Kam javë që në Tiranë, qytetin ku jam lindur e rritur, perceptoj një ndarje të frikshme mes tiranasve me origjinë nga krahinat sipër Shkumbinit dhe ato nën Shkumbin. Dhe jam matur disa herë të shkruaj një artikull për të analizuar se si kemi mbërritur deri këtu e se si mund të mos vazhdojmë më kështu, por kam patur ndjesinë se nuk i kam njohuritë e duhura për të qullosur një artikull të nivelit të ekspertit të shkencave sociale rreth kësaj teme. Për këtë arsye, u sugjerova disa ekspertëve të kësaj fushe që ta bashkëshkruanim artikullin, por ofertës sime s’iu përgjigj pozitivisht njeri. Si rrjedhojë, po ulem ta shkruaj artikullin, duke e paralajmëruar lexuesin se këta rreshta nuk janë produkt i ndonjë hulumtimi rigoroz shkencor, por thjesht përsiatje të një qytetari të shqetësuar për komunitetin ku jeton.
Tirana është ndër të rrallët kryeqytete në Europë, për të mos thënë i vetmi, që u caktua si i tillë jo se ishte qendra e elitës politiko-administrative-kulturore të vendit, por thjesht për të ruajtur ekuilibrat krahinorë të një shteti të sapoformuar. Në fazën e parë të saj si kryeqytet (1920-1944), Tirana u trefishua si popullsi, por kjo rritje nuk qe pasojë e ndonjë dyndjeje masive demografike (dyndja e dibranëve kishte mbaruar para se Tirana të funksiononte si kryeqytet). Rritja e popullsisë së Tiranës u bë në mënyrë graduale dhe të balancuar - si krahinarisht, ashtu edhe kulturalisht e religjiozisht. Ahmet Zogu, njeriu që kryesisht mbikëqyri procesin e rritjes së Tiranës, ishte më se i kujdesshëm për t’i ruajtur këto balanca. Si rezultat, elita politiko-administrative-kulturore që u krijua eventualisht në Tiranë ishte përfaqësuese e të gjitha krahinave dhe feve në Shqipëri. Për rrjedhojë, edhe tensionet në shtresat e tjera të popullsisë së kryeqytetit ishin relativisht të ulëta, pavarësisht trefishimit të popullsisë në 24 vjet.
Me ardhjen e komunistëve në fuqi, pati një dyndje të popullsisë jugore në Tiranë, ndërkohë që një pjesë e mirë e elitës kryeqytetase u burgos apo u internua. Të ardhurit rishtas vinin me arrogancën e fituesit të luftës, por edhe me një nivel relativisht të ulët arsimor. Si rrjedhojë, u desh kohë që të krijohej një elitë e re politiko-administrative-kulturore, e cila, edhe kur u krijua, ishte kryesisht me orgjinë toske. Dhe ndoshta nuk ishte rastësi që në vitin 1972 kjo elitë vendosi të vinte dialektin tosk në themel të gjuhës zyrtare shqipe.
Ky realitet i ri u shoqërua vetiu edhe me tension në shtresat e tjera të popullsisë së kryeqytetit, pavarësisht se diktatura komuniste e mbante nën kontroll të fortë atë. Një shfaqje latente e atij tensioni ishte, për shembull, hasmëria mes tifozëve të “Tironës” dhe “Partizonit”. Kështu, në vitin 1968, tifozët tiranas arritën deri aty sa të bënin një demonstratë para Shtëpisë së Oficerëve, pas një ndeshjeje futbolli, ku gjyqtari favorizoi haptazi “Partizanin”. Një shembull tjetër ishte një anektodë që qarkullonte rreth tensionit mes tiranasve me origjinë nga krahinat mbi Shkumbin dhe atyre nën Shkumbin (tiranasit autoktonë i quanin këta të fundit me emrin përçmues “lapt”, një formë dialektore e fjalës “lebërit”). Sipas anektodës, një tiranas i vjetër thoshte se, po të kishte pushtet të plotë, do të dilte te Stacioni i Trenit me një pako gjalpë e do t’i pyeste të sapoardhurit se çfarë ishte gjëja që mbante në dorë. Ata që do të përgjigjeshin “gjalpë” ai nuk do t’i lejonte të zbrisnin...
Zhbalancimi krahinor i krijuar në Tiranë gjatë 30 vjetëve të para të diktaturës komuniste, u korrigjua paksa në kohën kur Enver Hoxha spastroi një pjesë të elitës së krijuar prej tij dhe kur filloi sjelljen e njerëzve të rinj nga klasa punëtore-kooperativiste në krye të partisë dhe administratës shtetërore. Por sidoqoftë, Tirana e Dytë e mbylli jetën e saj me një trefishim të popullsisë dhe me një balancë demografike që anonte nga qytetarët me origjinë jugore.
Tirana e Tretë (ajo e pas vitit 1990) ndoqi rrugën e Tiranës së Dytë. Në fazën e parë pati një dyndje të pakontrolluar të popullsisë gege (kryesisht përkrahëse e PD-së) dhe në fazën e dytë, një dyndje të pakontrolluar të popullsisë toske (kryesisht përkrahëse e PS-së). Ndërkohë, një pjesë e mirë e elitës kryeqytetase emigroi. Në këta 20 vite, si rezultat e luftës së egër politike mes PD-së dhe PS-së, nuk u krijuan kushtet për koagulimin e një elite politiko-administrative-kulturore të unifikuar, të paktën në disa pika themelore përcaktuese për përparimin e kryeqytetit dhe më tej të të gjithë vendit (divergjencat brenda elitave janë të forta në çdo kryeqytet europian, por ka disa pika themelore ku ato bashkohen.)
Si rezultat i ndarjes së elitës politiko-administrative-kulturore në kampe pothuaj armike me njëra-tjetrin, tensioni krahinor/politik në shtresat e tjera të popullsisë së kryeqytetit ka qenë vazhdimisht i lartë dhe, së fundi, duket se i është afruar pikës së vlimit - sidomos pas betejës së ashpër për Bashkinë e Tiranës. Po sjell vetëm një shembull, për ta ilustruar këtë tension. Një miku im i ngushtë (lindur e rritur në Tiranë, me gjysh të pushkatuar nga komunistët, votues i rregullt i PD-së), kur tha në punë se është me origjinë nga Gjirokastra (në përgjigje të pyetjes që i bëri një koleg me origjinë nga veriu), u përball me një ftohtësi të frikshme nga pyetësi!!! Ky episod i mikut tim me origjinë nga Gjirokastra, përveçse ilustron tensionin krahinor/politik në popullsinë kryeqytetase, demonstron edhe faktin se jo çdo tiranas “tosk” është “i majtë” dhe, anasjelltas, jo çdo tiranas “geg” është “i djathtë”. Sidoqoftë, kam bindjen se shumica e “toskëve” anojnë “majtas” e shumica e “gegëve” anojnë “djathtas”, ndërkohë që ndarja mes tyre po bëhet e frikshme.
Dhe kështu, nuk mund të vazhdohet! Ka ardhur koha, për të mos thënë se po kalon, që udhëheqësit kryesorë politikë të bëjnë një Pakt të Madh Paqeje, i cili do të hapte rrugën për një Tiranë të Katërt. Në këtë Tiranë stabiliteti që do të sillte pakti mund të krijonte kushtet për koagulimin e një elite politiko-administrative-kulturore të ngjashme me simotrat europiane, të paktën në lidhje me disa pika themelore përcaktuese për përparimin e kryeqytetit dhe më tej, të të gjithë vendit (përsa u përket karakteristikave të tjera, elitës tiranase ndoshta do t’i duhet SHUMË kohë për t’i arritur simotrat e saj…). Një Pakt i Madh Paqeje do të ishte gjithashtu edhe pikënisja për uljen e tensioneve mes “gegëve” dhe “toskëve” kryeqytetas, dhe më tej, të të gjithë Shqipërisë.
Le të mos harrojmë ç’ka thënë Abraham Linkolni para Luftës Civile mes Veriut dhe Jugut të SHBA-së: “Një shtëpi e ndarë më dysh nuk mund të qëndrojë gjatë në këmbë”...
No comments:
Post a Comment