Fati i kryebashkiakut të ri të Tiranës mbetet në dorë të surprizës së tetë kutive të fundit. KZAZ firmos në 02:00 procesverbalet e kutive të votave të kontestuara, pas negociatave të ambasadorit Arvizu. Pas numërimit të 8 kutive në 15 orë, Lulzim Basha kryeson garën me 571 vota plus
Tiranë Tetë kuti të mbyllura kundër 571 votave avantazh të Lulzim Bashës. Ky është “basti” i fundit, i vendosur në mesnatë për garën e ethshme elektorale për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës. Dita e gjashtë e numërimit të votave shtoi tensionin dhe dyndjen e përfaqësuesve politikë në palestrën e shkollës “Vasil Shanto”, ku për 15 orë me radhë u numëruan vetëm 8 nga 16 kutitë e mbetura prej mëngjesit të së premtes. Në orët e vona të mbrëmjes, bllokimi i rezultatit të 2 kutive bllokoi numërimin, për shkak të votave të kontestuara, ndërsa situata u zhbllokua me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu. Në orën 02.00 të mëngjesit, KZAZ firmosi procesverbalet e dy kutive, ku Rama ishte 100 vota në avantazh në të parën dhe 37 vota në të dytën. Ndryshe nga sa komentohej prej kampit rozë, 8 kutitë e numëruara shtuan dozën e ankthit në lojën e tejzgjatur të nervave, për shkak se nuk sollën edhe aq vota të “kuqe” sa pritej. Kutia e parë, e numëruar mëngjesin e djeshëm u nda me një diferencë të vogël votash në favor të liderit të opozitës, Edi Rama. Nga kjo kuti e parë, ai arriti të ngushtonte diferencën me rivalin e tij Basha vetëm me 5 vota. Dy kutitë e radhës, të hapura në tavolinat e numëruesve sollën sërish tension te të dyja palët, që përtej etheve të garës bëjnë kalkulimet e projeksioneve, probabiliteteve, votave të ëmbla e atyre të hidhura. Kutia e dytë u mbyll vetëm me 40 vota plus për Edi Ramën, ndërsa e treta me 39 të tjera. Kutitë e radhës shtuan ovacionet në kampin rozë e një dozë të pritshme shqetësimi në atë blu. 76 votat e firmosura për Edi Ramën u shënuan në procesverbal, duke mbyllur rezultatin për 4 kuti gjatë ditës së djeshme. Ndërsa kutia e pestë, e cila në fund të numërimit kishte 100 vota në favor të liderit të opozitës i kaloi KZAZ-së, për shkak të votave të kontestuara. Sipas të dhënave të marra në KZAZ-në 49, kutia e pestë ka 96 vota të pranuara nga komisionerët e djathtë, ndërsa për votat e kontestuara nuk ka ende një vendim. Kjo situatë ka shqetësuar socialistët dhe ka risjellë në njësinë 5 ambasadorin Arvizu, për të zhbllokuar situatën vetëm në orën 02.00, ndërkohë që numërimi ishte shtyrë për në mëngjes. Votat e kontestuara do të ktheheshin më pas në “kalin e betejës” në njësinë 5, që sollën jo pak tension mes palëve e bllokime të procesit. Në të njëjtin proces kontestimi hyri edhe kutia tjetër, e numëruar dje në “Vasil Shanto”, ku në procesverbal u shënuan 37 vota në favor të Ramës. Kutia e radhës do ta kthente lojën në favor të kampit demokrat, pasi përtej pritshmërive të tyre, kandidati Lulzim Basha mori 45 vota më shumë se Edi Rama. Ky avantazh i papritur për kampin rozë dhe vështirësia në mbushjen e “gropës” së shifrave ka sjellë vonesa në numërim. Kutia e tetë vetëm sa do të shtonte vuajtjen e deputetëve dhe vëzhguesve socialistë në njësinë 5, numërimi i së cilës u mbyll me 17 vota plus për Edi Ramën. Në fund të ditës së gjashtë, mes Edi Ramës dhe Bashkisë së Tiranës qëndron hendeku i 571 votave të avantazhit të Lulzim Bashës. A do t’ia dalë të konfirmohet për mandatin e katërt në Tiranë? Gara duket tejet e vështirë, e megjithatë vazhdon deri në votën e fundit.
Kutia 1
+ 5 vota për Ramën
Kutia 2
+40 vota për Ramën
Kutia 3
+ 39 vota për Ramën
Kutia 4
+76 vota për Ramën
Kutia 5
+ 100 vota për Ramën
Kutia 6
+ 37 vota për Ramën
Kutia 7
+45 vota për Bashën
Kutia 8
+17 vota për Ramën
Të dhënat e KQZ,
pa njësinë 5
Edi Rama 105 773 vota
Lulzim Basha 110 536 vota
Njësia 1
Edi Rama 9 704
Lulzim Basha 9 275
Njësia nr. 2
Edi Rama 15 819
Lulzim Basha 16 082
Njësia nr. 3
Edi Rama 8 933
Lulzim Basha 8 457
Njësia nr. 4
Edi Rama 10 860
Lulzim Basha 11 000
Njësia nr.6
Edi Rama 11 599
Lulzim Basha 10 981
Njësia nr. 7
Edi Rama 13 791
Lulzim Basha 13 328
Njësia nr. 8
Edi Rama 7 265
Lulzim Basha 9 761
Njësia nr. 9
Edi Rama 11 380
Lulzim Basha 12 024
Njësia nr.10
Edi Rama 5 702
Lulzim Basha 6 226
Njësia nr.11
Edi Rama 10 720
Lulzim Basha 13 402
No comments:
Post a Comment