TIRANË- Shteti shqiptar vijon të shlyejë borxhet e marra ne kohen e regjimit komunist tek vendet e ish-bllokut të lindjes. Parlamenti miratoi dje në seancë plenare marrëveshjen për pagesën e një milionë dollarëve nga Shqipëria ndaj Rusisë në kuadër të shlyerjes së borxhit total që vendi ynë i ka këtij shteti. Marrëveshja e djeshme ka të bëjë me rishikimin e borxhit midis dy vendeve dhe parashikon pagesat çdo vit nga ana e Shqipërisë në një këst të vetëm deri në shlyerjen totale të tij.
Aktualisht, vendi duhet të paguajë ndaj Rusisë një milionë e 36 mijë dollarë si këst të radhës. Pagesa duhet të kryhet deri në fund të këtij muaji pasi në të kundërt, bashkë me këstin e përcaktuar, Shqipëria do të duhet të paguajë edhe kamatëvonesën për çdo ditë të kaluar mbi datën e përcaktuar. Nisur edhe nga kjo, qeveria i kërkon Kuvendit në projektligj që të shpejtojë procedurat në mënyrë që të mos kalohen afatet e pagesës të cilat përcaktohen në marrëveshje.
Vendi ynë i ka Rusisë si trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik një borxh total prej 35 milionë dollarësh, i cili do të shlyhet përgjatë viteve në vazhdim. Në vitin 2001, është nënshkruar një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe asaj ruse për riskedulimin e borxhit të trashëguar nga regjimi komunist. Marrëveshjet e riskedulimit të borxhit zakonisht kanë të bëjnë me zgjatjen e afatit për shlyerjen përfundimtare të huas. Por, njëkohësisht me zgjatjen e afatit të shlyerjes rritet edhe shuma që duhet paguar.
Shlyerja e borxhit ndaj Rusisë vjen në vazhdën e pagesës së detyrimeve ndaj ish-vendeve të bllokut lindor që ka gjeneruar regjimi komunist. Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se momentalisht kanë mbetur pa u shqyrtuar borxhi ndaj Kubës dhe Vietnamit duke shtuar se përfshirja në borxhin e këtij viti edhe të pagesave ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Rusisë ka qenë shkaku i rritjes së borxhit gjatë kësaj periudhe. "Së shpejti miratohet në Kuvend edhe zgjidhja e borxhit me ish-Jugosllavinë dhe mbetet vetëm Vietnami dhe Kuba dhe nuk kemi asnjë borxh të pazgjidhur nga koha e mëparshme. Pagesat janë përfshirë në borxhin publik dhe një nga arsyet e rritjes së tij është njohja dhe riskedulimi i borxheve të qeverisë komuniste", - tha ai.
Deri në fund të tre mujorit të parë të këtij viti, borxhi publik i Shqipërisë pësoi një rritje prej 20 miliardë lekë krahasuar me tre mujorin e fundit 2010. vitin 2010 Shqipëria e mbylli me një borxh publik prej 715 miliardë lekësh, ndërkohë që në fund të marsit ai u arriti në 735 miliardë lekë.
Pjesa më e madhe e borxhit publik të vendit përbëhet nga borxhi i brendshëm. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rreth 425 miliardë lekë janë borxh i marrë nga qeveria, kryesisht prej bankave vendase, ndërsa 310 miliardë lekë janë borxh i jashtëm. Qeveria ka marrë përsipër ta mbajë atë nën treguesit 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë këtij viti dhe ta ulë atë në vitet në vijim.
Borxhi me ish-Jugosllavinë, marrëveshja së shpejti në Kuvend
Pas marrëveshjes në fjalë, në Kuvend pritet të prezantohet së shpejti edhe një marrëveshje tjetër e ngjashme, është ajo për pagesën e borxhit ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë. Ashtu si borxhi ndaj Bashkimit Sovjetik, edhe detyrimet ndaj Ish-Jugosllavisë janë krijuar nga marrëdhëniet tregtare. Marrëveshja është miratuar nga të dyja qeveritë respektive si dhe është ratifikuar nga parlamenti serb dhe pritet që së shpejti të njëjtën gjë të bëjë edhe parlamenti ynë.
Borxhi total i vendit ndaj ish-Jugosllavisë përllogaritet të shkojë rreth 23.7 milionë dollarë bashkë me interesat dhe do të ndahet midis shteteve respektive. Nga marrëveshja nuk përfiton Kosova edhe pse gjatë akumulimit të borxhit ka qenë pjesë e Federatës Jugosllave.
Nga borxhi total prej 20.7 milionë dollarë (principali), sipas marrëveshjes në fjalë, Shqipëria duhet t'i paguajë Serbisë rreth 8.5 milionë dollarë, Kroacisë 5.5 milionë, Sllovenisë 3.8 milionë dollarë, Bosnjës 3.7 milionë dhe Malit të Zi 532 mijë dollarë.
No comments:
Post a Comment