Thursday, July 21, 2011

KUR PO KRYHEJ DARKA ERDHI FALJA…

Dom Anton Kçira del në pension

KUR PO KRYHEJ DARKA ERDHI FALJA…





nga ZEF PERGEGA


Mbrëmja e datës 21 Qershor në Detroit shënoi jo vetëm përmbylljen 44 vjeçare të karrierës meshtare të Dom Anton Kçirës, i cili e drejtoi për 22 vite kishen e Shën Palit në shtetin e Michiganit në Amerikë, duke e ngitur atë me bujarinë malësore në përmasat e një katedrale të stolisur me dhurta të shënjta në qytetin Rochester Hills, por edhe pasi u krye darka erdhi drita e faljes dhe vazhdimit të misionit të tij në mënyra të tjera.

Meshtarit Dom Anton Kçira
Rreth një mijë besimtarë, patriot e lider fetar, përfaqësues të pushtetit lokal dhe kongresmen, kishin ardhur ti uronin meshtarit Kçira jetë të gjatë, pleqeri të paqtë dhe shërbime të shquara misionare dhe kombëtare.
Tom Mrijaj

Mbrëmjen e rastit e drejtoi në shqip aktivisti Prek Gjokaj dhe në anglisht Didi Dedivanaj. kishin ardhur edhe pjestarë të familjës Kçira që jetojnë në Amerikë, miq e dashamirë si Gjon Kadeli, ish gazetar i “Zerit të Amerikës” konsulli i nderit Ekrem Bardha, publicisti Tom Mrijaj, biznesmeni Satko Satko, vëllëzërit humanistë Lekë e Pashko Gojçaj që kane kontribuar përveç të tjerave edhe në ngitjen e dy shtatoreve të Nana Terezes në grigjën e dy kishave katolike shqiptare në metropolin e Detroitit.
Ekrem Bardha


Prek Gjokaj pasi bëri një përshkrim të kontributit të Dom Antonit tha se kisha e Shën Palit është një vatër e ngrohtë shqiptare fetare dhe kombëtare. Këtë ngrohtësi e ka marrë nga devotshmëria në udhën e Krishtit të Dom Antonit, nga besimtarët malësorë që mbushin sallen në çdo meshë, të cilët e kanë rrethuar qëndren e tyre me humanizëm e besim të pashoq dhe nga puna e palodhur e motrave Françeskane.

Nga jashtë e ngroh madhështia e përmendorës së Gjergj Kastriotit Skenderbeu dhe shtatorja e Nana Tereze që rrinë në grigjen e saj në krah te njeri-tjetrit. Krishti nuk e la vetëm Dom Antonin. Këtë e tregon se kisha fitoi shtatë proqese gjyqsore dhe atë të fundit të videos që u publikua në internet.
Fr. Damien Gjonaj at his priestly ordination
Fr. Damien Gjonaj

“Dom Antoni e kreu detyren në mënyrë kualitative. Ai nuk u ndal, nuk u dorëzua e nuk e prishi bekimin e Zotit, ndaj sot me gjithë shpirt e thërras vellau im më i mirë!”- tha Dom Damian Gjonaj në gjuhën anglishte. Ndërsa me përshëndetjen e tij Dr. Shan Zefi i thirri të pranishmit të ngrihëshin në këmbë e të brohorisnin për Dom Antonin që sipas tij ka shëndritur fytyrën e shqiptarëve besimtar në Amerikë.
Dr. Shan Zefi

120 kongresmenë amerikan kanë firmosur një çertifikatë falenderimi për Dom Antonin që do të arshivohet në rekordin e Kongresit Amerikan. Kongresisti Gery Piters duke ia dorëzuar këtë mirënjohje Dom Antonit tha ndër të tjera se ky është një vlersim që i bëhet karrierës fetare dhe atdhetare meshtarit shqiptar që drejtoi për një dekadë kishen katolike të shqiptarëve ne Detroit, si një lider që ndihmoj jo vetëm katolikët, por edhe muslimanet në të gjithë hapsiren shqiptare duke vendosur lidhje me administraten lokale dhe atë qëndrore të shtetit Amerikan e duke i shërbyer paqës, e harmonisë ndërkomunitare.

Në kishen e Shënpalit nga shqiptaret u mblodhen një milion dollarë për lirinë e Kosovës dhe Dom Antonit si lider i njihet një meritë e madhe për pavarësinë dhe krijimin e shtetit të ri të Kosovës.
Mehill Velaj

“Që kur kam qenë fëmijë Dom Antoni me ka mësuar se deti ka kripe ujë e ranë dhe peshkaqen më të ngranë”-tha poeti kosovar Mehill Velaj, i cili kishte përgatitur një poezi me rastin e daljes së Don Antonit në pension të titulluar “Ne teatrin ererave te kohes” nga e cila recitoi disa vargje.

“…Fjala jote e shtrënjtë në jetë
në kuvende e pajtime gjaqesh
i ashpër për politiken
i mëshirshëm për të varfërit
i pathyeshëm në ide e mendime
kur vitet për atdheun e robëruar bënin acar
ti shpresoje e besoje në Zot
predikoje lirinë e bashkimit shqiptar…!”
“Dom Antoni ka ditur me e mbjellë farën, ka ditur se si me ujit dhe në cilën tokë me e rrit. Ai ka lyp falje për çdo gabim apo mosmarrëveshje që ka patur, ndaj sot i uroj pleqëri të mbarë dhe paqe në shpirt në emrin tim dhe në emër te Aqipeshkëvit tonë Mos. Zef Gashit sepse kështu paguhet me dalë në pension.

Dom Antonit po i dhuroj tablonë e Ded Gjon Lulit dhe Dom Franit që e merr detyren e re, tabllonë e “Zonjës së Këshillit të Mire” që ta ndimojë e këshillojë për të vazduar misionin ndër shqiptarë të mëgats.” Më këto fjalë dhe dhurata P. Pashku Gojçaj përshëndeti kalimin e kurorës mes dy meshtarëve.
Dom Ndue Gjergji dhe DomAnton Kqira

Në këtë darkë përshëndetën edhe Dom Ndue Gjergji, famullitar i kishës “Zonja Pajtore” kryetraret e bashkive të qytetëve Rochester Hills, Shellby Township dhe Sterling Heights, avokati Jozef Dedvukaj, Zef Gjonaj, Zef Çobani dhe Kol Gjokaj.
Dom Pjeter Popaj


Nga ana e tij Dom Pjeter Popaj, famullitar i kishes “Zonja e Shkodrës” në New-York tha: “Jemi bashkuar për t’iu uruar Dom Antonit vitët më të bukura të jetës së tij. Ashtu si piktori që shijon vepren e tij pasi e përfundon ashtu dhe Don Antoni pas shumë vitësh meshtarie tani me daljen në pension mundet me e pa dhe me e shijue vepren e tij madhështore.

Kur je i ri e ke energji menjëherë angazhohesh në punë, si meshtar qëllimi është t’i shërbesh Zotit dhe grigjës, si bari tempulli e shërues i shpirtërave me sakramentet e Krishtit. Ishte ëndërra e tij të ndërtonte kishen e Shën Palit.

Nuk ka patur takim apo demonstratë që nuk ka marrë pjesë Dom Antioni për çeshtje shqiptare e sidomos për situaten tragjike të Kosovës para çlirimit. Të mos harrojmë se as Amerika dhe as Nato nuk do të luanin vendit për ta çliruar Kosovën pa inisiativen e diasporës, duke bërë përpjekje në demostrata në Washinton DC dhe para Kombëve të Bashkuara në New-York.


Ndër inisiatorët me të flaktë ka qenë Dom Antoni. Ai nuk e ka bërë për dy e faqe apo me u duk. Shpërblimi më i madh për Dom Antonin është sot se Kosova e fitoi lirinë dhe shtetin e vet. Shën Pali ka thënë se në ligësi ndjehëm me i fortë se kam Zotin në ndihmë, ashtu dhe Dom Antoni pati një besim të palëkundur në Zotin ndaj dhe veshtirësitë nuk e topiten, por e forcuan me tepër. Edhe pse sot Dom Antoni largohet fizikisht jam i sigurtë se në zemër e në shpirt afrohet me tepër me këtë popull!”

Dervishi i Teqës Bektashianë në Detroit Elidon Pashaj në përshëndetjen e tij tha:

“Michigani është shteti me i pasur me ngjarje e data të shënuara me përsonalitet shqiptare të diasporës. Këtu e filluan dhe e mbyllen jetën fetare disa nga figurat historike të kombit tonë të cilët iken nga komunizmi me qëllim që veprimtaria e tyre në dobi të çeshtjes fetare dhe kombëtare ta shtrinin mes shqiptarësh në këtë shtet si symbol i lirisë dhe demokracisë.

Njëri prej këtyre figurave që ka dhënë më shumë për çeshtjen shqiptare, sidomos gjatë luftës ne Kosovë është dhe do të mbetët Don Anton Kçira, figurë e njohur e diasporës, klerik dhe atdhetar, njeriu që diti të mbrojë shqiptarët dhe të kontribuoje për ngritjen e frymës patriotike.

Dom Anton Kçira me urtësinë e një kleriku, por edhe të një mërgimtari që din se çfarë do të thotë largimi nga atdheu është orjentuar drejt nga vlerat. Me predikimin e tij paqësor dhe shpirtin human ai do të ngelet kultivuas i frymës afruese, tolerante dhe pluraliste në shoqërinë shqiptare”

Pak përpara se të hyja në sallene oborrin e kishes takova gazetarin e “Zërit të Amerikës” Astrit Lulushi, i cili gjatë bisedës së lirë u shpreh: “Kam ardhur enkas ta pasqyroj këtë ngjarje. Mora pjesë në meshen e drekës dhe intervistova disa njerëz e lider të komunitetit.

Burra si Dom Antoni nuk lindin përdite. Në vitet që kalojnë do të rritet e do të dallohet vepra e tij. Ai do të mbesë një përsonalitet e veçantë dhe i kompletur me viryte të dallueshme shqiptare!”
Dom Fran Kolaj

Prek Gjoka ftoj para mikrofonin famullitarin e ri të kishes së Shën Palit Dom Fran Kolaj, i cili ka shërbyer në Kosovë dhe vitët e fundit në Zvicer.
Kisha e Shën Palit në Detroit

Në fjalen e tij ai ndër të tjera tha: “…Sot po e pranoi misionin e ri në kishen e Shën Palit në Detroit nga ato duar që aq shumë punuan për te, që aq shumë u kujdesen për te, që aq shumë e ngriten nga qielli, për ti falur bekime.

Po e pranoj këtë mision nga duart e të gjithë atyre që ndanë kafshatën e gojës, për të ngritur këtë vepër që u bë vatër për të gjithë kishen tonë, si në Kosovë, Shqipëri dhe në Mal të Zi, u bë dritë për të gjithë kauzen e lirisë dhe po premtoj se kjo dritë do të na përcjelli po me atë besnikëri, për t’i ngoh zemrat e besimtarëve tanë për Zotin dhe vendin tonë duke kërkuar që të jetë e pandërprerë vatra e shpirtit tonë nga e cila do të marrim dritën e mbretërisë qiellore.

Dom Anton Kqira

Një vatër mbahet gjallë nga zjarri dhe trolli. Zjarri i vatrës mbahet gjallë përmes kujtesës se atyre që na e lanë trashegim këtë qënder misionare, kujtimi juaj Dom Anton do të jetë i pashuar si zjarri i kësaj vatre se trolli që e mban të gjallë është zemra e të gjithë besimtarëve të kësaj famullie…!”


Ne fund kur po kryhej darka e mori fjalen Dom Antoni i cili tha: “Edhe pse kanë kalur 22 vjet nga 12 tetori i vitit 1989 unë akoma e kam të fresket dashurinë dhe respektin kur më pritet në Detroit .

Kjo dashuri dhe ky respekt ka qenë i pakursyer nga dashamirësit e kishes së Shën Palit deri në ditën e sotme. Me ju dhe me malësoret trima, bujar e patriot, me të gjithë ata që luftuan e punuan për çeshtjen kombëtare, kaluam ngjarje e situata që nuk do të harrohen në kujtesen time, por as në kujtesen tuaj.

Këto 22 vite, janë vitët me të rëndësishme të jetës time. Mposhtëm komunizmin, fituam demokracinë, fituam Kosoven shtet të pavarur, Shqipërinë antare të NATO-s, Lëvizjen e lirë në BE dhe uroj që së shpejti ajo të bëhet antare me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Baftë Zoti që mrekullitë e këtij shekulli për kombin shqiptar të kurorëzohen me bashkimin e trojeve shqiptare.

E filluam punën me 50 familje dhe mbërritem të kemi 1800 familje në famullinë e Shën Palit. Ju nuk pushuat duke demostruar para Kombëve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë për zgjidhjen e çështjes kombëtare. E filluat punën me rrëzimin e komunizmit dhe e vazhduat atë me kërkesat dhe demostratat e pandalshme deri në çlirimin e Kosovës.

Puna e juaj dhe e diasporës shqiptare nuk duhet të ndalet deri në zgjidhjen përfundimtare të kauzes tonë kombëtare. Ajo zgjidhet vetëm atëherë kur të gjitha trojet tona që na lanë amanet të paret të bashkohen në një shtet shqiptar.

Ju asnjëherë nuk u kursyet për Kishen për Kosoven dhe për të Vobektit. Ju nuk u kursyet për çlirimin e Kosovês duke dhênê njê milon dollarê. Kontributi juaj është aq i madh sa duhen disa libra për ta paraqitur me dinjitetin që meriton bujaria juaj fisnike dhe tipike shqiptare!’

Meshtari Kcira kur spikati humanizmin e malësoreve tha se kisha e re brenda tetë vitëve u likujdua e gjithë shuma e shpënzuar (rreth 11 milion dollarë) dhe princi i truallit ku u hodhen themelet e kishes eshte Rrok Lulgjuraj që me zgjuarezinëe tij dhe përkushtimin në besimin e të parëve të vet bëri të mundur që ta sigurojmë token dhe të kursejmë një fond tepër të konsiderueshëm.

Ndërsa kur një djalë i ri nga Shqipëria kishte nevojë të ngutshme për operacion dhe në meshen e radhës u sigurua vetëm gjysma e lekëve u ngrit Palok Camaj e dha 10 mijë dollarë që ndërhyrja kirurgjikale të bëhej atë ditë!
Rrok Lulgjuraj

Duke vazhduar nê fjalën tij Dom Antoni bêri disa falenderime speciale pêr tê gjithê kryetaret e keshillave dhe antarêt emêr pêr emêr me tê cilêt iu dha rasti tê punonte, Dioçezën e Detroitit dhe titullarët e saj për mbështetjen që i kanë dhënë në realizimin e ideve dhe programeve për komunitetin, famullitarët e ndyshëm që kanë celebruar meshen e shënjtë në raste të veçanta dhe kremtimesh solemne kombëtare, grupin artistik të kishes, Qëndrën Islame në Detroit dhe Teqen Bektashiane.

Më pas meshtari Kçira tha: “Falenderoi të gjitha mediat e shkrura, vizive dhe elektronuike që kanë pasqyruar me realitet veprimtarine e kishes së Shën Palit, pa e deformuar atë për interesa të caktuara, por edhe ato media që kanë qëndruar në heshtje dhe nuk kanë qenë në gjëndje të flasin për hir të vërtetës une i kam falur, po e përseris i kam falur dhe uroj që herë të tjera të kenë kurajon që të qëndrojnë në anën e se vertetës.

Gjithashtu kam falur të gjithë ata që kanë renë viktimë e kanë luftuar kishen e Shën Palit dhe mua personalisht. Zoti u dhashtë forcë për të kuptuar të vërtetën. Zot fali për fajet që kanë bërë!

Në veçanti falenderoj televizionin e “Zerit të Amerikës” i cili ka përcjellë ngjarjet e rëndësihme që janë zhvilluar në kishen e Shën Palit.

Falenderoj nga zemra të gjithë ata pa dallim besimi që anë e mbanë botës kanë thënë të vërtetën për Kishen e Shën Palit dhe punën time si meshtar katolik per 44 vite. Edhe njëherë po them Zoti t”ua bekojë familjen dhe të ardhmen e tyre! Jam i bindur se Dom Frani bashkë me besimtaret e kishes se Shën Palit do ta ngrejë me lart këte qëndër, jo vetëm si objekt fetar, por edhe si qëndër ku ruhet kultura, gjuha, tradita, atdhëdashuria e zakonet tona të mira.

Vëllezër e motra, ju bëj thirrje që ta doni dhe ta respektoni më shumë njeri-tjetrin, si vëllezër të një gjaku pa dallim feje e krahine. Le të kuptojmë se duke dashur njeri-tjetri do të na duan e respektojnë më shumë të tjerët. Një komb rritet e zhvillohet vetëm atëherë kur mbizoteron paqa e dashuria, ligji e drejtësia dhe mëshira për të varfërit e besimi tek Zoti. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!”

Kryetari i këshillit të kishes Kol Gjokaj pas fjalës vlersuese që mbajti për rolin fetar dhe atdhetar të Dom Antonit ftoi në skenë biznesmenin Rrok Junçaj ti dorëzonte Dom Antonit çelësin e një makine benz-mercedes që famullia i bëri dhuratë me rastin e daljen në pension. Dom Antoni u përshëndet me të gjithë me sy të përlotur.



Edhe prifi është njeri, thashë me vete, kur i dhashë dorën e ai me mori ne krah dhe një pikë loti nga sytë e tij ma ngrohu supin. Ishte nata e ndarjes e faljes dhe e vazhdimit të jetës…!

Posted by AGJENCIONI FLORIPRESS http://floripress.blogspot.com/2011/07/kur-po-kryhej-darka-erdhi-falja_20.html

No comments: