Mark Marku
Dy ditë më parë, në një takim elektoral të zotit Basha, një pedagoge e Universitetit Politeknik ka shpërthyer në një sulm skizofrenik ndaj tij, ndërsa ai po shpjegonte para pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit platformën e tij elektorale. Mediat pranë Ramës janë munduar ta paraqesin këtë akt, krejt të padenjë për një pedagog universiteti, si një shembull moral të reagimit qytetar. Skena skizofrenike është dhënë e stërdhënë në ekranet televizive, është komentuar dhe, personazhi i saj, një grua që bërtiste me sa zë kishte në kokë duke sharë kandidatin, ka dalë shumë shpejt nga anonimati duke u bërë një simbol i kauzës socialiste për ta fituar për herë të katërt Bashkinë e Tiranës.
Ngado që ta shohësh një skenë të tillë, ajo nuk mbetet gjë tjetër veçse e shëmtuar. Zoti Basha po paraqiste në mënyrë të kulturuar, para një auditori po aq të kulturuar, platformën e tij elektorale, para qytetarëve që kishin zgjedhur me vetëdije të dëgjonin, pyesnin dhe debatonin për problemet e këtij qyteti dhe për të ardhmen e tij me zotin Basha. Zonja në fjalë mund të kishte zgjedhur të mos shkonte në këtë takim, të shkonte dhe të debatonte, të shkonte dhe të heshtte, ose të shkonte dhe të largohej. Nga të gjitha alternativat, ajo zgjodhi pikërisht atë më të papranueshmen: të ngrihej dhe të shante duke bërtitur me sa zë kishte në kokë zotin Basha. Ishte një pedagoge, ishte në një takim elektoral, ishte para kolegëve dhe studentëve të vet, të gjitha këto parakushte për pak qetësi dhe normalitet. Nuk bëri as njërën, as tjetrën.
Skena të tilla elektorale natyrisht ndodhin. Kandidatë që e mbështesin fushatën e tyre jo te paraqitja e alternativës së vet por te pengimi i paraqitjes së alternativës së kundërshtarit gjejnë mes militantëve të kampit të vet ata më problematikët dhe i nxisin që të shkojnë nëpër takimet e kundërshtarit për ta penguar atë të shpalosë programin e vet para qytetarëve. Janë njerëz të manipuluar dhe mundohen ta fshehin manipulimin pas sjelljeve të papërgjegjshme. Si teknikë elektorale është përdorur shumë në dy fushatat e para të fillimit të viteteve ‘90-të. Si ish-student i këtyre viteve, i angazhuar në dy fushatat e para të PD-së, më kujtohet sesi, në pjesën më të madhe të takimeve që organizonim me elektoratin, Partia e Punës na sillte njerëz të tillë “të papërgjegjshëm”, pas të cilëve, në shumicën e rasteve, fshiheshin ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit, apo militantë banalë të cilët na sulmonin, shanin, gjithmonë në funksion të pengimit të komunikimit tonë me elektoratin.
Teknika të tilla elektorale (të tejkaluara), më tepër se çdo gjë tjetër shprehin dëshpërimin dhe frikën e humbjes. Ramiz Alia e ndiente që e kishte humbur atëherë pushtetin dhe mundohej ta pengonte elektoratin me sjellje të tilla të dëshpëruara. Duket se edhe Rama praktikisht po bën një gjë të tillë. Fushata dhe paraqitja e zotit Basha para qytetarëve të Tiranës e ka bërë edhe më të diskutueshëm modelin Rama dhe më të qartë modelin për ndryshim. Për ta prishur pak këtë atmosferë ndryshimi sajohen personazhe të tilla, që shfaqen si intelektualë të pavarur, pasi e kanë provuar të kandidojnë më parë për partitë e majta.
Që Rama është i dëshpëruar dhe i frikësuar kuptohet jo vetëm nga një skenë e tillë skizofrenike, por edhe nga sajimi i “atentateve” me bombola gazi që shpërthejnë nëpër kosha plehrash apo nga stimulimi i “aksidenteve elektorale” anembanë vendit. Por më tepër sesa këto, dëshpërimin e Ramës e tregon deklarata e tij për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, pasi e ka përqeshur kundërshtarin e tij për deklarimin se do të hapë 30 mijë vende pune, pra dhjetë herë më pak. Dëshpërimin e Ramës e tregon edhe fakti se ai po përsërit, pasi i ka sulmuar të gjitha projektet serioze të kundërshtarit të tij Basha për pakësimin e taksave, për infrastrukturën rrugore të Tiranës apo projekte të tjera.
Ja pse ai “shpërthim zemërimi” i koleges sime më duket i pavend e mbi të gjitha simbolik. Ai, ashtu si edhe akte të tjera, është simbol i frikës nga humbja, i dëshpërimit prej pamundësisë për ta ndaluar atë.
No comments:
Post a Comment