Monday, May 30, 2011

Ambasadorët e Topi, negociata për pakt para kolegjit

TIRANË- Kolegji Zgjedhor pritet të shpallë vendimin për Tiranën më 3 qershor, ndërkohë që paralelisht po zhvillohen bisedime dhe negociata, që palët të arrijnë një kompromis për kryeqytetin para kësaj date. Në lojë janë aktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të akredituar në Shqipëri, të cilët kanë zhvilluar ec e jake edhe në fundjavë, për të bindur palët për një marrëveshje, çka nuk do të lejonte përshkallëzimin e situatës, për shkak të qëndrimeve ekstreme, që dy partitë kryesore mbajnë. Burime të mirëbesuara të gazetës “Mapo” thanë dje në mbrëmje se përpos gjuhës së ashpër dhe akuzave publike, nga të dyja kampet politike, palëve po u thuhet në rrugë jo zyrtare, që të negociojnë me njëra-tjetrën me qëllim arritjen e një kompromisi para se Kolegji Zgjedhor të japë një vendim zyrtar. Në negociata intensive, ndërkombëtarët kanë përfshirë edhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi, i cili pas kthimit nga Anglia, ku mori pjesë në ndeshjen finale të Ligës së Kampioneve 2010-2011, mes skuadrave të Barcelonës dhe Mançester Junajtid, i është rikthyer takimeve me përfaqësues ndërkombëtare. Në të gjitha qëndrimet publike, Presidenti i Republikës është shprehur se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, duke u kërkuar për pasojë palëve që të vetëpërmbahen. Topi është shprehur gjithashtu se Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e tij të plotë institucionale, për një proces të pavarur dhe transparent. Por, përpos dëshirës së Presidentit të Republikës dhe mbështetjes që ai ka dhënë, nisur nga qëndrimet e tejskajshme politike për Tiranën, Kolegji Zgjedhor tanimë mbetet instanca e vetme gjyqësore, që do ta ketë të vështirë marrjen e një vendimi dhe për pasojë edhe më e paragjykuara nga partitë. Andaj, ndërkombëtarët fort të mësuar me këtë situatë, janë përfshirë intensivisht në diskutime me qëllim që të ulin në negociata Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Në konsultat e rregullta mes ndërkombëtarëve dhe Presidentit të Republikës,(për të cilat janë njohur edhe dy partitë kryesore) mësohet se janë hedhur për diskutim disa variante ku duket se përfshihet edhe mundësia e një rivotimi për kreun e Bashkisë së Tiranës në një kohë jo shumë të largët, si dhe rinumërimi i të gjithë votave të pavlefshme të 8 Majit për kryeqytetin, që rezultojnë të jenë 6730. Mesazhet e deritanishme të përfaqësuesve më të lartë në Bruksel dhe Uashington, por edhe të ambasadorëve në Tiranë, e kanë vënë theksin tek një kompromis mes palëve pas zhvillimeve, që pasuan 8 majin. Pak ditë më parë, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, duke folur mbi situatën aktuale në Shqipëri, përcollën nevojën e një zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme për ato çështje, të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim. Për këtë qëllim, ata kërkuan që partitë politike në vend të nisin menjëherë dialogun, në mënyrë që të bien dakord se si ta trajtojnë çështjen e votave "të hedhura gabimisht". Edhe për ndërkombëtarët, procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, andaj angazhimi i tyre maksimal për të mundësuar një kompromis mes palëve, duket se është e vetmja zgjidhje për situatën politike në vend.

N.Perndoj

No comments: