Friday, June 3, 2011

Jeta-në kopertinë,Ajola Xoxa


Search

Që ajo të hyjë në një bar të zakonshëm të Tiranës dhe të mos tërheqë shikimet e të tjerëve dhe disa pëshpërima pas vetes, kjo vështirë se ndodh. Por ka kohë që është mësuar me këtë dhe nuk është se i bën shumë përshtypje. Është mësuar që të dëgjojë komente për veten sa herë që ndodhet në një ambient me shumë njerëz. Siç është mësuar që herë pas here të gjejë fotografinë e saj të botuar në ndonjë nga gazetat rozë të fundjavës. Pjesë e jetës së saj edhe kjo. E jetës prej juristeje. Prej juristeje? Çne që një juriste të lakohet e përflitet (si për mirë, edhe për keq) si të ishte një yll ekrani? Ja që ndodh! Ka aq shumë arsye që e bëjnë Ajola Xoxën të jetë një nga ata njerëz që tërheq vëmendjen si me magnet. Dhe jo vetëm sepse është vajzë e gjatë dhe e këndshme, që vishet bukur dhe shihet shpesh e kapur dorë për dore me Erion Veliajn. Do kish qenë gjithsesi e njohur në një mënyrë tjetër, edhe nëse një ditë nuk do të prezantohej zyrtarisht si partnerja e Erionit, që kur ishte ende 18 vjeç dhe drejtonte në Tv Klan “Netët e verës” apo shfaqej duke kënduar. Hë, ju kujtohet ajo vajza e gjatë bionde, që ka kënduar një herë edhe te kënga magjike? Ja pra, prandaj ju dukej aq fytyrë e njohur dhe nuk e bënit dot lidhjen. Sepse dikur Ajola ka qenë vërtet vajzë ekrani, që prezantonte dhe këndonte...
Ka nga ata që nuk e mbajnë mend të shkuarën tënde. Është pak e vështirë që të bësh lidhjen mes një Ajole që prezanton spektakle dhe Ajolës të tanishme. Ke qenë aq ndryshe atëherë, apo jo?
Po, kam qenë vetëm një gjimnaziste atëherë dhe bëhet fjalë për vitin 2002 kur unë u shfaqa për herë të parë në ekran duke prezantuar “Net vere”.
Pra, kishe dëshirë që të bëheshe prezantuese?
Jo, jo. Unë vërtet jam marrë me art që e vogël: kam bërë 8 vjet balet klasik, katër vjet kitarë apo kam kënduar që e vogël në shkollë e më pas në “Rin Fest”, si një nga aktivitetet e pakta të asaj kohe, kjo për shkak të ndikimit të familjes sime, që është e lidhur ngushtë me të gjitha këto fusha të artit. Por asnjëherë nuk më është ushqyer ideja për t’u bërë artiste.
As kur u shfaqe në ekran duke prezantuar?
As atëherë. Ishte thjesht një hobi që unë e bëja me shumë kënaqësi, këndoja, prezantoja në Tv Klan, pastaj kam marrë pjesë edhe në një spektakël karaokeje. Asokohe vazhdoja shkollën e mesme dhe kisha kohë boll për ta shfrytëzuar me aktivitete të tilla që më jepnin kënaqësi. Unë e pëlqej artin, por nuk është kjo gjëja që do bëja më mirë. E kisha vendosur që shkollën do ta vazhdoja për Drejtësi jashtë Shqipërisë.
Nuk u joshe nga ideja për të studiuar këtu dhe në të njëjtën kohë të vazhdoje edhe karrierën e saponisur në televizion?
Nuk u josha aspak. Sepse televizioni dhe spektakli ishte vetëm një pjesë e aktivitetit tim në atë kohë. Unë isha e angazhuar edhe me senatin e shkollës, kam qenë dhe një ndër themelueset e parlamentit rinor, kurse gjatë studimeve në Francë, me një grup të tjerë studentësh, kemi themeluar rrjetin e studentëve që studiojnë jashtë “As@an”. Të tjera vajza ndoshta do kishin marrë të tjera vendime. Të jesh studente në Sorbonë është sigurisht shumë, por edhe të jesh e njohur në Shqipëri, në një kohë kur nuk ka pasur aq shumë spektakle sa tani dhe prezantueset ishin si uji i pakët, është jo pak tunduese. Por nuk është ky rasti i Ajolës, që pa u tutur aspak, bëri gati valixhet për të fluturuar drejt Parisit, ku filloi një tjetër jetë, si studente e Universitetit të Sorbonës. Me kaq përfundoi dhe historia e saj me televizionin? Në fakt, nuk qe një ndarje me thikë. Gjatë vitit të parë të studimeve u kthye sërish në Tiranë: një herë për të kënduar në këngën magjike dhe një herë në maratonën e këngës popullore veshur me të zeza dhe me flokët e gjatë biondë deri në fund të kurrizit. Me siguri që numërohen me gishtat e dorës ata që e mbajnë mend Ajolën atyre skenave. Sepse u pa qartë se mes televizionit në Shqipëri (ku po shfaqej gjithnjë e më rrallë) dhe studimeve në Paris, po fitonte kjo e fundit. Dhe kështu Ajola u zhduk.
Apo jo?
Në fakt jo tamam. Është e vërtetë që nuk u shfaqa më në televizion, por ndërkohë, siç e thashë edhe më lart, kisha filluar të angazhohesha me “As@n”-in dhe aktivitetet me këtë rrjet më bënin që në Shqipëri të kthehesha shumë shpesh, pra të angazhohesha sërish, por në një mënyrë tjetër. Në disa aktivitete të “As@an”-it u njoha edhe me Edi Ramën, Arta Daden apo Valentina Leskajn. Ndërkohë që kisha filluar të shkruaja në disa të përditshme shqiptare.
Kjo ishte një mënyrë për të mos u shkëputur?
Një nga gjërat e para që mëson në Francë, ndryshe nga këtu, është që ta thuash atë që mendon. Unë isha 20 vjeçe, mbase nuk dija të argumentoja mirë, po ama kisha të drejtën t’i thosha gjërat ashtu siç i mendoja dhe gazetat ishin një mënyrë për ta bërë këtë gjë. Isha e drejtpërdrejtë dhe shkrimet e mia kishin filluar të binin në sy. Bekuar qofshin ato shkrime, që u bënë shkak për një “love story” nga ato prej vërteti! Sepse mjaftoi vetëm një shkëndijë e ndezur prej tyre, pesë vjet më parë, që Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj të jenë sot një ndër çiftet mediatike më të përfolura.
Si u njohe me Erionin?
Duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit. Ai kish lexuar një shkrim timin dhe unë një të tijin, të cilët miqtë më pas i kishin postuar. Pas disa komenteve mbi shkrimet e njëri-tjetrit, Erioni më dërgoi një mesazh privat. Kështu filluam të komunikonim shpesh e më shpesh derisa një ditë më kërkoi numrin e telefonit.
Kur u takuat?
Erdhi një moment, pas disa muajsh komunikimi me telefon, kur Erioni më tha se do vinte të më takonte në Paris. Ka qenë data 10 dhjetor 2005 kur u takuam në Cafe Saint Michelle.
E kishe parë ndonjëherë më parë?
Jo dhe nuk e dija që ishte aq i gjatë.
Ajo ditë shënoi edhe lidhjen tuaj? Po, pikërisht atë ditë kemi shkëmbyer puthjen e parë.
Nëse nuk do ta kishe njohur Erionin, do ishe kthyer sërish në Shqipëri?
Ndoshta, pasi të mbaroja studimet, mund të punoja 2-3 vjet atje, por një ditë do kthehesha. Jam vajzë e vetme dhe prindërit kanë dashur që të më kenë pranë. Pastaj në Shqipëri jam ndier gjithmonë mirë. Vërtet rrugët nuk janë aq të bukura sa në Paris, por unë ndihem mirë këtu. E pra, qoftë apo jo Erioni arsyeja, Ajola u kthye, për të gjetur pas pesë vjetësh një Shqipëri ku nuk e njihte më askush. Sepse kohët kur ajo ishte vajza që drejtonte spektakle ishin harruar. Të tjera vajza bukuroshe kishin zënë vendin e saj. Veçse nuk zgjati shumë. E gjithë vëmendja do të kthehej drejt saj sa hap e mbyll sytë, kur në krah të Erion Veliajt u pa një vajzë simpatike, të cilën ai e prezantoi si partneren e tij.
Si ishte kthimi në Shqipëri?
Kthimi im përkoi me daljen e gazetave të para, që filluan të merren me thashetheme dhe unë u ekspozova në fillim si partnerja e Erionit, i cili ishte bërë tashmë figurë publike. Kishim vështrimin e të gjithëve kudo që shkonim dhe për mua kjo ishte pak e sikletshme, sepse nuk e kisha menduar se do të na kushtonin aq shumë vëmendje.
Po më pas?
Më pas fillova të punoja në “UNICEF” dhe angazhimi me këtë organizatë solli njohjen e mëtejshme, filluan të më ftojnë edhe nëpër disa emisione televizive.
E megjithatë ka nga ata që thonë se ekspozimi yt në publik i detyrohet vetëm të qenit partnere e Erionit...
Ka pasur raste kur kundërshtarë të tij politikë e kanë komentuar një gjë të tillë. Unë jam ekspozuar në publik edhe për shkak të Erionit, por angazhimi im do kish ndodhur pavarësisht tij, ndoshta në një formë tjetër ose ndoshta në një kohë tjetër.
Kjo ka lidhje me angazhimin tënd në strukturat e Partisë Socialiste?
Po. Unë jam anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Në vitin 2006, kur u bë ristrukturimi i Asamblesë, u mblodhëm 30 të rinj që u bëmë pjesë e saj. Ndërkohë që gjatë u fushatës u fol gjatë se ti do ishe një ndër emrat e listës së deputetëve të PS-së. Me këtë fakt është spekuluar shumë në shtyp. Unë vërtet u përfshiva gjatë zgjedhjeve, sepse ishte fushatë. Angazhimin tim në politikë, ndonëse shumë modest, unë do vazhdoj ta mbaj, por nuk është ky prioriteti im.
Po cili është?
Që prej një viti e gjysmë punoj në studion ligjore “Tonucci & Partners”. Dhe ky është momenti për t’iu përkushtuar tërësisht profesionit tim si juriste. Dhe kur flet për përkushtimin, Ajola nuk e ka fjalën vetëm për 11 orët e ditës që ia fal punës së saj. Nuk do shumë për t’u kuptuar se edhe imazhi i saj tashmë përputhet plotësisht me profesionin e saj. Megjithatë hiqini nga mendja kostumet e zinj dhe xhaketat me prerje serioze. Harrojini edhe fundet ngjyrë rozë. Ajola është një legally brunette. Me një stil të pangatërrueshëm francez, ku mbizotërojnë fjongot, pikat, ngjyrat.
Sa ka ndikuar Parisi në stilin tënd të veshjes?
Sigurisht që ka ndikuar shumë. Unë kam ikur nga Shqipëria në një kohë kur nuk ishin ende dyqanet dhe qendrat tregtare që janë sot. Kam kaluar gjimnazin me tre palë xhinse.
Po kur shkove atje?
Kur shkova atje, pashë që kishte dyqane të arritshme ku mund të gjeje veshje shumë të bukura. Aty fillova të vishja fustane me fjongo dhe të bëja pak grim.
Vazhdon që veshjet e tua t’i blesh në Paris?
Jo domosdoshmërisht. Edhe këtu gjej rroba të këndshme, vetëm se e kalojnë vlerën e tyre të vërtetë. Ndaj edhe sa herë që kthehem në Paris, bëj shopping, por kjo nuk ndodh shumë shpesh. Sepse unë nuk jam shumë e fiksuar pas veshjeve. Ndodh që u kthehem edhe atyre të vjetrave. Këtë kam mësuar ta bëj në Paris. Atje ka dyqane vintage me rroba të shumë viteve më parë, që mund të vishen edhe tani.
Po tani që punon në zyrë dhe s’ke mundësi të luash me veshjen?
Mua më pëlqen shumë që t’i ndaj veshjet sipas ambientit dhe kohës, por duke qenë se nga zyra dal në orën 20:00, përpiqem të sajoj një veshje që mund të jetë e përshtatshme, edhe nëse më ndodh që pas pune të shkoj diku. Më pëlqen ta personalizoj veshjen me ndonjë aksesor mbi flokë. Megjithatë unë nuk bëj shumë eksperimente me look-un. E vetmja gjë që i lejoj vetes është ngjyra e flokut.
Që tani është kthyer nga bionde në ngjyrën tënde natyrale...
Po.
Kjo është komentuar edhe si një përpjekje për të krijuar një imazh serioz, që i përshtatet angazhimit tënd politik...
Jo, jo, kjo nuk ka lidhje me seriozitetin. Nëse sjellim ndër mend figurat kryesore femërore të politikës, del se pjesa më e madhe janë me flokë të verdhë. I errësova flokët sepse m’u dëmtuan. Më dilte rrënja shpejt, duket të shkoja tek parukierja shumë shpesh. Tani jam më komode. Por kjo nuk do të thotë se një ditë nuk mund t’i bëj sërish të verdhë.
Si ndiheni kur ndodheni kaq shpesh të sulmuar nga media dhe jo vetëm, qoftë edhe për ngjyrën e flokëve?
Ka pasur shumë momente kur ne të dy jemi sulmuar ngaqë Erioni është një figurë publike politike, unë shumë më pak se ai, por kur je çift, goditja përjetohet njëlloj. Nëse një person vendos që të shkruajë një shkrim për mua, sepse ashtu e mendon, unë mendoj se kjo është mëse normale. Njerëzit kanë të drejtë të paragjykojnë. Për sa kohë që ke marrë përsipër që të jesh person publik, edhe do shahesh, edhe do lavdërohesh. Në fillim e vuaja tepër, por tani e di që s’e kanë me mua, por mbrojnë interesat e tyre. Nuk ia vlen të harxhosh energjitë për këtë. Nëse do dëmtohesha rëndë, do merrja masa ligjore.Ç’ndodhi në atë emision?
Unë hyra shumë e ngarkuar për shkak të një deklarate për shtyp ku isha sulmuar jo vetëm unë, por edhe familja ime. Edhe para emisionit pata disa provokime, gjë që më bëri të irritohesha dhe të mos e ruaja qetësinë.
Mendon se kjo e ka dëmtuar paksa imazhin tënd?
Nëse do mundja të ktheja kohën pas, do zgjidhja të mos shkoja fare. Por kur të dëmtohen disa njerëz të dashur, vjen një pikë që ti do ta vësh të vërtetën në vend. Sot do preferoja të mos kisha shkuar. Edhe pse jam ndier keq pa fund, do preferoja më mirë të zhgënjehesha me veten time.
Si ndikojnë tek ti dhe Erioni situata të tilla jo dhe aq të qeta?
Kur je çift publik, është pak e vështirë. Por ne punojmë fort që lidhjen tonë ta mbajmë larg çdo gjëje që mund ta dëmtonte.
Po kur keni debate dhe mosmarrëveshje me njëri-tjetrin?
Me jetën e ngarkuar që ka Erioni, nuk mund të krijosh debate artificiale. Si të gjithë çiftet e tjera, edhe ne kemi momentet tona kur zihemi, por pa ofendime dhe bërtitje. Jemi shumë të kujdesshëm që të ruajmë respektin për njëri-tjetrin.
Duke qenë se të dy keni një aktivitet që ju mban jashtë shtëpisë gjatë gjithë ditës, si e kompensoni kohën për të qëndruar bashkë?
Zgjohemi pak më herët në mëngjes. Nisemi bashkë për në punë, takohemi çdo drekë dhe flasim shumë shpesh në telefon. Në darkë, kur mbarojmë punën, herë dalim, herë rrimë në shtëpi dhe zgjedhim të shohim një film. Flemë gjithmonë pas orës një. Në fundjavë i alternojmë gjërat. Bëjmë pazarin bashkë dhe hamë drekën me prindërit. Përpiqemi që të gjejmë një ekuilibër mes punës dhe lidhjes sonë. Pas disa vjetësh, kur të jemi me fëmijë, do ta programojmë ndryshe kohën.
Meqë planet për fëmijë nuk mungojnë, duhet të jetë në plan edhe martesa, apo jo?
Në bashkëjetojmë që prej dy vjetësh e gjysmë dhe mbase do martohemi vitin tjetër. Martesa ka rëndësi, edhe ceremonia ka rëndësi, megjithatë nuk është stacion në jetë, stacion është gjetja e personit me të cilin ti do kalosh jetën. Martesën ne do ta bëjmë për kënaqësinë tonë dhe të miqve tanë.

Klaudeta SKËNDERASI
Foto: Blerta KAMBO

No comments: