Wednesday, May 11, 2011

Dështon Aurela Gaçe, Shqipëria jashtë finales

Këngëtarja Aurela Gaçe u ngjit e treta në skenën “Esprit Arena” në Duseldorf të Gjermanisë, duke performuar me energji “Feel the passion” në natën e parë të Eurovizionit.

Me gjithë pritshmëritë, Aurela Gaçe nuk arriti ta fusë dot Shqipërinë në finalen e Festivalit Europian.Në tetë vjet të historisë shqiptare në Eurosong, kjo është e treta herë që një këngë shqiptare nuk arrin dot deri në natën e çmimeve, duke iu bashkuar fatit të Luiz Ejllit dhe Frederik Ndocit. Nën sytë e 24 mijë spektatorëve dhe 220 milionë telespektatorëve në të gjithë botën, u zhvillua mbrëmë në Dyseldorf të Gjermanisë nata e parë gjysmëfinale e Festivalit Europian të Këngës. Përgjatë një orë e gjysmë u ngjitën në skenën e “Dyseldorf Arena” 19 këngë. Pas ngritjes së siparit nga tri prezantuesit e festivalit, Judith Rakers, Anke Engelke dhe Stefan Raab, nisi gara e 19 këngëve të para. Pas dy këngëve ritmike të Polonisë dhe Norvegjisë, e treta u ngjit në skenë këngëtarja Aurela Gaçe, me këngën “Feel the passion”, me muzikë të Shpëtim Saraçit dhe tekst të Sokol Marsit. Në performancën e saj këngëtarja u shoqërua nga tre backvokalistë të huaj, nga kitaristi Bledar Sejko dhe bateristi Emiliano Dhimo. Asnjë surprizë në interpretimin e Aurela Gaçes. Si gjithnjë shpërthyese dhe me një zë potent, megjithatë, duket se kënga me motive të Jugut nuk u prit me entuziazëm të madh nga dëgjuesi europian, i cili edhe votoi për këngët finaliste. Duket se nuk bënë përshtypje as fustani me flatra, as efektet skenike, të cilat përforconin edhe më karakterin shqiptar të këngës. Ca krahë drite në një sfond të kuq flakë, për të kujtuar shqiponjën, flakadanë zjarri që ndizeshin në pikat më kulmore të këngës. Ashtu si edhe dihej prej kohësh, kënga u interpretua në pjesën më të madhe të saj në gjuhën angleze dhe vetëm një strofë refreni në gjuhën shqipe. Ndoshta anglishtja nuk është puqur mirë me këngën labe. Nuk pati ndonjë entuziazëm të jashtëzakonshëm nga publiku, ndërkohë që gjatë ditëve të provave, kënga shqiptare ka marrë kritika pozitive. Por duket se këto lloj kritikash nuk ngrenë shumë peshë në votim. Edhe herë të tjera vlerësimet kanë qenë të tilla, madje Aurela konsiderohej si një ndër pretendentët e këtij edicioni, megjithatë, rezultati ishte i papritur dhe shumë më rëndë se herët e tjera. Ndërsa shpresonim t’i shpëtonim mallkimit të vendit të 16-të të listës së natës finale, as arritëm të preknim 25-shen. Dështimi i këtij viti vë edhe një herë në diskutim këngët që duhet të na prezantojnë në Festivalin Europian. Duhet të vazhdojë Televizioni Publik Shqiptar të përzgjedhë këngën përfaqësuese nga një festival fundviti, i cili nga viti në vit po e humbet identitetin dhe rëndësinë e tij? Mos duhen hedhur sytë në festivalet alternative, apo duhet gjetur një formulë tjetër përzgjedhjeje?

Mbrëmë, përzgjedhja e këngëve finaliste u bë me anë të votimit popullor dhe të një jurie profesioniste. Shumatorja e këtyre vlerësimeve nxori edhe 10 finalistët e parë, të cilët u shtohen 5 të tjerëve, të cilët kalojnë në mënyrë automatike në natën finale. Bëhet fjalë për vendet që kanë themeluar dhe sponsorizojnë këtë aktivitet: Francë, Itali, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca. Është për t’u ritheksuar këtë vit rikthimi i Italisë, pas 14 vjetësh mungese, i prezantuar nga këngëtari Raphael Gualazzi me këngën “Madness of love”. Kësaj pesëmbëdhjetëshe do t’i shtohen edhe 10 këngë të tjera finaliste që do të dalin nga natë e dytë gjysmëfinale, e cila do të zhvillohet nesër. Finalja e madhe do të zhvillohet në datën 14 në skenën e Dyseldorfit.


Dhjetë Finalistët

Vendet që siguruan finalen e Eurovision 2011:

1. Islanda

2. Lituania

3. Greqia

4. Azerbaixhani

5. Gjeorgjia

6. Zvicra

7. Hungaria

8. Finlanda

9. Rusia

10. Serbia

No comments: