për të marrë letrën që kishte lënë. Vetëvrasjen e Mehmet Shehut e mësova me telefon nga sekretari i Komitetit Qendror për problemet ideologjike (Ramiz Alia) i cili më tha të shkonim te udhëheqësi i partisë. Atë e kishte njoftuar gojarisht Ali Çenoja, i cili i kishte thënë se letrën që kishte lënë Mehmet Shehu familja e tij donte t’ia dorëzonte udhëheqësit të partisë.
Kur hyra në shtëpi dhe në dhomë kam qenë i shoqëruar nga Ali Çeno, doktor Miltua dhe nga Jonuz Lutua, që e kishin si mazhordom. Pasi u fola familjarëve se akti që kishte kryer Mehmet Shehu ishte i dëmshëm, u kam thënë të mbanin veten dhe u kërkova letrën (ishin Fiqreti, Vladimiri dhe gruaja e tij). Në fillim hezituan të ma jepnin letrën duke pretenduar se donin t’ia dorëzonin udhëheqësit, pastaj letrën e solli Vladimiri i prishur keq në fytyrë.
Duro Shehu ka ardhur te unë vetë, dënoi aktet e vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe tha se unë nuk do t’i shkoj në shtëpi. Unë i thashë të gjykonte vetë dhe të shihte si do të veprohej për këtë problem. Theksoj se unë nuk kam shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut natën e 17 dhjetorit 1981. Kjo vërehet me saktësi jo vetëm për orën 22.30, por për gjithë natën duke pyetur Shkëlqim Lazen, Ymerin, Belulin (shoferin), por edhe të tjerë që kanë qenë në darkën e ditëlindjes së Ismet Isufit, ku isha edhe unë. Unë atje kam shkuar fill mbas mbledhjes së Byrosë në orën 20.30 – 21.00 pa u kthyer gjëkundi, mund të kem shkuar në shtëpi për të marrë duhan dhe në zyrë për të lënë çantën, si dhe për të marrë ndonjërin që më priste atje. Që andej kam shkuar direkt në shtëpinë e Ismetit në Laprakë, ku kam qëndruar deri në orën 00.30 ose 1.00 pas mesnate pa u larguar asnjë moment. Në darkë mbaj mend se kemi qenë Diftir Hysi, Çerçiz Xhelo, Eli Kokushta etj., gjithsej 15 ose më tepër njerëz. Implikimi që më bën Fiqret Shehu se kam marrë pjesë në organizatën e tyre kundërrevolucionare nuk është e vërtetë. Nëse kanë qenë të tjerët ose jo, unë nuk e di. Unë këto kisha për të thënë lidhur me atribuimet e të pandehurës Fiqret Shehu.
No comments:
Post a Comment