Guxími i pavend është një nga llojet e frikës” - Senéka
Rama që e ka të qartë humbjen e garës elektorale, ka nisur të shajë Drejtësínë. I do gjykatat si komunizmi : parzmore që të “justifikojnë” nëpërkëmbjen e pafajsísë. Se komunizmi dënonte pa të drejtë, pikërisht ata që e akuzonin me të drejtë. Si i terrorizuar, diktatura e tij mbijetoi duke dyshuar edhe mbi njerëzit e vet. Duke iu trembur të vërtetës universale, Rama kapet pas procedurash. Ai që ngulmoi për hapjen e kutíve, kërkon sot mbylljen e tyre. Dhe, meqë shenjtëroi çdo votë të zakonshme, urren sot ato më të pastrat. Dje e nxiti frika pse humbi, sot e shtyn tmerri i disfatës plebishitare. Rama ka ideal tensionin. Jo më kot Enver Hoxha kryente arrestime para çdo votimi. Dhe aq frikë kishte nga vota kundër, sa, ndonëse Shqipërínë e shihte si armike, fitoren e donte 99,99%. Prandaj, Shqipëría që u regj me dënimet e tij të padrejta, qesh sot me kërcënimet në formë “shashke” të Ramës. Ndoshta prandaj, kur Rama ulërin se i kanë vjedhur votat, tiranasit habiten që ta ketë vërtet për ato 10 votat e rastit. Vetëm militantët tremben mos i akuzon si matrapazë, meqë kryebashkiaku ka pasë “fituar” me mbi 20 mijë vota.(!) Ndaj shohin në ëndërr sikur Rama i padit në gjyq; sikur i urdhëron të vërviten mbi koka policësh; sikur hipën vetë në çatínë e selisë rozë dhe i kërcënon pse nuk ia kanë ruajtur votat. Megjithatë, shumica nuk frikësohen; nuk vishen me rroba të grisura për t’i vërtetuar teorínë e mjerimit; nuk qahen si të papunë dhe nuk ankohen duke klithur “fajin e ka kryeministri !”. Ndoshta kjo qetësi e alarmon më tepër Ramën. I ndez gjakun dhe i forcon fytin. Se indiferenca e tiranasve është më e rëndë se humbja e bashkisë. Rama mezí u mbushi mendjen tiranasve se qenkëshin në pikë të hallit; se s’kishin të ardhme; se bashkë me votat, u qenë grabitur dhe taksat, etj. Ai që i komandoi në demonstrata nga kullat prej xhami, i duhet të pranojë se këta nuk e paskan votuar. Po! Po! Kjo është më e rëndë se humbja. Prandaj Kolegji Zgjedhor lypset të mendohet pak për hallet e këtij ambiciozi të sëmurë. Ndryshe!... Mirëpo, çudí ! I gjithë guximi i Ramës u kthye në drojtje. Arroganca i mori trajtat e një frike instinktive. Se dhe nga grigja e deputetëve po i shkëputen ca “deshë”! Dhe bash nga ata, që ky i kish caktuar për “koka turku”. Frika bëka mrekullíra. Kuisjet për humbjen iu mekën, kurse hakërrími ndaj të vetëve kish marrë flakë. Por, pikërisht kur ndjeu se e kish humbur davánë, dolën nga ferra avokatët e “kopaçes” dhe i treguan “rrugën e vetme”, që duhej të ndiqte. Dhe Rama nisi alibínë e vjetër të votës së vjedhur. Filloi paditë ndaj institucioneve. Nisi kërcënimet ndaj komisionerëve të vet, ndaj KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Në fund, e ndali vrapin te paqortueshmëria e Komisionit të Venecias, që dikur e kishte mohuar. Dhe filloi t’u “argumentonte” analistëve se Kolegji Zgjedhor duhej të jepte Drejtësí. Pa nisi t’u klithte dhe gazetarëve të vet, si të ishin këta fajtorët e humbjes së tij me ato 1O votat “legjendare”. Por Rama e ndiente nevojën e një kërcënimi “apokaliptik”. Ndaj hapi fjalorët dhe gjeti aty fjalën “kanibalizëm”. Po! - tha me vete. KQZ-ja, duke numëruar votat e sakta, më ka ngrënë të gjallë ! Ka kryer një ...“kanibalizëm zgjedhor!”. Madje më keq! Që kur nisi të numëronte votat e rregullta, hedhur jo në kutínë përkatëse, ajo paskësh kryer krimin më makabër, që ka parë ndonjëherë Historía e njerëzimit. Dhe iu kujtuan hetuesitë komuniste, që nuk njihnin as rrethana, as fakte, as prova. Ndaj iu kthye me nostalgji epokës së vet të shpifjeve, kur “kaun e bënte me viç dhe lopën me kopil”. Por, me t’iu kujtuar thënia se, kur mendjemadhësía s’gjen hapësíra, i bie dhe murit me kokë, u step. Dhe nuk e kuptoi si solli ndër mend sentencën “trimi i mirë me shokë shumë!”. Se nuk po shihte të merakoseshin tiranasit për mjerimin që po e gjente. Nuk po kthenin as kokën ata, që i kishin mbijetuar terrorit të Enver satrapit. Të gjithëve po u dukeshin kërcënímet e tij si ca “shashka” lamtumire!
Taní tigri qe shndërruar në lepur. Se Rama iu fsheh ca ditë syve të gazetarëve të vet. Por sejmenët e gjetën ku qe strukur dhe e mësuan të kuiste si ujk, meqë bashkë me ta, ndodheshin zbuluar para “çekanit” të Drejtësísë. Ndaj doli në mejdan i trimëruar. U shfaq i qeshur, kërcënues, sikur asgjë nuk kish përjetuar; sikur ta kishte fituar bashkinë me 3O mijë vota; sikur nuk kish qenë ky që, me katrahura, kishte bërë avokatínë e shenjtërímit të votës; sikur taní do t’i detyronte partitë dhe partnerët ndërkombëtarë t’i akordonin fitoren, duke “pushkatuar”, madje, dhe vullnetin e lirë të tiranasve, për nëpërkëmbjen imagjinare të të cilëve kish derdhur lumenj lotësh krokodili.
Se Rama me sejmenët e tij nuk e durojnë dot qetësínë, me të cilën Tirana po përcjell daljen e tij në pension politik. “Argumentet” e tij për mohimin e votës së lirë janë fare banale. Kërcënimet e tij ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe mbarë Shqipërísë nuk po trembin njerí. Mos, vallë, u mësua ky popull me kërcëníme, ngaqë e ngrysi jetën nën ankthin e një arrestimi të beftë ? Se, dhe frika ka një kufí, përtej të cilit nuk bën më efekt. Ndoshta prandaj diktaturat i janë druajtur aq shumë “kapërcimit të limiteve”. Prandaj aplikonin “zik-zaket” në luftën mizore të klasave. Veçse “Shashkat” kërcënuese të Ramës emocionojnë militantët e vet fanatíkë. Por jo një popull, që ka parë vdekjen me sy. “Shashkat” e Ramës po tingëllojnë donkishoteske. Megjithatë, ai ka vendosur të largohet jo pa tamtáme, madjé, duke hedhur në ajër ca “shashka” kërcënuese, si një ndotje e fundit akustike ndaj kryeqytetit, të cilit s’i la skutë pa ia betonuar! Kurse tiranasit kanë për t’i uruar një rrokullisje të mbarë në tatëpjetën e “Rrugës së vetme!”
No comments:
Post a Comment