Kur hesht politika, hesht edhe dhuna. Në ditën e heshtjes zgjedhore të partive politike asnjë incident serioz nuk u regjistrua nga policia dhe media. Ky fakt tregon edhe një herë tjetër se incidentet e mëparshme, përgjatë muajit të fushatës elektorale, ishin të frymëzuara nga një strategji tensioni qartësisht me qëllime politike. Flirtimi i politikës me dhunën është një dashuri me kontratë të përkohshme.
Sa herë politika ka nevojë për një hutim dhe pështjellim të situatës thirr nën armë profesionistët e dhunës dhe ndez oxhakun e kombinatit të shpifjes. Për të ndezur atmosferën përdoret baruti i zi i urrejtjes, si shprehje klasike e kapsollës sociale. Kështu ndodhi fiks me 21 janar. Detonimi i realiteti erdhi siç dihet nga një video e montuar në studiot e opozitës socialiste, që manipulonte me zë dhe figurë pjesëtarë të lartë të qeverisë në momente jo dhe aq tipike. Përcaktimi i demonstratës së të premtes së 21 janarit, në bulevard do të ishte i dhunshëm përderisa të enjten Edi Rama, me 20 janar do të deklaronte se populli mund të “tejkalojë opozitën”. U tha, u bë. Shthurja e gjuhës, çoroditja e mendimit nga kërcënimet, mallkimet, kërcitjet dhëmbëve, thirrjet për dyluftim, të gjitha këto prodhuan hyrjen “në skenën politike të vdekjes” (I. Kadare). Inskenimi i dhunës erdhi jo vetëm si frymëzim për marrjen e pushtetit, por edhe pse Egoarkut i duhesh një tjetër kauzë që të zëvendësonte rutinën e hapjes së kutisë. Me 21 janar u gjet kauza e “gjakut”. Prandaj Edi Rama përgjatë fushatës elektorale përdori shprehjen se duhet të “marrim hak”, edhe me votë. Kjo e fundit shoqërohej shpesh në çdo rrugicë që shkelte këmbalja guerile “votë në lule të ballit”, që është një kalk i shprehjes komuniste “armikut, plumb në lule të ballit”.
Kuptohet vetiu se nënndërgjegjja politike e Ramës nënkuptonte se opozita ishte në gjak me qeverinë Berisha, prandaj, si në çdo gjakmarrje teatrale përdoret vota si simbol i plumbit. Kësisoj është e pashmangshme stimulimi i zgjidhje përfundimtare, jo vetëm me votë, por edhe me plumb. Afërmendsh plumbat i mbajnë në torbë “Ushtria e votës” së krijuar pranë shtabit të luftës socialiste. Kundërthënia demokratike “ushtri” si masë e gjerë, dhe “votë” individuale, është një pasqyrë reflektuese e kundërthënies së vazhdueshme të udhëheqjes socialiste, përtej së majtës dhe së djathtës, pra askund. Si çdo kundërthënie tjetër, edhe kjo e Ramës vjen jo vetëm prej inkoherencës së qëndrimeve ekstreme politike, por edhe qëndrimeve personale fataliste dhe viktimiste. Historia e mos pranimit të humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit shkaktoi kalvarin e bojkotit, të protestës, të grevës së urisë, të bllokimeve të akseve kryesore dhe demonstratave të dhunshme është një akt që do të regjistrohet në analet e punëve të demokracisë shqiptare. Mirëpo në syprinën aktuale gjithçka që u sprovua përgjatë dy viteve të opozitës ishte një refuzim i humbjes, ç’ka u përkthye në një refuzim të realitetit dhe të votës në Shqipëri.
Sidoqoftë sot ne votojmë për të ardhmen e administrimin e komuniteteve lokale. Apeli im është i qartë: të heshtim me votë dhunën dhe të thërrasim në skenë punën, si domosdoshmëri për të afruar Europën në Shqipëri. Sepse Shqipëria nuk shkon në Europë duke bërë valixhe politike, por zbarkon jeta prej europiani në jetën e përditshme. Dhe kushdo që ka pak respekt për veten kupton se ka ardhur momenti për të parë interesin e jetës sonë, duke zgjedhur ofertën më të leverdishme për të zgjidhjen e problematikave konkrete dhe jo hamendjet abstrakte të luftës politike për pushtet. Kështu që konkrete është një program alternativ që bazohet në metrin për qytetarin dhe jo për pushtetarin. Cilido kandidat që ka vënë të parin qytetarin është i denjë për t’u votuar, dhe kushdo që ka vënë politikën e madhe si metër duhet refuzuar. Sepse madhësia s’është madhështi.
Sunday, May 8, 2011
Kur heshti politika e majtë, akteve të dhunës u mbaroi oksigjeni
Nga Lavdrim Lita
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment