Beteja e mbrëmshme, “Aleanca për Qytetarin” 300 mijë në shesh, “Aleanca për të Ardhmen” 3 mijë te “Asllan Rusi”
Përmes entuziazmit të mbi 300 mijë qytetarëve është finalizuar dje fushata 6 javore e kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha për kryetar Bashkie të Tiranës. Ritmet e muzikës, flamuj të të gjitha partive mbështetëse të koalicionit të mazhorancës si dhe ovacionet e qytetarëve kanë qenë pikat kulminante të mitingut madhështor të organizuar në Sheshin “Nënë Tereza” nga Partia Demokratike dhe partitë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Po ditën e djeshme edhe Partia Socialiste ka mbyllur fushatën e saj elektorale, e cila do të mbahet mend për mitingun më të dështuar të kësaj partie në fund fushate elektorale për numrin e vogël të pjesëmarrësve në të. I frikësuar nga mosmbështetja e banorëve të Tiranës, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka urdhëruar mbushjen e autobusëve nëpër rrethe. Vendi i përcaktuar për t’u mbajtur mitingu përmbyllës i PS-së ishte Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, kapaciteti i të cilit është 3 mijë vende.
Sikundër është përqendruar në fushatën 6 javore edhe në mitingun përmbyllës, kandidati Lulzim Basha i është drejtuar qytetarëve që e mbështetën në këtë takim me një fjalim ku prezantoheshin pikat kyçe të programit të tij për qytetarët, fëmijët dhe familjet e banorëve të kryeqytetit. Ndërsa i ka ftuar ata që të votojnë projektin e Tiranës europiane gjatë fjalës së tij, Basha i kërkoi qytetarëve të bëjnë dallimin midis një kryebashkiaku që kërkon të dëgjojë hallet dhe problemet e tyre, dhe atij që merret me ambiciet e tij, betejat politike. Ai theksoi se qëndron larg retorikës dhe fjalorit të ashpër politik. Sipas Bashës, konfliktet dhe sherrnaja politike nuk do të ndihmojnë asnjëherë në zgjidhjen e problemeve të Tiranës. Basha, duke parashtruar për herë të fundit programin e tij, deklaroi se punësimi do të jetë në krye të një platforme, e cila është parashtruar kohë më parë. Punësimi, ulja e taksave për biznesin e vogël që hap vende të reja pune, klasat me më pak nxënës në shkolla, eliminimi i trafikut, shtrimi i rrugëve dhe rrugicave, ndërtimi i Unazës së Madhe, parqe për fëmijët dhe të moshuarit, ulja e nivelit të ndotjes dhe pastrimin e qytetit, ndërtimi i linjave të tramvajit, përmirësimi i kujdesit shëndetësor si dhe shndërrimi i Tiranës në një atraksion turistik kanë qenë prioritetet kryesore të programit të kandidatit Basha për banorët e kryeqytetit që prej vitesh vuajnë neglizhencën e Bashkisë dhe drejtuesit të tij Edi Rama. Gjithashtu kandidati Basha ka siguruar se, ashtu si në 6 javë fushatë elektorale edhe pas 8 majit, komunikimi kryetar Bashkie-qytetar do të vazhdojë nëpërmjet caktimit të orareve të fiksuara për të dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre. Çdo muaj, Basha ka premtuar se do të raportohet për suksesin e objektivave në Bashkinë e Tiranës si dhe transparencën e taksave të qytetarëve të Tiranës. Në fushatën përmbyllëse të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” fitoren e këtij koalicioni e shprehu edhe Kryeministri, njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Gjatë fjalës përshëndetëse, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, është udhëheqësi më i shkëlqyer që ka njohur në jetën e tij. Ai i ftoi shqiptarët të votojnë si qytetarë evropianë dhe të barabartë, si qytetarë të lirë. “Sot, secili prej nesh, kanë vetëm një ëndërr, ëndrrën Tirana e zhvilluar, Shqipëria e zhvilluar, Tirana europiane, Shqipëria europiane. Vota më 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e parë të “Aleancës për Qytetarin” është votë për infrastrukturën më moderne të Tiranës e mbarë Shqipërisë dhe për shndërrimin e qyteteve në gjenerator të mëdhenj të zhvillimit dhe punësimit”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Gjithashtu, sipas Kryeministrit Berisha vota për Lulzim Bashën e kandidatët e mazhorancës, është votë për kthimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë në vend të gjelbërt me hapësirat më të mëdha qetësuese për qytetarët. Në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, të organizuara në Sheshin “Nënë Tereza”, merrnin pjesë të gjithë kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetarë bashkish e komunash.
Kreshnik MERSINLLARI
8 maji është fitorja e qytetarëve
Sali BERISHA
I dashur zoti Lulzim Basha, qytetari i parë i ardhshëm i Bashkisë së kryeqytetit, i Bashkisë së Tiranës. Të dashur zotërinj Ferdinad Xhaferri, Lorenc Luka, Durim Hushi, Ardian Kollozi, Andrea Mano, Ilir Deçolli, Refik Rrugia, Albert Sanxhaku, Agron Sinojmeri. Qytetarë të parë të Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës, Kavajës, Lushnjës, Gjirokastrës. Përshëndetjet me të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, për ju, qytetarët dhe qytetaret e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që me mundin, djersën, përkushtimin, mençurinë, guximin, besimin, shpresën tuaj, shndërruan në realitet ëndrrat më të bukura të njeriut. Ju realizuat ëndrrën e të gjitha ëndrrave, ëndrrën e lirisë. Ju me lumenj djerse, mundi dhe sakrifice, me reformat që ju mbështetët e shndërruat Shqipërinë, nga vendi më i varfër dhe vend i falimentuar, e ngjitët në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Bunkerët dhe tunelet e diktaturës i zëvendësuat me vila, me qytete të reja. Ju me punën dhe përkushtimin tuaj, bëtë realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve të lëvizjes së lirë në mbarë Europën. Ju me shpirtin dhe virtytet tuaja bëtë që Shqipëria, e cila nuk ekzistonte kurrë në analet e turizmit dhe harta e tij, të jetë këtë vit e Bukura e Dheut, destinacioni turistik kryesor i globit. Sot, secili prej nesh, çdo fëmijë, vogëlush, nxënës, student, i rritur, i moshuar, burrë, grua, kanë në zemër një ëndërr, ëndrrën Tirana e zhvilluar, Shqipëria e zhvilluar, Tirana europiane, Shqipëria europiane. Unë, ju përshëndes ju nga ky shesh kudo që jeni, sepse ju këtë muaj, këto 30 ditë, ju u shndërruat në ministrat, kryeministrat, inxhinierët, mjekët, akademikët, urbanistët, arkitektët, pavarësisht se ku jetonit, për qytetin tuaj, për lagjen tuaj, për komunën tuaj. Bëtë një fushatë të paparë në historinë e këtij kombit, me një debat qytetar që ka njohur Shqipëria. Në çdo apartament, në çdo shtëpi dhe banesë, në çdo klub dhe restorant, në çdo rrugicë dhe rrugë, në çdo lagje dhe qytet, në çdo fshat dhe çdo komunë. Ju hartuat projektin e shndërrimit në realitet të ëndrrës sonë europiane, të ëndrrës Shqipëria e zhvilluar, Tirana e zhvilluar. Unë do ju shpreh këtu mirënjohjen më të thellë, për lidershipin që treguat këto 30 ditë, keni qenë udhëheqësit më të shkëlqyer që kam njohur në jetën time. Ndaj dhe jam sot, këtu për t’u angazhuar solemnisht para jush, se vota më 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e tjerë të parë të “Aleancës për Qytetarin”, është votë për infrastrukturën më moderne, evropiane të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Është votë për rrugë, rrugica, trotuare, posta, shkolla, kopshte të standardeve më të mira. Vota më 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e parë të “Aleancës për Qytetarin”, është votë për të shndërruar qytetet tona në gjeneratorë të mëdhenj, të punësimit, të zhvillimit, të prosperitetit tuaj dhe të mbarë Shqipërisë. Vota më 8 maj për Lulzim Bashën dhe qytetarët e tjerë të parë të “Aleancës për Qytetarin”, është vota për shkollimin e fëmijëve tuaj në standardet më të mira europiane, është vota për një arsim që t’i përgjigjet të gjithë kërkesave të kohës, është vota për të shpalosur vlerat e mëdha kulturore, visaret e kombit para vetes, para Europës. Vota më 8 maj për Lulzim Bashën, për qytetarët e parë të “Aleancës për Qytetarin”, është votë për të ndihmuar, për të zhvilluar biznesin në të katër anët e vendit, për të ulur taksat, për të rritur bizneset, për të shndërruar Tiranën dhe qytetet tona, në kryeqytetin dhe qytetet më tërheqëse për investitorët vendas dhe të huaj. Është vota për të krijuar dhjetëra e mijëra vende pune. Është vota për të gjeneruar çdo ditë e më shumë begati, zhvillim, prosperitet. Vota për Lulzim Bashën, vota për qytetarët e parë të “Aleancës për Qytetarin”, është vota për të ndërtuar së bashku Tiranën jeshile, Shqipërinë jeshile, Tiranën e shëndetit, Shqipërinë e shëndetit. Vota juaj më 8 maj për Lulzim Bashën dhe të gjithë kandidatët për kryetarë të bashkive dhe komunave të “Aleancës për Qytetarin”, është dhe do të jetë votë për ëndrrën tuaj europiane, për integrimin e Shqipërisë në Europë. Një muaj, 30 ditë ju me mençurinë, me dashurinë, me besimin tek qyteti juaj, komuniteti që i përkisni, keni hartuar qindra dhe mijëra projekte me të cilat ne në çdo qoshe të këtij vendi, nga Tirana në Vermosh, nga Tirana në Konispol, nga Frashëri në Lekbibaj do të ndërtojmë rrugë për rrugë, shtëpi për shtëpi, lagje për lagje, fshat për fshat, Europën më të bukur në Shqipëri. Ndaj dhe le t’i shndërrojmë ne këto zgjedhje, që mbahen në ditën e ngadhënjimit të lirisë dhe vlerave të qytetërimit perëndimor në Europë, në ditën tonë, në ditën e zotimit tonë ndaj lirisë, ndaj vlerave që ju besojmë. Le të nderojmë ne, miqtë tanë në Europë dhe në botë, duke votuar njëlloj si ata si qytetarë të lirë, si qytetarë të barabartë, si qytetarë të vendosur, të përcaktojmë dhe të firmosim të ardhmen tonë me votën e lirë. Sot në shesh janë shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, mirëserdhët në shtëpinë tonë, shtëpia jonë është shtëpia e juaj, është shtëpia e qytetarëve, është shtëpia e burrave dhe grave që i besojnë vlerave, moralit, virtytit, vetes, vendit të ardhmes. Orët që na ndajnë nga data 8 le t’i shndërrojmë në orë meditimi, asnjë të mos mbetet në rrugën e vetmisë, me ne është ngrohtë, me ne është njerëzi, me ne është besim, me ne është e ardhme. Ju ftoj më 8 maj të votojmë të gjithë Lulzim Bashën, të votojmë Lorenc Lukën, Ferdinad Xhaferrin, të votojmë Durim Hushin, Ilir Belen, Ilir Deçollin, Andrea Manon, të votojmë të gjithë kryetarët e Bashkive dhe komunave të “Aleancës për Qytetarin”. Ju garantoj se çdo votë e juaja do të shndërrohet në sukses për secilin prej jush, do të shndërrohet në zbatimin e qindrave dhe mijëra projekteve që ju hartuat për të bërë realitet ëndrrën tuaj europiane, ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar. Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Tirana është e para, qytetet tona janë të parat, fshatrat, komunat tona janë të parat, Shqipëria është e para.
I vendosur të ndryshoj Tiranën
Lulzim BASHA
Unë e fillova këtë fushatë me një pasion të veçantë. Tirana ime, Tirana jonë, qendronte përpara meje e zymtë dhe plot halle. Unë prej kohësh kam menduar, se ne i kemi një borxh të madh këtij qyteti të ëmbël, të dashur dhe mikpritës. Të gjithë i kemi një detyrim të madh. Për të ndaluar thinjen e saj të parakohshme, për t’i rikthyer gëzimin që padrejtësisht ka humbur, për të zgjuar shpresën e saj, për të justifikuar me punë, shumë punë dhe djersë të drejtën e saj për të shpresuar. Tiranën e preka dhe e ndjeva këto javë në çdo qelizë, në çdo nerv, në çdo pasion, në çdo ëndërr të fshehtë apo të hapur. Tiranën këtë zonjë të rëndë, këtë nënë, këtë motër, këtë mike, këtë tokë fisnike që ka njohur shpesh shumë mosmirënjohje, kuptova se sot, edhe më shumë se dje, është shndërruar në një dashuri të madhe dhe në një qëllim të madh të jetës sime. Kuptova se Tirana ka nevojë edhe për përkushtimin tim, për ndjenjën time, për punën dhe dashurinë time. Ashtu si ka nevojë për më shumë dashuri nga të gjithë ne, dashuri, vëmendje, përkujdesje dhe shërbim, shumë shërbim. Këto javë pranë qytetarëve të Tiranës, pranë halleve të tyre, pranë bukës së shtrenjtë, pranë të rinjve të papunë, pranë pleqve të braktisur, pranë nënave me rathë të zinj poshtë syve, përjetova edhe vetë një rilindje dhe rizgjim të ndjenjave të mia më të forta dhe më të ndjeshme. Dhe ju rrëfej se ndonjëherë, fshehurazi nga kamerat apo sytë e qytetarëve, kam fshirë edhe ndonjë lot të hidhur dhe të pabindur. Por, Tirana nuk ka nevojë për lotë. Ashtu si dhe nuk ka nevojë për britma dhe ulërima. As për politikë të madhe dhe as për grindje të mëdha, në emër të ca ambicieve personale, boshe dhe egoiste. Tirana ka nevojë për vëmendjen e bijve dhe bijave të saj, të shkolluar, të dashuruar me të, të motivuar, të zjarrtë, këmbëngulës, të hekurt dhe idealistë. Dhe kështu të dashur miq, shkova në çdo lagje të këtij qyteti, për t’u takuar me ju në shtëpitë tuaja, në vendet tuaja të punës, në rrugët tuaja për të dëgjuar problemet dhe shqetësimet tuaja. E bëra këtë për një arsye të thjeshtë dhe për një arsye të fortë njëherësh: Askush nuk mund të drejtojë nëse më parë nuk dëgjon. Dhe kjo është alternativa që ju keni përballë të dielën – alternativa mes një Kryetari Bashkie që ju dëgjon dhe një Kryetari Bashkie që çirret dhe dëgjon vetëm jehonën e zërit të tij, zërin e ambicies së tij politike të pafre.
Sloganet dhe betejat politike nuk i shërbejnë qytetit
Në mbarë Tiranën kam dëgjuar qytetarët, duke folur për sfidat e vërteta me të cilat ballafaqohet qyteti ynë: se ka shumë pak mundësi për të gjetur punë, shumë pak hapësirë të gjelbërta, çmimet janë tepër të larta, klasat në shkolla kanë shumë më tepër nxënës se norma, ka shumë trafik dhe rrugë të prishura dhe të pashtruara. Mund të çirremi sa të duam para këtyre sfidave. Mund t’i tundim grushtat në erë sa të duam para këtyre problemeve. Mund të përpiqemi edhe t’i mbulojmë ato, duke i shkuar përsipër një dorë boje. Por asnjë nga këto nuk i zgjidh problemet e qytetit tonë. Klithja e sloganeve politike nuk hap asnjë vend të ri pune dhe kësisoj, as edhe ulet dot çmimi qoftë edhe i një buke të vetme. Betejat politike nuk na e shkurtojnë kohën e kthimit në shtëpi, nuk e çajnë dot trafikun kaotik pas një dite të lodhshme pune. As nuk ndërtojnë dot, qoftë edhe një park të vetëm ku të luajnë fëmijët tanë. As fjalët e ashpra, as aktet e dhunshme nuk e bëjnë Tiranën një qytet modern europian. Një Kryetar Bashkie që merret vetëm me beteja politike, nuk i zgjidh dot problemet e qytetit tonë.
Është koha për të vendosur në vend të parë qytetarët
Sot, është koha për t’u ndarë nga këto grindjet dhe konfliktet politike, njëherë e mirë. Është koha për t’ju përveshur punës, për të vënë në rend të parë njerëzit dhe hallet e tyre. Punësimi është një problem që unë kam prekur në të gjitha bisedat e mia me qytetarët e Tiranës. Prandaj, unë kam përgatitur një plan për hapjen e vendeve të reja të punës, për të cilat kanë kaq shumë nevojë njerëzit tanë. Unë do të ul taksat për biznesin që hap vende të reja pune. Si Kryetar Bashkie, do të investoj në ndërtimin e infrastrukturës për të cilën ka shumë nevojë qyteti ynë. Do të përkushtoj të gjitha energjitë e mia për të nxitur investime të reja dhe vende të reja pune si dhe për ta shndërruar Tiranën në një atraksion turistik. Kryetari aktual i Bashkisë thotë se nuk është detyra e tij të krijojë vende pune për ju… Unë do të jem një Kryetar Bashkie ndryshe. Krijimi i vendeve të punës për ju, do të jetë detyra ime më e rëndësishme. Nga mijëra familje kam dëgjuar shqetësimin e tyre të madh për trafikun e rënduar, që na pengon të shkojmë në punë në mëngjes dhe të kthehemi në shtëpi, në familjet tona pasdite. Unaza e re do të ndihmojë që trafiku të lëvizë më shpejt dhe do të shmangë bllokimin e tij. Dhe kjo është gjëja më e natyrshme, por kandidati tjetër është kundër Unazës për një arsye të thjeshtë: sepse ka zgjedhur sherret politike në vend të bashkëpunimit me kundërshtarët e tij politikë. Në lagjet, rrugët dhe rrugicat ku kam ecur, kam prekur ankimet tuaja për çmimet e artikujve të përditshëm që nga buka e deri tek karburanti. Kryetari aktual i Bashkisë ngre duart përpjetë, thotë se nuk ka ç’bën dhe fajëson qeverinë. Por, unë mendoj se detyra e një Kryetari Bashkie, as nuk fillon dhe as nuk mbaron me fajësimin e të tjerëve. Unë mendoj se, Kryetari i Bashkisë duhet të qëndrojë i pari, në krye të punëve dhe në krye të përgjegjësive. Unë jam i bindur se, ne mund të ndërtojmë shkolla të sigurta dhe të ulim numrin e nxënësve në klasa. Unë jam i bindur se, ne mund të krijojmë parqe dhe sheshe lojërash të reja. Unë jam i bindur se, ne mund të investojmë për artin, kulturën dhe sportin. Unë jam i bindur se mund ta ulim nivelin e ndotjes dhe ta pastrojmë qytetin. Unë jam i bindur se, ne mund të ndërtojmë një dhe më shumë linja tramvaji dhe të përmirësojmë gjendjen e trotuareve. Unë jam i bindur se, ne mund ta shtojmë ndriçimin në rrugë dhe të rregullojmë problemet me ujin dhe kanalizimet. Dhe unë jam i bindur se, ne mund ta përmirësojmë përkujdesjen shëndetësore dhe sociale për të gjithë qytetarët, përfshirë grupet në nevojë dhe pensionistët, të cilët kemi detyrim t’i mbështesim. Dhe unë e di se edhe ju jeni të bindur që të gjitha këto duhen bërë pa humbur kohë.
Takim çdo javë me qytetarët
Po për t’i realizuar të gjitha këto na duhet një qasje ndryshe. Ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si punon Bashkia dhe duhet në radhë të parë të ndryshojmë mënyrën se si punon Kryetari i Bashkisë. Ne na duhet një Kryetar Bashkie, që i takon dhe i dëgjon qytetarët dhe u jep llogari atyre…dhe ky është pikërisht lloji i Kryetarit të Bashkisë që unë do të jem. Unë do të vazhdoj t’i dëgjoj njerëzit. Çdo javë do të kem një orar të caktuar për t’u takuar me qytetarët dhe për të dëgjuar hallet e tyre. Dhe ne do të takohemi së bashku në mbledhje qytetare të zgjeruara çdo muaj për të diskutuar dhe raportuar mbi progresin që do të bëjmë së bashku. Unë do të bëj transparent çdo shpenzim që bën Bashkia dhe do t’i publikoj rezultatet në mënyrë, që çdo qytetar të shohë me saktësi se si përdoren paratë e taksave të tyre. Nëse Tirana do të bëhet një qytet modern evropian, ju keni nevojë për një zë dhe për një zgjidhje. Kur një sipërmarrës kërkon ta zgjerojë biznesin e tij, por nuk mundet, sepse taksat janë tepër të larta, ai ka nevojë për një zë dhe për një zgjidhje energjike. Kur nënat ankohen se fëmijët e tyre nuk kanë një shesh ku të luajnë, ato kanë nevojë për një zë dhe një zgjidhje të shpejtë dhe të prekshme. Kur një çift i moshuar ankohet për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe ngjitur me shtëpinë ku jetojnë, ata kanë nevojë për një zë dhe për një zgjidhje të qëndrueshme. Unë do të jem dëgjuesi juaj i vëmendshëm, zëri juaj, dhe në Bashki do të inicioj dhe realizoj zgjidhjet e halleve dhe problemeve tuaja.
Çdo projekt apo leje ndërtimi e hapur për publikun
Si Kryetar i Bashkisë, unë do të siguroj që çdo projekt apo leje e re ndërtimi, të jetë e hapur për publikun. Ju dhe fqinjët tuaj do të keni mundësinë të shprehni mendimin tuaj dhe të përcaktoni drejtimin që do të marrë zhvillimi i lagjes tuaj. Zëri juaj do të të dëgjohet edhe kur të zhvillojmë planin e ri urbanistik të Tiranës. Për një kohë tepër të gjatë, ju keni qenë të përjashtuar nga ky proces. Pikërisht për këtë arsye, si Kryetar i Bashkisë, unë do të miratoj një moratorium derisa të kemi miratuar së bashku plan e ri të qytetit, sepse ne nuk mund të ndërtojmë një Tiranë të re europiane, pa një plan, dhe ne e meritojmë të kemi një qytet, ku rregullat janë të qarta, të drejta dhe të barabarta për cilindo. Kandidati tjetër nuk është armiku ynë. Ai thjesht nuk duhet të jetë më Kryetari i Bashkisë tonë dhe kjo është zgjedhja që ju keni përpara të dielën. Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që ka prioritet luftën dhe betejat politike, dhe një Kryebashkiaku që do të luftojë krah jush në betejat e përditshme, me të cilat ju ndesheni sot të vetmuar në Tiranë. Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që çdo natë shkon të flejë, duke ëndërruar të bëhet Kryeministër, dhe një Kryebashkiaku që do çdo natë do të shkojë të flejë, duke menduar se si ta bëjë Tiranën një qytet më të mirë dhe më të begatë për fëmijët tanë. Mes një Kryebashkiaku që ankohet për ato që nuk mund të bëjë, dhe një Kryebashkiaku që do të bëjë gjithçka të mundur për ta përmirësuar qytetin tonë. Mes një Kryebashkiaku që thotë se nuk është detyra e tij të hapë vende të reja pune, dhe një Kryebashkiaku, detyra numër një e të cilit do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës. Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që beson se ka vetëm një rrugë dhe se ai na qenka e vetmja rrugë, dhe të një Kryebashkiaku që beson se së bashku ne mund të ndërtojmë dhe të përshkojmë rrugë më të mira. Mes një Kryebashkiaku që ua hedh fajin të tjerëve për problemet tona, dhe një Kryebashkiaku që merr përgjegjësitë për ta bërë qytetin tonë më të mirë. Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që mendon se ju e keni marrë atë që meritoni, dhe një Kryebashkiaku që mendon sinqerisht se ju meritoni më shumë. Shumë më shumë.
Tirana nuk duhet të ndalë kurrë së ëndërruari
Unë shpresoj se cilido prej jush, i ri apo i moshuar, burrë apo grua, demokrat, socialist, LSI apo PDIU, republikan, legalist, LZHK apo i pavarur, punëtor apo pensionist, i punësuar apo i papunë, do të bashkohet për të punuar për të ardhmen e qytetit; do të bashkohet për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që ju dëgjon, për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që merr përgjegjësitë që i takojnë, për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që do të punojë për vende të reja pune, për çmime më të ulëta, për më shumë parqe, për më pak ndotje dhe transport më të mirë…për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që vë qytetarët para politikës. Jam këtu përpara jush, si një djalë i këtij qyteti që ka përkundur në prehrin e vet që fëmijë ëndrrat më të bukura të jetës së vet. Në këtë qytet kam përjetuar emocionet e burrit, bashkëshortit dhe babait. Në këtë qytet kam ngritur shtëpinë dhe familjen time. Janë me mijëra fijet që më lidhin në mënyrë të pazgjidhshme me Tiranën. Miq, ide, plane dhe projekte për të ardhmen tonë. Kam dhe kundërshtarë, dyshues të sinqertë apo dhe baltosës të mirëpaguar. Por ky qytet dhe dëshira e paepur për t’ju përkushtuar atij është ndjesia dhe forca më e madhe që më shtyn përpara, përtej çdo dashakeqësie apo intrige me prapavijë politike. Unë shpesh i jam përgjigjur baltës me buzëqeshje. Sepse, ndërkohë shihja me sytë e mendjes rrathët e zinj poshtë syve të shumë nënave që më pëshpërisnin me dashuri dhe shpresë: Kurajo Lul Basha – ne besojmë tek ty dhe tek premtimet e tua. Dhe ato nëna, burrat, bijtë dhe bijat e tyre, motrat dhe vëllezërit e tyre, janë sot, më shumë se dje, forca ime e vërtetë. Një forcë njerëzore që kërkon me meritë gjëra njerëzore. Që do paqe, punë dhe një begati të ndershme. Që u trembet dhe refuzon grindjet, sherret, baltosjen dhe luftën ndërmjet bijëve të vet. Sepse, në krye të herës dhe në fund të fundit, nuk harroj kurrë që ne, miq apo kundërshtarë, jemi në të njëjtën kohë të gjithë qytetarë të këtij qyteti. Më 8 maj ju ftoj të votoni planin dhe projektin tim për Tiranën. Sepse, Tirana nuk duhet të ndalë kurrë së ëndërruari, njerëzit e saj nuk duhet të ndalin kurrë së besuari. Dhe unë, Lulzim Basha, jam i vendosur, jam gati që t’i përkushtoj gjithë kohën, energjinë dhe forcën time, sëbashku me ju, që t’i kthejmë mundësitë, shpresat dhe aspiratat tona në realitet!
No comments:
Post a Comment