Friday, June 3, 2011

I LINDUR PËR TË DASHURUAR FRANCËN

Edmond Tupja Dhe pse ishte vetëm 18 vjeç e ca dhe linte Shqipërinë e ‘65-ës, Edmond Tupja, kur shkeli për herë të parë në Francë, nja dy elementë francezë i kishte të përvetësuar mirë, sepse në familjen e tyre babai, që njihte mirë frëngjishten (Tupja thotë me humor që frëngjishten e ka gjuhën e babait), përshëndeste “orevuar” dhe mamaja falënderonte “mercy bocu”. Plus që me një gjyshe nga Parisi i vogël i Shqipërisë, traditën për tavolinat e shtruara me thikë e pirunë në çdo vakt, me autorët francezë në bibliotekë, nga të cilët më i dashuri për Edmondin ishte sigurisht romani nga kish marrë emrin, “Konti i Monte Kristos”, kjo lidhje me Francën dukej se kishte qenë gjithmonë (ose siç thotë ai: ishte paracaktuar). Ajo që erdhi si surprizë ishte zgjedhja e gjimnazistit si një nga të parët ish-maturantë që do shkonin të studionin në Francë. Shkaku ishte hapja e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja dhe Degës së Frëngjishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, për të cilat duhej staf i kualifikuar. “Qëndruam pak në Paris dhe pastaj u zhvendosa në një qytet 400 km larg tij ku zhvillova studimet e larta. Mua më zgjodhën sepse isha nxënës i mirë dhe profesori im i frëngjishtes Mahmut Dobrati kish vënë re përkushtimin tim ndaj gjuhës. Gjithsesi atje u përkushtova për ta përsosur. Lexoja në frëngjisht pa fund e më pas, pasi krijova miqësi, bisedoja me moshatarët e mi francezë, që më vonë më ftonin edhe në shtëpitë e tyre. Pas dy vitesh, mund të them se flisja një frëngjishte me theks të pastër”. I duhej të mësohej ndërkohë edhe me ca zakone franceze e, para se të nisej, daja i tij i madh, që kish jetuar në Francë, i kish lënë një porosi: që duhej të mësohej të pinte verë. “Me të mbërritur atje, bleva verë, që ishte dhe e fortë dhe, që të mësohesha, pija nga një gotë çdo mëngjes, ndërkohë që haja vetëm nja dy biskota. Pastaj isha gjithë ditën i trullosur dhe vera m’u neverit pa e mësuar mirë. Mirëpo kur më ftuan disa miq në shtëpi, mësova se ata e pinin verën në tavolinë për të shoqëruar ushqimin. Që nga ajo kohë, unë çdo drekë pi nga një gotë verë të kuqe”. Nuk është ama e vetmja gjë që mësoi prej Francës. “Franca më zhvilloi edukatën, mirësjelljen, dashurinë ndaj së bukurës, sensin e dialogut, të vendosjes së vetes në vendin e tjetrit, përveçse atje pata dhe përvojat e mia të para erotike”. Për të mos harruar beretën karakteristike apo shijen për muzikë franceze. Veçse aventura që nisi me shushatjen e 18-vjeçarit do përfundonte me mbarimin e shkollës dhe të specializimit gjashtë vjet më vonë, kur ai do kthehej në Shqipëri, për të vizituar Francën me raste pastaj. Rast ka qenë edhe tërheqja e dy çmimeve të para për poezinë dhe tregimin në frëngjisht të autorëve të huaj, të cilat Tupja i ka marrë në ‘94-ën dhe ‘96-ën. “Mua më pëlqen të shkruaj në frëngjisht; përveçse të lexoj, krijoj në frëngjisht, madje shpesh edhe mendoj në frëngjisht”. Po gjithashtu përkthen vazhdimisht, ose nga frëngjishtja në shqip, ose e kundërta. “Personalitetet e përkthimit Vedat Kokona dhe Isuf Vrioni më dhanë në fillimet e mia shembullin, por dhe më ngulitën dëshirën e përkthimit, respektivisht të poezisë dhe prozës”. Pak kohë më parë ai mori edhe çmimin “Isuf Vrioni” për përkthimin e autorit Fatos Kongoli. Sepse vetëm marrëdhënia me gjuhën franceze duket se nuk ka ndalur e nuk do ndalet kurrë. Marrëdhënie që ka nisur që kur babai përshëndeste “orevuar” dhe e ëma thoshte ndonjëherë “mercy bocu” në vend të “shumë faleminderit”.

No comments: