Jo të gjithë martirët dhe heronjtë janë viktima të okupatorit dhe tradhtarëve. Ka ndër ta që janë vrarë pas shpine nga komunistët, madje edhe nga liderët e tyre! Pohimi tronditës i Kadri Hazbiut para hetuesve Shkëlzen Bajraktari e Thoma Tutulani në vjeshtën e vitit ’82, shënon dëshminë e parë zyrtare mbi një aspekt të panjohur të Luftës Nacionalçlirimtare.
I shtrënguar për të treguar mbi bëmat e ish-liderëve të regjimit të shpallur tradhtarë e puçist, ish-ministri më jetëgjatë i Policisë sekrete, detyrohet t’i thërrasë kujtesës e të risjellë nga thellësia e viteve ngjarje e ndodhi që penalizojnë për pabesi e kurthe monstruoze pjesën e kastës të rrëzuar tashmë nga pushteti. “Jam sinjalizuar, pohon ndër të tjera Hazbiu, se Abdyl Këllezi ishte personi që tradhtoi Xhezmi Dellin”. Në vijim, ato çfarë di për Mehmet Shehun, Koci Xoxen, Beqir Ballukun, Fadil Pacramin, Liri Belishovën, Gjin Markun, Liri Gegën etj., mundohet t’i shtjellojë rast pas rasti, duke u përkujdesur të shmangë përgjegjësinë që episode të tilla ia ka fshehur Partisë. Në procesverbalet e Hetuesisë, pasqyruar në librin e studiuesit Kastriot Dervishi, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, zbardhen mjaft ngjarje e detaje që plotësojnë profilin e historisë misterioze të krerëve të regjimit dhe mekanizmin represiv të Sigurimit të Shtetit, që nuk kurseu as figurat historike të tij. Në këtë numër botojmë deponimet e Hazbiut për raportet e liderëve të regjimit në periudhën e luftës dhe vitet e para të çlirimit, fakte e dëshmi dramatike nga rivalitetet e përplasjet që pasuan me goditje të befta e deri në tragjedi të tmerrshme…
27.10.1082
Pyetje: Na thoni i pandehur, me cilët persona keni punuar në Degën e Sigurimit të Ushtrisë në vitet 1945 – 1948?
Përgjigjet: Unë të gjithë nuk i mbaj mend, por kujtoj se kam punuar me Teme Sejkon që e kam pasur edhe shef, me Llambi Peçinin me Ilo Kolën që ka qenë sekretar, Zyhdi Agën, që ka qenë referent dhe më duket edhe me Farudin Jahon.
Pyetje: Po me Ali Kubatin keni punuar bashkë i pandehur?
Përgjigje: Unë nuk mbaj mend që Ali Kubati të ketë punuar në Degën e Sigurimit të Ushtrisë dhe nuk kujtoj që me të, të kem pasur ndonjë punë të përbashkët të Sigurimit.
Pyetje: Cilët nga personat, me të cilët keni punuar bashkë në periudhën 1945 – 1948, kanë ngritur problem për moszbatimin e vijës së partisë dhe të normave, në kohën kur u bënë analizat në Parti në frymën e Plenumit 11-të të K.Q të Partisë?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që ndonjë nga shokët e mi të ketë bërë kritika për mua, në atë kohë për problemet që më pyesni. Mbaj mend që Farudin Jaho është ankuar se unë nuk e trajtoja mirë dhe nuk ia çmoja punën që bënte. Nga persona të tjerë më është ngritur në konferencën e partisë të garnizonit të Tiranës nga shoku Shefqet Peçi, sikur unë e kisha në përpunim dhe bile në mbledhje ai më pyeti ku e kisha dosjen e tij. Unë i thashë që për këtë të pyeste në K.Q të Partisë. Qëndrimi që mbajta unë në atë kohë për këtë problem u quajt i drejtë nga partia.
29.10.1982
Pyetje: A keni ndjekur me porosi të tradhtarit Koci Xoxe dhe të keni vënë në përpunim personalitete të Partisë e të shtetit?
Përgjigje: Unë nuk di që të kem ndjekur dhe të kem vënë në përpunim ndonjë personalitet partie ose shteti. Dua të them se ka patur vetëm informacione me karakter survejimi dhe me sa më kujtohet, në adresë të Kadri Hoxhës apo Hulusi Spahiut që lidheshin me marrëdhëniet ndaj misioneve të huaja.
30.10.1982
Pyetje: Cilët ishin ata persona që kishin kryer veprime trockiste në kohën e Koci Xoxes dhe mbas kthesës së Partisë vazhduan të punojnë në Sigurimin e Shtetit”
Përgjigje: Në atë kohë u bënë kritika të forta për personat që punonin në organet e Sigurimit që kishin kryer veprime trockiste, por në mënyrë të veçantë që të dalloje persona konkret, mua nuk më kujtohet
Pyetje: Ç’dini për arrestimin dhe dënimin e Isuf Keçit. A kini marrë pjesë në hetimin e zhvilluar me këtë person në atë kohë. Ç’qëndrim ka mbajtur, a ka implikuar persona nga komplotistët e dënuar më vonë?
Përgjigje: Isuf Keçi është arrestuar mbas vetëvrasjes së Niazi Islamit që e kishte kunat, si bashkëpunëtor në veprimtari antiparti me të dhe që në fund u krijua alarmi se ky është arratisur. Arrestimin e tij e kam bërë unë, duke e thirrur nga zyra, në një kohë kur kërkohej në drejtim tjetër. Kjo çështje është hetuar dhe i përket kohës kur ministër ishte Mehmet Shehu. Në hetimin e tij nuk më kujtohet që të kem marrë pjesë, sa kam dëgjuar ai ka mbajt në hetim qëndrim të mirë. Di që Isuf Keçi ka dhënë për elementët antiparti, ndërsa për komplotistët nuk di gjë.
Pyetje: Gjatë hetimit ose mbas dënimit të Isuf Keçit, a i kini shkuar ndonjëherë në burg së bashku me tradhtarin Mehmet Shehu?
Përgjigje: Nuk më kujtohet që unë t’i kem shkuar në burg Isuf Keçit së bashku me Mehmet Shehun.
Pyetje: Gjatë kohës që keni ushtruar funksione të ndryshme në Sigurimin e Shtetit, a keni pasur raste që të keni rënë në dijeni për veprimtari armiqësore të personave të ndryshëm me funksione drejtuese që më vonë janë dënuar si komplotistë ose tradhtarë? Në rast se po, a keni informuar partinë?
Përgjigje: Di rastin e Vaskë Gjinos që është implikuar si agjent dhe është ndjekur, njëkohësisht dua të them se në vitin 1952 – 1953, kur u bë radioloja, qendra e zbulimit amerikan pyeste se ku ndodhej Beqir Balluku, Liri Belishova dhe Koço Tashko dhe për këtë kam bërë njoftimet përkatëse. Raste të tjera nuk më kujtohen.
Pyetje: Po nga procesi i Hulusi Spahiut, a jeni vënë në dijeni për implikimin e tradhtarit Beqir Balluku?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të jem vënë në dijeni.
Pyetje: A jeni vënë në dijeni nga vartësit tuaj për implikimin e Beqir Ballukut për veprimtari armiqësore, veç rastit të Hulusi Spahiut?
Përgjigje: Nuk di e nuk më kujtohet që për këto probleme të jem vënë në dijeni nga vartësit e mi.
Pyetje: Mbas zbulimit të tradhtisë së Beqir Ballukut nga partia a ju ka ardhur ndonjë person t’iu informojë për këtë çështje që ia kishte raportuar vartësve tuaj, me të cilët mbante lidhje pune?
Përgjigje: Nuk mbaj mend që të më ketë ardhur ndonjë person për këtë çështje, d.m.th. që Beqir Balluku ishte në veprimtari armiqësore kundër Partisë. Nuk më kujtohet se cili person më ka thënë për Beqir Ballukun, që ai kishte dezertuar nga batalioni i Ishmit gjatë luftës. Ka mundësi që të ketë qenë Isuf Keçi ose ndonjë person tjetër nga të batalionit Krujë – Ishëm. Këtë çështje ia kam dhënë hetuesit Kristofor Mërtiri.
Pyetje: Po për komplotistët e tjerë ju kanë sinjalizuar dhe ç’keni bërë?
Përgjigje: Nuk di nga ç’burim arkival, por mua më është sjellë pas arrestimit të Abdyl Kllezit një dokument, sipas të cilit dilte që ky i fundit kishte pranuar okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e konsideronte një fitore të madhe. Për këtë çështje i kam vajtur në hetim Abdyl Këllezit, e kam pyetur dhe përfundimisht di që ka pranuar për sa më sipër. Po kështu, nga një person që nuk më kujtohet, jam sinjalizuar se Abdyl Këllezi mund të ishte personi që kishte tradhtuar Xhezmi Dellin, mbasi Abdyli e kishte në lidhje. Si për këtë dhe për qëndrimin në Ventotene, ai u pyet nga unë dhe hetuesi, por nuk pranoi që të ishte vënë në shërbim të italianëve. Këto dalin edhe nga procesi. Nga një person që nuk më kujtohet, mbas arrestimit të Fadil Paçramit, kam mësuar se në kohën që kishte qenë polic i Seit Matës, gjatë okupacionit kishte arrestuar Fadilin, i cili kishte qarë dhe thënë: “Pse më arrestoni mua dhe jo Abdyl Këllezin?” Mbi bazën e deklarimeve të këtij janë pyetur Fadil Paçrami dhe Abdyl Këllezi që nuk kanë pranuar qenien në shërbim të okupacionit. Shpjegimet i kam dhënë në proceset e tyre.
Pyetje: Si e konsideroni veprimin e vartësve tuaj, në rast se sipas pretendimit tuaj nuk ju kanë vënë në dijeni për implikimin në veprimtari armiqësore të tradhtarit Beqir Balluku?
Përgjigje: Sigurisht, fshehja e një veprimtarie të tillë përbën akt armiqësor, kur kjo bëhet me ndërgjegje për ta mbrojtur Beqir Ballukun.
2.11.1982
Pyetje: Cilët nga personat që janë dërguar për veprimtari zbulimi në Jugosllavi keni njohur ju, i pandehur gjatë viteve 1949-1955?
Përgjigje: Nga personat që janë marrë me punën e zbulimit për periudhën që pyetem, kam njohur Shuaip Sadikun nga Kukësi, Qerim Mukën, Halil Kaçanollin, Skënder Kosovën, si dhe disa shokë që aktualisht punojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Shuaip Sadikun e kam njohur që gjatë kohës së luftës. Në vitin 1948, Shuaipi është arratisur bashkë me familjen dhe është aktivizuar nga jugosllavët. Unë e mora vesh këtë dhe, duke ditur që Shuaipi kishte mik Riza Kadrinë, e takova këtë të fundit dhe i thashë nëse e takonte ndonjëherë Shuaipin. Unë e porosita Rizanë t’i thoshte nga ana ime që, nëse ishte kundër qeverisë shqiptare, të vinte të luftonte kundër saj këtu në Shqipëri, e të linte këtu kockat, por spiun i jugosllavëve të mos bëhej. Me sa duket, Rizai e kishte takuar dhe pas ca kohësh Shuaipi me gjithë familjen dhe anëtarët e bandës së tij erdhi e u dorëzua. Më pas, kur kishte ndonjë nevojë, vinte më takonte edhe mua. Shuaipi, me sa di, është përdorur si udhërrëfyes për grupet që kalonin kufirin për në Jugosllavi. Unë nuk di të jetë goditur ose kapur ndonjë nga grupet që ka shoqëruar ai…
7.11.1982
Pyetje: Gjatë kohës që keni qenë kryetar i degës së Sigurimit të Ushtrisë, a keni pasur të dhëna për tradhtarin Mehmet Shehu, nëse po, çfarë të dhënash keni pasur dhe si i keni trajtuar?
Përgjigje: Gjatë kohës që kam qenë kryetar i Degës së Sigurimit të Ushtrisë, nuk kam pasur ndonjë të dhënë për Mehmet Shehun, që e komprometonte si tradhtar. Kur kam ardhur në këtë detyrë, Mehmet Shehu ishte shkarkuar nga funksioni i shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë kohë, ai ishte në detyrën e ministrit të Komunikacionit. Kur jam kthyer nga BS, ishte koha kur zhvilloheshin aktivitete në lidhje me punimin e materialeve të Pleniumit të 8-të të K.Q të Partisë të vitit 1948. Për të na vënë në korrent me situatën, më thirrën në Drejtorinë Politike ku kanë qenë Kristo Themelko, Myzafer Spaho, Pëllumb Dishnica dhe sigurisht për këto problem në atë kohë kërkohej solidarizim me vendimet e Pleniumit të 8-të të K.Q të Partisë. Se cili nga këta më ka thirrur konkretisht, nuk më kujtohet. Në rrugë shtetërore më ka thirrur Nesti Kerenxhi dhe Gjin Marku, i cili kryente funksionet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Nesti më kërkoi që të përpiqesha të zbuloja veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut në ushtri, ndërsa Gjin Marku më njohu me situatën dhe më foli për Mehmet Shehun si person armik, antiparti, antijugosllav dhe ndonjë gjë tjetër që mua nuk më kujtohet. Të dhënat e para për Mehmet Shehun si nxënës i Fultzit i kam marrë kur kam shkuar në Ministri, nuk më kujtohet kur kam qenë kryetar i degës së kundërzbulimit apo zëvendësministër. Më përpara, flitej se kishte qenë një dosje në ngarkim të tij, të cilën e kishin tërhequr në K.Q të Partisë. Kur shkova unë, kam gjetur një informacion në një dosje, ku ishin disa emra të ish-nxënësve të Fultzit me një motivacion të shkurtër, këto mund të ishin disa implikime nga procesi i sabotatorëve të Maliqit. Sipas këtij implikimi, Mehmet Shehu cilësohej si nxënës i mirë dhe i preferuar i Harry Fultzit. Këtë material e kam dorëzuar në K.Q të Partisë, pa ia thënë Mehmet Shehut. Mua nuk më kujtohet se si më ra në dorë ky informacion. Me ndjekjen e materialeve në ngarkim të Mehmet Shehut duhet të jetë marrë në radhë të parë Thoma Karamelo si njeri i preferuar i Koçi Xoxes, Nesti Kerenxhit, Vaskë Kolecit dhe për vetë detyrën që kryente si shef i kundërspiunazhit. Veç tij, duhet të jenë marrë Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci dhe Zihni Muço.
Pyetje: Mbas kthimit nga BS a jeni takuar me Koçi Xoxen, në rast se po, çfarë bisedash keni zhvilluar?
Përgjigje: Mbas kthimit tim nga BS, me përjashtim të takimit në shkollën e Dakos, unë nuk jam takuar me Koçi Xoxen.
Pyetje: Për qëndrimin që u mbajt në Pleniumin e 8-të të K.Q të Partisë ndaj Mehmet Shehut, a keni biseduar me këtë ose me ndonjë person tjetër si me Koçi Xoxen, Nesti Kerenxhin etj?
Përgjigje: Për qëndrimin që mbajta në këtë Plenium, unë nuk kam biseduar me Mehmet Shehun ose me personat e mësipërm për të cilët pyetem.
Pyetje: Nëse është dërguar një kopje e raportit vjetor të organeve të Sigurimit të Shtetit në vitin 1949 në Moskë, në rast se është dërguar, si u dërgua, a duhej dërguar dhe a është marrë miratimi përkatës?
Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të jetë dërguar një raport i tillë, pra, nuk e di, por përderisa dokumentohet se ekziston një procesverbal për asgjësimin e tij, them se kjo nuk mund të bëhej nga unë pa urdhrin e eprorëve.
Pyetje: Ky raport tepër sekret qoftë edhe për t’u shfrytëzuar nga studentët tanë a lejohej pra, duhej të dërgohej jashtë shtetit, qoftë edhe me urdhër të eprorëve?
Përgjigje: Me urdhër të eprorëve, një material i tillë mund të dërgohej dhe unë e kisha për detyrë që të ndiqja fatin e këtij materiali.
Pyetje: Çfarë u bë ky material, si përfundoi?
Përgjigje: Unë nuk e di, por në bazë të dokumenteve që citohen, del që është asgjësuar. Mbajtja e procesverbalit këtu në Tiranë është një veprim i parregullt, sepse duhej të bëhej në vend.
10.11.1982
Pyetje: Si e keni kryer detyrën që u ngarkoi Nesti Kerenxhi, pas Pleniumit të 8-të të K.Q të Partisë në drejtim të përpjekjeve që duhet të bënit për zbulimin e veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut?
Përgjigje: Mbi bazën e kësaj detyre kam porositur vartësit për të vepruar, me qëllim që të diktonin ndonjë aktivitet, komente që mund të ketë pasur në atë periudhë për Mehmet Shehun, por masë konkrete në ngarkim të tij mua nuk më kujtohet, sepse edhe periudha ishte mjaft e shkurtër, fjala është deri tek Plenumi i 9-të i K.Q të Partisë.
Pyetje: Në proceset e mëparshme keni shpjeguar se kur keni qenë me punë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ju ka rënë në dorë një material që bënte fjalë, midis të tjerave edhe për tradhtarin Mehmet Shehu, që kishte qenë nxënës i aftë dhe i preferuar i Harry Fultzit. Gjithashtu, keni qenë në dijeni se në ngarkim të këtij tradhtari ka pasur një dosje për të si element kundërshtar. A e keni informuar partinë për ekzistencën e këtyre materialeve?
Përgjigje: Në Pleniumin e 11-të të K.Q të Partisë unë kam dëgjuar se në ngarkim të Mehmet Shehut kishte pasur material, se çfarë ishin, unë nuk e dija. Gjithashtu, në atë kohë kisha dëgjuar se këto materiale ishin tërhequr në K.Q të Partisë. Për kohën që kam qenë shef i degës së kundërspiunazhit apo zëvendësministër mirë nuk më kujtohet, më ka rënë në dorë një material, listë emërore me karakteristikë të shkurtër e disa njerëzve që kishin qenë nxënës të preferuar e të dalluar në shkollën amerikane të Harry Fultzit. Midis tyre ishte edhe emri i Mehmet Shehut. Më kujtohet që kjo listë ishte bërë me makinë pa firmë, por nuk di a e gjeta vetë në dosje apo ma dha njeri, kjo nuk më kujtohet. Meqenëse ishte emri i Mehmet Shehut dhe për këto materiale kishte porosi që të jepeshin në K.Q të Partisë, unë e kam dorëzuar në K.Q të Partisë, pa i thënë Mehmet Shehut. Më vonë për këto çështje nuk kam biseduar me njeri deri në vitin 1981, kur para Kongresit të 8-të të Partisë për listën e të dhënat e saj në një rast kam vënë në dijeni Partinë. Por, dua të sqaroj se nuk kam thënë për materialet e tjera që kisha dëgjuar. Në mbledhjen kur diskutohej problemi i shkeljes së vijës së partisë lidhur me luftën e klasave, posaçërisht në drejtim të fejesës së djalit të Mehmet Shehut, unë nuk i ngrita këto probleme: si listën, ashtu edhe çka kisha dëgjuar për materialet, sepse i konsiderova çështje të njohura dhe pa ndonjë vlerë në rastin e dhënë.
AFRIM IMAJ
No comments:
Post a Comment